Total Pageviews

Saturday, April 23, 2011

Në kontratën e Utrechtit, Basha me pasaportë amerikane (!)

Në kontratën e Utrechtit, Basha me pasaportë amerikane (!)

Shekulli | 23/04/2011

Veç dy deklarimeve të rreme të pasurisë, ka edhe pika të tjera që kërkojnë përgjigje nga zoti Basha në kontratën e blerjes së shtëpisë në Utrecht të Holandës.

Njëra prej tyre është veçanërisht kurioze të marrë një përgjigje publike. Siç shihet në faksimilen përbri, që është një dokument noterial i Kadastrës shtetërore të Holandës, në blerjen e shtëpisë, shtetasi Lulzim Basha, prezantohet në dhjetor 2001, me një dokument që ngjall habi. Kontrata noteriale thotë që shtetasi në fjalë, "mban pasaportë amerikane" dhe po aty jep numrin e këtij dokumenti.

Presim një përgjigje nga z. Basha për këtë dokument, ndërkohë që nga një hulumtim i Shekullit në regjistrin e hyrje-daljeve rekord të Bashës nga Shqipëria, vihet re një tjetër fenomen, që ka të bëjë sërish me pasaportat.

Z.Basha mund të jetë i vetmi zyrtar shqiptar që ka jo një, as dy, po tri pasaporta diplomatike dhe të tria janë të vlefshme brenda së njëjtës periudhë. Ai ka edhe një të katërt, madje, e cila është marrë gjithashtu pa mbaruar afati i posedueses, por kjo ëhstë tashmë e skaduar, kurse tri të tjera, janë të tria të vlefshme, madje dy prej tyre janë marrë në të njëjtin vit, i cili "çuditërisht" është viti i skandalit të hetimeve për zhdukjen e parave nga rruga Durrës-Kukës.

Numrat e këtyre pasaportave janë:
1 - D 0012560
2 - D 0001210 (kohëzgjatja 2007-2017)
3 - D 0001313 (kohëzgjatja 2007-2017)
4 - DC 0762158 (kohëzgjatja 2010-2020)

Pasaporta diplomatike me numër 0001210 dhe ajo me numër 0001313 janë të dyja me të njëjtin afat përdorimi nga viti 2007 në vitin 2017.

Pyetjet për Bashën kësaj here janë: Përse të janë dashur dy pasaporta diplomatike? Përse është marrë pasaporta e dytë në vitin 2007 kur ti sapo e kishe marrë një të tillë? A ka lidhje kjo me hetimet për paratë e zhdukura nga rruga Durrës-Kukës?

Gjysma e dytë e 2007-s përkon pikërisht me fazën e hetimeve ndaj Bashës për abuzimet e konstatuara nga KLSH dhe për të cilat prokuroria hetonte. Në fund të këtij viti, Bashës iu hoq edhe imuniteti. Është e qartë që nevojën për 2 pasaporta e kanë personat që planifikojnë të largohen, kur për shkak të hetimeve për krime, mund t'u bllokohet pasaporta dhe mundësia e lëvizjes jashtë vendit.

A është ky rasti juaj z. Basha? Nëse jo, përse ju duhej kjo pasaportë e dytë dhe si e keni nxjerrë atë?

Këto pyetje po i bashkëngjisim pyetjeve të djeshme, të cilave ende nuk ju jeni përgjigjur: Cili është reagimi juaj për mashtrimet në deklarimet tuaja të pasurisë për 2005 dhe 2007? Mashtrimet dëshmohen nga krahasimi i kontratave dhe dokumenteve të Kadastrës së shitje-blerjes së shtëpisë në Utrecht me deklaratat tuaja të pasurisë të nënshkruara nga vetë ju. Lexuesit tanë presin përgjigje.

Fatmira Laska, ish-kryetare e ILDKP:

E pyetur dje lidhur me falsifikimet dhe mashtrimet në deklaratat e pasurisë së ish-ministrit Basha, ish-kryetarja e ILDKP, Fatmira Laska, tha për "Shekullin": "Katër vjet më parë ne kemi qenë në Holandë. Me këtë rruge kemi bërë edhe verifikimet për disa persona, mes tyre është Lulzim Basha.

Unë kam zhvilluar takim me homologun, ndërsa dy inspektorët kanë kryer verifikimet në terren dhe në banka. Gjithçka ndodhet në një raport të plotë që është në institucion. Unë nuk mund të flas më shumë, duhet të kërkoni dosjen në Inspektorat dhe aty ndodhet gjithçka për subjektin që ju jeni të interesuar..."

Reagimi zyrtar i ILDKP:
Një reagim ia kemi kërkuar dje edhe institucionit përgjegjës për shkeljet e ligjit në deklaratat e pasurisë. Reagimi i tyre për botimin e djeshëm në "Shekulli" ishte ky:
"ILDKP vlerëson me përparësi çdo informacion që publikohet në media dhe i jep përgjigje çdo interesimi brenda limiteve minimale të afateve ligjore.

Çdo rezultat verifikimi apo riverifikimi bëhet publik pas shqyrtimit administrativ të çdo informacioni..."
Presim përgjigjen nga ILDKP për deklarimet e rreme të z. Basha si dhe përgjigjen e tij publike për dokumentacionin që kemi paraqitur këto dy ditë.

No comments:

Post a Comment