Total Pageviews

Wednesday, January 11, 2012

Kosto e korrupsionit 43 euro, 1 në 3 shqiptarë japin ryshfet


Instituti i Statistikave e ka bërë anketimin e parë zyrtar për përhapjen e korrupsionit. 71 për qind e ryshfetdhënësve deklarojnë se kanë paguar mjekët, 47 për qind deklarojnë se kanë paguar infermierët dhe 14 për qind punonjësit e policisë

Korrupsioni, një fenomen tashmë zyrtarisht i përhapur ndër shqiptarë, për shkak se 1 në 3 persona jep ryshfet për të marrë shërbimet që i takojnë me ligj. Rezultatet për shtrirjen galopante të korrupsionit vijnë në një anketim të INSTAT në 3561 qytetarë, rezultatet e të cilit u publikuan dje. Rreth 60 për qind e të anketuarve mendojnë se më e korruptuara është qeveria. Instituti i Statistikave e ka bërë anketimin në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin. Kjo anketë u realizua në vitin 2010, ndërsa Komisioni Europian është financuesi i raportit: ‘Korrupsioni në Shqipëri: Ryshfetdhënia, sipas përvojës së popullsisë”. Të dhënat e raportit na tregojnë se qytetarët shqiptarë e rendisin korrupsionin si problemin e dytë më të rëndësishëm, pas papunësisë. Duke theksuar sesi korrupsioni ndikon në jetën e përditshme, raporti përshkruan në detaje shtrirjen dhe nivelet e ryshfeteve të paguara për shërbimet bazë. Përqindja e qytetarëve të cilët kanë paguar një ryshfet, ndërmjet atyre të cilët kanë pasur kontakte me punonjësit publikë, është 19.3 për qind. Vlera mesatare e një ryshfeti i paguar në cash është 5,710 lekë, ose e barasvlershme me 43 euro. Prevalenca më e lartë e korrupsionit është vërejtur në zonat rurale, 20,9% në krahasim me ato urbane 17.7% dhe tendenca për të paguar ryshfet rezulton më e lartë te femrat sesa te meshkujt shqiptarë (21.3% kundrejt 17% ). Duke reflektuar mbi pasojat negative të korrupsionit në jetën e përditshme, raporti vë në dukje se 71 për qind e ryshfetdhënësve deklarojnë se kanë paguar mjekët, 47 për qind deklarojnë se kanë paguar infermierët dhe 14 për qind punonjësit e policisë. Raporti ofron të dhëna të plota mbi sektorët më të prekur, rolin e punonjësve publikë, ryshfetdhënësve, si dhe format e ryshfeteve në Shqipëri. Nga qytetarët të cilët deklaruan se kanë dhënë ryshfet, 30 për qind e tyre deklaruan se ua kanë ofruar vetë ryshfetin punonjësve publikë, në më shumë se në gjysmën e rasteve ryshfeti është nënkuptuar nga punonjësi publik dhe në 10 për qind të rasteve kërkesa për ryshfet është bërë në mënyrë eksplicite nga punonjësi publik. Në më të shumtën e rasteve, rreth 99.6 për qind, pagesa kryhet në cash. Të dhënat nga anketa nënvizojnë edhe arsyet e dhënies së ryshfetit, duke iu referuar të intervistuarve, 71 për qind deklaruan se duke paguar ata ‘morën një trajtim më të mirë’; 9 për qind deklaruan se ‘përshpejtuan procedurën’, e njëjta shifër është regjistruar edhe për ‘shmangien e pagesës së gjobës’, ndërsa 12 për qind citojnë që dhënia e parave i ndihmoi ata për ‘të finalizuar procedurën ose i kanë dhënë paratë në shenjë mirënjohje’. Sipas raportit, vetëm 1 për qind e ryshfetdhënësve e raportojnë incidentin në organet përkatëse. 29 për qind e të intervistuarve deklarojnë se ‘askush nuk do të kujdeset’ pra, nëse ata do ta raportonin incidentin do të ishte një përpjekje e kotë, ndërkohë që 45 për qind deklarojnë se ryshfeti është ‘një praktikë e zakonshme’, ndërsa një përqindje prej rreth 13 për qind deklarojnë se kanë kryer pagesën në formën e mirënjohjes. Në fokus të anketës janë gjithashtu edhe të dhënat lidhur me aplikimet dhe rekrutimet në sektorin publik. Shqetësimet lidhur me korrupsionin në sektorin publik konfirmohen edhe nga ata individë të cilët gjatë tre viteve të fundit (para kryerjes së anketës) kanë aplikuar për vend pune në sektorin publik. 16 për qind e të intervistuarve deklaruan se kanë aplikuar për punë në sektorin publik, 25 për qind e të cilëve u rekrutuan, ndërkohë që 9 për qind e individëve të rekrutuar e fituan vendin e punës nëpërmjet dhënies së një ryshfeti. Dhënia e ryshfeteve ka prevalencë më të lartë se format e tjera të krimeve si: vjedhja e makinave, vjedhja, grabitja/vjedhja/sulmet apo kërcënimet personale. Prevalencat për këto tipe krimesh janë të ulëta, kjo shpjegon ndjesinë e sigurisë së qytetarëve shqiptarë në shtëpi apo fakti që nuk përdorin sisteme të përparuara të sigurisë për mbrojtjen e shtëpive të tyre.




