Total Pageviews

Tuesday, February 7, 2012

“Gjykata u korruptua, shtyu gjyqin se s’erdhën paratë”

07/02/2012
Klodiana Lala

Burimi i lajmit


Agron Lumeshi, nipi i anëtarit të Gjykatës së Lartë, Gani Dizdari, akuzohet nga prokuroria se diktoi vendimin për lirimin e një të dënuari për vrasje. Njësia e specializuar Task-Forcë e drejtuar nga Besnik Cani hetoi për afro dhjetë muaj për të hedhur dritë mbi aferën korruptive që implikon dhe Gjykatën Supreme. Sipas prokurorisë, i pandehuri Agron Lumeshi, djali i motrës së Dizdarit, ishte personi që i kishte premtuar, Renato Mellarajt, vëllait të të dënuarit Vilson Mellaraj, zgjidhjen e çështjes në Gjykatën e Lartë në favor të të afërmit të tij. Në kërkesën për gjykim ndaj tre të akuzuarve, Agron Lumeshi, Enard Lushakaj dhe Renato Mellaraj thuhet se, ndikimi pranë Kolegjit Penal ishte realizuar por gjykatësit nuk firmosën lirimin e të dënuarit pasi hetimi ishte dekonspiruar. Më poshtë po botojmë të plotë dosjen e prokurorisë, e cila duket se hap dhe një front lufte të ftohtë mes kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj dhe shefes së organit qendror të akuzës, Ina Rama, pasi për herë të parë flitet hapur për korrupsionin në Gjykatën Supreme.
DOSJA E PLOTE
Personi qe premtonte zgjidhjen e çështjes në Gjykatën e Lartë ishte i pandehuri Agron Lumeshi, i cili ishte i afërm i kryesuesit të trupit gjykues.
Në datën 15.03.2011, ora 11:47’, i pandehuri Agron LUMESHI me nr. cel. 0672046889, komunikon me te pandehurin Lushakaj me nr. cel. 0694044836, si vijon:
Enardi- Nga ty ç’kemi ndonjë gjë të re.
Agroni- ... po shiko të kam thënë që, biles sot e kam diskutuar.
Enardi- Po,
Agroni- Me mbaru do mbarojnë tha, po sa të bëhet ai shqyrtimi tha dhe do e rregullojmë.
Enardi- Okej vëllai.
Agroni. Me mbarue do e mbarojnë.
Enardi- .. po mirë kjo është gjëja kryesore se gjynah........
Nga këto biseda rezulton se, palët në këtë periudhë ishin në pritje të ndryshimit të trupit gjykues, ku përfundimisht është vendosur në favor të të dënuarit. Nga kqyrja e akteve të dosjes gjyqësore rezulton se: Me datën 02.02.2011, Prokuroria ka kërkuar përjashtimin nga gjykimi i çështjes të kryetarit të trupit gjykues dhe dy anëtarëve të kësaj trupe. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 17.03.2011, rrëzon kërkesën e Prokurorisë për përjashtimin e tre gjyqtarëve. Nga transkiptet e mësipërme, rezulton qartë se të pandehurit ishin të interesuar që të mos përjashtoheshin gjyqtarët, pikërisht kryetari i trupit gjykues dhe dy anëtarë të tjerë. Kjo, pasi i pandehuri Agron LUMESHI ishte lidhje e afërt familjare me kryetarin e trupit gjykues.
Me datë 30/03/2011, ora 13:35’:10", përsëri i pandehuri Enard komunikon me të pandehurin Agron, ku ky i fundit i komunikon:
...836/Enard: He vlla?
...889/Agroni: Hej une ee me 20 e kam lanë, me 20 prill e kam lanë me ik atje.
...836/ Enard: Epo shumë mirë........
Nga kqyrja e akteve të dosjes gjyqësore, rezulton qartë se i pandehuri Agron Lumeshi me këtë bisedë njofton bashk’tëpandehurin tjetër Enard Lushakaj për datën e zhvillimit të gjykimit pas rrëzimit të kërkesës së prokurorit për përjashtim të gjyqtarëve. Kjo sepse, pikërisht në datën 20 prill 2011, nga trupi gjykues ishte caktuar data e zhvillimit të seancës. Kështu, fjalia “Hej unë ee me 20 e kam lanë, me 20 prill e kam lanë me ik atje”, tregon datën e seancës gjyqësore të caktuar nga gjykata, por i pandehuri flet në mënyrë të koduar duke tentuar të fshehë të vertetën për të cilën bën fjalë.
