Total Pageviews

Tuesday, April 10, 2012

Parlamenti grek i quan Rubikun e Pogradecin, helen

Nga Dr. Hasan LuçiPak njerëz e dinë të vërtetën e pamohueshme të skalitur në muret hyrëse të altarit të demokracisë greke, parlamentit helen në Athinë, aty ku bëjnë roje palikarët, që kundrohen nga vizitorët e shumtë, shumica e të cilëve nuk i lexon me vëmendje parullat në shpinën e rojeve që patrullojnë madhërishëm me fustanellën kombëtare shqiptare. Siç dëshmojnë këto fotografi të marra në vend, po japim këtu përkthimin e një pjese të shkrimeve shovene me miratimin e kushtetutës panhelene greke:
1) "Këlcyra - Përmet - Ostrovica - Pogradec - Rupeh - Perigori - Kreta - El - Alamin - Rimini - Rubik - Dodekanozi - Korea - Qipros";
2) Pindi - Borova - Korça - Kallamas - Tomorri - Trebeshina - Himara - Gjirokastër 731 = Bubesi - Kalibaqi"!
Këto shkrime të demokracisë greke zyrtare propagandohen edhe në kartolinat për turistët që t'i kushtojnë vëmendjen e tyre vizitës para parlamentit. Këtu shohin pamjen madhështore të paradës së rojeve të tij, dhe të lexojnë mbishkrimet me germa të mëdha në muret e tij, siç duken në dy kartolinat që botojmë këtu. Këto shkrime nuk tregojnë as më pak e as më shumë, veç kufijtë e perandorisë bizantine që duan të rindërtojnë sërish grekët e sotëm, duke synuar të gllabë-rojnë edhe troje të kombeve fqinje dhe në mënyrë të veçantë të ashtuquajturin "Vorio-Epir" d.m.th Shqipërinë e jugut, veç atyre të gllabëruara nga Konferenca e Londrës në vitet 1913. Kjo është politika shovene e pandryshueshme greke qysh nga viti 1844 kur u zyrtarizua "Ideja e madhe" e synimit të Greqisë së madhe,shkurt të ish-Perandorisë Bizantine. Këto gdhendje në altarin grek janë alibia e radhës kolonizuese helene me synime të qarta sot e nesër,- s'ka kuptim tjetër,- duke u kapur pas pakicës greke në Shqipërinë e jugut dhe në mëtimet për "Vorio-Epirin", dy shtylla të politikës zyrtare greke edhe sot dhe jo vetëm e qarqeve ekstremiste grekomëdha, përfshi kishën ortodokse greke dhe Patrikanën. Greqia ka ndryshuar gati tërë toponimet historike të trojeve shqiptare në Çamëri (Thesproti) dhe në Shqipërinë e jugut (i ashtuquajtur "Vorio-Epir"), duke i greqizuar, një vazhdë e vjetër teorike praktike atje, e mbrapshtë, edhe në gërmimet arkeologjike etnike shqiptare, një genocid historik e kulturor përjashtues ndaj shqiptarëve rrënjës atje. Greqia e Micotaqit pasi nisi pazaret me qeverinë e parë të tranzicionit dhe u nënshkrua në 1996 edhe traktati i miqësisë Shqipëri-Greqi, i cili do të zgjidhte çështjet e mbetura pezull nga e kaluara, nisi strategjinë e saj për ta bërë Shqipërinë një domen ekonomik dhe për të zbatuar mëtimet e saj të vjetra në një gjendje kur i erdhi zogu në dorë dhe duke vepruar pa skrupuj, pasi mori peng edhe shqiptarët e punësuar në Greqi etj. dhe e ka më lehtë t'i bëjë shantazhe e provokime qeverisjeve shqiptare të djathta e të majta, si dhe për t'u zhvatur lëshime me leverdi të madhe për synimet grekomëdha, duke përdorur edhe pengun tjetër të pakicës greke. Nuk është zgjidhur asnjë çështje në favor të Shqipërisë, se qeverisja jonë nuk guxon të kërkojë ndonjë gjë, por Greqia ka hedhur kudo tentakulat e saj eko-politike, fetare e kulturore. Qeverisja shqiptare bën thirrje vetëm për marrëdhënie të mira fqinjësie me Greqinë, por hesht si peshku për prapësitë e shumta ndaj shqiptarëve në Greqi dhe mëtimet greke territoriale. Ndërhyrjet greke në çështjet e brendshme e të jashtme të Shqipërisë dhe kombit tonë në tërësi dje dhe sot janë proverbiale