Total Pageviews

Saturday, April 28, 2012

Rinas, si i shpëtoi trafiku i klandestinëve sistemit TIMS

TIRANE- Krerët e Komisariatit të Rinasit, rezultojnë të jenë përfshirë favorizimin e kalimit të paligjshëm të klandestinëve nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së. Ky është konkluzioni në të cilin kanë dalë specialistët e Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit. Ky përfundim lexohet në relacionin përfundimtar të hartuar nga kjo Drejtori në lidhje me rastet e kalimit të paligjshëm të kufirit si dhe kalimit me dokumente të falsifikuar të një numri të konsiderueshëm personash nga Kosova drejt vendeve të BE-së. Ky relacion i është dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ndërsa për dijeni i është referuar edhe Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, (DRKM) të Tiranës. Historia e trafikut të klandestinëve e zbuluar nga hetuesit e Policisë, të SHKB-së dhe të Policisë së Kufirit nisi të zbulohej në muajt janar dhe shkurt të këtij viti, pas kthimit të disa personave me shtetësi kosovare nga vendet e BE-së.
Sipas raportit, me datat një dhe 10 shkurt 2012, janë kthyer katër persona kosovarë. Ata janë kthyer me cilësinë e personit të depërtuar pasi janë kapur me dokumente false nga policia Italiane. Ata janë kthyer dhe janë regjistruar në librin e personave të depërtuar nga specialistët përkatës. Nga verifikimi i kryer për këta persona, ka rezultuar se ata kanë dalë nga Rinasi me datën 31 janar dhe 10 shkurt me linjën ajrore Tiranë- Bergamo me një nga kompanitë ajrore që operojnë në këtë linjë. Sipas raportit këta persona nuk figurojnë të regjistruar në sistemin TIMS, në kohën e kthimit të tyre në kategoritë përkatëse.Pokështu nuk gjenden praktikat shoqëruese të tyre si dhe nuk janë regjistruar në formularët përkatës dhe nuk janë paraqitur në komunikatat ditore.
Për të njëjtët raste të kthimit të kosovarëve me këto data, është proceduar disiplinarisht shefi i Seksionit Operacional Munir Shira, si dhe disa hetues dhe oficerë të tjerë të Policisë Kufitare. Kthime të personash të tillë me mangësi në dokumentacion, janë vërejtur nga verifikimet në datat 11 Shkurt, e 21 shkurt. Në të gjithë rastet, nuk janë gjetur praktikat shoqëruese të personave të depërtuar nga vendet e BE-së, kryesisht ato të vendeve pjesë e zonës Shengen.Pokështu mangësi në regjistrimin e personave në sistemin TIMS, janë regjistruar thuajse në pjesën më të madhe të rasteve të personave që kanë kaluar kufirin nga aeroporti i Rinasit, apo edhe në hyrje të tyre.
Kompanitë ajrore të cilat kanë kryer transportimin e personave nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, kanë konfirmuar në disa raste nëpërmjet shkresave përkatëse se personat rikthyer në Shqipëri kishin kaluar, pa u regjistruar në sistemin e policisë kufitare TIMS. Për këtë shkak si dhe veprime të tjera, në fund të muajit shkurt të vitit të kaluar, Drejtori i Policisë Kufitare të Tiranës, urdhëroi pezullimin e 17 punonjësve të Policisë së Shtetit, që shërbenin në aeroportin e Rinasit. Ndër ta ishin, shefi i Hetimit të Krimeve, në aeroportin e Rinasit, Komisar Astrit Gjonpali, shefi i Seksionit Operacional, Munir Shira, si dhe 15 oficerë të tjerë. Ndër ta, ishin dy oficere me gradën nënkomisare, të cilat kryenin funksionin e dhe disa oficerë të tjerë. Për pesë nga këta oficerë Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka kërkuar largimin nga radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa për të tjerët është propozuar ulja e tyre në gradë si dhe masa të tjera disiplinore sipas përgjegjësive.