Pas mbarimit të seancës të datës 20. 04. 2011, nga bisedat telefonike mes të pandehurve të lartpërmendur ka rezultuar se, është zhvilluar shqyrtimi gjyqësor por nuk është shpallur vendimi. Për këtë arsye, seanca është shtyrë për më datë 27.04.2011, ku dhe do të shpallet vendimi përfundimtar në favor të Vilsonit. Kështu:
Me datë, 20/04/2011, ora 14:19’:01, Renato bisedon dhe njofton Vilsonin të cilit i thotë:
...230 - Renato: ... Do vi nesër un aty, po për gjasht shtat ditë, mirë, mos u mërzit se, e di si u bë apo jo, ashtu si deshëm vetë. Do vi vllai aty e do ta dëgjosh nga afër.
...916-Vilsoni : Ore si është ky muhabet se s’po marr vesh un.
...230-Renato : Duro për gjashtë shtatë ditë, është miliona përqind, mirë?
Në të njëjtën kohë, me datë 20/04/2011, në ora 14:19’:48", Renato bisedon edhe me Enardin ne nr. 0694044836 të cilin e njofton se:
Renato : Me datë 27.
Enard : Ça vlla?
Me datë: 26/04/2011, ora 13:17:51, Renato bisedon me Enardin, të cilin e njofton se është me avokatin. Nga kjo bisedë rezulton gjithashtu se të pandehurit kishin perjashtuar avokatin e çështjes nga dijenia e veprimeve të tyre. Kështu, rezultonte se avokati përdorej në senaca gjyqësore vetem në mbrojtje ligjore dhe bërjen e kërkesave, ndërsa vendimarrjen kërkonin ta realizonin nëpërmjet ndikimeve tek trupi gjykues duke paguar pará, ndikim që do të kryhet nëpërmjet Enardit dhe Agronit. (shih transkiptin)
694027230 : He Nardi
...836 : Ku je vlla?
694027230 : Un në Tiranë jam, po takova çik këtë avokatin ktu nja pesë minuta edhe do vi aty direkt
...836 : E mirë, mos bëj gjë muabet me atë!
694027230 : Jo o vlla fare
...836 : Hajde
Nga komunikimet e mëtejshme të kryera një ditë përpara zhvillimit të seancës së datës 27.04.2011, rezulton se Enardi dhe Renato kanë dijeni që seanca e radhës do të shtyhet dhe në fakt, kështu ndodh. (shih transkiptini)
***
Datë 26/04/2011, 13:57’:44", Renato bisedon dhe njofton Vilsonin, të cilit i thotë:
694027230- Renato: Takova çik atë mikun tim... Kshu mirë, shumë mirë jan gjërat
...916 -Vilsoni : E po mire
694027230-Renato : Po për nga muaj tjetër bëhet?
...916-Vilsoni : Ça thua ti ore!....
694027230 -Renato: E re, e kan shtyr për nga muaji tjetër
Nga kqyrja e akteve te dosjes gjyqësore rezulton se gjykata në datën 27.04.2011 shtyn seancën gjyqësore pa asnjë shkak, pra, vetëm për shpalljen e vendimit, për më datë 11.05.2011. Nga ky çast e në vijim, palët janë të shqetësuar për përfundimin e çështjes duke shprehur edhe tensionin e tyre për grumbullimin e lekëve dhe dorëzimin përpara datës 11. 05. 2011.
Rezulton nga vëzhgimet se po atë ditë, pra më 26. 04. 2011, ora 14:55’, i pandehuri Renato Mellaraj, është takuar me të pandehurit Agron Lumeshi e Enard Lushakaj si dhe, më vonë, vetëm me avokatin.
Veprimet e mëtejshme të të pandehurve të sipërpërmendur, me qëllimin për të ndikuar në zgjidhjen e çështjes në favor të tyre, shihen qartë edhe nga përgjimi i bisedave telefonike të zhvilluara datën që është lënë shpallja e vendimit. (shih transkiptin)
Datë: 27/04/2011 ora 14:10’:17", Renato bisedon dhe njofton Vilsonin të cilit i thotë:
...230-Renato : E shtytën prapë.
+916-Vilsoni: Ça thua ti ore?!!!! Ç’thua ti oo..
+230-Renato : E bëjnë për ato.... ku di unë !!?
+916-Vilsoni : Ah?
+230-Renato : I thashë më datë 10 unë, më datë 11. deri më datën 10 i thash unë, do bëhen ato gjërat, më datë 11 tha.
