Total Pageviews

Tuesday, January 17, 2012

Gjykata: Meta i pafajshëm, nuk provohet korrupsioni


Flamur Vezaj / Denis Dedej

TIRANË- Ish-zv/kryeministri Ilir Meta, njëherazi kryetari i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) u shpall i pafajshëm dje nga Gjykata e Lartë për akuzën e korrupsionit. Pesëshes gjykuese të Kolegjit Penal, të kryesuar nga gjyqtari Adrian Dvorani, iu deshën mbi dy orë kohë në dhomën e këshillimit që të shprehen se gjatë procesit gjyqësor nuk u provua akuza e ngritur nga prokuroria ndaj deputetit Meta. Ky i fundit, nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, ku u përfaqësua nga avokatët e tij mbrojtës dhe disa anëtarë të partisë që ai drejton, të cilët duartrokiten vendimin e lexuar nga kryesuesi Dvorani. Këtij të fundit, i mjaftuan vetëm dy minuta kohë, që të lexonte tre paragrafët e shkurtër të vendimit, ku theksohej se nuk u provua fakti kriminal i pretenduar nga organi i akuzës.

“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarit të lartë shtetëror ose të të zgjedhurve vendore e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston”,- tha ndër të tjera gjyqtarit Dvorani. Në vazhdim të paragrafit të dytë të shkurtimit të vendimit, Gjykata e Lartë urdhëroi që provat materiale, që deputeti Dritan Prifti ia kishte vënë në dispozicion organit të akuzës, si orë mikrokamera, kabull USB, kompjuteri portativ (lap-top) dhe USB-ja, t’i kthen Prokurorisë. Ndërkaq, shpenzimet procedurale të gjykimit, duke përfshirë këtu edhe pagesën e ekspertëve shqiptar gjatë procesit gjyqësor që kap shifrën mbi 3.5 milion lekë të reja, Gjykata e Lartë u shpreh se i ngarkohen shtetit.

Nga ana tjetër, prokurorët e çështjes, në seancën e kaluar i kërkuan togave të zeza të Kolegjit Penal që ish-zv/kryeministrin Meta ta shpallnin fajtor për akuzën e “korrupsionit aktiv të funksionarit të lartë shtetëror ose të të zgjedhurve vendore” dhe ta dënonin me dy vite burg dhe një milionë lekë të reja gjobë. Prokuroria pretendoi se është provuar që gjatë ushtrimit të detyrës së zv/kryeministrit Meta kërkonte favore personale. Ndërsa avokatët mbrojtës kërkuan që Gjykata e Lartë të shpallte të pafajshëm Metën, pasi akuza nuk qëndronte dhe provat e paraqitura nga prokuroria nuk kishin vlerë.


Vendimi i Gjykatës

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi:

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta për akuzën e kryerjes e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarit të lartë shtetëror ose të të zgjedhurve vendorë e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston, bazuar në nenin 288, pika 1, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale.

Në bazë të nenit 190 të K.P.P. urdhërohet dorëzimi organit të prokurorisë të provave materiale vijuese: Orë mikrokamer, kabull USB, lap-top dhe USB.

Shpenzimet procedural penale, duke përfshirë shpërblimin dhe shpenzimet e kryera për aktin e ekspertimit gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor në vlerën 3.592.938 lekë i ngarkohen shtetit

Ina Rama përpara vendimit: Presim drejtësi

Pak orë përpara se Gjykata e Lartë të jepte vendimin për Ilir Metën ka reaguar edhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. “Nga Gjykata e Lartë presim të japë drejtësi. Ky është funksioni i gjykatës. Ne e kemi bërë prezent qëndrimin tonë gjatë gjithë procesit, e kemi konkluduar atë në konkluzionet përfundimtare, është ajo që mendojmë se është e drejtë. Por fjala e fundit i takon gjykatës, është ajo që jep drejtësi, sipas sistemit tonë gjyqësor”, tha Ina Rama përpara se gjykata të jepte vendimin. Ky ishte edhe reagimi i vetëm i prokurorisë për këtë çështje.

