Total Pageviews

Saturday, March 10, 2012

Raporti i DASH, Shqipëria vend tranziti i drogës

Luis Tanushi / Dashamir Biçaku Shqipëria vazhdon të mbetet vend tranzit i kalimit të lëndëve narkotike nga Azia drejt vendeve të Europës.

 Në raportin e tij vjetor, Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se pavarësisht përpjekjeve, Shqipëria vazhdon të jetë problematike në kontrollin e kufijve të saj duke u kthyer në urë kalimi për lëndët narkotike. Kontrolli i dobët në pikat kufitare dhe zbatimi i pabarabartë i ligjit, sipas DASH, kanë ndihmuar në trafikimin e drogës në Shqipëri.

Sipas DASH, niveli i konfiskimeve të drogës dhe ndjekjet penale mbeten në të njëjtin nivel me ato të një viti më parë, por përpjekja vazhdon të pengohet nga mungesa e burimeve, korrupsioni, dhe vullneti politik. “Shqipëria është kryesisht një vend tranzit për në Evropën Perëndimore. Grupet e krimit të organizuar përfitojnë nga vendndodhja strategjike e Shqipërisë, kufijtë poroz dhe zbatimi i pabarabartë i ligjit. Me përjashtim të kanabis, Shqipëria nuk është një prodhues i rëndësishëm i drogave të paligjshme”, citon raporti. Në vijim të raportit thuhet se Shqipëria vazhdon të bëjë përparim në përpjekjet e saj kundër lëndëve narkotike, por ajo është e kufizuar nga vet institucionet e zbatimit, politika e dobët, gjyqësori dhe nga ligjet. Në hartën globale të trafikimit të lëndëve narkotike, Departamenti Amerikan i Shtetit vëren se roli kryesor i Shqipërisë është ai i një rrugë tranziti në Evropën Perëndimore, dhe duke pasur parasysh pozitën e saj gjeografike, ajo pritet që të vazhdojë të ketë aktivitete trafikimi.

Raporti sqaron se Shqipëria nuk është prodhues i sasive të mëdha të kimikateve pararendëse apo drogave sintetike. Për shkak të çështjeve të tjera të ngutshme, qeveria shqiptare sipas DASH, nuk është në gjendje që t’i kushtojë shumë kohë apo burime abuzimeve me drogën. Gjithsesi raporti vlerëson bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet vendit tonë dhe fqinjëve të saj në luftën kundër drogës. “Shqipëria punon me fqinjët e saj dhe në nismat rajonale për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin, edhe pse përparimi pengohet nga sistemi i përçarë politik dhe zhvillimi i ngadaltë i institucioneve shqiptare të zbatimit të ligjit”, citohet në raport. Një pjesë të veçantë në raport zë dhe përpjekjet e qeverisë për ndërgjegjësimin e opinionit publik për dëmet që shkakton abuzimi me drogën. Edhe pse nuk ka një pasqyrim të saktë të përmasave të rritjes së përdorimit të llojeve të ndryshme të drogës në familje, raporti thotë se po rritet konsumimi i drogës në mesin e shqiptarëve të rinj. Pavarësisht disa nismave,në raportin e tij DASH thekson se ende nuk ka një diskutim në nivel të gjerë të masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e këtij fenomeni. “Qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa hapa modestë për të trajtuar uljen e kërkesës, megjithatë kjo temë ende nuk është diskutuar gjerësisht.
Edhe pse Ministria e Shëndetësisë pranon se përdorimi i drogës është në rritje, sidomos në mesin e të rinjve, nuk ka statistika të ekzistojnë për të përcaktuar shtrirjen e problemit. Shqipëria ka pak rregulla mbi shitjen e “benzodiazepineve”, të cilat janë shitur mbi banak, dhe abuzimit në familje nga këto medikamente që besohet të jetë në rritje”, thuhet në raport. Për të disatën herë , raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vazhdon që ta cilësojë Shqipërinë si pikë tranziti për trafikimin e lëndëve narkotike. Ndonëse është hequr nga lista e zezë e kultivimit të drogave të rënda, vendi ynë listohet si pikë kalimi e drogës nga vendert Aziatike si Afganistani apo Pakistani për në vendet europiane. Korrupsioni, i ngulitur thellë në Shqipëri Ryshfeti në radhët e gjyqtarëve dhe të prokurorëve është sende gangrenë për Shqipërinë.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, korrupsioni vazhdon që të mbetet në nivele tepër të larta, ku në jo pak raste ka ndikuar dhe në vendimet gjyqësore. Në raport thuhet se “Integrimi dhe përmirësimi i institucioneve të sistemit të drejtësisë penale kanë pasur efekt, por progresi është ende i ngadalshëm për shkak të pengesave politike dhe burokratike”. Mungesa e pavarësisë së gjyqësorit dhe transparenca në dhënien e vendimeve nga ana e gjykatave kritikohet si një nga pasojat e korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Korrupsioni mbetet një problem i ngulitur thellë në Shqipëri. Pagat e ulëta, pranimi social i ryshfetit dhe rrjetet e ngushta sociale të vendit e bëjnë të vështirë të luftohet korrupsioni mes policisë, gjykatësve dhe zyrtarëve në dogana”, thekson raporti. Në analizën e tij për punë e qeverisë shqiptare për vitin 20011, DASH, vlerëson se ka një rënie të rasteve të hetuara nga organi i akuzës.

