Total Pageviews

Friday, July 29, 2011

Zv.ministrat më të pasur të qeverisë


Teksa ministrat vënë pasuri vit pas viti dhe blejnë prona, as zëvendësit e tyre nuk mbeten pas. “Shekulli ka përzgjedhur disa prej tyre, të cilët kanë pasur aktivitetin më të madh financiar gjatë vitit të kaluar. Një pjesë kanë deklarimin e parë, ndërsa disa prej tyre mësohet të kenë pasur përfitime të mëdha gjatë vitit të shkuar. Prona të paluajtshme, llogari bankare me shumë zero, makina dhe kredi në vlera të mëdha. Kjo është në thelb përmbajtja e deklarimeve të pasurive të zv/ministrave.

Iva Zajmi

Zv. ministrja e Brendshme, Iva Zajmi ka bërë shpenzime të mëdha gjatë vitit të shkuar duke blerë një apartament me vlerë 138 000 euro. Një pjesë të shumës, ajo duket ta ketë plotësuar duke tërhequr nga banka një depozitë prej 6 milionë lekësh. Po ashtu, Zajmi rezulton të ketë marrë edhe një kredi me vlerë 5 milionë lekë, nga të cilat gjatë vitit të shkuar ka shlyer 60 mijë lekë. Në formular, rezulton edhe një makinë me vlerë 262 mijë lekë.

Për sa i përket të ardhurave, ajo ka marrë një pagë prej rreth 2 milionë lekë. Ajo gjithashtu mësohet të ketë qenë lektore në disa universitete private në Tiranë ku ka përfituar gjithsej rreth 10 mijë euro. Zajmi është autorja e disa librave, nga shitja e të cilave ka përfituar rreth 3 milionë lekë.

Zana Xhuka

Në emër të zv. ministres së Mbrojtjes, janë të deklaruara dy depozita, njërën në emrin e saj dhe tjetra në bashkëpronësi me vëllanë. Depozita në emrin e saj është në vlerën e 1 milionë lekëve, kurse tjetra në vlerën e 8 200 eurove. Nga paga, si zëvendësministre, Xhuka ka përfituar rreth 1.5 milionë lekë. Ndërkohë, në emër të saj rezulton një kredi për blerje apartamenti me vlerë 4.2 milionë lekë. Gjatë vitit të shkuar, ai ka shlyer rreth 133 mijë lekë nga kredia e marrë.

Ylli Manjani

Formulari i deklarimit të pasurisë së zv .ministrit të Transporteve, Ylli Manjani përbëhet nga pesë faqe dhe përmban pasuri të paluajtshme, depozita, makina, etj. Në deklarimin e tij të parë, Manjani ka përfshirë disa pasuri të paluajtshme, si një apartament banimi më vlerë 96 600 euro, një vend parkimi me vlerë 9 000 euro dhe dy toka arë me vlerë totale prej 4 milionë lekë. Si pasuri të luajtshme, Manjani ka deklaruar dy autovetura, njërën më vlerë 10 000 euro e blerë në vitin e shkuar dhe tjetrën me vlerë 300 000 lekë, i cili rezulton në emër të bashkëshortes. Po ashtu, ai rezulton pronari i të paktën pesë depozitave rrjedhëse në banka të ndryshme në vend. Në total depozitat kapin vlerën e rreth 75 mijë eurove. Për sa i parket të ardhurave, ai deklaron të ketë përfituar rreth 1.8 milionë lekë nga veprimtaria si avokat, rreth 10 000 euro nga aktiviteti si konsulent ligjor përgjatë viteve 2005-2010. bashkëshortja e tij nga ana tjetër ka përfituar rreth 3 milionë lekë nga paga po përgjatë të njëjtës periudhë. Manjani gjithashtu ka shitur edhe dy apartamente, njërin në vlerën e 7.5 milionë lekëve dhe tjetrin rreth 13 milionë lekë. aktualisht ai është duke shlyer një kredi me vlerë 5 milionë lekë me afat maturimi 25 vjet. Sipas deklarimit, çifti ka përfituar edhe rreth 5.2 milionë lekë dëmshpërblim nga zgjidhja e kontratës së punës në një bankë.

