Total Pageviews

Thursday, September 1, 2011

Shkeljet në tender, Banka Botërore anulon financimin

01/09/2011 - 13:11 Gazeta Shqiptare 9/1/2011

Problemet dhe shkeljet e rënda në tenderin e paisjeve spitalore kanë detyruar Bankën Botërore të anulojë financimin prej 1.1 milionë dollarësh. I gjithë operacioni ka dështuar pasi komisioni i Vlerësimit në ministrinë e Shëndetësisë ka skulifikuar firmën që ka bërë ofertën më të ulët dhe ka rekomanduar një kompani e cila ka bërë një ofertë 600 mijë dollarë më të lartë.
"Gazeta Shqiptare" zbulon një letër korrespondence që drejtoresha kombëtare dhe Koordinatorja rajonale për Europën Juglindore, Europën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore, Jane Armitage i ka dërguar ministrit të Financave, Ridvan Bode në 9 gusht 2011. Në këtë letër, e cila i është dërguar gjithashtu edhe ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, sekretares së Përgjithshme të ministrisë, Mirela Cano, drejtorit të Përgjithshëm të Spitaleve, Pëllumb Pipero, drejtoreshës së ISSH, Elvana Hana dhe disa autoriteteve të tjera, drejtoresha e Bankës Botërore shpall keqpërdorim dhe keqprokurim të tenderit. Ajo madje rezervon të drejtën të kërkojë dëmshpërblim sipas rregullores financiare. Armitage thekson se komisioni i Vlerësimit të tenderit ka thyer rregulloren e Bankës Botërore duke favorizuar ofertuesin më të lartë dhe skualifikuar ofertuesin më të vogël. Më poshtë, do të lexoni letrën e plotë të drejtoreshës së Bankës Botërore drejtuar ministrit Ridvan Bode.

Jane Armitage
Drejtore
Drejtuar Ministrit të Financave
Ridvan Bode
Lidhur me projektin e rehabilitimit të sistemit shëndetësor, prokurimin e pajisjeve mjekësore
Deklaratë e keqprokurimit
Kjo letër i referohet raportit të vlerësimit të tenderit për prokurimin e pajisjeve mjekësore, që u mor fillimisht nga Banka në 27 nëntor 2010 dhe në formë të rishikuar në 14 korrik 2011. Ne u referohemi edhe letrave të ministrit Vasili, që datojnë 7 korrikun dhe 14 korrik 2011, lidhur me vlerësimin e tenderit.
Pas disa muajsh komunikim me Komisionin e Vlerësimit të Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me kontratën në fjalë, përfshi këtu edhe një audiokonferencë më 19 prill 2011 dhe dy letra të Bankës që datojnë 6 qershorin 2011 dhe 13 korrikun 2011, të cilat shprehin qartazi dhe hapur se banka mund të jetë e detyruar të deklarojë keqprokurim, Banka i ka dhënë çdo mundësi Komisionit të Vlerësimit të rishikojë situatën dhe të bëjë tenderin në përputhje me procedurat që kishim rënë dakord, siç thuhet edhe në rregulloren e Bankës dhe dokumentet tenderuese.
Komisioni i Vlerësimit, që nga fillimi ka refuzuar ofertën e Nihon Kohden, bazuar në vlerësimin e kritereve që nuk specifikohen në dokumentet e tenderimit, veçanërisht mbi bazën se NK propozoi në ofertë një kompani lokale shërbimesh që nuk konsiderohet e kualifikuar sipas ligjit për prokurimet në Shqipëri. Ndërsa Komisioni i Vlerësimit iu përgjigj kërkesës së bankës për të bërë një vlerësim teknik të ofertës së NK, që ka qenë teknikisht e aftë dhe solli edhe ofertën më të ulët në tender për kontratën në fjalë, kontrata iu rekomandua 'Philips', një kompanie që ka paraqitur një ofertë prej 600 mijë dollarësh më të lartë.
Siç është shpjeguar më sipër, Banka në përputhje me rregulloren e saj nuk mund të jetë dakord me skualifikimin e NK nga tenderi, apo të çdo ofertuesi tjetër për arsye që nuk lidhen me kapacitetin dhe burimet për të zbatuar kontratën. Ndërsa emërimi i një kompanie shërbimesh lokale kërkohet për nënshkrimin e kontratës, identifikimi i saj nuk është një kërkesë e detyrueshme për paraqitjen e ofertës dhe kualifikimet e një kompanie të tillë lokale nuk janë materiale që i shërbejnë përgjigjes se ofertuesit NK apo kualifikimeve të tij për qëllimet e vlerësimit të ofertës dhe dhënies së kontratës.
Banka i ka kujtuar Komisionit të Vlerësimit se, në përputhje me marrëveshjen financiare, prokurimet në këtë projekt të financuar nga Banka duhet të bazohen në parashikimet e dokumenteve tenderuese për këtë prokurim. Sipas rregullores së Bankës, huamarrësi do ta japë kontratën brenda periudhës së vlefshmërisë së tenderave, ofertuesit që përmbush standardet e kapacitetit dhe burimeve për tenderin, atij që i përgjigjet dokumenteve tenderuese dhe ofertuesit me koston më të ulët. Veprimet e sipërpërmendura të Komisionit të Vlerësimit në skualifikimin e ofertuesit më të ulët mbi baza që nuk kanë lidhje me aftësinë e tij dhe burimet dhe rekomandimi i kontratës për një ofertues që ka paraqitur një kosto më të lartë, shkelin rregullat e Bankës Botërore, që parashikohen edhe në marrëveshjen financiare dhe krijojnë terren për të shpallur keqprokurim, sipas rregullores.
Në përputhje me kushtet e përgjithshme që theksohen edhe në marrëveshjen financiare, banka në këto raste do të anulojë shumën e financimit të paraqitur në kontratë. Duke ndjekur këto parashikime, Banka deklaron keqpërdorim të tenderit, keqprokurim dhe njofton se shuma e IDA Credit që është alokuar në paketë (1.1 milion dollarë), do të anulohet. Banka rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime të tjera dëmshpërblyese sipas rregullores financiare.
Sinqerisht
Jane Armitage
Drejtore kombëtare dhe Koordinatore rajonale për Europën Juglindore, Europën, dhe Azinë Qendrore
CC: Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili,
Zv/ministrit të Financave, Nezir Haldeda
Zv/ministrit të Shëndetësisë, Bardh Spahia
Drejtoreshës së Departamentit të Strategjive dhe Koordinimit të Donacioneve, Valbona Kuko
Sekretares së përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, Mirela Cano
Drejtorit të Përgjithshëm të Spitaleve, Pëllumb Pipero
Drejtorit të Departamentit Ekonomik të Ministrisë së Shëndetësisë, Saimir Kadiu
Drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana
Drejtorit Ekzekutiv të Bankës Botërore, Piero Cipollone

No comments:

Post a Comment