sidomos pas Konferencës së Londrës më 1913. Greqia ka minuar fqinjësinë e mirë me shqiptarët, por jo e kundërta, as në raste konfliktesh të armatosura me nismën e Greqisë në trojet shqiptare. Greqia nuk i respekton shqiptarët as brenda as jashtë Greqisë, as ata që i dhanë lirinë, që sot duket hapët me gjendjen e monumenteve të tyre të pakta dhe vlerësimet në tekstet e historisë. Por Greqia kërkon të kundërtën nga shqiptarët, që pakicën greke ta trajtojmë më mirë se veten, megjithëse s'i kemi bërë asnjë gjenocid, asnjë mohim të të drejtave etnike, politike e arsim-kulturore, pra janë të kënaqur; veç një turme që nxitet nga dosja e zezë greke ndaj kombit tonë, që realisht krijon tensione provokuese në marrëdhëniet ndërshtetërore, jo për fajin e shqiptarëve, as të qeverive, as të nacionalizmit atdhetar shqiptar. Në fakt, Greqia bën cenime të sovranitetit e dinjitetit të identitetit etnik shqiptar prej kohësh, siç dëshmon historia. Kjo politikë shovene nuk është tashmë një hamendje edhe në këtë shekull, kur edhe Ballkani po ecën në integrimet euroatlantike, ku Greqia ka hyrë kokë e këmbë, si anëtare e vjetër, por që vepron si hajdute dhe kundër rrymës së BE në marrëdhënie me fqinjët, se vepron si Kal Troje panhelen në këto struktura dhe me diasporën greke nëpër botë. Nuk kemi ndërmend të bëjmë historinë e marrëdhënieve të Greqisë zyrtare, që nga shpallja e pavarësisë greke, me popujt fqinjë, pasi edhe se është faqja e zezë e shovinizmit grek në Ballkan, por shkurt po përmendim aventurën greke të kohëve të fundit, ku katërcipërisht vërtetohen synimet greke, dredhitë greke dhe hedhjet hi syve faktorit ndërkombëtar me aventurat greke të ditës, në vazhdën e tyre shekullore, të paraqitura si të bazuara në të drejtat etnike e fetare dhe konventat ndërkombëtare, për të cilën Greqia s'ka pyetur, nuk pyet dhe s'do të pyesë që nga Lidhja e Kombeve në lidhje me njohjen e trojeve të kolonizuara nga Greqia dhe të etnive, të cilave u ka mohuar historinë dhe autoktoninë e gjuhës amtare përmes ligjeve monarkiste e fashistizuese helenizuese. Qëndrimi zyrtar grek ndaj të ashtuquajturit "Vorio-Epir", si djep i helenizmit (njëlloj siç thotë Serbia për Kosovën), të emrit të Maqedonisë, në veçanti vetua e Greqisë për mospranimin në NATO etj. mëtime, janë alibitë e radhës kolonizuese helene me synime të qarta sot e në të ardhmen. Pa u ftohur kjo veto në Bukuresht më 03.04.2008, zv.ministri grek i jashtëm bëri turneun aventuror me thirrje të ethshme për të mbrojtur shtrirjen e helenizmit në Shqipërinë e jugut edhe atje ku s'ka këmbë pakice greke, duke vënë në lëvizje shkollën greke, grekomanët shqiptarë, kapitalet greke dhe kurthet e ngritura në institucionet e demokracisë kaotike shqiptare, e cila fatkeqësisht deri sot është rrumpallë e korruptuar rëndë nga politika, diplomacia e kapitalet greke, që vërshojnë dhe po i zënë frymën ekonomisë shqiptare të shkatërruar nga tranzicioni demokrat skizofren shqiptar; politika greke nisi tentakulat përmes shkollës greke, kishës ortodokse greke (e cila e bëri A.Janullatosin kaposhin e kishës autoqefale ortodokse shqiptare, i cili kërkon nga helen të bëhet edhe shqiptar pa gjak shqiptari, me synimin e Kalit të Trojës në radhët e të krishterëve shqiptarë, që i ka përçarë tashmë). Shikoni si po ngrihet katedralja ortodokse greke në mes të Tiranës dhe pa dyshim do t'ia dëgjoni avazin, siç po bëjnë me kishat e tjera ortodokse shqiptare dhe siç bëjnë serbët me kishat shqiptare në Kosovë, duke të dhënë dorën e marrë krahun, pastaj