Total Pageviews

Saturday, March 10, 2012

Arvizu: Qeveria vuan lodhjen nga pushteti

Janush Bugajski- 09/03/2012 Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu gjatë intervistës në “Albanian Screen” me Janush Bugajskin është shprehur dje, se qeveria Berisha po vuan lodhjen nga pushteti. Ndërkohë ai është shprehur i ashpër edhe me opozitën për “21 janarin”.]

 Ai tha se ajo që ndodhi në 21 janar nuk është ashtu siç e përshkruan opozita. A mund të thoni që disa vendeve, në veçanti atyre që fillojnë nga një pikënisje më e ulët, u duhet një brez për zhvillimin, zhvillimin demokratik, që zgjat më shumë. A mund t’i jepni shqiptarëve një afat për sa i përket kohës që do t’u duhet për të arritur nivelin e Polonisë apo të Republikës Çeke?  

Kam ndjesinë se ka një farë padurimi apo nervozizmi nga ana e popullsisë kohët e fundit dhe kjo është gjë e mirë. E përsëris, pranohet gjerësisht se përparimi ka qenë mjaft mbresëlënës, por, sërish, pyetja është ‘çfarë është bërë kohët e fundit’? Sidomos po të marrim parasysh faktin se që nga 2009 përparimi ka ngecur dhe për pasojë frustrimi është në rritje. Ka ende një atmosferë të polarizuar. Kur sheh rreth e rrotull institucionet, mungesën e efikasitetit të tyre, ti vret mendjen: ku po shkojnë? 

  A ka rrezik të hapave prapa, me fjalë të tjera, a mund të përcaktohet Shqipëria, jo një demokraci e dështuar, por një demokraci e lëkundur? E shihni dhe ju kështu? Unë nuk kam arritur ende në këtë pikë. Jam shumë i qartë kur them se reforma ka ndalur dhe, në fakt, është pothuajse një situatë në të cilën nëse nuk ka përparim dhe fillohet nga një pikënisje e ulët, praktikisht mund të ketë kthim prapa. Por unë nuk shoh që kjo të jetë duke ndodhur. Dua të them se sinqerisht, nuk e besoj se njerëzit do ta duronin këtë. Mendoj se çdo qeveri që të jetë në fuqi, qoftë e PD qoftë e PS, në qoftë se ata do të përpiqeshin të kthenin pas disa nga reformat, të riktheheshin në disa nga segmentet e errëta që kanë kaluar, nuk mendoj se njerëzit do ta pranonin këtë. Përgjigja e shkurtër për pyetjen tuaj është se nuk e shoh këtë rrezik. Duket se ka një qëllim të unifikuar kombëtar për sa i përket drejtimit të ardhshëm të shoqërisë dhe vendit. Çështja është kush do ta udhëheqë këtë përparim.  

A shihni frustrim, apati, njerëz që thjesht duan të largohen nga Shqipëria sepse nuk janë të kënaqur me situatën këtu? Apo ende shihni një bërthamë të rinjsh këtu që mund të vazhdojnë ndryshimet, t’i intensifikojnë ato? Shoh shumë frustrim dhe apati. Mendoj se në një pjesë të vitit të kaluar kur unë kam qenë këtu, kam ndjerë një lloj pakënaqësie me disa nga prioritetet dhe programet e qeverisë. Dua ta deklaroj se qeveria ka bërë përparim në disa fusha por ka një term që kam dëgjuar ta përshkruajë këtë, “lodhja nga pushteti”. Mendoj se kjo ndodh në çdo demokraci. Dhe kjo qeveri praktikisht ka qeverisur që nga viti 2005. Kjo është një periudhë e gjatë. Parashikimet për 2013 janë të paqarta dhe mendoj se është e natyrshme që të ketë pak vetëkënaqësi, që idetë e reja të mos depërtojnë aq shpejt sa duhet. Pra, ka një lloj frustrimi nga ana e të rinjve. Por, po ashtu, shqiptarët janë jashtëzakonisht patriotë. Ata e duan vendin e tyre, tmerrësisht shumë. Shoh njerëz të moshës 80 apo 70 vjeç, por edhe të rinjtë. Kanë një ndjenjë krenarie të madhe, kur shohin flamurin, apo thjesht kur mendojnë për Shqipërinë. Pra mendoj se kjo e kompenson disi frustrimin.  