+916- Vilsoni: Ça thua ti!!!!!???....Ça më the! ...Bo boooooooo!!!!!!!
Në ora 14:13’:59", të datës 27.04.2011, Renato bisedon me Vilsonin të cilit i thotë:
+916 - Vilsoni: Po ça bëjne ata? nuk i fole ...(s’ 1...)
+230 - Renato: Po aty isha me ata o vlla, si?1 jo 100%, e di une ça ngatrroi!??
+916 - Vilsoni: Po ça thuaj, 1 miliard e kishim pranimin mo vlla??!!!!!
+230 - Renato: Ku di un..
+916 - Vilsoni : Po tallen ata!!!!!!?
+230 - Renato: Ja t’mar atë Eneon, ti bëj ato, ti sjell .... Do ta bëj k....(shannn)
+916 - Vilsoni: Po po..tallen ata!!!?.....
+230 - Renato: Po hajde ça të thotë vllai
+916 - Vilsoni: Ik o ik...
Nga sa më sipër rezulton qartë se seanca është shtyrë sërish, sikurse dihej qysh një ditë më parë, dhe arsyeja e shtyrjes ka qenë se duheshin dorëzuar shumat e parave të kërkuara. Pra, shtyrja është vendosur një ditë përpara zhvillimit të seancës, “në tavolinë” dhe me mirëkuptimin e personave të interesuar. Kjo rezulton edhe nga vëzhgimet e kryera më datë 27. 04. 2011.
Në këtë bisedë, i pandehuri Enard Lushakaj komunikon me të pandehurin Agron Lumeshi lidhur me datën 11 Maj 2011, datë kur do te jepej vendimi i gjykatës për çështjen Vilson Mellaraj. Shifet qartë se i pandehuri Lumeshi garanton bashk’tëpandehurin se gjithçka ishte në rregull.
Sipas bisedave rezulton se i pandehuri Renato Mellaraj ka marrë një shumë parash nga Eneo dhe me datë 09 Maj 2011, është nisur për në Tiranë. Gjatë rrugës, në Durrës, Renatos i është bllokuar automjeti prej një postblloku të policisë. Nga kontrolli personal që i është kryer i janë gjetur me vehte edhe një shumë prej 20 000 Euro, shumë të cilën Renato po atë ditë, nga vëzhgimi, rezulton që ia dorëzon një personi me emrin “Lashi” dhe njëkohësisht takohet edhe me të pandehurin Agron Lumneshi.
Nga provat shkresore te administruara prej zyres noteriale të noterit Gazmir Bega, Z.R.P.P.- Fier etj, rezulton e provuar fakti që Renato Mellaraj, rreth një vit përpara ngjarjes i ka shitur shtëpinë shtetasit Eneo Hoxha. Shtëpia është regjistruar në emër të Lavdar Mellaraj, i ati i Renatos dhe i është shitur Eneos kundrejt 200 milion Lekëve. Kontrata ndërkohë është lidhur vetëm për katin e parë, në shumën rreth 100 milion lekë dhe, meqenëse dokumentat për katin e dytë nuk kanë përfunduar, ende nuk është arritur që shitja mes tyre të finalizohet. Po kështu edhe shlyerja e lekëve nuk ka përfunduar deri në formalizimin e kontratës për pjesën e mbetur të shtëpisë. Ndërkohë, Eneo i shlyen Renatos pjesë të ndryshme nga shuma, sipas mundësisë, por edhe sipas kërkesës së Renatos.
Pas takimit me Mirin, Renato nga bisedat telefonike duket i shqetësuar dhe për më tej ndryshon edhe numrin e telefonit. Bisedat e mëposhtme kryhen me datë 10 Maj 2011, pra, një ditë përpara zhvillimit të seancës së datës 11 Maj 2011, ku prej tyre rezulton se tashmë dihet vendimi që do te merret të nesërmen, i cili nuk do të jetë në favor të të dënuarit. ( shih transkiptet)
Me datë 10 Maj 2011, ora 18:57’:13", Renato bisedon me Vilsonin, të cilit i kërkon të bisedojë me Enardin pasi punët nuk duken mirë:
...916 - Vilsoni: Hiç ça bëjm...
...230 - Renato: Po desha të flisje me. Janë keq punët e..
...916 - Vilsoni: Ça thua ore!!!!???
...230 - Renato: He?
...916 - Vilsoni: Pse?
