Total Pageviews

Wednesday, February 1, 2012

Crime- 2012

Sherr për buxhetin, këshilltari socialist i hedh granatë kushëririt demokrat



3 Shkurt 2012
Mbledhja e Këshillit Komunal të Luzit të Vogël në Kavajë është shndërruar në arenë debatesh e përplasjesh të forta mes këshilltarëve, aq sa kulmoi edhe me hedhjen e një granate në drejtim të lokalit të kryetarit të këshillit të komunës. Shkak i debatit mes këshilltarëve të majtë e të djathtë, që ka vijuar edhe jashtë sallës së mbledhjeve me fyerje dhe konflikt fizik e që fatmirësisht nuk përfundoi në tragjedi, është bërë mosmiratimi i projektbuxhetit 2012 nga të majtët, të cilët kanë kërkuar një material më të plotë mbi të. Pasditen e vonë të së mërkurës konflikti është ngushtuar mes kryetarit të këshillit të komunës, Daniel Zeka, dhe të afërmit të tij, Dashamir Zeka, edhe ky anëtar i këshillit, por me bindje të ndryshme politike. Ky konflikt është pasuar nga hedhja e një granate në drejtim të lokalit të kryekëshilltarit Zeka, granatë që nuk ka shpërthyer. Specialistët xhenierë nga Tirana kanë mundur të çaktivizojnë granatën rreth orës 22:00 të së mërkurës, ndërsa ngjarja ka shkaktuar panik në zonën pranë lokalit dhe krejt fshatin, si dhe ndasi të fortë politike. Anëtarët e këshillit komunal janë thirrur në polici ku kanë dhënë dëshminë e tyre, ndërsa paraprakisht bëhet e ditur se policia është vënë në kërkim të autorit të dyshuar për hedhjen e granatës. Në këtë mënyrë, mosmiratimi i projektbuxhetit në mbledhjen e radhës së Këshillit të Komunës së Luzit të Vogël në Kavajë është shndërruar në një përplasje të fortë mes të djathtëve dhe të majtëve që kanë shumicën në këshill, ndërsa komuna drejtohet nga përfaqësuesi i të djathtëve. Këshilltarët e majtë nuk kanë pranuar të kalojnë projektbuxhetin, duke kërkuar një material më të plotë rreth tij. Kaq ka mjaftuar që jashtë sallës të ndizet konflikti me fyerje dhe goditje fizike mes këshilltarëve të dy krahëve, si dhe mbështetësve të së djathtës në fshat. Të majtët janë tërhequr, po disa orë më vonë, konflikti ka vijuar me sherrin midis kryetarit të këshillit të komunës dhe kushëririt të vet kundërshtar në politikë dhe i pozicionuar në grupin e këshilltarëve të djathtë. Nata ka qenë e lagësht dhe pa energji elektrike në fshatin Luz i Vogël të Kavajës, ndërsa vendi pranë lokalit ku është hedhur granata qëndronte i rrethuar në pritje të ekspertëve nga Tirana, të cilët kanë bërë çaktivizimin e saj.


Bezhan Gjika, 47 vjeç, i shpëton mrekullisht sulmit me armë


3 Shkurt 2012

Një pronar argjendarie është grabitur dhe plagosur me armë zjarri në qendër të qytetit të Vlorës. Autorët e grabitjes janë ende të paidentifikuar nga policia lokale, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në një moment, kur zona ka pasur shumë lëvizje. Grabitësit e maskuar kanë qëlluar dy herë me armë ndaj argjendarit, i cili është plagosur lehtë dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Grabitja
Ngjarja ndodhi dje në mesditë, në një prej argjendarive që ndodhen në zonën e njohur si “gjashtëkatëshit”, pranë Bashkisë së Vlorës. Mësohet se 47-vjeçari Bezhan Gjika, pronar i argjendarisë, po mbyllte qepenat e dyqanit kur është sulmuar nga dy persona të armatosur, që mbanin skafandra motori në kokë. Grabitësit kishin parkuar një motor të vogël pranë argjendarisë dhe e kanë sulmuar, duke përfituar nga fakti që 47-vjeçari ishte duke tërhequr qepenin. Nën kërcënimin e armës ata i kanë kërkuar çantat me sende të çmuara, që ai merrte me vete kur mbyllte dyqanin. Pronari nuk ka pranuar t’u dorëzojë çantat, por dy grabitësit ia kanë rrëmbyer nga duart dhe rezistencës së mëpasshme të tij i janë përgjigjur duke e qëlluar dy herë me armë zjarri. Më pas janë larguar me shpejtësi nëpër rrugica, duke e lënë 47-vjeçarin përtokë, mes një pellgu gjaku.

Gjika është transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës nga kalimtarë të rastit, ndërkohë që mjekët sqarojnë se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën. Bluzat e bardha të urgjencës së spitalit kanë sqaruar se 47-vjeçari Gjika është plagosur lehtë me armë zjarri në pjesën e gjoksit, por nuk ka pësuar dëmtime serioze që t’i vënë në rrezik jetën.

Policia e lajmëruar për grabitjen ka mbërritur brenda pak minutash në vendngjarje, duke nisur menjëherë hetimet për identifikimin e autorëve. Sulmi është realizuar në orët e mesditës kur argjendaria mbyllej për pushimin e drekës, ndërkohë që dyqani ndodhet përgjatë rrugës që lidh qendrën me spitalin, në një zonë të populluar me lëvizje.

Dëshmitarët
Dëshmitarë të vendngjarjes tregojnë për “Shqip”: “Në momentin e parë kur dëgjuam të shtënat e armës, menduam se ishin fishekzjarrë, por kur kthyem kokën pamë se dy persona me motor të vogël dhe me skafandra, u futën nxitimthi në rrugicat që ishin pranë argjendarisë. Shkuam me nxitim për të parë se çfarë kishte ndodhur, kur pamë pronarin e argjendarisë të plagosur. E transportuam për në spital me një makinë të rastit”. Ndërkaq sipas policisë lokale, grabitësit kanë tentuar ta vrasin 47-vjeçarin, pasi drejtimi i armës në kraharor tregon se nuk kanë tentuar thjesht ta trembin. Policia e Vlorës është duke kryer kontrolle në lagjet periferike të qytetit bregdetar, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është bërë identifikimi apo ndalimi i autorëve të grabitjes me armë. Po ashtu nuk është gjetur asnjë gjurmë e motorit, me të cilën dy grabitësit u larguan nga vendngjarja, pas plagosjes së 47-vjeçarit Gjika.

