Total Pageviews

Tuesday, July 26, 2011

Si fitojnë para bashkëshortët e politikanëve


Sociologët përsërisin e përsërisin se liria në familje vjen në momentin kur të dy bashkëshortët kanë të ardhura të përafërta, e kur askush nuk e dominon tjetrin ekonomikisht. Mirëpo kjo situatë ideale nuk para shfaqet në përditshmëri as në botën perëndimore që marrim si synim, e lëre më në Shqipërinë tonë që ende s’po arrin të zgjidhë halle më të mëdha.

Nuk është qëllim i këtij artikulli të hedhë dritë mbi raportet e të ardhurave në familjet e shqiptarëve të thjeshtë, si ndryshojnë ato mes burrit e gruas, e si ndikojnë ato në sociologjinë familjare e urbane, sepse për të nxjerrë këto përfundime interesante, do të duhej një qasje sistematike e shkencore, nga ato që nuk i prodhon dot media, por institutet e dedikuara. Të tilla institute në Shqipëri nuk kemi, kështu që të vetmet të dhëna janë ato që na vijnë prej Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ku si çdo vit kanë shkuar të rrëfehen njerëzit më të rëndësishëm të politikës shqiptare, presidenti, kryeministri, kryeparlamentarja, deputetët, ministrat dhe aparatçikët kryesorë të disa institucioneve.

Mekanizmi i deklarimit dhe kontrollit të pasurive synon të bëjë transparencën e veprimeve financiare të pushtetarit e të zyrtarit, me pak fjalë, synon t’i tregojë popullit se nga burojnë e sa të mëdha janë pronat e kapitali i atyre që qeverisin. Për hir të transparencës natyrisht që këto të dhëna janë botuar e janë shpërndarë nëpër rrugë të ndryshme mediatike në ditët e fundit, dhe nuk përbën risi publikimi i tyre.

Mirëpo kurioziteti na shtyu të hulumtojmë në deklaratën e pasurive të familjarëve të njerëzve të rëndësishëm, me të vetmin qëllim, për të parë se cila është pozita ekonomike e pushtetarit në familjen e vet.

E përgjithshmja patriarkale na bën të paragjykojmë e të themi se pushtetarët tanë, shumica meshkuj, natyrisht që janë dominuesit e ekonomisë në familjet e tyre. Ky paragjykim i përgjithshëm vërtetohet nga faktet, me fare pak përjashtime që janë këto:

Zonja Olldashi punon në dy punë, paguhet sa dyfishi i të shoqit

Sokol Olldashi, i cili mban një prej portofoleve më të rëndësishme në qeveri, atë të Ministrit të Transporteve, është njëkohësisht personi që kontrollon procedura tepër të përfolura sa i përket tangenteve, korrupsionit e rryshfetit, siç janë tenderat, apo paratë që paguan qeveria për realizimin e projekteve infrastrukturore, siç janë rrugët e vepra të tjera. Mirëpo Olldashi vetë ka deklaruar si të ardhura personale për vitin 2010 vetëm 1.771.980 lekë dhe 1260 euro, që vijnë prej rrogave e dietave që merr si ministër, ndërkohë e shoqja, Enkelejda, ka deklaruar si të ardhura prej pagës si pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë 1.161.108 lekë, dhe si pedagoge e jashtme pranë një universiteti privat, 14.040 euro. Zonja Enkelejda praktikisht fiton dyfishin e të shoqit, zotit Ministër të Transporteve. Me këto të ardhura, ata kanë paguar një kredi për blerje apartamenti, në të cilën ka mbetur për të shlyer vetëm 82 mijë lekë, ndërkohë që edhe kanë kursyer. Deri në fund të vitit, llogaria e bashkëshortëve Olldashi është shtuar me rreth 22 mijë euro.

Më mirë artist se sa ministër

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami gjithashtu drejton një sektor të rëndësishëm, që zë një pjesë të mirë të buxhetit të shtetit, sidomos pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, gjë që solli me vete detyrime për investime edhe më të mëdha në ushtri. Përveçse drejtues i një segmenti tepër të shtrenjtë, Imami është dhe drejtues i krahut më “macho” të shtetit shqiptar, pra i ushtrisë sonë që na bën krenarë kryesisht përmes pjesëmarrjeve të saj në misione luftarake e në stërvitje të përbashkëta me aleatët tanë të mëdhenj, amerikanët. Ta do mendja që Ministri i Mbrojtjes në edhe në shtëpinë e vet është kryekomandant, mirëpo prej deklarimit të të ardhurave nuk rezulton kështu. Të ardhurat më të mëdha në familjen Imami i siguron bashkëshortja, Najada Imami, piktore dhe pedagoge në Akademinë e Arteve. Arben Imami ka deklaruar si të ardhura vetëm pagën e tij vjetore, në masën e 1.6 milionë lekëve, ndërsa e shoqja krahas pagës prej rreth një milionë lekë të përfituar si pedagoge ka përfituar edhe 15 mijë euro nga aktiviteti i saj profesional, pra si piktore dhe kuratore. Nga këto para të fituara prej bashkëshortes, çifti ka mundur të kursejë 7 mijë euro. Ndërkaq dy bashkëshortët Imami kanë marrë një kredi me interesa minimalë, për strehim. Kreditë në fjalë jepen vetëm për zyrtarët e lartë të shtetit, me kushte shumë të mira, siç janë interesat e ulta (simbolike) dhe afati i gjatë i maturimit. Përgjatë vitit të shkuar, Imami ka shlyer 284 mijë lekë, ndërkohë që mbeten edhe 3.1 milionë lekë për t’u shlyer.

