Total Pageviews

Tuesday, January 17, 2012

Withers: Demokracia në Shqipëri nuk po ndjek rrugën e vendeve perëndimore


Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, John L. Withers II ka shprehur shqetësimin për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Withers thekson se vendi ynë po shkon drejtë një demokracie tiranike siç po merr drejtimin Ukraina apo siç ka bërë Rusia.

“Shqetësohem se më duket se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore, por po shkon në drejtimin që po shkon Hungaria e cila po merr masa shtypëse ndaj medias, apo në drejtimin e Ukrainës që përdor gjykatat për të sulmuar udhëheqës të opozitës apo për të mbrojtur aleatë politikë dhe miq. Mendoj se po ndjek drejtimin e Rusisë, ku zgjedhjet nuk janë në standardet ndërkombëtare, gjë që ne presim t’i ketë një demokraci e zhvilluar”, tha ambasadori Withers në intervistën e parë që jep pas përfundimit të mandatit në Shqipëri.

Ai thotë se fakti që Shqipëria nuk po arrin të zgjidhë dukuri të tilla si korrupsioni, problemet në sistemin e drejtësisë dhe konfliktet politike, janë probleme të shkaktuara nga udhëheqësit politikë në vend që i quan përçarës dhe jo bashkues.

“Problemet e politikes nuk vijnë nga ambienti por polarizimi politik i udhëheqësve që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për të cilët demokracia është diçka jashtë tyre, demokracia është diçka që nuk u vjen për shtat diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë, nuk u vjen nga zemra”, shprehet ish-ambasadori amerikan në intervistën për VOA-n.

Withers thotë se qëndrimet e tij ndaj kryeministrit, apo ndaj udhëheqësit të opozitës, apo ndonjë personaliteti tjetër në Shqipëri, nuk ishin personale por një analizë për veprimet që nuk ishin në përputhje me parimet e demokracisë.

No comments:

Post a Comment