Situata
Episodet kriminale janë shtuar frikshëm në qytetin e Vlorës. Kujtojmë që brenda pak muajsh ka pasur disa raste shpërthimesh me tritol në automjete dhe banesa. Rastet e fundit kanë qenë djegia e makinës së kryetarit të Bashkisë, Shpëtim Gjika, dhe vendosja e tritolit në makinën e një efektivi të Policisë së Vlorës. Më herët këtë vit, një shtëpi u shkatërrua plotësisht nga eksplozivi



Vritet farmacistja afer shtepise, zhduken autoret


Tirane- Nje farmaciste 35-vjecare eshte qelluar per vdekje me tre plumba pistolete pak metra nga banesa e saj, ndersa policia dyshon per nje krim ne tentative grabitjeje apo konfliktet e vjetra, duke mos perjashtuar edhe ate ne familje. Banoret e zones se Shkozes kane degjuar disa te shtena arme dhe me pas, gjeten rreth ores 18:40 te mbremjes, ne gjendje kritike per jeten Eleni Bashon. Gruaja u nis me urgjence drejt spitalit, por mesohet se ka nderruar jete pa hyre ne sallen e operacionit. Forca te shumta policore mberriten ne vendngjarje dhe fillimisht, ka pasur paqartesi per rrethanat e krimit, pasi viktima u gjet ne mes te rruges, ne lagjen periferike. Burime zyrtare nga policia e Tiranes bene me dije se nga verifikimet paraprake rezulton se viktima eshte 35 vjece, banore e kesaj lagjeje dhe ne ato momente po kthehej ne shtepi. Pavaresisht se deri ne mbremje u moren shume persona ne pyetje, perfshi edhe familjare, policia nuk dha detaje te hollesishme rreth dyshimeve qe kishte per pistat e ketij krimi. Disa deshmitare kane pare dy persona teksa vraponin ne erresire, pas te shtenave. Mesohet se viktima Eleni Basho eshte nene e nje femije dhe u qellua me 3 plumba, ndersa nuk ka te dhena per shkaqet e ngjarjes se rende. Grupi hetimor po perpiqet qe te gjeje ndonje deshmitar qe mund te kete pare skenen e ketij krimi dhe te mundesoje zbardhjen e plote te vrasjes. Pista me e mundshme, sipas grupit hetimor, eshte vrasja e gruas per ndonje tentative grabitjeje apo konfliktet e vjetra qe mund te kete pasur familja e saj. Per kete shkak po verifikohen te gjitha informacionet mbi aktivitetin e perditshem te farmacistes dhe bashkeshortit. Nje tjeter piste mbetet edhe krimi brenda familjes, por qe ende nuk mund te konfirmohet, per shkak te rrethanave ne te cilat ka ndodhur sulmi dhe se bashkeshorti i te ndjeres, ne ato momente, ka qene ne pune. Paraprakisht burime policore thane per gazeten se jane pare ne levizje duke vrapuar dy persona neper erresire, por nuk dihet nese kane pasur lidhje me ngjarjen e rende. Deshmitaret thane se gruaja eshte gjetur e plagosur rreth 30 metra larg baneses se saj dhe eshte nisur menjehere per ne spital, por humbi jeten per shkak te plageve te renda. Policia vijon hetimet intensive, ndersa aktualisht jane duke u marre ne pyetje te gjithe deshmitaret dhe familjaret e viktimes.



Vriten dy femra: Ekzekutohet laborantja, Megi qëllohet gabimisht


Tirane/ Eleni Basho, nënë e dy fëmijëve, është vrarë në pritë me tre plumba mbrëmë në Shkozë. Vdes në spital edhe Megi Jokiçi

Vajza 24-vjeçare është goditur gabimisht mbrëmë në 21:30 te “Komuna e Parisit”, teksa po hynte në një lokal me të fejuarin. Shuhet pas 3 orësh operacion në Spitalin Ushtarak. Plagoset objektivi i atentatit, Aleksandër Gocaj. Pak orë më parë, në Shkozë, u qëllua për vdekje me tre plumba në kraharor 35-vjeçarja, laborante dentare.

Krimi i rëndë në Shkozë, policia heton për xhelozi, përjashtohet pista e vrasjes për shkak të grabitjes

