Total Pageviews

Tuesday, April 10, 2012

Berisha: Turqit i kanë pasion gratë shqiptare

Kryeministri, Sali Berisha përforcon deklaratën e bërë në Ankara, se mes shqiptarëve dhe turqve ka lidhje gjaku, duke shtuar dje se kjo lidhje jo vetëm është e fuqishme por dhe se pasioni i turqve për gratë shqiptare është sipas tij i njohur botërisht. “Janë mbi 6 milion shqiptarë në Turqi, me miliona martesa dhe është botërisht i njohur pasioni i turqve për të marrë shqiptare dhe këtë e kanë parësore. Atëherë, do të themi se këta nuk kanë gjak shqiptar, se nuk kanë gjak të përzier?! Mund të them që lidhjet e gjakut janë të fuqishme”,- deklaroi Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ku informoi deputetët rreth vizitës së tij zyrtare dy ditore në Ankara. Në mbrojtje të tezës së tij kryeministri nuk nguroi gjithashtu t’i cilësonte “patriotë pa atdhe”, historianët që e kundërshtuan ashpër tezën e tij në forumin që “Gazeta Shqiptare” prej tre ditësh ka hapur për këtë çështje. “Meqenëse disa patriotë pa atdhe janë ndier të lënduar, sepse unë kam folur për lidhje gjaku, ju them këtyre zotërinjve që çdo ditë shesin injorancën e tyre në shkrime, se cila është origjina e fiseve ilire dhe cila është origjina e fiseve turke është qartësisht e njohur dhe se cilit grup i përkasin fiset iliri edhe cilit grup i përkasin fiset turke. Këto janë në njohuritë elementare të teksteve të shkollave të të gjitha niveleve, por të mendosh se vetëm gjaku i fiseve qenka lidhja e vetme e gjakut, kjo është qesharake”, deklaroi Berisha. Duke vijuar mandej replikën e tij me historianët, kryeministri shtoi gjithashtu se “në vend që të krenohen, ndihen të lënduar. Këta janë patriotë apatride, pra, njerëz që vënë një etiketë. Një komb që zuri karrigen e kryeministrit të asaj perandorie, minimumi 42 herë! Por këto i lëmë në arkiva, ne marrim këtë realitet. Se si u lënduan këta patriotë pa atdhe, nuk e mora vesh! Ndaj këtyre zotërinjve ju them shkruani sa të mundeni dhe protestoni. Ne do t’u qëndrojmë kudo që të ketë lidhje gjaku ky komb. Ne jemi krenarë me ta! Duhet të bëhemi realistë. Edhe Rilindjen tonë e themeluan shqiptarët në vendet e tjera dhe i bënë kombit shërbimin më të madh”, u shpreh Berisha. Në funksion të këtij qëndrimi ai solli madje, sikundër u shpreh edhe një sërë faktesh historike që sipas tij i jepnin të drejtë kësaj teze. “Shqiptarët ndihen me të drejtë krenarë me Skënderbeun, por nuk mund të injorojnë se dhe Barbarossa ishte shqiptar dhe ishte zot i deteve për kohën që jetoi. Shqiptarët janë krenarë me Lekën, por nuk mund të mohojnë se Sinan Pasha zotëroi hapësirat nga deti Balltik në detet e Jemenit. Shqiptarët janë krenarë me Naimin, por është fatlum fakti që Samiu, i cili shkroi librin e shenjtë të shqiptarësisë, është njëkohësisht themeluesi i turqishtes moderne, me fjalorin e tij. Le ta lëmë mënjanë, se perandoria është në arkiv. 100 vitet janë vitet e bashkëpunimit dinjitoz midis dy vendeve dhe kombeve mike, sovrane”, përfundoi Berisha.

