Total Pageviews

Sunday, February 12, 2012

Licenca 5 miliardësh e lotarisë kombëtare

Ened Janina


Në kulmin e krizës ekonomike dhe të mungesës së parave në buxhetin e shtetit, qeveria ka liberalizuar edhe më shumë tregun e lotarive. Një vendim i miratuar një muaj më parë dhe i botuar vetëm më datën 10 shkurt në Fletoren Zyrtare mundëson zhvillimin e lotarive dhe lojërave të tjera të fati në nivel kombëtar duke shtuar këtu edhe lojërat në internet. Kufizimi i vetëm i vendosur nga qeveria është çmimi i kripur i licencës, 500 milionë lekë të reja për 10 vjet (5 miliardë lekë të vjetra). Por nga ana tjetër vendimi i qeverisë, i botuar vetëm dy ditë më parë në Fletoren Zyrtare, ka vendosur vetëm një kusht, të cilin nuk e plotësojnë dot kompanitë e reja që duan të licencohen në fushën e lotarive kombëtare. “Aplikuesi duhet të ketë eksperiencë në fushën e lojërave të fatit për të paktën në 15 vitet e fundit të veprimtarisë së tij, si dhe prej të paktën 5 vitesh në organizimin e lojërave nëpërmjet platformës së internetit”, thuhet në VKM.

Procedura e re e miratuar nga qeveria duket se vjen në kushtet e një krize financiare pasi edhe çmimi i licencës 10-vjeçare të lotarisë është rritur ndjeshëm. Ligji numër 10 033, i datës 11.12.2008, në të cilin bazohet edhe vendimi i qeverisë thotë: Aplikanti, për marrjen e licencës për lotarinë kombëtare duhet të paguajë menjëherë një shumë prej jo më pak se 300 000 000 lekësh, në njërën nga bankat e vendit, për llogari të organeve tatimore. Ndërkohë në VKM thuhet: “Aplikanti i përzgjedhur fitues në garën për marrjen e licencës për lotarinë kombëtare, paguan, në njërën nga bankat e nivelit të dytë, shumën prej 500 000 000 lekë, jo më vonë se 14 ditë kalendarike nga marrja e licencës, por në çdo rast para dërgimit të licencës për miratim në Kuvend. Kjo shumë kalon në buxhetin e shtetit”.

Mënyra se si është ndërtuar vendimi i qeverisë tregon se në Shqipëri do të afrohen vetëm kompani të mëdha ndërsa konkurentët vendas do të duhet të dalin nga tregu. “Aplikuesi osetë paktën shoqëria kryesuese (nëse aplikuesi është bashkim i përkohshëm), duhet të ketë pasur xhiro vjetore të paktën 500 milionë euro të licencës për secilin prej tri viteve të plota financiare të fundit. Ata duhet të kenë pasur vlerë neto të aseteve të paktën 50 milionë euro në fund të secilit prej tri viteve të plota financiare të fundit”,- thuhet në VKM. Bazuar në këto kritere financiare, qeveria parashikon që shqiptarët të luajnë 500 milionë euro në vit lotari.

Përveç kriterit të vjetërsisë në punë, i cili bën pothuajse të pamundur ngritjen e kompanive të reja, kushtet e tjera të aplikimit janë lehtësisht të plotësueshme. Sipas VKM-së, “Aplikues është çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendas apo të huaj, që kërkon të licencohet për lotari dhe që paraqet aplikim pranë Autoritetit për këtë qëllim. Autoriteti në dokumentet e tenderit përcakton kushte në lidhje me shmangien e konfliktit të interesit ndërmjet aplikuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve apo konsulentit”. Personat ose kompanitë që aplikojnë nuk duhet të jenë dënuar apo nuk duhet të jenë në një proces gjyqësor për pastrimin e parave.

Një shtesë në rregulloren e re është vendosa e kritereve ndërkombëtare për kompanitë që duan të organizojnë lotari kombëtare. një prej tyre është certifikata për lojë të përgjegjshme, të paktën të nivelit 4, sipas standardeve të Shoqatës Botërore të lotarive (Ëorld Lottery Association (ËLA)) ose certifikatën për lojë të përgjegjshme sipas standardeve Europiane për lojë të përgjegjshme të Lotarive Shtetërore Europiane (European State Lotteries (EL)) dhe shoqatës Toto.

Garancitë financiare përpara licencës së lotarisë

Sipas vendimit të qeverisë, aplikuesi duhet të paraqesë edhe një garanci të aplikimit, e cila kap shifrën e tre milionë eurove, në formë dhe përmbajtje që kërkohet nga Autoriteti. “Aplikuesi paraqet garancinë e aplikimit në formën e garancisë bankare. Garancia e aplikimit sekuestrohet dhe kalon tërësisht në favor të shtetit, nëse Autoriteti konstaton se aplikuesi në aplikimin e tij ka deklaruar të dhëna të rreme; aplikuesi nuk paguan tërësisht tarifën për marrjen e licencës, brenda afatit të përcaktuar nga Autoriteti në përputhje me këtë dokument; aplikuesi tërhiqet nga kërkesa për shqyrtim të aplikimit të tij pasi ky i fundit është paraqitur; nuk paguan tërësisht në afat dhe shumë, garancinë e fituesit, sipas përcaktimeve të legjislacionit për lojërat e fatit; nuk paguan shpenzimet për publikimin dhe konsulencën”,- thuhet në vendimin e qeverisë të botuar dy ditë më parë në Fletoren Zyrtare. Të gjitha të dhënat e paraqitura nga aplikuesit janë subjekt i verifikimit dhe hetimit nga ana e autoriteteve shtetërore. Kjo vlen edhe për dokumentet që vijnë nga jashtë.