Eleni Basho qëllohet me tre plumba pranë shtëpisë, ikën autori

Një laborante dentare në moshën 35-vjeçare u vra mbrëmë me tre plumba pranë banesës së saj në Shkozë të Tiranës për shkaqe të paqarta. Nëna e dy fëmijëve u gjet e vdekur në rrugë, rreth 50 metra larg shtëpisë ku banonte, ndërsa autori i krimit ka arritur të largohet. Rreth orës 18:50, në afërsi të fshatit Shkozë në Tiranë, viktima Eleni Basho, sapo kishte dalë nga shtëpia kur u përball me vrasësin. Në një zonë të pandriçuar, në mes të rrugës, ngjitur me një shtëpi përdhese, ajo u qëllua për vdekje me armë zjarri. Banorët e shtëpisë pranë së cilës ndodhi krimi kanë nxituar për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe kanë lajmëruar menjëherë policinë, sapo kanë parë trupin e gruas të shtrirë në pellgun me ujë të krijuar nga shiu. Në vendin e ngjarjes shkuan forcat e Komisariatit Nr. 1, si dhe oficerë të krimeve kundër jetës dhe shëndetit. Policia ka transportuar fillimisht trupin e 35-vjeçares në urgjencën e spitalit “Nënë Tereza”, por mjekët kanë konstatuar se ajo kishte ndërruar jetë prej disa minutash. Grupi hetimor ka nisur pyetjen e familjarëve dhe të dëshmitarëve të ngjarjes, ndërsa nga ana tjetër, agjentët në terren kanë shoqëruar gjashtë persona si të dyshuar për krimin. Policia tha se të shoqëruarit janë kryesisht persona me precedentë penalë dhe përdorues droge, pasi fillimisht ngjarja u dyshuar si një grabitje e mundshme. Pista më e rëndësishme hetimore e policisë mbetet ajo e vrasjes për motive xhelozie. Për këtë arsye, bashkëshorti i Eleni Bashos është marrë në pyetje hollësisht nga oficerët e policisë, në rast se ai mund të kishte ndonjë dyshim rreth ngjarjes. Gjithashtu, edhe koleget e punës së 35-vjeçares në laboratorin e një klinike dentare ku ajo punonte si laborante.
VRASJA
Rreth orës 18:50, Eleni Basho ka dalë nga shtëpia e saj në Shkozë, pasi do të shkonte për vizitë te një e afërme e saj. Pasi ka bërë një copë rrugë ajo është kthyer edhe një herë, pasi kishte harruar të merrte portofolin. Në shtëpi ndodheshin i shoqi, djali, vajza e saj, si dhe vjehrri që jetonte me ta. Pasi ka dalë herën e dytë nga shtëpia, nuk ka arritur të ecë as 50 metra dhe në një rrugicë të ngushtë, të pandriçuar, ajo është qëlluar tri herë në gjoks me plumba të kalibrit 9 milimetra. Sipas Policisë, autori apo autorët e ngjarjes mund t’i kenë zënë pritë nënës së dy fëmijëve në zonën e pandriçuar dhe vrasja ka qenë e planifikuar dhe me dashje. Të njëjtat burime konfirmuan se mes autorëve dhe viktimës nuk ka pasur përleshje, por vetëm të shtënat e armës. Edhe fakti që tre plumbat e shkrepur nga arma e kanë goditur në pjesën e gjoksit 35-vjeçaren, sipas policisë, tregon se ngjarja ka qenë e paramenduar dhe e qëllimshme. Nisur nga këto rrethana, grupi hetimor ka kaluar në plan të dytë pistën e ndonjë tentative të mundshme, edhe për faktin që çanta e gruas është gjetur pranë vendit të ngjarjes. Pista kryesore e hetimit, të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes, është vrasje për motive xhelozie.

Dëshmitarët: Dëgjuam vetëm tri të shtëna
Në kohën kur ka ndodhur vrasja e 35-vjeçares Eleni Basho, zona përreth vendit të krimit nuk ka pasur lëvizje edhe për shkak të shiut që po binte në ato momente. Vrasja ka ndodhur ngjitur me murin rrethues të një shtëpie përdhese dhe personat e parë që kanë lajmëruar policinë kanë qenë pikërisht banorët e asaj shtëpie. Ata kanë qenë edhe dëshmitarët e parë që janë marrë në pyetje nga policia, duke shpresuar se mund të jepnin ndonjë detaj të rëndësishëm për ngjarjen. Por, sipas tyre, janë dëgjuar vetëm tri të shtëna arme zjarri dhe asgjë tjetër. Ata kanë deklaruar gjithashtu se nuk kanë dëgjuar thirrje për ndihmë nga ana e viktimës dhe as ndonjë pasthirrmë tjetër. Kanë nxituar për të parë se çfarë kishte ndodhur, por nuk kanë arritur të shohin asgjë, pasi autorët ishin larguar, ndërsa viktima ndodhej e shtrirë në një pellg me ujë, në mes të rrugës.

Vritet gabimisht 24-vjeçarja
Megi Jokiçi qëllohet me një plumb në nofull, po hynte në kafe me të fejuarin

Atentati te “Komuna e Parisit”, objektiv Aleksandër Gocaj
Një vajzë 24 vjeçe u plagos fillimisht e më pas vdiq në një skenë krimi, ku është ndodhur krejt rastësisht te “Komuna e Parisit” në Tiranë. Atentati që dyshohet se ishte planifikuar ndaj një personi me precedentë penalë, ka shkaktuar vdekjen e vajzës 24-vjeçare, që besohet se nuk kishte lidhje me “larjen e hesapeve”. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:30, pranë zonës së “Komunës së Parisit” në Tiranë. Një person ende i paidentifikuar ka qëlluar në drejtim të Aleksandër Gocajt, 27 vjeç, me qëllim vrasjen e tij. Rastësisht, 24-vjeçarja Megi Jokiçi ndodhej në vendin e gabuar duke marrë një plumb në kokë dhe ka vdekur mbrëmë pas mesnate në spital, pas tri orësh operacion. Ajo ka qenë bashkë me të fejuarin, në një makinë tip “Mercedes A Clas”, duke parkuar para një lokali, ku do të pinin kafe, afër një qendre tregtare. Në të njëjtën kohë, 36-vjeçari Aleksandër Gocaj ka qenë duke dalë nga i njëjti lokal, ku do të hynin çifti i të fejuarve. Një person brenda një fuoristrade tip “Nissan” ka ulur xhamin dhe pa zbritur nga makina, ka qëlluar dy herë me armë zjarri. Një nga plumbat ka goditur “objektivin” e tij, shtetasin Aleksandër Gocaj, ndërsa plumbi tjetër ka goditur xhamin e përparmë të makinës “Mercedes A Clas” të cilin e ka depërtuar. Predha ka plagosur rëndë 24-vjeçaren Megi Jokiçi që ndodhej në sedijen e parë të mjetit. Sipas burimeve, plumbi e ka goditur vajzën e re në mjekër, duke i shkaktuar një plagë të rëndë dhe shumë gjakderdhje. Ndërsa Aleksandër Gocaj, sipas Policisë, nuk ka pasur probleme dhe është jashtë rrezikut për jetën.
ARRATISJA E AUTORIT
Pasi ka dështuar në atentatin kundër Aleksandër Gocajt dhe ka vrarë vajzën 24-vjeçare, e cila nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen, autori është larguar me nxitim nga vendngjarja, nga frika se do të identifikohej. I dyshuari thjesht ka mbyllur xhamin e makinës, nga e cila kishte qëlluar dhe i ka dhënë gaz, duke u larguar në drejtim të rrugës kryesore të “Komunës së Parisit”. Duke lëvizur me nxitim, në fillim të rrugës, sapo fillon disheza, autori ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur me një veturë të parkuar në anë të rrugës. Pa kryer asnjë tentativë për ta lëvizur fuoristradën e tij të përplasur, i dyshuari ka zbritur dhe ka lëvizur me armë në dorë nëpër rrugicat e errëta të zonës, duke i shpëtuar kapjes nga policia, të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes. Madje, dëshmitarët që kanë parë autorin duke u larguar nga vendi i ngjarjes kanë dyshuar se ai ka vrarë personin me të cilin ishte përplasur. Në momentin kur ai është përplasur, kishte plagosur dy persona dhe po arratisej. Burime nga grupi hetimor thanë se kanë shoqëruar për të marrë në pyetje disa persona që ndodheshin në lokal dhe jashtë tij. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë që ndodheshin në disa biznese private pranë vendit të krimit. Policia ka marrë në cilësinë e provës materiale edhe fuoristradën e braktisur në rrugë, e cila mendohet se është e autorit të krimit, si dhe atë ku ndodhej vajza e plagosur dhe i fejuari i saj.