kokën...Pas këtyre vërshuan kapitalet mashtruese, trafiqet dhe shfrytëzimi i varfërisë së shqiptarëve për të bërë "vorio-epirotas", kunguar e marrë shtetësinë greke me emrat e njohur grekë me s-në pas. Erdhi dita kur zonja Bakojani, ministre e jashtme, shpejtoi të vinte në Tiranë për t'i mbrojtur nga akuzat e dukshme botërisht dhe pas saj zv.ministri i jashtëm vizitoi "domenin grek" në trojet e lashta shqiptare qysh para ardhjes së helenëve, për fatin e zi të pellazgo-ilirëve e shqiptarëve dhe më gjerë në Evropë dhe në botë. Ajo nënshkroi traktatin detar (skandalin e naftës), që e quajti fitore strategjike helene, se në fakt iu dhurua deti shqiptar për hesapet klienteliste, pavarësisht se opinioni shqiptar protestoi fort, megjithëse edhe BE po hesht ende, ndofta nuk e di pazarin?! Ç'të zgjatem më tej, se shqiptarët lexojnë gati çdo ditë lajme që të rrëqethin për bëmat e qëndrimet e "miqve" fqinjë me qeveritarët tanë demokratë të kulluar, që u ka dalë kallai. Tani së fundi, pasi u bë regjistrimi i popullsisë sipas diktatit grek, komisioni dypalësh qeveritar po studion dhe harton vendndodhjet e pakicës greke në Shqipëri, sigurisht edhe në zona ku s'ka pakicë greke, por që do futen si zona të përfshira në "Vorio-Epir", që nga Korça në Himarë, me hapësirë prej lumit Shkumbin, siç është synimi minimum i "Idesë së madhe" helene, me perspektivë shpalljen e autonomisë së "Vorio-Epirit", që i mbeti peng zonjës Bakojanis në 2008-ën, pas fitores strategjike për kufirin detar në Jon, ku u arrestua hapësira jonë detare. Greqia zyrtare akuzon shqiptarët se nuk bëjmë asnjë shkrim pozitiv për të! Jo vetëm që ky mendim është i padrejtë, por le të japin grekët një shkrim miqësor për shqiptarët, veç vërejtjeve, kërkesave dhe udhëzimeve e urdhrave për t'u sjellë siç u pëlqen grekëve jo miq të shqiptarëve. I akuzuari akuzon, gënjen se diçka do të mbetet. Shqiptarët s'i hanë pallavrat llaka-llaka. Greqia zyrtare mohon edhe historianët e vet antikë për të vërtetat historike mbi shqiptarët fqinjë "barbarë", d.m.th jo grekë, dhe po bëhen shekuj që na shesin moral kallp. Gjynah për tellallët e vjetër e të rinj, që e përlyejnë keq demokracinë greke edhe sot gjatë integrimeve në BE. Si jurist, si qytetar, si atdhetar shfaq dhembjen e kombit shqiptar dhe protestën time në shumë shkrime, se si ende sot, pas një historie të tërë aventurash dhe kolonizimesh helene në trojet natyrore etnike shqiptare, me bekimin e fuqive të mëdha mbrojtëse të Greqisë, faktori ndërkombëtar po mashtrohet ende sot dhe futet në kriza për faj të orekseve makute panhelene në Ballkan dhe më gjerë. Ky faktor ndërkombëtar le të hapi arkivat e tejmbushura me bëmat e shovenëve grekë dhe të analizohen e sintetizohen me gjakftohtësi, me veprimet e mosveprimet e ditëve të sotme, për të vërtetuar akuzat e vërteta kundër panhelenizmit dhe t'u jepet fund dhelpërive greke të njohura e sekrete edhe kur bëjnë dhurata. Këto veprime tregojnë se Greqia synon edhe gjatë rrugës së integrimit euroatlantik të Ballkanit të zhvatë sa më shumë të jetë e mundur edhe troje të fqinjëve, duke u hequr si udhërrëfyese dhe garantuese e rrugës sonë për në BE e NATO përmes Athinës, siç u përpoq të bënte edhe Millosheviçi etj. etj. në kohëra të ndryshme. Ky është qëllimi edhe i mosnjohjes ende të pavarësisë së Kosovës, veç qëndrimit të njohur gjatë luftës çlirimtare të UCK-së dhe faktorit ndërkombëtar e NATO-s. Paralelizmi me konfliktin në Qipro, për "Vorio-Epirin" apo emrin e Maqedonisë, për varrezat greke në Shqipëri, për