Meta: E drejta do të fitojë gjithmonë mbi padrejtësinë

“Gjykata e Lartë, në mënyrë unanime, bëri të qartë dhe konfirmoi para të gjithë shqiptarëve dhe para të gjithë botës jo thjesht pafajësinë e Ilir Metës, por konfirmoi se në këtë vend e drejta do të fitojë gjithmonë mbi padrejtësinë, e vërteta do të fitojë mbi mashtrimin, montimin dhe mbi fabrikimi”. Ky është reagimi i kryetari të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vetëm pak minuta pas shpalljes i pafajshëm dhe pushimit të akuzës për korrupsion nga Gjykata e Lartë. Nga selia e LSI-së, në një atmosferë festive dhe i rrethuar nga mbështetësit, ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Ekonomisë, ka dalë përpara mediave për të shprehur qëndrimin e tij.

Që në fillim të fjalës së tij, Meta është lutur për qetësi, pasi brohoritjet e shumta të mbështetësve nuk lejonin që konferenca të dëgjohej. Pas qetësisë që mbizotëroi në godinën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, drejtuesi i kësaj partie shprehu besimin e plotë tek “drejtësia, ligjit dhe tek e vërteta”. “Në këtë vend vlerat morale do të fitojnë mbi poshtërsinë dhe pamoralësinë, se në këtë vend ligji dhe shteti do të fitojnë mbi krimin e organizuar i cili një vit më parë dënoi me vdekje Ilir Metën dhe LSI”, – deklaroi ish-zëvendëskryeministri.

Ilir Meta rrëfeu se familja e tij, por edhe LSI-ja, gjatë këtij viti kanë pasur jo pak shqetësime, te vendosur në një trysni të organizuar dhe të orkestruar nga krimi i organizuar. Megjithatë kjo, sipas tij, ishte një sakrificë që ia vlente pavarësisht nga zvarritjet pafund të këtij procesi. “Kjo ishte një sakrificë e Ilir Metës, por edhe e të gjithë juve për një standard të ri dhe për një moral të ri në politikën shqiptare për t’u përballur me akuzat, qofshin ato të bazuara mbi shpifje dhe montime monstruoze si qytetar i thjeshtë dhe mbi të gjitha bazuar në vullnetin që për hir të respektit dhe ndjeshmërisë së qytetarëve ndaj problemeve të korrupsionit dhe akuzave që bëhen në këtë drejtim për politikanët, për t’i shkuar deri në fund këtij procesi”,- shprehu vlerësimin e tij Meta.

Drejtuesi i partisë së dytë më të madhe të mazhorancës akuzoi krimin e organizuar se “cili përmes këtyre montazheve, përmes këtyre fabrikimeve, kërkonte të merrte peng jo vetëm Ilir Metën, por të merrte peng shumë institucione të tjera”. Krahas akuzave, Meta ka falënderuar dhe “avokatët e tij dhe të gjithë ata që insistuan për të mos e mbyllur këtë çështje për shkelje ligji dhe procedurash nga Prokuroria e Përgjithshme, por për t’i shkuar në themel dhe për t’i çmontuar përfundimisht akuzat e bëra nga krimi i organizuar ndaj tij”.

“Dua të falënderoj edhe anëtarët e trupit gjykues, të cilët kanë qenë nën një trysni të jashtëzakonshme presionesh, shpifjesh, akuzash pikërisht për të deformuar vullnetin e ligjit dhe të drejtësisë. Ilir Meta është njeri i ligjit, është njeri i institucioneve, është njeri i shtetit, ka pasur dhe ka gjithmonë besim se ligji do të fitojë mbi padrejtësinë, se shteti do të fitojë mbi krimin e organizuar”,- vijoi më tej lideri i LSI-së. Nga ana tjetër, Meta siguroi se “ato hallka të sistemit tonë, të cilat për fat të keq janë marrë peng dhe instrumentalizohen nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, do t’i çmontojmë përmes transparencës totale, qoftë ajo dhe fatale për cilindo”. Pas kësaj konference dhe atmosferës festive në LSI, Meta i është drejtuar sallës plenare të Kuvendit, ku mori pjesë në seancën e parë për këtë sesion parlamentar.