I plagosuri në atentat, mik i ish-policit të vrarë
Personi që mbeti i plagosur në ngjarjen e ndodhur mbrëmë te “Komuna e Parisit” është një prej miqve më të ngushtë të ish-efektivit të Forcave Speciale Halit (Donald) Dedja, i cili u vra në dhjetor të vitit 2010. Sipas burimeve nga Policia, Aleksandër Gocaj ishte krahu i djathtë i Dedjas dhe ka qenë pranë tij në shumë incidente e ngjarje të rënda që kanë tronditur Burrelin, por edhe Tiranën pas vitit 1997. Halit Dedja u ekzekutua në afërsi të ish-uzinës “Enver” në Tiranë, me silenciator. Policia tha se Dedja ishte mashkulli i parafundit i fisit Dedja nga Burreli që kishte mbetur gjallë, por edhe ai u ekzekutua. Vrasjet zinxhir mes dy fiseve në Burrel, Dedja dhe Kola, që e kanë zanafillën që nga konfliktet e vitit 1997, u kanë marrë jetën burrave të dy fiseve dhe tashmë jeton vetëm një trashëgimtar i tyre. Sipas Policisë, nga fisi tjetër që ishte në hasmëri me familjen e Halit (Donald) Dedjes jetojnë vetëm dy persona, njëri ndodhet në burg, i dënuar me 17 vjet për vrasje, ndërsa personi tjetër, nip i tyre, ndodhet në Angli. Ekzekutimi i 45-vjeçarit, sipas grupit hetimor, ka qenë mjaft i sofistikuar. Atentatori nuk ka lënë prova të mjaftueshme në vendin e ngjarjes dhe krimi vazhdon të jetë ende pa autor. Edhe atentatin e djeshëm që dështoi ndaj Aleksandër Gocajt, policia e lidh me vrasjen e Halit Dedjes.

Pronarët e funeraleve, sherr për të vdekurin te Morgu i Tiranës
TIRANE – Një person i vdekur është kthyer në mollë sherri mes pronarëve të dy agjencive funerale në Tiranë. Pronarët e këtyre dy agjencive janë përleshur mes tyre te dera e Morgut pas konfliktit se kush do ta merrte përsipër ceremoninë mortore. Incidenti ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, para Institutit të Mjekësisë Ligjore, në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, kur bashkë me familjarët e viktimës prisnin prapa derës edhe pronarët e funeraleve. Në kohën kur mjekët ligjorë bënin autopsinë e vdekjes së A. Gj., 66 vjeç, me profesion rrobaqepës, ka plasur sherri mes dy vëllezërve që kishin në pronësi një agjenci funerali dhe pronarit të një tjetër agjencie. Situata mes tyre është tensionuar në momentin kur secila palë ka mësuar se po prisnin për të njëjtën kufomë. Nga njëra anë vëllezërit e njërës agjenci, Kujtim e Gëzim R., pretendonin se janë lajmëruar nga familjarët e viktimës për të kryer shërbimin funeral të të afërmit, pasi kanë njohje me të. Ndërsa pronari i agjencisë tjetër, Armand H., pretendonte se është lajmëruar nga spitali. Pasi ka parë që situata po vazhdonte të përkeqësohej dhe tre personat filluan të godasin njëri-tjetrin me grushte e shkelma, roja i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka lajmëruar policinë. Shërbimet e Komisariatit Nr. 4 kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar dy vëllezërit dhe personin tjetër me të cilin ata po ziheshin.

Tiranë-Durrës
Grabitet me dhunë karburanti në autostradë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, ku një karburant është grabitur me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve. Mësohet se policia ka marrë njoftim rreth orës 22:00 për grabitjen e një pikë karburanti. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që ende nuk janë identifikuar autorët e krimit. Sipas të dhënave të Policisë në vendin e ngjarjes, dyshohet se shuma e parave të grabitura mund të jetë 20 mijë lekë. Gjatë grabitjes mësohet se autorët e ngjarjes i kanë detyruar punonjësit e karburantit që të hedhin një sasi të konsiderueshme lënde djegëse në makinë, lëndë të cilën e kanë marrë me vete në largim nga vendi ku ndodhi grabitja. Pas grabitjes me dhunë, autorët e ngjarjes u larguan nga karburanti, ndërsa rojet njoftuan policinë. Forcat e rendit u nisën drejt vendit të ngjarjes dhe pasi mbërritën aty, morën në pyetje punëtorët e karburantit, por pa arritur që të identifikojnë autorët e grabitjes.