Të dhënat nga anketa tregojnë se 71 për qind deklaruan se duke paguar ata ‘morën një trajtim më të mirë’; 9 për qind deklaruan se ‘përshpejtuan procedurën’; e njëjta shifër është regjistruar edhe për ‘shmangien e pagesës së gjobës’

Korrupsioni në shifra

- 3 561 individë janë anketuar në të gjithë vendin.

- 1 në 3 qytetarë kanë dhënë ryshfet.

- Norma mesatare e ryshfetit është 57 mijë lekë, ose 43 euro.

- 28.3% e qytetarëve shqiptarë të moshës 18-64 vjeç kanë qenë të ekspozuar direkt ndaj ryshfetit.

- 19.3% prej tyre kanë deklaruar se kanë paguar ryshfet gjatë 12 muajve të fundit.

- Në 30% të rasteve ryshfetin e paguajnë në mënyrë të vullnetshme vetë qytetarët.

Në 50% ai u nënkuptohet atyre nga zyrtarët.

Në 10% u kërkohet në mënyrë eksplicite nga zyrtari apo personi tjetër ndërmjetës,

70% e qytetarëve paguajnë ryshfet për një trajtim më të mirë,

9 % për të përshpejtuar procedurën.

9% për të shmangur pagesën e gjobës.

12% për të finalizuar procedurat, apo për të shprehur mirënjohjen.

45% e tyre e konsiderojnë ryshfetdhënien si praktikë e zakonshme.

13% e tyre deklarojnë se e paguajnë në shenjë mirënjohje.

29% qytetareve nuk raportojnë, pasi mendojnë se nuk do të bëhet ndonjë gjë e dobishme për ta.

60% e shqiptarëve mendojnë se institucioni më i korruptuar në vend është vetë qeveria.

8 në 10 qytetarë detyrohen që të paktën njëherë në vit të shkojnë në zyrën e një titullari. publik, ku gjasat që të bëhen pre e ryshfetit janë të larta.

71% e ryshfetdhënësve kanë paguar mjekët,

47% infermierët,

14% punonjës të policisë.

99.6% pagesa kryhet në cash.

1 comment:

  1. Keto thuhen nga vete Insituti i Qeverise dhe kuptohet jane maja e ajsbergut. Vetem ne Shqiperi "ryshfeti jepet ve me qejf" nga 30% e popullsise, mire ai qe e jep me "qejf" por cfare do t';i thuhet atij "qe e merr me zor-sepse ja japin vete". Ai sic duket nuk ka "faj" fajin e paskan keta qe vet duan te japin dhe mezi presin sa te shkojne dhe paguajne me qejf.

    ReplyDelete