Total Pageviews

Saturday, March 12, 2011

Milionat e politikes. Ja pasuria e Argites, Shkelzenit dhe Sokol Nanos

Dërguar më: 01/08/2009 - 07:51


Qarkullojnë plot thashetheme dhe akuza politike për familjen e kryeministrit Berisha. Në jo pak raste është pretenduar se Berisha e të afërmit e tij kanë përfitime financiare nga 1001 burime legale e ilegale, miliona euro në llogari bankare e dhjetëra prona të patundshme. Por, të jesh shef i qeverisë, për Sali Berishën nuk do të thotë të jetosh në luks apo të kesh një pasuri marramendëse. Për të disatin vit radhazi ai vijon të deklarojë se jeton vetëm me rrogën e tij mujore, ndonjë honorar të vogël, e disa kursime “qindarkash” nga dietat apo paga e bashkëshortes. Në deklaratën e tij të pasurisë për vitin 2008, Berisha sqaron se i vetmi burim të ardhurash është paga e tij prej 2.149.592 lekësh, shpërblimet në vlerën e 9 mijë lekëve si edhe paga e bashkëshortes në shumën e 576.947 lekëve. Por, ndryshe nga babai, dy fëmijët e kryeministrit rezultojnë më të pasur. Djali i tij, Shkëlzen Berisha nuk e ka për turp të deklarojë se të ardhurat e tij për vitin 2008 i ka siguruar kryesisht duke qenë “sekser” për lidhjen e kontratave të biznesit. Konkretisht, ai sqaron se për vitin që lamë pas ka ndërmjetësuar në një shitblerje, nga e cila ka përfituar një shumë në vlerë prej 82.882 euro. Shkëlzen Berisha bën gjithashtu të ditur se, si person fizik ka kryer edhe një tjetër ndërmjetësim në shitblerje duke përfituar shumën e 6930 eurove. Kurse, referuar punës si drejtor juridik pranë kompanisë celulare ‘Eagle Mobile’, ai deklaron se ka përfituar në harkun e një viti 460.497 lekë, të cilat i ka derdhur në Banka ‘Credins’. E megjithatë, Shkëlzen Berisha pretendon se jeton në Tiranë, në një apartament të marrë me qira me kosto 500 euro/muaj, ndonëse sqaron mandej se është pronar i një shtëpie në Stokholm të Suedisë. Sa i përket vajzës së kryeministrit, Argita Malltezit mund të thuhet pa frikë se ajo është një “golden girl” (vajzë e artë), pasi është personi më i pasur i familjes Berisha. Në formularin e deklarimit të pasurive, Argita pretendon se pjesën dërrmuese të të ardhurave të saj e mbulon mësimdhënia. Konkretisht, ajo thotë se rroga dhe shpërblimet që merr si pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë kapin vlerën e 821.500 lekëve, në një kohë që nga mësimdhënia në një fakultet privat në Kosovë paguhet 3000 euro në muaj. Sa i përket aktivitetit të saj privat si konsulente ligjore, Argita pretendon se siguron një të ardhur vjetore në shumën prej 5.264.363 lekësh. Në vitin 2008, ajo thotë se ka fituar edhe 13.200 euro si pasojë e shitjes së dy automjeteve në pronësi të saj, një makine tip ‘Mitsubishi’ L200 edhe të një ‘Benz Mercedes’ Class A. Ndërkohë që një tjetër burim të ardhurash për të janë edhe dhënia me qira e dy apartamenteve në pronësi të saj, nga të cilat fiton 900 euro/muaj (apartamenti tek ‘ETC’) si edhe 1700 euro/muaj nga qiraja e një apartamenti që disponon në pronësi të saj tek rruga “Lidhja e Prizërenit”, në kryeqytet.

