Total Pageviews

Friday, April 22, 2011





Shtëpia në Holandë e çiftit Basha, dy deklarime të rreme

Shekulli | 22/04/2011 |

"Shekulli" zbulon kontratën e blerjes së shtëpisë në Utrecht në 2001-n dhe Kontratën e shitjes së saj në 2008-n, nga Zyra e Kadastrës se qytetit Utrecht, Holandë. Krahasimi i dy kontratave holandeze me deklaratat e pasurisë së ministrit:

Deklarimi i rremë nr 1 - Shtëpia nuk është blerë aq sa është shkruar nga Basha në deklaratën e pasurisë në tetor 2005

Deklarimi i rremë nr 2 - Shtëpia është shitur në prill 2008, por Basha e ka deklaruar të shitur në deklaratën e pasurisë për 2007-n (!) (SHIH FAKSIMILET: FOTO GALERI)

Rreth 10 vjet më parë, në datën 21.12.2001 Lulzim Basha i lindur më 12-06-1974, në Tiranë, dhe Aurela Isufi, lindur më 04-10-1973, në Tepelenë, të dy të pamartuar, janë paraqitur në zyrën e Noterit Mr. Ritzo Jacob Holtman në Utrecht të Holandës ku kanë blerë një shtëpi në adresën "Keizerstraat 25, 3512 EA Utrecht".

Për këtë shtëpi ata kanë kaluar plot 450.000 gulden (monedha e atëhershme e Holandës) ose afërsisht 207 mijë euro.

Krahasimi i kontratës noteriale të blerjes së shtëpisë (një kopje e së cilës gjendet në redaksinë e "Shekullit") me deklaratën e pasurisë së z. Basha në 2005, nxjerr të parën gënjeshtër të z. Basha, që ligji e klasifikon si deklarim të rremë të pasurisë.

Në Deklarimin e Pasurisë që Basha ka bërë në datën 4 tetor 2005 e ka deklaruar këtë shtëpi me vlerë 510.000 gulden ose rreth 30.000 euro më shumë sesa vlera e shënuar në kontratën e vënë në dispozicion të "Shekullit" nga Zyra e Kadastrës së qytetit Utrecht, Holandë.

Lulzimi dhe Adela e blenë shtëpinë në fjalë me sipërfaqe 118 m2 nga Znj. Johanna van Amstel - van der Horst. Më parë Aurela dhe Lulzimi kishin banuar të ndarë nga njëri-tjetri, ajo në Blauwkapelseweg 135, 3572 KE Utrecht, ndërsa ai në Biltstraat 81, 3572 KE Utrecht. Dokumentet dhe çelësat e shtëpisë iu janë dorëzuar menjëherë blerësve të rinj nga zonja Johanna van Amstel, sapo ata kanë nënshkruar kontratën.


Shitja e Shtëpisë
Pas gati 7 vjetësh Aurela dhe Lulzimi tashmë të martuar kanë vendosur ta shesin shtëpinë e tyre në Holandë. Ata e kanë shitur për 257 500 Euro, shtëpinë e blerë në vitin 2001. Kësaj radhe familja Basha duket se e ka shitur nën nxitim shtëpinë, bile ata nuk janë paraqitur personalisht para noterit, por kanë ngarkuar Jacob Pieter Reuselaars si përfaqësues ligjor, i cili ka firmosur nën emrin e tyre kontratën për shitjen e shtëpisë.

Ky i fundit është paraqitur ditën e enjte datë 2 prill 2008, para kandidates për notere, Eefke Marrichje Gesina van de Garde, dhe ka nënshkruar me blerësin Stephanus Johannes Hendricus Maas; të lindur në Roterdam më datë 22-06-1980 kontratën për shitblerjen e shtëpisë.

Ky i fundit ka kaluar shumën prej 257 500 euro në llogarinë e noterit. Pas nënshkrimit, e gjithë kjo shumë ka kaluar në llogarinë e Lulzim Bashës në PostBank NV. Blerësi ka paguar edhe taksat me vlerë 15.450 Euro. Sipas kontratës, familja Basha në atë datë vazhdonte të jetonte në shtëpinë prej 118 m2 në rrugën Keizerstraat Utrecht, ndërkohë dhe kanë deklaruar se adresa e tyre e re do të ishte rruga "Dervish Hima", Kulla 2, Kati 10, in Tirana (Albania);

Në pamje të parë kontrata duket e rregullt, familja Basha ka fituar disa dhjetëra mijëra euro në plus nga shitja e shtëpisë dhe kanë vendosur të mos banojnë më në Utrecht, por kanë filluar jetën ndërmjet shtëpisë në Amsterdam dhe shtëpisë në rrugën "Dervish Hima", Tiranë.

Por, nga kjo kontratë, na rezulton deklarata e dytë e rremë e zotit Basha. Z. Basha e ka deklaruar këtë shtëpi të shitur në deklarimin e pasurisë për vitin 2007, ndërkohë që kontrata e vënë në dispozicion të "Shekullit" nga Zyra Kadastrale e qytetit Utrecht mban datën 4 prill 2008 (!).

Si është e mundur që z. Basha e ka deklaruar shitjen e shtëpisë dhe vlerën e saktë të shitjes, kur ajo ende nuk ishte shitur? Përse e shiti Basha me urgjencë këtë shtëpi, pasi deklarimi i tij i pasurisë u bë publik dhe pikërisht në muajt e hetimeve për rrugën Durrës-Kukës?

*****

*Versionin e plote dhe faksimilet perkatese mund ti gjeni ne Shekulli Print. Shekulli falënderon për bashkëpunimin nga Holanda, reporteren Annette van den Berg dhe foto-reporterin Gerben Solleveld

*****

Legjislacioni për Deklarimin e Pasurive

Ligji nr. 9049, dt. 10.04.2003 "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike"

Neni 38
Deklarimi i rremë
Deklaratat dhe të gjitha dokumentet që i shoqërojnë ato janë dokumente zyrtare. Paraqitja në to e të dhënave të rreme përbën vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 257/a, paragrafi i dyte i Kodit Penal:"Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

No comments:

Post a Comment