Oficerja që zbuloi rrjetin dhe denoncoi shefin e krimeve
TIRANE- Në lidhje kalimin e disa personave përmes aeroportit të Rinasit, Nënkomisare Etleva Kadillari, nëpërmjet një informacioni dërguar Drejtorisë së Policisë Kufitare të Tiranës ka sqaruar se me 10 shkurt të këtij viti, ka qenë në turnin e parë në shërbim. Sipas saj rreth orës 14:30, i ka shkuar në kabinën e saj, shefi i seksionit të hetimit, Astrit Gjonpali, i cili i ka thënë se duhej të qëndronte në punë deri në orën 19:00, pasi duhej të kalonte dy persona nëpërmjet saj. Sipas pretendimit të Kadillarit, ajo kundërshtoi kërkesën e shefit të Hetimit të Krimeve, ndërsa më pas ai i përsëriti se duhej të vinin dy kosovarë dhe se duhej të kalonin nëpërmjet Etlevës. Një veprime të tillë, oficerja Kadillari, ka mohuar ta kryejë
“Në përfundim të turnit, ajo ka shkuar në zyrë të dorëzonte vulën, ku aty ka gjetur shefin e seksionit operacional, Munir Shira, i cili i ka thënë përgjegjëses së turnit Nirda Dushi se duhet të rrinte një kontrollor pasdite se do të kishte fluks dhe se për këtë do të bënte shënim në librin e shërbimit. Etleva në informacionin e ka sqaruar se për shkak të kërkesës së shefit të seksionit operacional, ajo vazhdoi shërbimin në kabinat e daljes dhe aty kanë ardhur dy shtetasit, për të cilët i kishte thënë porosi shefi i seksionit të hetimit. Në deklarimin e saj, të dhënë më 29 shkurt 2012 ajo ka sqaruar se i ka lënë të kalojnë dy shtetasit pasi kishte ndërhyrë Astrit Gjonpali” thuhet në relacionin e Drejtorisë Së Standardeve Profesionale, drejtuar kreut të Policisë Hysni Burgaj dhe Drejtorisë Rajonale të Kufirit. Këta dy shtetas kanë paraqitur pasaportat kosovare, si dhe leje qëndrimi franceze dhe janë lënë të kalojnë, duke i regjistruar në sistemin TIMS.
Të nesërmen, Etleva ka pyetur shefin e krimeve se çfarë është bërë me këta shtetas që kaluan në këtë rast dhe ai i ka thënë se janë kthyer INAD, por të vazhdonte punën se do të merrej ai. Shtetasit kosovarë, që kanë kaluar nëpërmjet kabinës ku punonte Etleva Kadillari, janë Nazer Azeri dhe Valmir Thaçi dhe janë kthyer INAD të nesërmen e datës 11 shkurt 2012. Në deklarimin e saj, të dhënë më datë 29 shkurt 2012, ndër të tjera kjo punonjëse ka sqaruar se i ka lënë të kalojnë këta dy shtetas, pasi i kishte ndërhyrë Astrit Gjonpali dhe se për këtë nuk ka njoftuar asnjë nga eprorët e saj. Megjithatë, ajo ka vendosur t’ia dërgojë këtë shqetësim drejtorit të kufirit, duke e vënë në lëvizje për organizimin e trafikut. Drejtori i kufirit ka lajmëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, duke nisur hetimet paraprake dhe nga informacionet e grumbulluara është vënë në lëvizje edhe Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm”, thuhet në raport. Përveç rastit të mësipërm, ndaj Kadillarit, ka pasur edhe një rast tjetër, ku ajo ka qenë nën procedim disiplinor, pasi ajo ka qenë në shërbim me 20 janar, kur ka kaluar një shtetas kosovar me emrin Alban Hamiti. Për këtë person, Kadillari ka mohuar të ketë dijeni. Për këtë situatë, është pyetur edhe ish- shefi I hetimit të krimeve, në komisariatin e Rinasit Astrit Gjonpalaj. Ai ka mohuar që të ketë ndikuar po të ketë kërkuar nga kjo oficere apo edhe oficerë të tjerë favor me qëllim kalimin e personave të ndryshëm me ndërhyrjen e tij.