Çfarë do të thonit ju për përparimin e Shqipërisë me konsolidimin e demokracisë? Është ngadalësuar ajo nga konfliktet partiake, dualiste e personale që ne kemi dëshmuar gjatë 21 viteve të fundit? Po, fatkeqësisht, kështu duket të jetë dhe duket se është mjaft e qartë kur sheh zhvillimet e fundit. Do ta konsideroja vitin 2009 një pikë kthese, në kuptimin negativ. Në 2009 Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtaret e 27-ta dhe 28-ta të NATO-s dhe bazuar në ato që kam lexuar dhe njerëzit që kam takuar, pati shumë optimizëm, një ndjenjë përparimi, sigurisht, me hyrjen në NATO, dhe një përshtypje se anëtarësimi në BE ishte shumë afër. Për të qenë të drejtë ndaj Shqipërisë, ato ishin dy vende shumë të ndryshme për sa i përket përparimit, pikënisjes së zhvillimit në 2009. Kroacia kishte rrethana shumë më të mira. Gjithsesi, mendoj se është e vlefshme që të krahasohen të dyja deri në një pikë dhe të shihet çfarë ndodhi gjatë dy viteve të fundit. Kroacia ka vazhduar të zhvillohet; është praktikisht në BE. Kjo do të ndodhë brenda fundit të vitit. Dhe, siç ua kujtoj njerëzve këtu, megjithëse Kroacia ka qenë në një pikënisje të ndryshme zhvillimi, i është dashur të kapërcejë problemet e saj… Përfshirë luftën... …Përfshirë luftën, seriozisht. Dhe mendoj ndonjëherë, dhe kjo është një nga frustrimet e mia më të mëdha kur flas si me klasën politike shqiptare ashtu dhe me qytetarët e zakonshëm, është përpjekja për ta përshkruar situatën këtu si unike në tërë universin. Po, gjithmonë do të ketë karakteristika të veçanta të vendeve, karakteristika kombëtare, por, sinqerisht, ky nuk është fare justifikim për shkallën e polarizimit që ekziston. Nuk ka justifikim për faktin që lëvizja reformuese ka ngelur në vend për dy vitet e fundit. Ne, Shtetet e Bashkuara dhe të tjera shtete të komunitetit ndërkombëtar jemi të vendosur të punojmë dhe të identifikojmë partnerë për ndryshim brenda vendit, si ata që janë aktivë brenda partive, ashtu dhe të tjerë jashtë tyre. Po harxhohet koha, siç thuhet.  

Më lejo t’i kthehem një fushe shumë specifike, përfshirja juaj personale për të asistuar, për të siguruar hetimin e duhur për ngjarjet e 21 janarit vitin e kaluar, gjë që kam dëgjuar të lëvdohet shumë; e dëgjoj ngado. Keni besim se ky hetim – dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët – do të mbyllet me një qartësim të plotë të asaj që ndodhi gjatë atyre ngjarjeve tragjike vitin e kaluar.  