...230 - Renato: Po ka ardh dje, i ka thënë, e di unë ça ka thënë, ka ngatërruar ?!!
...916 - Vilsoni në burg: Ha?
...230 - Renato: Ka ardh dje ktu ai, se ça ka ngatërruar.
...916 - Vilsoni: E ça ka thënë?
...230 - Renato: Po jo kanë folur, po jo kshu, nuk e bën. E di unë ça ngatërron!!!? Vajta sot te avokati.
...916 - Vilsoni: Ah?
...230 - Renato: Vajta sot atje te Avokati.
...916 - Vilsoni: He?
...230 - Renato: Fola me atë, ça të bëj vllai tha ai. Ai tha të paktën ta shtyj ai tha, ta rregulloj unë ktej tha....
Me pas, i pandehuri Enard Lushakaj komunikon në telefon me të pandehurin Renato Mellaraj sa vijon:
996- Enardi : ... Ata janë të tërë të acaruar he vlla. Nuk ka mundësi .... E mer vesh ti apo jo ?? Është bërë lëmsh o vlla, nuk e di une ça keni bërë ju???!!! I keni ........motren ... i keni bërë tellall o burrë !!!!!!? Jo janë dhënë kaq? Jo s’bëjnë kaq??! Jo c’ashtu po kshu o vlla, në telefon, ............?! !!! S’kanë faj ata mos ja q...motrën ... ishalla do zoti i madh o vlla, takojn nesër.
...049- Renato: Të thanë donji shpresë kshu?
...996-Enardi : Po .... ti mos me fol më tani, ik tashi, hajd na le rahat. Shifemi e dëgjohemi nesër.
...049- Renato : Epo mirë ....
Datë: 11/05/2011 12:26:55 Renato bisedon me Vilsonin të cilit i thotë :
230-Renato : Akoma, se e kishin shtytur çik orarin, nuk e bën në atë orë, e shtynë një çik.
916-Vilsoni : Të ka marë Nardi.
+230 : Nardi jo s’më ka marë.
916 : E po mirë, mirë?
+230 : Hajde të shofim.
916 : Ti si e ndien mirë?
+230 : Po kshu tha ai dje them se, kshu mirë....
Pas shpalljes se vendimit, ku Gjykata vendos lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, ku e dënonte Vilson Mellraj me 20 vjet burgim, ndërmjet të pandehurve janë zhvilluar bisedat telefonike sa vijon:
Datë: 11 Maj 2011, ora 13:37’:00", i dënuari Vilson Mellaraj bisedon me të pandehurin Enard Lushakaj që i thotë:
...916 - Vilsoni : .. Po ça ishte ky zarar o vlla.
...996 - Enardi: Po e kam dëgjuar vet njeqind herë, o vlla po s’eshtë nga ata është nga gjë tjetër o burr i dheut, ti e di shumë mirë për ça është.
...916 - Vilsoni: Po ça është?
...996 - Enardi: Nuk është nga këta o vlla!
...916 - Vilsoni: Po të ma kishin kthyer të paktën.
...996 - Enardi: Po nuk është nga keta o burr se ata ishin në rregull.
...916 - Vilsoni: Po ta kthenin të paktën.
...996 - Enardi: Po nuk kan pasur b… me, o të kam vlla nuk kan pasur b… më të bëjnë asnjë gjë!
...916 - Vilsoni: Po pse se kthyen.
...996 - Enardi: Po ky numri jot është lexuar komplet o burr ça ke folur, ça është br, ça s’ësht dëgjuar, e kupton vllain tënd, që nuk kishte asgjë o vlla ate kan qen gjithmon me mua, ore ishte çdo gjë o vlla e kopsitur, vetëm nga ata ça kemi folur, jo i jan dhënë kaq, jo avokati kaq, nuk ka shanse të ket gjë nga ata të mitë, hiqe nga mendja!
Me pas, te pandehurit Renato dhe Enardi komunikojnë:
...996 - Enardi: psshhhhhh (shfryhet...)
...049 - Renato: ..Fol s’ka problem. Vetëm thoj, ku kam folur me njeri o vlla??? Ky më tha mua, ishte ajo gruaja tha, që ta thashë që në fillim, se ma tha mua që në fillim, ishte ajo gruaja që nuk deshte, ishte nji çik kshu tha, e pashë aty tha ...s’mund t ‘luhet... Mund “t’kem ose ketë”, mund t ‘jetë dhe ktu tha ai, un nuk e di se ça ka thënë, mund t’ jetë dhe ktu, që ka dashur Renato dhe nuk e dine ça th .... se une si kam thënë fare ktij, se ça m’kan thënë.