Kanë apo jo shqiptarët lidhje gjaku me turqit? Kjo është pikëpyetja provokative e një debati të hapur sëfundmi nga kryeministri, Sali Berisha, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Nga Ankaraja, ku ndodhej për një vizitë zyrtare dy ditore (5-6 prill), deklarata e shefit të ekzekutivit se mes dy kombeve ekziston një lidhje genetike ka nxitur menjëherë reagimin e historianëve e studiuesve më të njohur në vend. “Gazeta Shqiptare” me anë të këtij forumi ndan sot me lexuesit qëndrimet për këtë çështje të Moikom Zeqos, Auron Tares e Behar Gjokës lidhur me një pyetje të përbashkët drejtuar secilit prej tyre: “Si e komentoni deklaratën e kryeministrit Berisha, sipas të cilit mes shqiptarëve dhe turqve ka marrëdhënie gjaku?”.
*****
MOIKOM ZEQO (historian, arkeolog, studiues, shkrimtar)
Dua të jem tërësisht gjakftohtë, larg çdo emocioni politik. Në mos gaboj filozofi francez flet se edhe në politikë ka metafora, pra ka metafora politike, por përherë konvencionale. Thënia se tërë popujt e botës janë vëllezër është një metaforë e tillë, akoma më skajshëm tri sloganet e famëshme të Revolucionit Francez janë “Liberte, Egalite, Fraternite!” (Liri, Barazi, Vëllazëri). Kështu është krijuar një metaforologji politike, që përdoret ende sot, pavarësisht saktësisë kuptimore, shkencore. Ne mund të themi se gjithë shqiptarët janë vëllezër, pavarësisht se nuk na ka lindur e njëjta nënë në nocionin biologjik, domethënë nuk kemi të njëjtin gjak në deje. Në rastin konkret deklarata e kryeministrit shqiptar apo edhe ajo e kryeministrit turk se të dy popujt (kuptohet që nuk janë i njëjti popull) janë vellezer, miq, etj. është një metaforologji politike, absolutisht konvencionale, formula verbale që në të vërtetë nuk përkufizojnë, as përcaktojnë, të gjithë i dëgjojnë, po askush nuk bën një indentifikim, pra janë në substancë dekorative. Fjalët e kryeministrit shqiptar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave “..e them vëllazërore se e theksuat ju që kemi lidhje gjaku” e tejkalon konvencionalitetin e metaforës politike, apo sloganin “vëllezër”. Që një përqindje e popullit turk mund të kenë qenë edhe shqiptarë (arsyet historike, emigacionet etj), ashtu siç ndodh, apo ka ndodhur me një përqindje shqiptarësh edhe tek popujt e tjerë (arbëreshët në Itali, arvanitët në Greqi) nuk është aspak një status shkencor themelor i përcaktimit të individualitetit etnik të popujve shqiptarë, grek, turk, italian etj. Janë të gjithë popuj të ndryshem. Në konotacionin shkencor të shqiptarëve dhe të turqeve dallimet linguistike dhe të etniciteteve janë të ndryshme qartësisht dhe këtu nuk hyn në logjikë asnjë lloj përqindje gjaku “të përbashkët” për të mohuar dhe sfumuar se dy kombet janë i njëjti komb(?!), gjë që askush nuk e ka thënë seriozisht deri më sot. Gjuha shqipe, që e ka farkëtuar në mijëvjeçarë etnicitetin shqiptar është një gjuhë indoeuropiane, krejt e veçantë, kurse gjuha turke përfshihet në familjen e gjuhëve turanike me mbi 30 gjuhë si turkmenishtja, gjuhët uzbeke, azerbaixhane, tartare, kirkize etj. pra nuk ka lidhje në susbstancë me gjuhën shqipe. Raportete midis dy gjuhëve janë edhe raporte midis dy kombeve, por pa mohuar asnjëherë domosdoshmërinë e lidhjeve politike, ekonomike etj. Por edhe nga kjo pikëpamje nuk kemi asnjë lidhje gjaku. Në politikë ka edhe lapsuse, ose edhe metafora të hipertrofizuara politike krejt të panevojshme, ose që krijojnë konfuzion. Politikanët shqiptarë duhet ta mësojnë më në fund këtë të vërtetë.
*****
AURON TARE (historian, studiues, publicist)
Deklarimi i fundit i z.Berisha mbi afërsinë e gjakut shqiptar me atë turk sigurisht nuk është i vetmi në vazhdën e deklarimeve bombastike që bën kryeministri sa herë që del jashtë Shqipërisë. Këto deklarime duhen marrë seriozisht pasi kuptohet qartë që z.Berisha është në përpjekje të vazhdueshme për të gjetur aleatë tashmë që kancelaritë perëndimore e kanë mbyllur derën e vizitave protokollare. Në këtë logjike ishte propozimi mbi gjuhën e detyrueshme kineze në shkolla një deklaratë që edhe vetë me sa u duk nuk e mori shumë seriozisht. Deklarata tjetër mbi lidhjet e gjakut me popullsinë Azere një deklaratë në dukje qesharake por mjaft e rrezikshme pasi kjo teori është një prej teorive të akademikëve serbë mbi prejardhjen e popullsisë shqiptare. Deklarata e fundit mbi lidhjen e gjakut të shqiptarëve me popullsinë turke është sigurisht në vazhdimësi llogjike për të kënaqur në një mënyrë sa më servile mikpritësit e tij turq. Jam i sigurtë se nëse kryeministri grek do ta ftonte për vizite zyrtare në Athinë do të dëgjonim një deklaratë të përafërt mbi lidhjet e gjakut që kanë shqiptarët me popullin grek. Pra mendoj se deklarata të tilla nuk duhen marrë shumë