 “Në vitin 2010, policia dhe prokurorët kanë qenë aktive në hetimin e zyrtarëve të qeverisë dhe personelit të zbatimit të ligjit për korrupsion. Edhe pse numri i përgjithshëm i rasteve të hetuara ra 3.9%, prokurorët patën sukses me marrjen me 17.3% më shumë raste të cilat janë referuar në gjykatë. Gjatë vitit 2010, sistemi i prokurorisë regjistroi 534 nga 555 raste në vitin 2009 për korrupsionin, referuar 142 nga 121 raste në vitin 2009, thuhet në raport. Megjithë rritjen e rasteve gjyqësore, raporti konstaton se numri i kthimit të vendimeve të marra nga gjykata ku qytetarët janë shpallur fajtorë ka rënë nga 211 në 162, një rënie 23%. Moratoriumi për skafet Një kapitull të veçantë në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit zë moratorium për mjetet motorike ujore. DASH konstaton se moratoriumi i qeverisë ka ndikuar në uljen e trafikimit të lëndëve narkotike dhe të qenieve njerëzore. “Ndalimi në 2005 i motoskafeve në të gjithë ujërat territoriale bregdetare të Shqipërisë vazhdon forcë për pengimin e lëvizjes së drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht në Itali. Qendra operacionale ndërministrore, edhe pse nuk vepron me kapacitet të plotë, ka ofruar ndihmë në zbulimin e aktiviteteve të paligjshme në det, duke çuar në përgjimin e anijeve transportuese të drogës. Anijet e reja, të kombinuara me rritjen e aftësive të qendrës ndërministrore, ofrojnë aftësi të zgjeruara për të zbuluar aktivitetet e paligjshme detare. Shqipëria lidhi tre marrëveshjet kufitare të përbashkëta me Kosovën në një përpjekje për të rritur zbulimin penale dhe të lehtësojë kalimin e kufirit. Përpjekjet në pikën Morinë / Vermicë Kalimi çoi në rritjen e zbulimit të personave të kërkuar, disa prej të cilëve janë të lidhura me trafikimin e drogës, si dhe krimit të organizuar”, thuhet në raport. Por, rinovimi i moratoriumit nga ana e qeverisë ka ndezur një debat të gjerë në Shqipëri, për shkak të kufizimeve që i vendosen turizmit duke ndikuar në uljen e turistëve që preferojnë brigjet shqiptare. Shoqëria civile si dhe opozita kanë kërkuar heqjen e moratoriumit gjatë stinës së verës. Madje, grupi parlamentar socialist ka depozituar në Kuvend edhe një nismë që synon heqjen e moratoriumit për skafet. Duke kritikuar dëmet që i sjell turizmit, opozita vlerëson në kërkesën e saj se thithja e fluksit të turistëve, ç’ka do të përmirësonte të ardhurat e shqiptarëve, e bën të domosdoshme heqjen e ndalimit të përdorimit mjeteve motorike ujore. Operacioni anti-drogë shfryhet si tullumbace TIRANE- Sasitë e drogës të bllokuara nga Policia e Shtetit dhe ato të deklaruara nga kjo e fundit për publikun kanë mospërputhje të dukshme të shifrave rrethanave dhe fakteve mbi ngjarjet konkrete të operacioneve të ndryshme të policisë. Një veprim i tillë duket se është kryer me qëllim rritjen dhe fryrjen e shifrave dhe rezultateve të policisë në opinionin publik, duke kryer manipulime me to, ndërkohë që rezultatet janë shumë më të ulëta nga