ETLEVA DELIA



Dy vëllezër, miliona nga prostitucioni

02/02/2012 - 12:42

Klodiana Lala

Zbardhet aktiviteti krim inal i dy vëllezërve beratas Aleksandër dhe Sokol Shehu, të cilët shfrytëzonin femra ruse, ukrainase, rumune dhe shqiptare për prostitucion. Pos faktit se do të përballen me drejtësinë greke për akuzat e shfrytëzimit të femrave, dy vëllezërit Shehu do të zhvillojnë dhe një betejë gjyqësore me gjykatat shqiptare. Prokuroria e Tiranës ka vënë nën akuzën e "pastrimit të produkteve të veprës penale" Aleksandër dhe Sokol Shehu. Nën të njëjtën akuzë janë vënë dhe dy miqtë e tyre, Can Murataj dhe Fatos Zeka. Sipas prokurorisë, dy vëllezërit Shehu kanë përfituar miliona nga shfrytëzimi i femrave për prostitucion. Për të fshehur faktin se paratë i kanë fituar përmes aktivitetit kriminal, me ndihmën e dy të akuzuarve të tjerë, kanë ngritur kompani fiktive, kanë hapur llogari bankare, si dhe kanë nënshkruar kontrata po fiktive. Madje kanë shkuar deri aty sa kanë bërë gjoja sikur kishin aktivitet bujqësor, duke fotografuar edhe fshatarë të ndryshëm teksa punonin. Më poshtë po botojmë dosjen e plotë ku hidhet dritë mbi mënyrën sesi vepronin të pandehurit, të cilët duhet tashmë të japin llogari para drejtësisë.
Shfrytëzimi i femrave
Të pandehurit Aleksandër dhe Sokol Shehu janë prej kohësh rezident në Athinë në shtetin e Greqisë. Të pandehurit Aleksandër Shehu dhe Sokol Shehu në bashkëpunim edhe me persona të tjerë me kombësi shqiptare dhe të huaj kanë kryer veprimtari të kundraligjshme në shtetin grek, ku të pandehurit Shehu kanë organizuar dhe drejtuar një organizatë kriminale, e cila kishte në përbërje rreth 20 shoferë (me kombësi greke dhe të huaj) dhe 20 prostituta (kryesisht të kombësisë së huaj ruse, ukrainase, rumune dhe shqiptare) dhe që merrej me shfrytëzim të prostitucionit. Femrat me kombësi joshqiptare, të pandehurit Shehu i kontaktonin nëpërmjet një agjencie pune në shtetin e Rusisë. Të pandehurit Shehu për të realizuar veprimtarinë e kundërligjshme kishin krijuar dhe drejtonin një zyrë takimesh të ashtuquajtura erotike, e cila kishte publikuar në gazeta të ndryshme në shtetin Greqisë numrat e telefonit. Klientët komunikonin në këto numra me operatorë të ndryshëm që punonin për zyrën në ambiente të ndryshme që merreshin me qira. Operatorët pasi merrnin adresën klientit komunikonin me shoferët e taksive dhe prostitutat, të cilat kishin një pikë takimi të përditshëm në një lokal. Një shofer merrte gjithmonë një prostitutë dhe e çonte në vendin e takimit erotik, që në fakt kishte të bënte me kryerje të marrëdhënieve seksuale jashtë dëshirës së femrave. Çmimi për çdo takim erotik ishte rreth 150 euro. Mbas mbarimit të takimit shoferi merrte përsëri prostitutën, e cila merrte shpërblimin e saj 20-30 euro. Shoferi merrte shpërblimin e tij 20-30 euro ndërsa pjesën tjetër shoferi e dorëzonte tek një shtetas grek, edhe ky shofer taksie, ose tek bashkëortaku i të pandehurve vëllezërve Shehu, shtetas grek, të cilët nga ana e tyre i dorëzonin fitimet e mbrëmjes të pandehurit Sokol Shehu. Me këto të ardhura të pandehurit vëllezërit Shehu kishin krijuar një shoqëri lundrimi, argëtimi, ku kishin blerë edhe pesë skafe me vela, të cilat i përdornin edhe si vende të takimeve erotike. Kjo veprimtari e kundraligjshme ka filluar të paktën që në fillim të vitit 2006 dhe ka vazhduar deri në fundin e muajit maj të 2009. Paratë e krimit
Paratë e fituara nga veprimtaria kriminale të pandehurit i kanë investuar, duke blerë asete dhe prona të ndryshme. Kështu i pandehuri Aleksandër Shehu ka blerë sipërfaqe toke për ndërtimin e një pike karburanti dhe hapësira ndihmëse. Në vitin 2005 i pandehuri Aleksandër Shehu ka krijuar shoqërinë e tij në fushën e tregtimit të karburanteve, e cila gjatë gjithë aktivitetit të saj, vitet 2005-2007 nuk ka krijuar të ardhura. Në vitin 2007 i pandehuri Sokol Shehu ka krijuar shoqërinë e tij në fushën e tregtimit të karburanteve, e cila gjatë gjithë aktivitetit të saj, vitet 2007-2008, nuk ka krijuar të ardhura. Po në këtë periudhë të pandehurit vëllezërit Shehu kanë krijuar shoqërinë e lundrimit në Greqi, e cila gjatë aktivitetit të saj, vitet 2007-2008, ka krijuar të ardhur rreth 500.000 euro.
Llogaritë bankare
Gjatë periudhës së viteve 2005 deri në fillimin e vitit 2009 të pandehurit Shehu, pavarësisht aktivitetit ekonomik i cili nuk justifikon të ardhurat, kanë hapur disa llogari bankare. Karakteristikë e këtyre llogarive bankare është depozitimi kesh i vlerave monetare; depozitimi në vlera të konsiderueshme ku në shumicën e llogarive bankare ka depozitime në shumat 500.000 euro dhe 1.000.000 euro; kalimi i vlerave monetare në llogaritë bankare nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas; depozitimi nga pjesëtarë të familjes pa justifikime për këto depozitime; mungesa e veprimeve financiare në llogari bankare ku shumica e këtyre llogarive kanë vetëm depozitimin dhe jo aktivizimin e të ardhurave; kohën e depozitimit të vlerave monetare ku vetëm në fillimin e vitit 2009 janë depozituar shuma në vlerën prej rreth 1.300.000 euro pa pasur justifikimin e burimit të të ardhurave. Të pandehurit Aleksandër dhe Sokol Shehu kanë transferuar apo fshehur vlerat monetare, që i kanë ditur se janë produkte krimi, duke pasur ndihmën e të pandehurve Can Murataj dhe Fatos Zeka.
Përgjimi i telefonatave
Për të hedhur dritë mbi veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, prokuroria urdhëroi përgjimin e bisedave telefonike. Nga përgjimi ka rezultuar se i pandehuri Can Murataj komunikonte vazhdimisht me të pandehurin Aleksandër Shehu, i cili ndodhej në Greqi së bashku me të pandehurin Sokol Shehu. Aleksandri gjatë kësaj periudhe ka komunikuar dhe me të pandehurin Zeka.
Nisur edhe nga fakti që të pandehurit Shehu po hetoheshin edhe në Greqi nga përgjimet ka rezultuar se gjatë kësaj periudhe kishin filluar të krijonin alibinë e tyre në lidhje me veprat penale për të cilat dyshoheshin se kishin kryer në Greqi. I pandehuri Aleksandër Shehu i ka kërkuar ndihmë kryesisht të pandehurit Can Murataj që të mundohej të kryente veprime, të cilat do të justifikonin të ardhurat monetare. Këto veprime duhet të kryheshin kryesisht në fshatin e tyre në Berat.
Aleksandri i ka kërkuar Muratajt, të përgatiste foto të ndryshme të tokave me të mbjella në pronësi të tyre, kryesisht bostane, portokalle e të tjera. Për këtë i ka kërkuar që të përpilonte kontrata qiraje fiktive me fshatarë të ndryshëm, të fotografonte fshatarë të ndryshëm që punonin në tokë, mjete bujqësore të marra nga fshatarë të ndryshëm. Këto dokumente, kontrata si dhe fotografi, duhet të noterizoheshin. Për këtë qëllim do të angazhohej edhe i pandehuri Fatos Zeka. I pandehuri Aleksandër i ka kërkuar të pandehurit Can që të mundohej që karburanti i ndodhur në Vorë "...." të figuronte në emrin e tij. Për këtë qëllim, ai i kërkon të pandehurit të bënte fotografi të montuara, ku sigla e karburantit "...." të zëvendësohej me siglën e firmës "Shehu", të fotografonte punëtorë me bluza me mbishkrimin e firmës "Shehu", me qëllim që të vërtetohej fakti që ky karburant ishte akoma në pronësi të të pandehurit Aleksandër dhe nxirrte të ardhura. I pandehuri Aleksandër i ka kërkuar të pandehurit Can që të kryente të gjithë këto veprime dhe të nxirrte nga këta aktivitete, duke falsifikuar edhe kontrata qiraje të paqena apo edhe shifra të fryra, një shumë fitimi në muaj prej 50.000 euro. Një pjesë e këtyre dokumenteve është dorëzuar në Greqi nëpërmjet autobusëve të linjës Shqipëri-Greqi.

