Total Pageviews

Thursday, February 2, 2012

Fushata e 8 majit: Emrat e biznesmenëve që financuan PD dhe PS


Zbulohet raporti i auditit të pavarur për fondet e përdorura nga PD
PD shpenzoi 1.8 milionë USD në zgjedhje, PS deklaron 1.4 milionë USD. PD, 48 mijë USD për kompaninë nga SHBA
Kompanisë amerikane “Themellman gruop” iu paguan 48 mijë USD për konsulencë në zgjedhjet vendore
Partia Demokratike ka shpenzuar gjatë fushatës zgjedhore të 8 majit 2011 182.6 milionë lekë. Kjo shumë certifikohet nga raporti i auditueses së pavarur, Lumturi Brahaj, që ka kontrolluar tabelat financiare të Partisë Demokratike. Pjesën më të madhe të shpenzimeve në Partinë Demokratike e ka marrë imazhi, hapësirat publicitare dhe spotet televizive, të cilat, sipas auditueses së pavarur, janë të pasqyruara pa asnjë gabim dhe mospërputhje në tabelat e deklarimeve dhe shpenzimeve që ajo ka kontrolluar nga selia blu. Një shumë të konsiderueshme, Partia Demokratike, e cila fitoi një numër mjaft të madh njësish vendore më 8 maj 2011, por, mbi të gjitha, Bashkinë e Tiranës, ka shpenzuar për festën e fitores, fishekzjarrët, plot 7.2 milionë lekë. Rreth 43 160 milionë lekë PD ka shpenzuar për mitingjet e saj në të gjithë vendin, duke përfshirë këtu të gjithë infrastrukturën që i duhet një mitingu, pa llogaritur këtu shpenzimet e karburantit dhe dietat. Pjesa më e madhe e shpenzimeve nga Partia Demokratike janë bërë nga selia qendrore, pasi ka qenë ajo që është marrë me imazhin mediatik të kësaj fushate përmes hapësirave publicitare në televizione dhe mediat e ndryshme, spotet, posterat, billborderat etj. Nëse do të shikojmë shpenzimet e bëra nga qendra, ato kapin shumën e 136 377 191 lekëve, ndërsa 38 rrethet në të gjithë vendin kanë shpenzuar 46 127 558 lekë. Partia Demokratike ka deklaruar dhe kompaninë e konsulencës, e cila luajti një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen dhe rezultatin e kësaj fushate. Ajo është kompania e njohur amerikane e konsulencës zgjedhore “Themellman gruop”, e cila asistoi pranë kësaj partie me një ekip ekspertësh më të mirë të saj dhe që ndërtoi të gjithë strategjinë elektorale, ndërsa Partia Demokratike ka shpenzuar për këtë shërbim 48 212 dollarë, ose 4 821 827 lekë.
Fondet
Audituesja e pavarur në kontrollin e tabelave të hartuara nga selia blu, ka pasqyruar dhe mënyrën se si janë siguruar fondet që Partia Demokratike ka shpenzuar gjatë kësaj fushate. Nga buxheti i shtetit, Partia Demokratike ka marrë 30 991 997 lekë, ndërsa nga burimet e veta, siç tregohet në tabelë, por pa treguar se si sigurohen këto të ardhura, ka përfituar 99 080 050 lekë. Në Partinë Demokratike, për fushatën e 8 majit kanë mbërritur dhe shumë sponsorizime, në shumën e 7 030 000 lekëve. Ajo që sqarohet nga auditi është fakti se sponsorizimet janë dhënë nga persona të ndryshëm nën shumën e 100 mijë lekëve, ndërsa asnjë individ apo subjekt nuk ka dhënë sponsorizime mbi një milion lekë, të cilët ligji i detyron më pas të deklarojnë konfliktin e interesit me subjektin. Të gjitha donacionet janë dhuruar në arkën e Partisë Demokratike, dhe jo përmes bankës.