çështjen e skandalit të kufirit detar për naftën në Jon, marshimet e politikanëve grekë në Himarë e gjetkë, fjalori propagandistik dhe bëmat e diplomatëve e konsujve grekë në Shqipëri, ecejaket me tamtame të krerëve të pakicës greke në Athinë, fshesat greke me mërgatën ekonomike në Greqi, akuzat kundër intelektualëve që mbrojnë të drejtat kombëtare, por që zyrtarë të lartë ose jo grekë i quajnë ultranacionalistë e që cenojnë e minojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë etj. janë pa dyshim shenja ogurzeza për marrëdhëniet e Greqisë me fqinjët dhe për të ardhmen e Ballkanit. Ne kemi të drejtë të shqetësohemi dhe të ngremë zërin e drejtësisë për t'i demaskuar mashtrimet grekomëdha dje, sot dhe në të ardhmen, gjë që justifikon edhe gjuhën tonë, që grekët e quajnë të ashpër, por jo më e ashpër se ajo e zëdhënësve diplomatikë grekë, mediave greke, e grupeve ksenofobe kundër shqiptarëve. BE dhe NATO në këtë botë rrëshqitëse në kriza sfilitëse ekonomike e politike me përmasa të krizës botërore të sistemit gjithëpërfshirës sot dhe sfidat që na presin në këtë shekull ngrihen shumë pikëpyetje edhe për qëndrimet e çdo vendi për sjelljet e tij reaguese, në veçanti siç është Greqia në vorbullën e falimentimit ekonomik dhe në shfaqjet e nacionalizmit ekstrem, racizmit dhe nxitjes së qarqeve fashistizuese e anarkike, pavarësisht se BE po bën të pamundurën për ta mbajtur Greqinë në vathën e vet si veshka në mes të dhjamit për arsye të gjeopolitikës dhe të shërbimeve që u ka bërë në politikën mesdhetare. Por politika shovene bizantine e Greqisë zyrtare është tashmë e ekspozuar qartë me synimet e saj, por që BE bën sikur nuk ia sheh dhe i vë furka që të mos rrëshqasë atje ku e kanë çuar politikat e mbrapshta grekomëdha në të katër horizontet. Këto synime greke tashmë që nga 1844 janë dukshëm si litari i Nastradinit i lënë jashtë varrit, ku BE po pengohet vazhdimisht dhe nuk merr masa kirurgjike për t'i vënë Greqisë kufirin te thana para se të marrë veprime të çfarëdoshme provokuese, kërcënuese e sulmuese ndaj fqinjëve të saj, kryesisht ndaj Shqipërisë, ndaj të cilës i ka drejtuar topat e mëdhenj dhe veprimtarinë e nëndheshme apo të hapur në marrëdhëniet e shumta me të gjatë këtij tranzicioni sfilitës e çoroditës, aspak normal për ecurinë e vendit e fqinjësisë së mirë. Nuk është rastësi që Greqia zyrtare apo lakejtë e saj brenda e jashtë vendit akuzojnë rëndë Republikën e Shqipërisë dhe shqiptarët për nacionalizëm e lloj-lloj absurditetesh edhe me paradat ushtarake zyrtare para krerëve grekomëdhenj dhe para përfaqësive diplomatike dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare atje. Valët e këtyre veprimeve janë si valët e detit, të papërmbajtura, agresive dhe cinike. Këto vërejtje tonat për qëndrimet zyrtare ose jo greke, nuk janë sulme, siç i komentojnë zyrtarët grekë, por janë tërheqje vëmendjeje se ku i çon mushka ata me këto mëtime, në një kohe kur mendohet se fryn një erë e re ndërtuese në BE, por që Greqisë nuk i pëlqen, se u vë mure orekseve të vjetra e të reja të saj. Si rrjedhojë, në radhë të parë, diplomacia shqiptare, me përfaqësuesit e saj në Athinë e gjetkë në konsullata deri tek kryediplomati në Tiranë, pastaj qeveria shqiptare nuk duhet të bëjnë sehir dhe të 'hanë' sheqerkat e Kalit të Trojës grek dhe të shtojnë zullumet dypalëshe me Greqinë. A s'i kanë parë diplomatët shqiptarë dhe deputetët e politikanët shqiptarë që kanë vizituar faltoren greke në Athinë ato gdhendje grekomëdha që i sheh tërë bota?! Si nuk ka reaguar