Lojtarët do të vendosin vetë sa para do të luajnë

Një risi në fushën e lotarive elektronike përmes internetit është vendosja e kontrollit nga vetë lojtari. Vendimi i qeverisë parashikon që organizatori i lotarisë duhet t’i japë lojtarëve mundësinë për të vendosur vetë limitet e tyre. Ndërkohë kompania duhet të zhvillojë vetë edhe fushata kundër grupeve të cenueshme nga loja si p.sh: të varfrit, të rinjtë dhe kategori të tjera.

“Aplikantët nuk do të reklamojnë direkt te grupet e cenueshme (duke konsideruar moshën, gjendjen shoqërore dhe varësinë ndaj lojërave të fatit). Aplikuesit do të adoptojnë një “kod reklamimi dhe marketingu” që të garantojë se aktivitetet e reklamimit dhe të promovimit të shitjeve nuk nxitin të mitur ose atyre me probleme në luajtje dhe që nuk i japin lojtarit informacione keqorientuese si p.sh., përshtypje të rreme të koeficienteve të fitimit. Edukimi i lojtarëve, mbrojtja e të miturve dhe parandalimi i varësisë”,- thuhet në VKM. Ndërkohë organizatori i lotarisë duhet të vendosë informacion të detajuar mbi koeficientet e fitimit për secilën lojë që lejon njerëzit të vlerësojnë rrezikun dhe përfitimin nga e luajtura. Aplikuesve do t’u ndalohet t’u shesin minorenëve dhe të ndërtojnë një program për ta vënë në zbatim këtë përmes rrjetit të tyre të agjentit të shitjeve.

Për sa i takon punonjësve, ata duhet të kenë informacion të detajuar për programet e tyre të lojës me përgjegjësi përmes kanaleve të posaçme të komunikimit. “Aplikuesit duhet të sigurojnë që të mbahet një nivel i përshtatshëm ndërgjegjësimi për lojën me përgjegjësi gjatë gjithë organizimit, në mënyrë që loja e përgjegjshme të kthehet në një pjesë integrale të operimeve ditore. Të gjithë agjentëve të shitjeve do t’u vihen në dispozicion materialet informuese (p.sh. broshurat, fletëpalosjet), në mënyrë që të risin ndërgjegjësimin për lojën me përgjegjësi dhe t’i edukojnë ata për çështje lidhur me problemin e të luajturit. Përpara se agjentët e rinj të shitjeve të lejohen t’u shesin produktet aplikuesve, atyre duhet t’u sigurohet trajnimi, përveç të tjerash për lojën me përgjegjësi”,- thuhet në vendimin qeverisë.

Në këtë pikë është parashikuar që lotaria të ketë një sistem për verifikimin e moshës së lojtarit si dhe vendosjen e limiteve të kontrolluara nga klienti dhe/ose limite të paracaktuara të sistemit për lojë, shpenzime dhe/ose humbje. Në këtë pikë do të jetë vetë lojtari që do të vendosë limitin, p.sh: 10 mijë lekë dhe në momentin që do të mbarohet kjo shumë, loja do e ndalojë atë që të luajë sërish për një kohë të caktuar. “Lotaria duhet të ketë kontrollin real nëpërmjet ekranit të lojës, p.sh: orën e sesionit, mundësi ndërprerjeje të lojës, si me vetëvendosje, ashtu edhe nëpërmjet sistemeve kontrolluese/paralajmëruese për afrimin ndaj limiteve të parapërcaktuara nga vetë lojtari, ndërprerje/pushime midis fazave të lojës”,- thuhet në VKM.

Fazat e nisjes së lotarisë
Brenda 5 ditëve nga momenti kur Banka ka konfirmuar pagesën, çështja dërgohet për miratim në Kuvend

Licenca jepet për një afat 10-vjeçar nga dita e organizimit të lojës I

Loja I duhet të organizohet jo më vonë se tetë muaj nga miratimi i licencës nga Kuvendi

Aplikanti i përzgjedhur fitues në garën për marrjen e licencës për lotarinë kombëtare, paguan, në njërën nga bankat e nivelit të dytë, shumën prej 500 000 000 (pesëqind milionë) lekë, jo më vonë se 14 ditë kalendarike nga marrja e licencës, por në çdo rast para dërgimit të licencës për miratim në Kuvend. Kjo shumë kalon në buxhetin e shtetit.

Kush i jep licencat e lotarive

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave Kryetar

DPPP 1 Anëtar

NJMLF 1 Anëtar

Përfaqësues i Ministrisë së Brendshme 1 Anëtar

Përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë 1 Anëtar

No comments:

Post a Comment