Nano blen dy shtëpi në plazh me 176 mijë euro

Ish-kryeministri Fatos Nano vazhdon të shtojë në mënyrë të ndjeshme pasurinë e tij, edhe pse është pothuajse i larguar nga jeta aktive politike dhe figuron pa asnjë aktivitet privat personal. Gjatë vitit 2008, Nano e ka jetuar periudhën e “pensionit” në politikë duke shpenzuar “pa fre” për të blerë pasuri të patundshme. Konkretisht, ai ka harxhuar 176.720 euro për të blerë dy apartamente banimi në Durrës, me sipërfaqe respektive 210 m2 dhe 166m2. Ndërkohë, vlen të theksohet se për vitin që lamë pas, një burim i konsiderueshëm të ardhurash për Nanon ka qenë dëmshpërblimi i gjyqit që ka fituar me “L’unita”, në vlerën prej 134 mijë eurosh. Sa i përket burimeve të tjera të të ardhurave për ish- kryeministrin, ato kanë qenë paga e tij si deputet si edhe interesat e bankare. Por, blerja e pasurive të paluajtshme duket se ka qenë “pasioni” i familjes Nano për vitin 2008. Edhe bashkëshortja e tij, Xhoana Nano ka deklaruar se ka blerë në Shkodër një sipërfaqe prej 313 m2, në vlerën e 266.050 eurove. Nga ana tjetër, edhe djali i ish-kryeministrit, Sokol Nano figuron pronar i tre apartamente banimi. Konkretisht, në Tiranë ai ka dy apartamente, njërin me sipërfaqe 134 m2 të cilin e ka dhuratë nga nëna dhe babai, si edhe një apartament tjetër me sipërfaqe 100 m2 të cilin e ka blerë në vlerën 120.000 euro. Sokol Nano ka në pronësi edhe një apartament 70 m2 në Qerret të Kavajës, të cilin e ka blerë me 2.050.000 lekë si edhe është aksioneri i vetëm i një klubi në zonën e ish-Bllokut, në kryeqytet, ‘Lollipop Promotion’, për të cilën thotë çuditërisht, se i ka kushtuar vetëm 100 lekë të reja. Sa iu përket të ardhurave të tij vjetore, ai deklaron se kapin vlerën e 272 mijë eurove, e kjo falë punës së tij në emigracion, sikundër thotë apo edhe tek kompania celulare ‘Vodafone’ etj.
Rama
Të ardhurat e kreut të Bashkisë Tiranë, Edi Rama sigurohen nga paga dhe shpërblimet e tij si funksionar, në vlerën e 1.850.807 lekëve. Por, gjatë vitit që shkoi ai ka shlyer detyrimet e tij financiare ndaj një kredie bankare. Nga ky detyrim, kreu i Bashkisë ka shlyer 207.173 lekë. Ndërkohë që i ka mbetur pa shlyer edhe 1.207.859 lekë.
Topi
Një burim kryesor të ardhurash për Presidentin e Republikës, Bamir Topi gjatë vitit 2008 ka qenë testamenti i nënshkruar nga babai i tij, i cili ka ndërruar jetë. Vlerat e përfituar nga ky testament kapin shumën e 35 mijë eurove si edhe të 2 milionë lekëve. Gjithashtu, nga ky testament Topi ka përfituar një tokë arë me sipërfaqe 1070 m2 në Shkozë të Tiranës si edhe një tjetër tokë arë me sipërfaqe 5400, në Linëz dhe Shkozë. Nga prindërit, kreu i shtetit ka trashëguar edhe një banesë me sipërfaqe 101.87 m2 ndërtuar mbi truallin, pronë e trashëguar nga prindërit në Tiranë, me vlerë në shumën 2.800.000 lekë. Të ardhurat nga paga dhe shpërblimet në funksionin e Presidentit të Republikës për vitin 2008 kanë qenë në vlerën prej 2.483.020 lekë. Ndërkohë, edhe pse një pronar kaq i madh pronash të patundshme dhe trashëgimtar i shumave të konsiderueshme, Topi vijon të ketë një kredi të pashlyer për shtëpi banimi nga Enti Kombëtar i Banesave, në shumën e mbetur 1.020.000 lekë.

No comments:

Post a Comment