Total Pageviews

Saturday, April 28, 2012

“Zërit” i rikthehet zëri: Na sulmuan pasi botuam skandalin e Berishës

Gazeta kosovare “Zëri”, versioni online i të cilës u bllokua një ditë pas publikimit të skandalit të qeverisë Berisha me linjën e interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri, është rikthyer. Faqja në internet e “Zërit” është sërish funksionale, pas ndërprerjes pothuajse 10-ditore. Në një njoftim për lexuesit, redaksia e “Zërit” shpjegon se sulmi erdhi menjëherë pas botimit të shkrimit me titull “Sali Berisha, me “mafinë” serbe, kundër Kosovës”, i botuar më 16 prill, 2012.
“Siç e dini, kohët e fundit jemi përballur me probleme të shumta në faqen tonë. Pothuajse 10 ditë, ka qenë e pamundur që faqen tonë ta vizitojnë persona që jetojnë jashtë Kosovës, por edhe nga disa pjesë brenda vendit tonë. E gjithë kjo ka ardhur pas sulmeve që na janë bërë nga persona të panjohur, pas publikimit të shkrimit me titull “Sali Berisha, me “mafinë” serbe, kundër Kosovës” të datës 16 prill, 2012, skandal ky i publikuar për herë të parë në Gazetën “Zëri”, i cili ka ngjallur debate të mëdha në Kosovë, e sidomos në Shqipëri.
Që nga ajo ditë, faqja jonë është ballafaquar me probleme të mëdha, nga sulmet që vinin në drejtim të faqes, prandaj është dashur ta ndërrojmë serverin, të kalojmë në një server të ri, shumë më të sigurt.
Edhe tani, ndodh që në disa vende të mos hapet faqja, pasi ende sulmet vazhdojnë, mirëpo sistemi i sigurisë në faqe është shumë më i madh tani, dhe shumica e lexuesve tanë besnikë, do të kenë mundësi qasjeje në faqe.
Shpresojmë në mirëkuptimin tuaj, lexues të nderuar, deri në normalizimin e plotë të faqes Zëri.info”, thuhet në njoftimin e gazetës kosovare.

No comments:

Post a Comment