sa ato reklamohen publikisht nga Policia. Ky fenomen, duket se është përdorur shpesh në mënyrë të veçantë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, gjatë disa prej operacioneve të fundit të kryera prej saj, në bllokimin e sasive të ndryshme të lëndëve narkotike. Rasti i fundit i përket sasisë së drogës së kapur nga efektivët e policisë së këtij qarku të mbështetur nga efektivët e forcave speciale Delta, për arrestimin e disa personave të dyshuar në trafikimin e lëndëve narkotike dhe bllokimin e sasisë që transportohej prej tyre me kafshë në rrugët e malit të Sopotit në Gjirokastër. Burime të organit të akuzës në këtë qytet, por edhe nga zyra e Antidrogës, thanë për “Shekullin”, se mëngjesin e 4 marsit, gjatë operacionit të koduar, “Prita”, janë gjetur dhe bllokuar 117 kilogramë marijuanë dhe jo në të vërtetë 140, sa ç’kishte deklaruar policia e qarkut në një deklaratë zyrtare për mediat, policia lokale. Po kështu edhe fakti se policia ka shkëmbyer zjarr me trafikantët, duket se nuk është i vërtetë, por vetëm një trillim i policisë lokale. Burimet e Policisë së Qarkut thanë dje për “Shekullin”, se një fakt i tillë nuk është aspak i vërtetë. “…Nëpërmjet rrugës automobilistike që vjen nga Delvina për tek antenat po afrohej një automjet tip ISUZU, pa targa me tre persona brenda. Shtetasit që po lëviznin me automjet ishin pritësit e lëndës narkotike dhe në momentin që janë takuar të dy grupet policia iu ka bërë thirrje të dorëzohen, por të dy grupet kanë hapur zjarr ndaj policisë me armë zjarri kallashnikov dhe pistoleta, ku kanë shkëmbyer zjarr me policinë përreth 20 minuta. Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve si dhe forcat Delta , kanë bërë të mundur neutralizimin e zjarrit si dhe arrestimin e dy shtetasve pjesëtarë të dy grupeve dhe konkretisht”. Fakte të tilla, duket se janë manipuluar saktë në deklaratën e zëdhënësit, pasi në vendin ngjarjes, policia ka gjetur vetëm katër armë zjarri, dy nga të cilat pistoleta dhe dy armë të tjera automatike të markës “Kallashnikov”. Në të kundërt në njoftimin zyrtar të Policisë së Gjirokastrës, nuk thuhet se është kryer këqyrje, gjatë të cilës të ishin gjetur apo sekuestruar gëzhoja të qitura nga ndonjë prej armëve të zjarrit. Një fakt i tillë, u pohua për “Shekullin”, edhe nga burime të policisë lokale, por edhe të organit të akuzës. Më tej, policia arrestoi pas ndërhyrjes Dhimitraq Rrapushin 37 vjeç dhe Arben Ahmetin 47 vjeç, të dy nga Delvina, një prej të cilëve i dënuar në Greqi, për trafik droge. Veç arrestimit të tyre, zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës, tha në deklaratën e tij se në kërkim ishin shpallur edhe katër persona të tjerë, duke dhënë inicialet e tyre, të gjithë nga Delvina. Në të kundërt burimet e “Shekullit”, në policinë lokale, por edhe në prokurori, thanë se në kërkim ishte shpallur Sajmir Allaraj, 24 vjeç nga Delvina, i cili arriti të largohej përpara ndërhyrjes së policisë

No comments:

Post a Comment