askush publikisht para opinionit shqiptar e ndërkombëtar?! Pra, përkundrazi, duhet t'i vënë gishtin kokës të dy palët, se po ecin në terrene të minuara keqas me veprimet dhe mosveprimet e tyre faqe popujve dhe botës, duke mos i ndalur aventurat grekomëdha, që s'kanë të sosur, përkundrazi, janë vepruese në shumë drejtime. Shqiptarët gjithmonë kanë treguar vigjilencë, por në këtë tranzicion vigjilenca ka rënë poshtë e më poshtë, se gjatë këtij tranzicioni tragjiko-komik kanë ndodhur shumë ngjarje tronditëse e tragjike mes dy vendeve. Prandaj është koha të veprojmë me pjekuri e maturi që shovenët grekë të mos na përdhosin varret e të parëve, amanetet e të parëve, të mos ngrenë përmendore dhe institucione provokuese në trojet tona, as administrative, as fetare të kallëpit të tyre bizantin. Përkundrazi, kemi ne kërkesa ligjore për t'u ngritur përmendore heronjve tanë që luftuan për lirinë e pavarësinë e Greqisë, për ata që u masakruan nga genocidet greke, që u dogjën, u vranë apo u helmuan dhe u dëbuan nga trojet etnike natyrore e historike, nga Çamëria, siç i themi ne shqiptarët apo nga Thesprotia siç njihet botërisht e historikisht (një lloj siç themi për vete Shqipëria dhe bota na njeh si Albania). Ende çamët jetojnë jashtë vatrave stërgjyshore për faj të politikës greke së pari dhe më gjerë edhe pasi riatdhesoi të gjithë grekët e tjerë pas konflikteve luftarake të kohës. Vetëm për çamët (etnikët epirotas të Thesprotisë) vijojnë përgojimet si bashkëpunëtorë të hitlerianëve dhe mohimet për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, tragjedi pa fund?! Është koha e integrimit në BE, por edhe koha kur Greqia duhet të kërkojë ndjesë dhe të dëmshpërblejë për fajet e mëkatet e saj në veçanti ndaj shqiptarëve, t'u japë fund aventurave gjeopolitike, ndërsa BE, OKB, OSBE etj. të rivendosin padrejtësitë shekullore ndaj kombit tonë të copëtuar tragjikisht nga mashtrimet gjakësore të fqinjëve, jo me metodat kolonizuese, por me ato ligjore e paqësore që propagandohen e realizohen pjesërisht sot në BE. Shqiptarët janë gjithnjë paqësorë, s'kanë bërë sulme kolonizuese, veçse janë mbrojtur fuqimisht për mbijetesë në trojet e veta etnike, natyrore e historike. Jepini Cezarit atë që i takon, ndryshe Ballkani do vuajë, por do vuajë edhe BE e më gjerë. Ashtu siç vëzhgohet dhe i vihen kushte Shqipërisë për integrim në BE, ashtu BE duhet të vigjilojë edhe ndaj Greqisë, që t'i zbulojë prapësitë e saj me fqinjët brenda e jashtë saj. Si nuk i shikojnë diplomatët e BE-së këto gdhendje makabre në altarin demokrat grek apo nuk dinë greqisht?! O kuje më diell! Plagët që s'kanë zënë kore nuk mbyllen me harresë historike, siç bënë Greqia zyrtare, anëtare e BE dhe OKB. Asnjë lëshim, asnjë kompromis vrastar dhe antikombëtar shqiptar, asnjë përulje kameleone, asnjë gjunjëzim për çështje parimore e ligjore etnike, natyrore e historike me fqinjët. Kohët e turbullta në krizat që përjetojmë duhen të na vënë mend e jo të përulemi para formulave të sheqerosura, por që brenda janë helm me veprim të ngadaltë. Nuk bëhet fjalë për etiketimet nacionaliste, siç na quajnë edhe ca qeveritarët tanë gjoja demokratë, por për qëllime atdhetare e paqësore për t'u bërë ballë krizave varrosëse, për të mbijetuar e përparuar, siç e meritojmë me djersën e ballit, me gjakun e derdhur për liri e pavarësi në shekuj. Dritë dhe vetëm dritë mbi prapësitë dhe dredhitë e kohëve moderne dhe vendimmarrjet e më të fortëve. Pa urtësi, pa drejtësi, nuk ka paqe e qetësi!

No comments:

Post a Comment