Total Pageviews

Monday, August 1, 2011

Mashtrimi me privatizimin e pronave shtetërore


Rënia e të ardhurave nga doganat e tatimet, vështiresia për të marrë hua qoftë dhe duke përdorur mekanizma si eurobondi, e detyroi qeverinë Berisha ngutazi të dërgonte për privatizim mijëra objekte, nga ato me më pak vlerë e gjer tek të paktat asete strategjike ende të paprivatizuara të shtetit shqiptar. Ndër këto orvatje privatizuese në disa raste kemi përpjekje të mjera për të maskuar dhe legalizuar vjedhjen e pronës publike. Në këtë shkrim ne nuk do trajtojmë gara privatizimi me shkelje procedurash apo me favorizim të padrejtë të njërit pjesëmarrës në kurriz të tjetrit. Do të trajtohet vetëm një rast, ku kemi shkelje të hapur të ligjit, ku nuk ekzistojnë fare objektet, që pretendohet se do të privatizohen siç pasqyrohen në listën bashkëngjitur vendimit të këshillit të ministrave për objektet,që do të privatizohen.

Në këtë listë, nën numrin 180, Ministria e punëve të brendshme nxjerr për privatizim objektet e mëposhtme: Godina e oficerit të rojes, garazh dhe bllok mencë, guzhinë dhe magazinë e banjë në lagjen nr.6, në Durrës përballë shkollës “Kushtrimi i lirisë”, nën administrim të Drejtorisë së Policisë Durrës. Siç shihet edhe nga fotot, në vend të këtyre objekteve, që do të privatizohen si edhe të objekteve të tjera, që tashmë u janë kthyer personave që pretendojnë se janë trashëgimtarë të patriotit të ndjerë Idhome Kosturi, kemi një kompleks banimi, zyrash dhe ambjentesh tregtare në një ndërtesë 12 katëshe. Natyrshëm pyetet se çfarë objektesh do të privatizohen, kur tashmë këto objekte janë shkatërruar dhe në vend të tyre është ndërtuar një grataçielë? A nuk kemi të bëjmë me një mashtrim banal – të pretendosh të privatizosh diçka që nuk ekziston. Nëse këto prona shtetërore ishin ambjente në shërbim të policisë shqiptare, atëhere si u larguan policët nga zyrat dhe ambjentet e shërbimit? Me çfarë dokumentacioni, me cilat procedura privatizimi dhe kundrejt cilës pagesë prona shtetërore u privatizua, para se të shpallej në listen e objekteve që do të privatizohen?

Nga fotoja e reklamës së firmës shohim se ndërtimi është me leje të rregullt, të lëshuar nga KRT-ja Durrës më 24 shtator 2008. Një leje e tillë nuk lëshohet nëse ka probleme pronësie. Në fakt këto objekte që do të privatizohen (të cilat fizikisht nuk ekzistojnë më) ishin funksionale në shërbim të Drejtorisë së policisë të Qarkut Durrës deri në javën e parë të janarit të vitit 2007. Pastaj me sebepin e kthimit të pronës tek pronari u urdhëruan policët e Durrësit të zbraznin objektet përfshirë edhe ato shtetërore të ndërtuara nga NSHN-ja në fillim të viteve 70-të. Objekti i boshatisur ruhej nga efektivë të policisë së Durrësit edhe për një periudhë 2-3 mujore pasi u larguan efektivat e rajonit. Më pas policët roje u larguan, dhe ish pronarët në bashkëpunim me një firmë ndërtimi shkatërruan të gjitha objektet private dhe shtetërore që gjëndeshin në vendin ku sot ngrihet pallati në fjalë.