Tiranë, hajduti 33 vjeç vritet me thikë nga tregtarët te tregu çam


Dy pronarët e një furgoni me mallra përleshen me 33-vjeçarin në qendër të kryeqytetit. Policia arreston autorët e vrasjes

Klodian Sejfullai, me precedentë penalë, ekzekutohet pranë furgonit me mallra. Arrestohen autorët

Dy pronarët e mallit te Tregu Çam, qëlluan me thikë hajdutin

Tentativa për të vjedhur materiale në një furgon i kushtoi jetën një të riu mbrëmë në Tiranë. Viktima ka qenë duke tentuar të vidhte furgonin me bojëra flokësh kur është sulmuar nga pronarët e mallit. Dy tregtarë, pronarë të mallit që ndodhej në furgonin që ishte vendosur te Tregu Çam, e kanë rrahur e më pas e kanë goditur për vdekje 33-vjeçarin me thikën që ai po përdorte për realizimin e grabitjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:10, në afërsi të Rrugës së Kavajës, në vendin që njihet si Tregu Çam në kryeqytet. Sipas Policisë së Tiranës, viktima është Klodian Sejfullai, i njohur me pseudonimin “Klajdi i Mrikës”, i dënuar edhe më parë për shpërndarje heroine dhe vjedhje. Ndërsa dy tregtarët e shoqëruar në polici, menjëherë pas vrasjes, të cilët edhe kanë pranuar autorësinë, janë Viktor Lako dhe Elson Ruçi. Dy të shoqëruarit furnizonin tregun me bojëra flokësh dhe pasditen e djeshme ishin ulur për të pirë një kafe në një lokal pranë vendit të ngjarjes, ndërsa furgonin me mall e kishin parkuar në një rrugicë jo shumë të ndriçuar. Gjatë kohës që Lako dhe Ruçi po pinin kafe, 33-vjeçari ka gjetur momentin për të hapur derën e furgonit dhe ka hyrë brenda. Ai nuk ka arritur ta ndezë makinën, pasi tregtarët kanë dalë nga lokali dhe e kanë gjetur brenda në makinën e tyre. Pas një debati të ashpër mes grabitësit dhe tregtarëve, ata e kanë zbritur me forcë nga furgoni duke e goditur me grushte e shkelma, derisa Sejfullai ka nxjerrë një thikë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, njëri prej tregtarëve ka arritur t’i heqë thikën nga dora dhe me të e ka goditur në zemër, duke e lanë të vdekur në vend.
DESHMIA E TREGTAREVE
Menjëherë pasi kanë goditur për vdekje personin që u kishte hyrë për të vjedhur në makinë, dy tregtarët kanë lajmëruar vetë në sallën operative dhe kanë shpjeguar se çfarë kishte ndodhur. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Komisariatit Nr.3 dhe oficerë të seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit. Dy të dyshuarit janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku kanë sqaruar rrethanat e ngjarjes. Burime nga grupi hetimor thanë se të dy tregtarët, Viktor Lako dhe Elson Ruçi, kanë pranuar autorësinë e ngjarjes duke pohuar se gjithçka ka ndodhur për vetëmbrojtje. “Ishim duke pirë kafe dhe furgonin me bojërat që do shpërndanim nesër (sot) në treg, e kishim parkuar diku pranë lokalit. Kur dolëm gjetëm një person brenda duke tentuar që të largohej. I thamë se çfarë donte aty dhe ai na u përgjigj se ishte makina e tij. Në atë moment e nxorëm me forcë nga furgoni dhe filluam ta godisnim me grushte dhe shkelma. Ndërsa ai nxori një thikë duke tentuar të na godiste. I morëm thikën nga dora dhe e qëlluam, por jo për ta vrarë”, kjo ka qenë një pjesë e dëshmisë së dy të dyshuarve. Burimet thanë se të dy janë arrestuar me akuzën e “vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim”.