43 160 milionë lekë
ka harxhuar Partia Demokratike për mitingjet elektorale, duke përfshirë shpenzimet për foninë, ndriçimin, video-projektorët, flamurë, foltore, tapete për fushatë, flamuj, skena etj.
48 212 USD
Ka paguar PD për kompaninë konsulente amerikane për fushatën zgjedhore “Themellman gruop”, e cila asistoi pranë kësaj partie me një ekip ekspertësh më të mirë të saj dhe që ndërtoi të gjithë strategjinë elektorale.
PD, debitore me 279 236 lekë
Nga bilanci i kryer prej auditit të pavarur rezulton se Partia Demokratike ka shlyer të gjitha detyrimet e saj, përveç një rasti. Dega e PD në Kukës nuk ka shlyer detyrimin ndaj subjektit “Bekocengu”, debit, i cili nuk shprehet në pasqyra se çfarë shërbimesh ka ofruar në këtë parti.
27.6 milionë lekë
borxh ka Partia Socialiste ndaj televizioneve, të cilat kanë realizuar spotet e saj zgjedhore. Kjo shumë del nga faturat e papaguara të selisë rozë ndaj shërbimit të marrë nga këto televizione
360 mijë
lekë shpenzoi Partia Socialiste për kërkesë-paditë e saj në procesin gjyqësor të 8 majit, ku beteja më e madhe u bë për Bashkinë e Tiranës, ndërsa u zhvilluan disa seanca gjyqësore
Fondet e përfituara gjatë fushatës 2011
Fondet e perftuara nga qendra
Buxheti i shtetit 30.991.997 lekë
Burimet e veta 99.080.050
Sponsorizimet 7.030.000
Sponsorizime 400.000
Sponsorizime 6.630.000
Totali i PD-së në qendër 137.102.047
Fondet e përftuara nga degët
Sponsorizimet 44.731.465
Të ardhurat nga kuotat 1.450.540
Totali i fondeve nga degët 46.182.005
Shpenzimet e kryera nga PD gjatë zgjedhjeve të 8 majit
Shpenzimet e PS në qendër
Hapësirë publicitare 64.778.447 lekë
Qira makine 300.000
Realizim spoti televiziv 7.501.632
Konsulencë 4.821.827
Kancelari 94.976
Materiale elektrike 9.320
Fletëpalosje e inv. Ekonomik 693.186
Ndriçim 6.012.000
Foni 18.606.000
Video projektor 2.100.000
Skena 5.598.000
Letra dekorative 8.154.292
Printime 2.555.487
Flamuj 3.352.800
Foltore 666.000
Tapete për fushatë 1.797.775
Komisione bankare 30.651
Transport 468.000
Postera 235.200
Dieta udhëtimi dhe ushqimi 1.680.000
Takse kolegji zgjedhor 24.000
Fishekzjarrë 6.897.600
Tot. i shpenzimeve në qendër 136.377.191 lekë
Shpenzimet e degëve të PD në rrethe
Hapësirë publicitare 3.222.000 lekë
Qera makine 58.000
Spote televizive dhe koncerte 870.000
Koktejle 549.676
Materiale elektrike 402.876
Fletë palosje, billborde etj. 6.885.558
Shpenzime telefonie 4.038.445
Skena, qera salle, vëzhgues 1.866.749
Printime 1.474.024
Flamuj 2.952.544
Foltore 160.000
Tapete për fushatë 48.000
Transport dhe karburant 9.721.389
Postera 5.804.450
Dieta udhëtimi e ushqimi 1.022.600
Fishekzjarre 202.500
Totali i shpenzimeve të degëve 46.127.558
Totali i shpenzimeve të PD 182.504.749
Fushata e PS, 136.5 milionë lekë
Eksperti kontabël verifikon të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës së PS në zgjedhjet lokale
Emrat e sponsorizuesve, 10 deputetë e një biznesmen
Partia Socialiste, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, shpenzoi 136 498 265 lekë. Auditi i pavarur, i bërë sipas ligjit nga eksperti kontabël Ahmet Stojna, ka vërtetuar në radhë të parë ligjshmërinë e të gjithë dokumentacionit të mbajtur nga Partia Socialiste lidhur me financat e saj gjatë fushatës zgjedhore të 8 majit. Ajo që bie në sy në shpenzimet që Partia Socialiste ka bërë gjatë fushatës së 8 majit janë shumat e mëdha që janë dhënë për anën publicitare, spotet televizive dhe reklamat elektorale në shumë media, televizione, radio dhe gazeta. Plot 84 579 443 lekë janë shpenzuar për reklama dhe spote elektorale, shtuar këtu dhe 7 971 083 për parulla dhe tabela, printime, ndërsa për flamuj dhe bluza janë shpenzuar 999 840 lekë.