Periudha e dëbimit të policisë dhe shkatërrimit të ndërtesave nga persona që pretendojnë se janë trashëgimtarë të Idhome Kosturit koincidon me një periudhë tranzicioni në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në këtë mesele është përfshirë Sokol Olldashi, me detyrë Ministër i Punëve të Brendshme gjersa dha dorëheqjen për të kandiduar për bashkinë e Tiranës, por edhe zv/ministri Gjergj Lezhja, i komanduar më pas si ministër, dhe Bujar Nishani – ministri pasardhës. Se si kanë guxuar këta ministra të tjetërsojnë pronën shtetërore pa asnjë procedurë privatizimi, pa arkëtuar asnjë shumë lekësh qoftë edhe qesharake, ky është problem i tyre. Këta ministra kanë urdhëruar me shkrim dëbimin e vartësve të tyre për t’i liruar objektin “pronarëve”. Në fund fare, pas tre vjetësh nga shkatërrimi faktik i objekteve shtetërore, del një VKM, që i nxjerr për privatizim këto objekte inekzistente. Ky shembull mashtrimi flagrant, ku objektet, që do të priuvatizohen nuk ekzistojnë fare fizikisht është një shembull i qartë se çfarë maskarallëqesh luhen me privatizimin e mundit dhe djersës 45 vjeçare të shqiptarëve. Ky proces po vazhdon të shërbejë për mbushjen e arkës së shtetit, që zbrazet nga objekte faraonike e zhvatëse siç është projekti i parlamentit të ri. Ky privatizim mashtrues shërben edhe si instrument për mbushjen e xhepave të nëpunësve të shtetit.Media e bëri detyrën e saj duke e denoncuar me foto dhe fakte skandalin. Tani opozita dhe organizmat e pavarura si fjala vjen KLSH, e kanë rrugën e hapur të kryejnë detyrën në mbrojtje të interesave dhe pronave publike.

Qeveria shet lulishtet e parqet si sheshe ndërtimi

Me një vendim të këshillit të ministrave, që prej prillit është publikuar lista me 327 prona publike në administrim të shtetit, të cilat tashmë janë të hapura për privatizim. Kjo listë e gjatë përmban objekte të shpërndara në gjithë Shqipërinë, ambiente që dikur kanë qenë reparte ushtarake, ndërmarrje prodhimi, fabrika, klube sportive apo hotele e pika turistike. Natyrisht që një pjesë e mirë e këtyre objekteve tashmë janë të shkatërruara prej mos-investimit, dhe çmimi me të cilin do të privatizohen do të jetë shumë më i ulët nga vlefta reale që do të kishin nëse administrata shtetërore do të ishte sjellë në mënyrë të përgjegjshme ndaj tyre. Por, përveç kësaj, ndër këto objekte ka të tilla që tashmë e kanë një funksion publik, e ndoshta nuk do të qe mirë të privatizoheshin.

Si shembull, mund të marrim “Aerodromin Fushor”, të njohur si “Fusha e Aviacionit” në Tiranë, një hapësirë që pjesërisht është shfrytëzuar për ndërtime pa leje e pa urbanizim, para vitit 1996, e pjesa tjetër (ajo që i shpëtoi uzurpimit) tashmë është kthyer në lulishte e park, me vendim të Bashkisë dhe KRT të Tiranës. Privatizimi i kësaj prone publike nënkupton se një hapësirë e kosiderueshme e gjelbër, e një prej parqeve që Tirana nuk i ka të tepërt, do të mbulohet me ndërtesa të reja. Sepse askush nuk do të paguante para për të investuar në një pronë që është e destinuar të mbetet park (kjo është dhe arsyeja pse shumica dërrmuese e parqeve në botë, janë publike).

Një shembull tjetër është “Klubi Sportiv Partizani”. Edhe ky objekt ka qenë në menaxhim të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila këto vite ka qenë e fokusuar në projektin e suksesshëm të demontimit të armëve, dhe me sa duket nuk ka patur kohë të merret me menaxhimin e njërit prej klubeve sportive që i ka dhënë ngjyrë e histori sportit shqiptar. Gjysma e ambienteve sportive pranë klubit tashmë janë uzurpuar nga pallate shumëkatëshe, e tani duket se po i afrohemi ditës që edhe pjesa tjetër të zhbëhet e të shndërrohet në beton e çimento. Kjo nuk do të qe perspektiva më e mirë për banorët e zonës që ambientet e klubit dhe ato të stacionit meteorologjik pranë tij i kanë parë gjithnjë si të vetmet ambiente ku komuniteti mund të shëtisë, e ku fëmijët mund të angazhohen në ambiente sportive e në ajër të pastër.

Ky fat, pra betonizimi, duket se i afrohet jo vetëm ambienteve që kanë mbijetuar gjer tani në Tiranë, po edhe shumë ambienteve në bregdet e në zona malore të Shqipërisë, që kryesisht kanë qenë në administrim të ushtrisë.

Gjergj Thanasi

Shekulli online 8/1/2011

No comments:

Post a Comment