Epo, siç e vutë dhe ju në dukje, ajo ishte një ditë dramatike dhe ndodhi një muaj pas ardhjes time këtu, pra një ‘zgjim’ i vrazhdë, një tronditje e sistemit. Nuk dua t’i hyj historisë, rrethanave si u përfshimë, por ne ndjemë se ishte e domosdoshme. Dua të them se asistenca e FBI-së në veçanti për disa ekspertiza do t’i shtojë besueshmëri provave që po paraqiten. Hetimi vazhdon ende. Ne kemi insistuar që, në mënyrë që të ketë besueshmëri dhe t’i jepen përgjigje pyetjeve që shqiptarët pyesin, “çfarë ndodhi atë ditë,” duhet të merret me vrasjet tragjike por edhe aspektet e organizimit, qëllimin e organizimit si dhe zhvillimi faktik i vetë demonstratës. Isha pak i shqetësuar më herët në janar kur rezultatet fillestare dolën dhe pati disa sulme mjaft të ashpra mbi personin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe gjithashtu edhe Institucionin. E bëra të qartë në disa intervista se si çdo zyrtar tjetër publik ajo dhe Zyra që ajo përfaqëson duhet të japin llogari për performancën e tyre; ata nuk janë në ngarkim të vendit. Ata duhet të japin llogari si çdo zyrtar tjetër por është jashtëzakonisht e padobishme për këdo nga qeveria që të fyejë Zyrën e Prokurorisë, që të vërë në pikëpyetje kompetencat e tyre për të kryer hetimin. Kështu që m’u desh ta bëja shumë të qartë që Shtetet e Bashkuara nuk e aprovonin këtë. Me opozitën, duhet të jem shumë i sinqertë, ka një ndryshim kritik midis pikëpamjes së opozitës, përshkrimit të ngjarjeve nga ana e tyre, dhe asaj të Shteteve të Bashkuara. Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është që kjo demonstratë, në ndryshim nga duzinat e demonstratave të Partisë Socialiste në muajt apo vitet e fundit, kjo ishte planifikuar që të ishte e dhunshme; ishte planifikuar që të provokonte një reagim të fortë nga forcat qeveritare dhe fatkeqësisht, ia arriti. Kjo nuk është pranuar kurrë nga Partia Socialiste; ndoshta është për vetë-mbrojtje, nuk e di çfarë është. Ben Blushi është ndoshta i vetmi deputet socialist i cili iu afrua mjaft pranimit se u bënë disa gjëra që nuk duhej. Jam i zhgënjyer. Secili mund të argumentojë pikëpamjen e tij, por ajo që dua t’i them diçka shikuesve tuaj është: ky është një ndryshim thelbësor në interpretim midis asaj që thonë Socialistët dhe pikëpamjes së Shteteve të Bashkuara. Është një rrëfim i ndryshëm. Nga ana tjetër, mendoni se disa nga përmirësimet që nevojiten të bëhen nga pikëpamja e kontrollit të turmave, parandalimi i rrëmujës, kontrollit nga ana e policisë gjatë protestave mjaft sensitive, momenteve sensitive? Shumë e vërtetë, megjithëse, siç e dini, çështja e trajnimit të policisë, kontrollit të turmave, kudo është një çështje shumë sensitive. Është një çështje shumë sensitive dhe në Shtetet e Bashkuara gjithashtu. Do të them këtë: për demonstratën e 21 janarit kishte shumë zhurmë në formën e informacionit nga shërbime të inteligjencës, fjalë se gjërat nuk ishin siç duhet, se ekzistonte potenciali për problem. Ne kemi një pjesë të projektit të Departamentit të Drejtësisë së SHBA që punon shumë ngushtë me Policinë e Shtetit Shqiptar. Dhe është bindja ime sot e kësaj dite se në planifikimin e demonstratës dhe, sigurisht, në fazat e para të saj, policia performoi shumë mirë. Me trajnim të kufizuar, pajisje të kufizuara, eksperiencë të kufizuar për protesta vërtet të dhunshme të këtij lloji, ata e përballuan mirë. Por protestuesit ishin shumë të vendosur, gazi lotsjellës mbaroi, uji i makinave mbaroi. Sërish, kemi një ndryshim në rrëfim: PS pretendon se ishte provokim i policisë, por nëse shikon regjistrimet, del që nuk ishte fare kështu. Vetëm shihni regjistrimet, them. T’i kthehemi pyetjes tuaj, një forcë policore efikase e aftë që të parandalojë shkaktarët e rrëmujave, për të izoluar ata që hedhin gurë, apo ata që hedhin molotov. Në përgjithësi mendoj se kjo funksionon mirë, por edhe reflekton nivelin e trajnimit, nivelin e zhvillimit…Mendoj se Policia e Shtetit po përmirësohet; padyshim që i ka nxjerrë disa mësime… Por në fund të fundit është çështje burimesh. Dhe sigurisht shpresohet që, ndërsa ecet përpara, nevoja për përgjigje të policisë ndaj demonstratave të dhunshme të jetë në minimumin e mundshëm…