Meta pret vendimin në selinë e LSI

Disa minuta përpara shpalljes së vendimit përfundimtar të Gjykatës së Lartë, lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, sëbashku me drejtues të lartë të partisë së tij, janë mbledhur në selinë e partisë së tyre. Kreu i LSI është futur në ambientet e godinës së partisë që drejton pak minuta përpara orës 13:00. Ndonëse vendimi ishte parashikuar të jepej në këtë orë, Gjykata e ka vonuar dhënien e vlerësimit të saj. Meta nuk ka preferuar që të jetë i pranishëm vetë në Gjykatën e Lartë, por e ka pritur vendimmarrjen e trupës gjykuese në selinë e LSI-së. Por, pas publikimit të lajmit në media se Ilir Meta do të priste vendimin në zyrën e partisë, mbështetës të kësaj force politike kanë nisur të grumbullohen. Në momentin që Gjykata e Lartë shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin, në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim nisën festimet dhe pritën sëbashku daljen e kreut të LSI-së në një prononcim për mediat.

Spartak Braho, përfaqësues i Metës:

“Gjykata foli, të tjerët të heshtin. Pas vendimit të gjykatës kjo çështje nuk ka më histori. Komedia mbaroi, natyrisht disa do të qeshin e disa do të qajnë”

Erion Braçe, deputet:

Tre herë në dy vite: Në rastin e ministrit të Transportit, Lulëzim Basha, hetuar dhe nën akuzë për një aferë të madhe korrupsioni me procedurat e prokurimit të ndërtimit të rrugës Rrëshen – Kalimash; Në rastin e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, hetuar dhe nën akuze për krimin makabër me 26 të vrarë konsumuar shtetërisht në Gërdec; Në rastin e ministrit të Ekonomisë Ilir Meta, hetuar dhe nën akuzë për korrupsion aktiv në një çështje fare – fare publike, parë nga 3 milionë shqiptarë; Tre trupa të ndryshëm gjykues, përbërë nga anëtarë të Gjykatës së Lartë, kanë zgjedhur të mos gjykojnë – në rastet Basha e Mediu; Kanë zgjedhur të mos bëjnë drejtësi në rastin Meta! Këto trupa gjykues duhen shpërbërë! Këta gjykatës duhen shkarkuar! Të tria çështjet mbeten të hapura! Pra, të gjykueshme në çdo rast kur do të ketë kushte për të bërë drejtësi!

Taulant Balla, deputet:

Gjykata e Lartë e respektoi mjaftueshëm porosinë e Saliut. Gjykata priti sa të mbaronte fjala e Saliut në grupin parlamentar, megjithëse kishte njoftuar shpalljen e vendimit në orën 13:00. Drejtësia shqiptare legalizoi korrupsionin Berisha-Meta.



Erion Veliaj, sekretar PS:

Vaj vatani, mjerë mileti… Lajm i fundit, Gjykata e Lartë shpall vendimin: Ilir Meta, i pafajshëm

Ledi Shamku, deputete:

Goditja që iu bë KLD-së, bëhet vetëm për të mbuluar ngjarjen e turpshme që ndodhi sot!

Asllan Dogjani, deputet:

Shqiptarët nuk duhet të harrojnë talljen që po u bëhet sot nga ish -zëvendëskryeministri. Shiheni se çfarë shou po bën sikur të jetë aktor. Ky është fundi i një çështje, por nuk do jetë larg dita që drejtësia do vihet në vend.

No comments:

Post a Comment