...996 - Enardi: S’kan shanse o vlla, nuk ka shanse o vlla, nuk ka shanse o vlla!!!! Ti i pe vetë gjërat o vlla. Nuk ka shanse n’botë o vlla. Ti ishe vetë me mua 100 herë o burrë. s ‘ka shense n’botë....
...049 - Renato: ...Nuk i takojmë dot, mo na bëjnë kët nder t’paktën ????
...996 - Enardi: Po s’por..... nuk as nuk po flas dot në telefon un, me atë, kupton vllanë ???? Kan problem për gjëra të tjera, mos e vrit mendjen për asnji gjë o vlla. .... Ata nuk flasin në telefon.
Rezulton qartë se të pandehurit ishin vënë në dijeni të vendimit gjyqësor një ditë para shpalljes se vendimit, se vendimi do ishte në disfavor të të denuarit Vilson Mellaraj. Fakt ky që vjen në sinkron me vendimarrjen e Gjykatës një ditë më vonë, pra në 11 Maj 2011, ku gjykata me vendimin nr. 71, vendos lënien në fuqi të vendimeve të mëparshme për të dënuarin. Pra, me fjalë të tjera, vendos në disfavor të të dënuarit.
Edhe më vonë të pandehurit komunikojnë me njëri-tjetrin, ku nga transkipetet duket qartë se deri në datën 10.05.2011, gjithçka ishte në favor të tyre dhe kjo ka ndryshuar vetëm pas dekonsiprimit të hetimit. (shih transkiptin)
Date: 13 Maj 2011, ora 22:16’:06", Renato bisedon me Enardin ku i thotë:
...049 - Renato: Po ça? Bëhet donji gjë për ate?
...996 - Enardi: Ate e bëjmë, ma do mendja se do ta bëjmë ate. Po është dhe diçka tjetër, që kur të vij aty un, ...që po të rregullojmë nja 2 gjëra, aty ku ka qenë ai aty në fillim.
...049 - Renato: Po, po
...996 - Enardi: ..E kupton? Greqi, mund ta kthejmë dhe njiherë nga e para komplet. Është dhe kjo.
...049 - Renato: Po shumë mirë
...996 - Enardi: .., Për kokë të plakut tashi, me shpirtin e madh un do i q....motrën ... ça të kem vetë, un do e shes.
...049 - Renato: Mirë o vllai mirë. Po s ‘ka vllai gjë as me.....(s’kuptohet..) për kokë të plakut, o po..u bënë gjërat..(flasin të dy...)
...996 - Enardi: ...E di ore, është bërë m....... E di ti që ne na kanë ndjekur bashkë? Kur kemi qenë bashkë na kanë filmuar, na kanë fotografuar? ! ...E more vesh?
...049 - Renato: E mora vesh, se me tha njiçik ai, pooo, ikën ça ikën, nuk kthehet më mbas o vlla. vari k... po të paktën (flasin e dy, nuk kuptohen qartë.....)
...996 - Enardi: Nuk bëhet llaf o vlla,.....nuk bëhet llaf ore,...
...049 - Renato: O vlla, dëgjo: “për kokë të çupës ja .... motrën un, nuk bën vllai nga ato budalliqe që që larg o zot, nesër pasnesër, un i .... motrën, e ha vetë burgun me dhëmbë, për kokë të plakut. “ ......
...996 - Enardi: Të vjen, të vjen ti q....motrën o burri i dheut. I kishim gjërat për bukuri. Ti ke qenë me mua në çdo moment ore... I kemi pasur gjërat të tëra.
...049 - Renato: He vlla?
...996 - Enardi: Mua po më vente mendja, që ai 100% e ka bërë nga inati që ka pas me ata. Nga ai që thamë ne ...... atëherë në fillim. E mban mend që i thamë në fillim, që kshu- kshu kë kemi kapur????
...049 - Renato: Mos takuam kte- kte që veja unë????
...996 - Enardi: Eh, e mban mend që i thamë ne kë kemi kapur???
...049 - Renato: Mos e ka bërë ky vlla?
...996 - Enardi: Ka dash të bëj keq. O vlla, po s’ka mundësi të futemi i ....motrën, kane 100 milion veta o burrë nga burgu.
...049 - Renato: I q....motrën......
...996 - Enardi: E kupton ti apo jo? Ti ke qenë me mua i ....nënën ne ..... të tëra herët. Të mbahet, ti ti, të mbushet .....
