Total Pageviews

Saturday, June 16, 2012

Keshilltarja e Kryeminstrit Berisha, fshehu 1 milion dollare

Në rast se znj.Suzana Guxholli nuk do të divorcohej nga bashkëshorti i saj, ndoshta kurrë nuk do të mësohej pasuria reale e këshilltares ekonomike të kryeministrit Sali Berisha.
Mirëpo përpjekja për të përfituar pjesën e saj nga divorci ka prodhuar një dokument, të cilin vetë zonjës Guxholli ndoshta nuk i ka shkuar në mendje se dikush do ta krahasonte me deklaratat e saj të pasurisë.
Por ja që ky krahasim është bërë. Dhe prej këtij krahasimi rezulton një skandal që kap (duke e mbajtur edhe pak me hatër) shifrën mbi 1 milion dollarë të padeklaruara në formë kesh dhe disa prona, mes të cilave një apartament në Budapest, për të cilin do flasim në numrat e ardhshëm.
Zonja Guxholli 55 vjeç ka kërkuar të divorcohet nga bashkëshorti, inxhinieri Besnik Pani. Në ndarjen e pasurisë ajo ka dëshiruar t’i provojë gjykatës që kontributet e saj në familje kanë qenë shumë më të mëdha se ato të bashkëshortit. Për këtë shkak është caktuar një eksperte kontabël, e cila është ngarkuar të llogarisë të gjitha fitimet e zonjës Guxholli në vite.
Këtë akt ekspertim “Shekulli” e posedon dhe aty janë me saktësi të gjitha fitimet e zonjës Guxholli nga mesi i viteve ‘90 deri në vitin 2006 kur u emërua këshilltare ekonomike nga z.Berisha, i sapobërë kryeministër i ri i vendit.


Dhe nuk janë pak. Në aktin e ekspertimit të Gjykatës i ndërtuar mbi bazën e dokumenteve të dorëzuara nga vetë znj. Guxholli si prova, shihen shifra që variojnë nga 10 e 20 mijë dollarë deri në 300 apo 400 mijë dollarë dhe pagesa të tjera në ish-markën gjermane një prej të cilave mbi 190 mijë marka. Të gjitha bashkë bëjnë mbi 1 milion dollarë, pa llogaritur madje rrogat si pedagoge. Shumica e këtyre pagesave janë për konsulenca dhe në formë bursash. Janë të shumta dhe kush dëshiron t’i qëmtojë një më një, mund t’i vemë në dispozicion aktin e ekspertimit të gjykatës, në bazë të të cilit është marrë vendimi për përpjestim pasurie me shkak divorcin.

***
Dokumenti i Gjykatës është i qartë në shifra dhe mbledhja e tyre e kalon shumën e 1 milion dollarëve. Kur në 2006 znj.Guxholli u bë këshilltare e kryeministrit, këto të ardhura duhej të deklaroheshin. A janë deklaruar? Le t’i hedhim një sy deklaratës së znj.Guxholli.

Në këtë deklaratë pasurie janë shënuar një apartament banimi (për të cilin në deklaratë thuhet se e ka përfituar si kompensim), një automjet Volkvagen Polo, dhe tri llogari bankare, njëra prej të cilave 1 milion lekë (me  shpjegimin se këto para i ka të trashëguara nga Banka e Kursimeve), tjetra në Budapest 8 mijë dollarë dhe një llogari të tretë 24 mijë euro.  Me siguri që znj.Guxholli kur nuk ka deklaruar pjesën tjetër të parave nuk ka menduar se disa vite më vonë do divorcohej dhe se në divorc do t’i duhej të paraqiste shifrat reale. Dhe nuk mbaron këtu.

***

Në deklaratat e pasurisë së këshilltares ekonomike të kryeministrit nuk “mungojnë në apel” vetëm shifrat me nga 6 zero, por edhe një apartament në Budapest si dhe një truall në qendër të Tiranës. Për këto do flasim numrin e nesërm.

1 comment:

  1. http://www.lajm-shqip.com/new/index.php/2017/08/29/presidenti-meta-vendos-ja-kur-te-mblidhet-kuvendi-ri/

    ReplyDelete