 Shqipëria duket se është duke bërë poshtë në Indeksin Global të Korrupsionit, të paktën sipas “Transparency International”. Është kjo situatë në pikëpamjen tuaj duke u përmirësuar apo duke u përkeqësuar dhe çfarë nevojitet që të bëhet? Është interesante; në pyetjet tuaja të mëparshme thashë se kam mospajtime thelbësore me opozitën për sa i përket 21 janarit. Për çështjen e korrupsionit, kam mospajtime thelbësore me disa nga deklaratat e Qeverisë për korrupsionin. I kuptoj disa nga hapat që janë ndërmarrë dhe që Kryeministrit në veçanti i pëlqen t’i vërë në dukje, nisma e sportelit unik për bizneset, fakti që më shumë aktivitete prokurimi, mbledhje dhe deklarime taksash bëhen online, dhe kjo është provuar. Në fakt, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ndihmoi në zhvillimin e disa prej këtyre programeve. Është e qartë se kudo në botë, përfshirë Shqipërinë, sa më shumë të kompjuterizohen këto shërbime, aq më mirë. Pra, ka pasur përparim. Por mjafton t’i flasësh njerëzve dhe t’i pyesësh: Si është situata e korrupsionit? S’kam takuar ende një person që të më thotë: “E di çfarë? Po përmirësohet. Këtë vit është pak më mirë.” Jo. Shumica e njerëzve thonë se po përkeqësohet. Pak njerëz thonë se është njësoj. Pra ajo që dua të vë në dukje për qeverinë është kjo: i kuptoj disa nga nismat që po reklamoni dhe jam dakord se kanë një farë ndikimi. Por ju po humbni perceptimin se po e luftoni me efikasitet korrupsionin. Njerëzit po bëhen gjithnjë e më tepër mosbesues. Ka një ndjenjë më të theksuar të kulturës së mosndëshkueshmërisë, të faktit që nëse je njeri me mjete në dispozicion, i pasur, i fuqishëm, me influencë, të gjitha këto bashkë, je praktikisht i paprekshëm. Mendoj se po përkeqësohet, po.  

Pra, praktikisht është një çështje e shtetit ligjor. Me fjalë të tjera, pavarësisht se cila është pozita juaj apo pasuria juaj, duhet të trajtohesh njësoj si çdokush tjetër para ligjit. Si mund të aplikohet kjo në reformën gjyqësore? Në fakt, sa ka përparuar reforma gjyqësore? Do të jem shumë i sinqertë këtu. Mendoj se sistemi gjyqësor këtu është disfunksional. Nuk funksionon, megjithëse ka ligje të mira, ka njerëz që janë të trajnuar mirë. Ne po përpiqemi të gjejmë mënyra për të lehtësuar ngarkesën e sistemit gjyqësor. Është i mbingarkuar.  

Nëse mund të hamendësoni një kohë se kur Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së? Vendi i Shqipërisë është në Europë. Nuk ka për t’u bërë shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara. Pra, drejtimi është i qartë, mes palëve nuk ka dallime. Ndjenja e qartë kombëtare për synimin është që integrimi duhet të jetë një synim kombëtar dhe se integrimi do të sjellë harmonizimin e disa standardeve, do të transformojë vërtet mënyrën se si Shqipëria e sheh veten, mënyrën si ndërvepron me fqinjët, si ata pranë ashtu edhe më tej. Do të jetë hapi i tretë i natyrshëm në kulminimin e një procesi që filloi me hyrjen në NATO, çka do të thotë që Shqipërisë nuk i duhet kurrë më të vrasë mendjen për kërcënime fizike ndaj sigurisë së saj – mund të thuhet shumë këtu – fakti që Shqipëria përfitoi statusin për lëvizjen pa viza sipas marrëveshjes Shengen në dhjetor 2010, një arritje madhore kjo, dhe pastaj hyrja në BE duhet të jetë arritja e tretë kurorëzuese. Do të duhet kohë. Nuk ka asnjë justifikim për Shqipërinë që të mos jetë vend kandidat.

No comments:

Post a Comment