Total Pageviews

Friday, January 20, 2012

Gjykata e Lartë: Kreu i LSI, i pafajshëm.


TIRANË- Gjykata e Lartë shpalli sot me unanimitet të plotë kreun e LSI-së, Ilir Meta të pafajshëm për akuzën e korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë të shtetit. Vendimi për pafajësinë e ish-kryeministrit është pritur me eufori nga simpatizantë të shumtë të LSI-së, të cilët priten për rreth 3 orë vendimin në selinë e kësaj partie.

Kolegji Penal i Kryesuar nga Ardian Dvorani vendosi pas 20 seancash gjyqësore të pushojë çështjen ndaj z. Meta. Gjyqtarët Ardian Dvorani, Majlinda Andrea, Guxim Zenelaj, Ardiana Fullani dhe Gani Dizdari kanë qenë të të njëjtit mendim për pafajësinë e Metës. Mendim të veçantë mësohet se ka pasur gjyqtari Ardian Dvorani i cili ndryshe nga kolegët e tij ka qenë dakord me pafajësinë, por ka pasur një arsyetim të ndryshëm, për një vendim paralel.
Sipas vendimit shpenzimet e gjyqit do t’i paguajë shteti shqiptar dhe bëhet fjalë për shifrën e 30 milionë lekëve të reja, shpenzime për pagesën e ekspertëve (shqiptarë dhe të huaj) që verifikuan videon.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, për cështjen vendosi:
1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarit të lartë shtetëror ose të të zgjedhurve vendorë e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston, bazuar në nenin 288 pika 1 shkronja “a” te Kodit të Procedures Penale.
2. Në bazë të nenit 190 të K.P.P. urdhërohet dorëzimi organit të Prokurorisë të provave materiale vijuese: Orë mikrokamer, kabëll USB, lap-top dhe USB.
3. Shpenzimet procedural penale, duke përfshirë shpërblimin dhe shpenzimet e kryera për aktin e ekspertimit gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor në vlerën 3.592.938, i ngarkohen shtetit.

Prokuroria kishte kërkuar dënimin fajtor të ish-zv.kryeministrit me 2 vjet burg dhe 1 milion lekë gjobë me akuzën e korrupsionit aktiv, pas transmetimit të video përgjimit të ish-kryeministrit Ilir Meta dhe ish-vartësit të tij Dritan Prifti. Meta u akuzua nga prokuroria pas publikimit të video përgjimit nga ish vartesi i tij Dritan Prifti. Në këtë video të transmetuar janarin e vitit të shkuar evidentohej Ilir Meta dhe Dritan Prifti duke diskutuar për favorizime kompanish për dhënien e koncesioneve të HEC-eve. Përballja e kreut të LSI-së me drejtësinë përfundon këtu, pasi Prokuroria nuk do ketë mundësi të ankimojnë vendimin.

No comments:

Post a Comment