Ministrja Bregu fiton sa gjysma e së shoqit

Të ardhura të krahasueshme ka edhe Ministrja e Integrimit. Gjatë vitit të shkuar, Bregu ka përfituar rreth 27 mijë euro të ardhura nga lëshimi me qira i një ambienti privat tek banka nga e cila ajo ka marrë një overdraft prej 145 mijë euro. Krahas kësaj, gjatë një viti, bashkëshorti i Bregut deklaron se ka realizuar rreth 50 mijë euro të ardhura nga paga si dhe shpërblimet nga puna e tij. Krahas të ardhurave 1.3 milionë lekë nga paga vjetore, Bregu gjithashtu është pronarja e disa llogarive bankare në shuma të ndryshme. Në emër të ministres janë tre llogari bankare në euro, dollar dhe lek, të cilat në total kanë brenda tyre rreth 8 mijë euro.

Zoti Topalli fiton më shumë se Zonja Topalli

Jozefina Topalli, kreu i njërit prej pushteteve të pavarura konstitucionale në Shqipëri, pra i legjislativit, nuk paguhet pak. Të ardhurat e saj neto për vitin 2010 kanë qenë 3.168.500 lekë, prej pagave, shpërblimeve e dietave që përfiton si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, apo si numri dy i pushtetit në vend, menjëherë pas Presidentit të Republikës. Mirëpo gruaja më e pushtetshme në Shqipëri prapë paguhet më pak se i shoqi. Bashkëshorti i kryeparlamentares, noteri Ndoc Topalli fiton në vit 3.500.000 lekë, duke vërtetuar që edhe një zanat privat modest, si ai i noterit, mund të përfitojë më shumë se sa postet publike që i kanë zili të gjithë. Apo nuk është kështu?

Lindita, tre herë më shumë të ardhura se Edi

Edi Rama nuk kursen shumë, këtë e dimë tashmë prej deklarimeve të tij të pasurisë. Gjithsesi, të ardhurat e tij në vitin 2010, prej pagave e shpërblimeve si kryetar bashkie, kanë qenë 1.613.879 lekë, thuajse aq sa të ministrave të kabinetit. Kjo shumë është e pakrahasueshme me të ardhurat e gruas së tij, Lindita Ramës. Zonja Rama përfiton nga puna si pedagoge në një Universitet Privat 3423 euro në vit, nga puna si përgjegjëse e sektorit kërkimor në “Qendrën për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor” 540.000 lekë në vit, nga puna si kryetare e bordit në Fondacionin Soros 624.000 lekë në vit dhe nga ekspertiza e ofruar për “Qendrën për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor” ka përfituar 12.050 euro. Në total znj. Rama ka përfituar 1.164.000 lekë dhe 15.473 euro, pra thuajse dyfishin e të shoqit. Përveç kësaj, zonja Lindita Rama përfiton edhe 19.440 euro në vit prej një apartamenti të lëshuar me qera.

Harasani me fat, ka gruan në SHBA

Andis Harasani, një nga deputetët më kritikë ndaj Ramës ka deklaruar si të ardhura personale 1.379.177 lekë, ndërkohë që e shoqja në SHBA paguhet 93.345 dollarë amerikanë. Kjo ndoshta është edhe arsyeja kryesore që e bën Harasanin të shpenzojë më shumë kohë në SHBA se sa në Shqipëri (kuptohet, përveç faktit që atje ka dhe familjen e vet). Legjislatori shqiptaro-amerikan paguhet sa gjysma e çerekut të pagës së gruas së vet.

Ekonomisti Malaj fiton më pak se e shoqja

Një tjetër “reformator” në PS, është Arben Malaj. Paga e tij si deputet i Kuvendit bashkë me shpërblimet i sjell të ardhura prej 1.861.748 lekësh në vit, ndërsa e shoqja, Rajmonda Malaj, përfiton prej Agjensisë së Sigurimit të Depozitave rreth 2.481.177 lekë në vit, prej pagës së saj.

Gazeta Shekulli online 7/26/2011

No comments:

Post a Comment