Vrasja, ndalohen dy pronarët e mallit

Biznesmenët do të ripyeten për të zbuluar autorësinë
TIRANE – Policia e kryeqytetit ndaloi mbrëmë dy persona në lidhje me vrasjen e 33-vjeçarit te Tregu Çam. Gjatë deklarimeve paraprake në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pas arrestimit për vrasjen e Klodian Sejfullait, të dy tregtarët, Viktor Lako dhe Elson Ruçi, kanë pranuar autorësinë e ngjarjes. Të ndaluarit kanë sqaruar të gjitha rrethanat e krimit, por kanë ngulur këmbë se thika me të cilën është qëlluar për vdekje 33-vjeçari ishte e viktimës, dhe jo e tyrja. Sipas deklarimeve, ngjarja ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër, gjatë përleshjes me grabitësin që po tentonte t’u vidhte mallin dhe më pas ai ka nxjerrë një thikë duke tentuar t’i godiste. Për këtë arsye, në kushtet e vetëmbrojtjes ata i kanë rrëmbyer thikën nga dora dhe e kanë qëlluar për vdekje. Megjithatë, asnjëri prej tregtarëve të shoqëruar nuk ka qenë në gjendje që të shpjegojë se kush e ka pasur thikën në dorë për herë të fundit, në mënyrë që të përcaktohet saktësisht se kush i ka shkaktuar vdekjen grabitësit. Gjithashtu policia po heton edhe për të përcaktuar përfundimisht se kujt i përkiste arma e ftohtë me të cilën është kryer vrasja: autorëve apo viktimës? Burimet thanë se për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike të dy të arrestuarve, ata do të rimerren në pyetje sot, në mënyrë që të cilësohet përfundimisht autori i ngjarjes. Të dy janë arrestuar me akuzën e “vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim”, pasi edhe vetë ata e kanë pranuar se të dy kanë marrë pjesë në dhunimin e më pas në goditjen e autorit që po u vidhte furgonin me mall.

ETLEVA DELIA




Hakmarrja, ekzekutohet me 32 plumba kryeplaku i Leshnicës

Dërguar më: 01/02/2012 - 13:03

Bardhyl Berberi

Myderi Verdha, 50 vjeç, kryeplaku i fshatit Leshnicë të Pogradecit është ekzekutuar pasditen e djeshme brenda në automjetin me të cilin udhëtonte, me 32 plumba kallashnikovi, ndërkohë që nga hetimet paraprake të policisë, shkak i vrasjes mafioze dyshohet të jetë hakmarrja. Burime të policisë pohojnë se "Myderi Verdha ka qenë person me precedentë penalë, i akuzuar dhe i burgosur disa herë, i dyshuar dhe për disa vrasje me pagesë". Mësohet se vrasja e tij është bërë nga afër (në pritë) në kthesën e fundit të Qafë-Plloçës, teksa po udhëtonte me makinën tip 'Benz' me targa PG 5477B në drejtim të shtëpisë në Leshnicë. "Ngjarja ka ndodhur në orën 16:00 të ditës së hënë. Viktima është gjendur i pajetë në automjet, i goditur nga 32 plumba kallashnikovi. Në vendin e ngjarjes u bllokuam 32 gëzhoja, që u përkisnin dy automatikëve të ndryshëm të markës 'Kallashnikov'. Po hetojmë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të atentatit",- pohojnë drejtues të policisë së Pogradecit.
ATENTATI
Atentati është bërë në pritë nga dy ose më shumë persona, të cilët e kanë ditur mirë itinerarin e ditës së Verdhës. Njëkohësisht, është zgjedhur koha kur në rrugë nuk kishte shumë lëvizje, pasi njerëzit ndiqnin ndeshjen Skënderbeu-Flamurtari. Grupi i hetimit ka zbardhur dhe disa detaje para dhe në ngjarje. "Në orën 10:00 Verdha ka ardhur nga Leshnica ku banon, në qytetin e Pogradecit, me mjetin e tij. Dëshmitarët kanë pohuar se është parë me disa shokë duke pirë kafe në një nga lokalet në qendër të qytetit. Më pas (rreth orës 13:00), ka shkuar në zyrat e Qendrës Sanitare (ku më parë ka qenë shofer) ku ka takuar disa punonjës. Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, Verdha është nisur në drejtim të Leshnicës. Rreth orës 16:00, tek kthesa e madhe e Qafë-Plloçës, banorët kanë dëgjuar breshëri të shumta armësh dhe janë alarmuar. Nga gëzhojat e gjetura, goditjet në makinë dhe plumbat në trupin e viktimës, breshëritë janë bërë me kallashnikovë nga dy drejtime, nga djathtas e majtas mjetit. Viktima, për mbrojtje ka nxjerrë dhe një pistoletë, e cila iu gjend në dorë, por nuk ka mundur ta përdorë atë. Viktima u dërgua për autopsi në spital, ku mjekët konfirmuan se në trupin e tij rezultojnë 32 goditje me armë. Po hetojmë në disa pista, ku ndër kryesoret mbetet hakmarrja. Kemi shoqëruar disa persona",- shtojnë burimet e policisë.
VIKTIMA
50-vjeçari Verdha njihej (dhe ishte dënuar) si njeri me precedentë penalë. Ai ishte babai i dy fëmijëve, një vajze studente në Universitetin `Fan Noli` në Korçë dhe një djali në shkollën e mesme. "Para 2 vitesh ka punuar si shofer në Qendrën Shëndetësore të Pogradecit. Pas një përplasjeje me armë me policinë në banesën e tij, në një operacion si i dyshuar për aktivitet kriminal, ai dënohet me 2 vite burg. Pasi bën një vit e gjysmë, përkatësisht para pesë muajsh ai lirohet. Para katër vitesh, pikërisht në vendin ku u ekzekutua, 50-vjeçarit iu bë një atentat me pistoletë. Në këtë atentat iu shpuan gomat e makinës, iu dëmtua mjeti, por fatmirësisht ai shpëtoi nga vdekja. Ai dyshohet dhe për disa vepra penale të tjera, përfshi edhe dyshimin e qënies në një rast si vrasës me pagesë. Veprat për të cilat ai dyshohet janë kryer në zonën e tij dhe në qytetin e Pogradecit. Por këto akuza nuk janë vërtetuar",- shtojnë burimet për "Gazeta Shqiptare".