seriozisht në kontekstin që ato bëhen pasi janë thjesht qëndrime të përulura të Berishës ndaj mikpritësve të tij politikë. Rrezikshmëria e këtyre deklaratave nga ana tjetër qëndron në faktin se kryetari i qeverisë portretizon në takimet me të huajt një qëndrim sa servil aq edhe qesharak. Qëndrime të cilat të përkthyera në veprime konkrete dëmtojnë rëndë interesat kombëtare të Shqipërisë siç është rasti i kufirit detar, koncesionet e mëdha që jep në vijën detare, tolerimet në rregjistrimin e popullsisë dhe mjaft veprime të tjera. Që shqiptarët dhe turqit kanë një histori të përbashkët 500 vjeçare ky është një fakt historik i pakundërshtueshëm por që shqiptarët dhe turqit kanë lidhje gjaku ky është një deklarim siç e thashë edhe më parë sa qesharak aq edhe i rrezikshëm pasi i jep argumente atyre historianëve ballkanikë që vazhdojnë të kundërshtojnë autoktoninë e banorëve shqiptarë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Mund të kujtojmë deklaratën e Millosheviçit në 1989 në Fushë-Kosovë kur tha se popullsia kosovare është një popullsi e sjellë nga turqit në Kosovë pas betejës së famshme midis serbëve dhe turqve në Fushën e Kosovës. Deklarata e Berishës besoj se nuk ka shumë ndryshim nga ajo e Millosheviçit apo jo? Prandaj mendoj se përpos deklaratës servile të Berishës në Turqi mund të shikojmë edhe një përpjekje të tij për një aleancë me faktorë anti-europianë, një lëvizje kjo shumë e ngjashme me vitin 1996 e përshkruar mjaft mire nga gazetari, Mero Baze në librin e tij kur Presidenti Berisha kërkonte aleatë jo vetëm në faktorin mysliman por edhe në organizata të cilat më vonë u bënë mjaft të famshme në luftën e tyre anti-europiane.
*****
BEHAR GJOKA (studiues)
Pranëvënia e dy situatave, pritje vllazërore dhe lidhje gjaku, me njëherë të vë në mendim, për të parë të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen e dy popujve dhe kombeve tanë. Në logjikën formale, në fakt jemi në një situatë kortezie diplomatike,si dhe të një afrie fatesh përbashkëta, madje që është përdorur për shumë kohë dhe herë, edhe në raste të tjera, që nuk është nevoja të përmenden. Nga ana tjetër, në aspektin e logjikës së brendshme, vetëm të kësaj rrethane, pra ku kemi pritje vëllazërore, por edhe lidhje gjaku, probelimi tashmë do të kërkonte një thirrje të memorjes historike. Fati i përbashkët, pjesë e rajonit dhe e gadishullit Ballkanik, madje edhe si porta të ndërlidhjes së dy anëve të botës, të Perëndimit me Lindjen, ku Shqipëria si gjeografi dhe histori është më shumë perëndim, nga ana tjetër, Turqia është porta për në lindje, ka bërë që edhe tani të ruhen marrëdhëniet e mira, më tepër se sa miqësore, veçse Shqipëria duke u gjendur në qarkëzimin sllavo-ortodoks, në rajon e ka parë si aleat më të ngushtë Turqinë. Por kjo nuk do të thotë kurrsesi, që lidhjen e gjakut ta anashkalojmë, sepse në fakt kemi lidhje miqësore, mbase edhe gjaku, por është fakt miliona shqiptar të dikurshëm, të ikjeve të hershme dhe të vonë, tashmë pothujase janë asimiluar si gjuhë dhe doke, madje kjo ngjet krejt ndryshe me fatin e arbreshëve të Italisë, të cilët edhe pse po kapërcehen 500 vjet, vijojnë të flasin dhe shkruaj gjuhën shqipe, edhe si pasojë e hapësirës së krijuar nga shteti italian në të gjithë kohërat. Pra, lidhjet e prekshme të gjakut, duke qenë në kohërat moderne, do të duhet të shoqërohen edhe me pranimin e indentitetit gjuhësor dhe arsimor. Mandej, nga ana historike, prania e sundimit të perandorisë osmane, për disa shekuj, ndonëse ka një përpjekje edhe të historianëve për të mos e tajtuar si pushtim, çka krijon jo pak pështjellim, si dhe mbi të gjitha, nuk duhet harruar se fati i përbashkët, për pjesën dërrmuese të shqiptarëve, besimi i përbashkët në fenë islame, nuk do të thotë se jemi mbetje e asaj Perandorie, përkundrazi kemi indentitetin dhe integritetin tonë. Pra, me Turqinë apo me çdo shtet tjetër, më shumë se lidhje vëllazërore, se sa lidhje gjaku, tashmë duhet të synojmë të vendosim reciprocitetin në marrëdhëniet dypalëshe, duke i qenë miënjohës për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por edhe një rregullator thelbësor i marrëdhënieve rajonale dhe më gjerë. Duke qenë popull në zgrip të dy botëve, të dy qytetërimeve, si fat historik dhe bashkëkohor, simbas njohjes dhe përvojës së kombit shqiptar, sërish ne shqiptarët e gadishullit dhe kudo që gjallojmë, duhet të jemi të hapur me të gjitha pikat e horizontit, por pa nxjerrë nga mendja të vërtetat historike, se në themel të marrëdhënieve të kombeve, shteteve, popujve, përveç interesit dhe fatit të përbashkët, thelbësore është vendosja e partneritetit dhe reciprocitetit, real dhe ligjor.


Gazeta Sqhiptare  9 dhe 10 Prill 2012

No comments:

Post a Comment