Eqerem Spahiu

Zv/ministri, i cili do të mbahet mend për demontimin e municioneve dhe daljen në studion e lajmeve të Televizionit Publik gjatë trazirave të 14 shtatorit 1998 duke deklaruar marrjen e pushtetit, ka deklaruar blerjen e një sipërfaqe toke prej 3 dynym me vlerë 680 mijë lekë si dhe 1.3 milionë lekë kursime. Gjatë vitit të shkuar, Spahiu ka marrë një rrogë prej rreth 1.3 milionë lekë. po ashtu, ai ka deklaruar pagën prej 360 mijë lekë të bashkëshortes dhe të ardhurat prej 5 500 euro nga qiraja vjetore e një ambienti privat.

Fati i Ferdinand Ponit

Zv. ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, duhet të jetë shqiptari me më shumë fat. Ai ka arritur që të bjelë një sipërfaqe toke prej 1600 metrash katrorë në fshatin Mullet të Tiranës për shumën e 372.800 lekësh. Pra vetëm me 3.7 milionë lekë të vjetra ai ka arritur të marrë tokën në një nga zonat me më shumë perspektivë në Tiranë. Poni e ka blerë tokën me çmimin 233 lekë të reja për metër katror kur në treg, çmimi i një metri katror tokë në Mullet është shumë herë më i lartë.

Neritan Alibali, zv. ministër i METE

Zv.ministri i METE, Neritan Alibali ka përfituar gjatë vitit të kaluar të ardhura nga babai i vdekur. I ndjeri ka kaluar vite të tëra në burg gjatë sistemit komunist dhe vitin e kaluar familja Alibali ka marrë një nga këstet e dëmshpërblimit. Neritanit i kanë takuar 344.809 lekë dhe një milionë lekë në formë letrash me vlerë. Ai ka blerë edhe makinën e punës për 375 mijë lekë.

Ermal Dobi, zv. ministër i Drejtësisë

Zv.ministri Ermal Dobi ka shënuar në deklarimin e tij të pasurisë një apartament të blerë në vitin 1996, në të cilën zotëron 5 pjesë nga 16. Dobi ka një depozitë bankare prej 7.5 milionë lekësh si dhe mban në shtëpi 4.8 milionë lekë të thata. Këtë shumë ka rreth dy vjet që e ka në shtëpi. Ai ka edhe një kredi të vogël.

Adriatik Alimadhi, shifrat nuk përputhen

Zv. ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Adriatik Alimadhi ka investuar këtë vit në blerjen e një pasurie të paluajtshme në vlerën e rreth 8.7 milionë lekë të reja. Në deklarimin e pasurisë ai shpjegon se zotëron 50 për qind të kësaj prone. Ndërkohë Alimadhi ka preferuar të ulë standardin e jetesës duke e nisur këtë gjë nga makina. Ai ka shitur një Mercedes për dy milionë lekë dhe ka blerë Hundai goxha më të lirë për 570 mijë lekë.

Në zërin e të ardhurave dhe shpërblimeve, Alimadhi ka shënuar pagën 1.37 milionë lekë në vit, shpërblimin nëntë mijë lekë dhe dieta për jashtë në shumën 100 euro. Bashkëshortja e tij është e punësuar në Hekurudha dhe paguhet rreth 18 lekë në muaj. Nuk dihet nëse Alimadhi e ka shënuar gabim këtë shumë në formularin e pasurisë apo bashkëshortja e tij është njeriu me pagën më të ulët në Shqipëri në 100 vitet e fundit. Familja Alimadhi ka përfituar nga një kredi me interesa shumë të ulëta si zyrtar i lartë shtetëror. Në vitin e kaluar ai ka paguar pesë milionë lekë të reja kredi në një kohë kur të ardhurat e tij janë më pak se 1.4 milionë lekë në vit. Këto të dhëna tregojnë që ose Alimadhi fsheh pasurinë ose herën tjetër ai duhet të punësojë një njeri që merr vesh nga numrat për ti plotësuar formularin.

Shekulli 29 korrik 2011

No comments:

Post a Comment