Vdiqën gjatë lindjes nënë e bijë, rihapet dosja "Buçka"
01/02/2012 - 12:37
Abedin Kaja

Prokuroria e rrethit të Beratit ka rihapur hetimin për vdekjen e 33-vjeçares Marjana Buçka, në muajin e 9-të të shtatzënisë. 33- vjeçarja Buçka, ish-banore e lagjes "Tafil Skëndo" të qytetit të Kuçovës, ndërroi jetë gjatë lindjes në maternitetin e Beratit, më 27 maj të vitit të kaluar. Lajmi për rihapjen e hetimit bëhet i ditur jo vetëm nga familjarët e të ndjerës, por edhe organi i akuzës.
DENONCIMI
Hetimi është rihapur pas denoncimit që të afërmit e 33-vjeçares Marjana Buçka bënë në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat. Për vdekjen e Marjanës shtatzënë, familjarët akuzojnë për neglizhencë mjeken gjinekologe Edlira Shkëmbi. Pak ditë pas vdekjes së Marjanës, ish-bashkëshorti i saj kishte bërë një kallëzim në Prokurorinë e rrethit Berat. Pushimi i çështjes u bë pas ekspertizës mjekoligjore, ku thuhet se "…nuk vërehen elementë të mjekimit të pakujdesshëm nga ana e personelit mjekësor". Sipas mjekëve, vdekja ka ardhur menjëherë pas plasjes së membranave, duke shkaktuar atë që quhet "tromboemioli amniotike". I bindur në përgjegjësinë e mjekëve, Jani Buçka, bashkëshorti i viktimës, më datë 14 nëntor të vitit 2011, i është drejtuar për kallëzim Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat. Ata kërkuan rihetim, për neglizhencë në mjekimin e Marjana Buçkës, e cila ndërroi jetë në maternitetin e Beratit më 27 maj të vitit 2011-të.
FAMILJARET
Zoica Buçka (ish-kunata, që ka ndjekur nga afër problemin), pasi sjell në kujtesë ditën që Marana ndërroi jetë, gjithë parapërgatitjen për lindje të Marjanës, midis të tjerash thotë se nuk iu dha ndihma e duhur kur ajo u fut për lindje. "Nuk iu bë matje tensioni dhe asnjë analizë tjetër. Mjekja Edlira Shkëmbi na e mori dhe Eko-n e nuk na e ktheu më. Pas kësaj mjekja i bëri serum Marjanës. I thashë vëllait, Janit (ish-bashkëshorti i Marjanës) që të dilte jashtë, sepse me këtë punë do merresha unë. Pas 7 minutash, Marjanës iu ´këput´. Mjekja Edlira thirri mjekun e urgjencës, Ben Konomomi. Më pas erdhi edhe gjinekologu tjetër, Kozma Brisku e drejtori Leka Papa. Në kohën që ndodhi ngjarja, mjekja mori në telefon ministrin e Shëndetësisë për të ardhur një helikopter për ta nisur në Tiranë Marjanën. Kur Marjanës iu bë Eko në maternitet,- sipas mjekes,- fëmija ka qenë 7cm lart mbi normativën dhe mjekja na tha se ajo është gati për të lindur. Mjekja neglizhoi e Marjana vdiq. Pak ditë pas vdekjes, bëra kallëzim në Prokurori. Marjana nuk duhet të vdiste dhe sido që të ishin rrethanat, të paktën duhet të shpëtonte ose nëna ose fëmija. Na u tha se të gjitha analizat ishin në rregull dhe më pas na dhanë lajmin e vdekjes. Këtë nuk e pranojmë. Ishte kjo arsyeja që unë pas përgjigjes nga organi i akuzës se ishte pezulluar hetimi, kërkova rihetim",- pohon për 'G.Sh', Zoica Buçka.
RIHETIMI
Burime zyrtare konfirmojnë se "rihetimi për vdekjen e Marjana Buçkës, ka nisur me vendim të Gjykatës, mbi bazën e denoncimit të bërë nga familjarët më 14 nëntor të vitit 2011". Natasha Zotkaj, sekretare në Prokurorinë e Beratit, shton se hetimet për vdekjen e 33-vjeçares Buçka do të bëhen në përputhje me të gjitha kërkesat që përcakton ligji për raste të tilla.

No comments:

Post a Comment