Trafiku i klandestinëve drejtori i Aeroportit të Rinasit nën akuzë
Drejtori i areoportit “Nënë Tereza” është dërguar si i pandehur në gjykatë në vijim të hetimeve nga njësia “Task-Force” për një rrjet të akuzuarish që prodhonin viza false për kalimin e paligjshëm të kufirit. Burime të sigurta të “Top Channel” pohuan se Fatjon Hoxha do të gjykohet në gjykaten penale të Tiranës për akuzën e falsifikimit, ndërkohë që prokuroria ka tentuar disa herë përpara se të mbyllte hetimet për t’i komunikuar akuzën dhe pasi ka hasur në heshtjen e tij, i ka dërguar aktet me postë në zyrë. Ai akuzohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë, të arrestuar gjatë një operacioni të bujshëm nga krimi ekonomik-financiar, duke përfituar nga pozicioni i tij si drejtor i aeroportit, në bashkëpunim me shoferin e tij Ismail Gërbi, edhe ky i pandehur, ka lëshuar dokumente sikur disa persona ishin të punësuar në areoport, ndërkohë që kur këta shtetas kanë kaluar kufirin në vijim të hetimeve, autoritetet spanjolle kanë konfirmuar implikimin e Hoxhës. Operacioni për zbulimin e këtij rrjeti ku ndodhet nën akuzë 10 persona, mes të cilëve, Myslym Hysko, Artur Demi, Ismail Gërbi, Manol Papadhimitro dhe Fraklin Frekollari u publikua kohë më parë me mjaft bujë. Policia tha në atë kohë që të dyshuarit prej kohësh falsifikonin dokumenta që nga vizat, patentat dhe dokumenta të tjerë zyrtare përballë shumave nga 100 euro deri në 600 euro. / Top Channel

Javën e kaluar u kërkua përjashtimi i 5 oficerëve nga Policia
TIRANE- Javën e kaluar, me 19 prill, Drejtoria e Standardeve Profesionale, vendosi të propozojë përjashtimin nga radhët e policisë të 5 oficerëve dhe ndëshkimin e disa të tjerëve me masa më të lehta disiplinore si ulje në gradë apo ndëshkime të tjera, pasi ishte gjetur se shumë nga këta persona ishin përfshirë në favorizimin e kalimit të paligjshëm të klandestinëve nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së. Të ndëshkuarit dyshohet se merrnin 3800 euro mesatarisht për çdo person që kalonte drejt vendeve të BE-së me dokumente false. Për të gjithë personat mësohet se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, ka referuar procedimin penal në prokurorinë e rrethit për disa akuza penale. Më parë të ndëshkuarit ishin proceduar disiplinarisht me pezullim nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Të larguarit janë: Mynir Shira, me detyrë kryekontrollor, si dhe Bekim Lika, Edison Ahmetaj, Alkida Shima, dhe Nirda Lushi. Ata kanë kryer funksione dhe detyra si kontrollorë dhe përgjegjës turnesh, ndërsa u larguan nga Policia e Shtetit, për abuzime të rënda të cilësuara nga krerët e Policisë së Shtetit si dhe shkelje të gjetura gjatë punës së tyre. Ndër personat e pezulluar dhe të ndëshkuar me ulje në gradë është edhe ish- shefi i krimeve të Rinasit, aktualisht shef komisariati në Laç, Komisar Astrit Gjonpalaj. Ndërkaq për shtatë të tjerët, të gjithë kontrollorë, pas masë së pezullimit nga detyra është marrë masa e uljes së tyre në gradë.

No comments:

Post a Comment