...049 - Renato: Mirë o vlla, nuk i ve ...(flasin te dy...) vllai ato , o vlla...
...996 - Enardi: Ishte ai shoku, ishte ai shoku jon aty me ne? Ai shoku jonë qee..(kuptuese) mbaroi atje pune??
...049 - Renato: Pshhhhh,(shfryhet...) nuk i ve dyshimet vllai, po të pakten t’a kishin.., vetëm kte , vetëm ta kishin shtyrur o vlla???
...996 - Enardi: Nuk kishin se ça i bënin në botë o vlla . Ça do lloj gjëje, unë, ti, ai , brum- brumm.. (revoltohet.... ) na kishin fikur.
...049 - Renato: Mirë..
...996 - Enardi: Dëgjo vllain tat tashi: “Unë sot, kto ditë unë do vijë vlla, se .... kisha nja dy punë. Me sa unë, ditën e parë që mbaroj, erdha direkt. E do lëshohemi pastaj, të ikim, do ikim bashkë ktej nga ky shteti ktu afër, kapim donji të mirë, të fortë aty.
...049 - Renato: PO
...996 - Enardi: E të shikojm ça do bëjmë, mirë vlla? T’shikojm po ashtu, të ndrrojm fare dhe atë..? Mirë vlla?
...049 - Renato: Epo mirë.
...996 - Enardi: Aman o, lëre atë (e le në mes fjalinë, kuptues se për çfarë ndërmjet tyre...)
...049 - Renato: Kur ke ndërmend të vish ti?
...996 - Enardi: Për 2-3 ditë, maksimumi 4 ditë vllai.
...049 - Renato: E mirë..
...996 - Enardi: Mirë vlla?
...049 - Renato: Të kisha lëvizur dhe njiherë Nardi, se jemi copë- copë.
...996 - Enardi: Do vij, do ikim bashkë andej vlla.
Në përfundim të hetimeve, organi i prokurorisë konstatoi se të pandehurit Agron Lumeshi, Enard Lushakaj dhe Renato Mellaraj me veprimet e tyre kriminale nuk kishin për qëllim shtënien në dorë të pasurisë së familjes “Mellaraj”, por të parátë kërkoheshin në funksion të ushtrimit të ndikimit në Gjykatën e Lartë, për të marrë një vendim gjyqësor në favor të të dënuarit Vilson MELLARAJ. Kështu, organi i prokurorisë ka akuzuar të pandehurit për veprën penale të “Ushtrimi i Ndikimit të Paligjshëm ndaj Personave që Ushtrojnë Funksione Publike,” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
Kështu, rezulton mëse i qartë fakti që shtetasi Agron LUMESHI ka marrë përsipër zgjidhjen e çështjes në favor të të dënuarit Vilson Mellaraj nëpërmjet ndikimit të tij tek trupi gjykues dhe, ky ndikim është realizuar pavaresisht ardhjes së pasojës, që në këtë rast duket se nuk ka qenë ajo që pritej, pikërisht për shkak të rënies në dijeni të ndjekjes dhe përgjimit të kësaj veprimtarie.
I pandehuri Agron LUMESHI, pranon faktin se është vënë në dijeni të çështjes së të dënuarit Vilson Mellaraj të cilin e njeh me emrin “Cole”, për të cilin ka marrë dijeni se ishte në burgun e Peqinit dhe që kishte në Gjykatën e Lartë një gjyq, ku kërkonte shfuqizimin e vendimeve. Këtë fakt e ka mësuar nga Enard Lushakaj, i cili duke ditur se Agron Lumeshi ishte nipi i gjyqtarit ____________________, i ka kërkuar t’a ndihmonte.
Organi i akuzës, në përfundim të hetimeve, provoi tej çdo dyshimi se nga i pandehuri Enard LUSHAKAJ, në bashkëpunim me të pandehurin Renato MELLARAJ, është konsumuar vepra e mësipërme nëpërmjet premtimit drejtpërdrejt (Enardi) dhe tërthorazi (Renato) të një shume parásh, shtetasit Agron LUMNESHI, i cili nga ana e tij ka premtuar se do të ushtronte ndikimin e tij tek gjyqtari i çështjes në fjalë në këmbim të marrjes së një vendimi në favor të të dënuarit Vilson Mellaraj, pasojë kjo, që nuk ka ardhur për shkaqe të pavaruara nga vullneti i tyre.

No comments:

Post a Comment