Partia Socialiste ka kaluar dhe Partinë Demokratike, e cila është në pushtet për shumat e dhëna për spotet publicitare elektorale, me 12 milionë lekë më shumë. Shuma të konsiderueshme Partia Socialiste ka shpenzuar dhe për organizimin e mitingjeve dhe koncerteve elektorale të zhvilluara kryesisht në Tiranë, rreth 10 132 384 lekë. Ndryshe nga deklarata e Partisë Demokratike, e cila të ardhurat dhe shpenzimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore të 8 majit i ndante mes qendrës dhe degëve në rrethe, Partia Socialiste ka treguar vetëm një tregues, pa e specifikuar nëse këto shpenzime i përkasin Tiranës apo gjithë Shqipërisë. Shpenzimet e Partisë Socialiste për reklamat televizive kanë qenë aq të mëdha, sa ajo u ka mbetur debitore disa televizioneve për shkak se nuk ka pasur mundësi për t’i paguar. Një shumë aspak modeste prej 27 582 159 lekësh e bën selinë rozë borxhlie ndaj televizioneve për mospagim të reklamave televizive. Eksperti kontabël, në analizën që u ka bërë tabelave financiare të Partisë Socialiste, paraqet shumën 9 957 106 lekë në rubrikën “Të ndryshme”, por pa detajuar se për çfarë qëllimi është shpenzuar kjo shumë. Partia Socialiste ka pasur dhe konsulentë amerikanë në zgjedhjet e 8 majit. Kjo rezulton dhe në faturat e paguara për këtë konsulencë, në shumën prej 998 000 lekësh.
Të ardhurat
Në tabelat e të ardhurave, përfitimet që ka marrë Partia Socialiste për të zhvilluar fushatën zgjedhore të 8 majit nga buxheti i shtetit janë 30 547 726 lekë, ndërsa donatorët e fushatës janë të gjithë të njohur dhe të deklaruar. Një shumë prej 3.9 milionë lekësh janë dhënë në këtë fushatë nga një grup prej 12 deputetësh, të cilët kanë dhënë përmes pagesave bankare dhe deklaratave për konflikt interesi shuma që variojnë nga 800 mijë deri në 200 mijë lekë. Ndër ta është kryetari i Grupit Parlamentare socialist, Gramoz Ruçi, sekretari i Grupit, Taulant Balla, apo sekretari Koordinativ, Fatmir Xhafaj. Fushata zgjedhore e 8 majit 2011 është ndihmuar dhe nga fondet e vetë partisë, në shumën 74 468 380 lekë, burime që vijnë nga kuotizacionet, por dhe qiratë që Partia Socialiste merr nga objektet e saj të patundshme. Eksperti i caktuar në këtë analizë të të ardhurave dhe shpenzimeve ka harxhuar në total 187 orë pune për të bërë këtë raport, ndërsa është paguar për këtë punë me 516 mijë lekë. Raporti i auditit nga eksperti kontabël do të diskutohet dhe miratohet në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Shpenzimet e PS në fushatën e 8 majit 2011
Shpenzime të paguara
Reklama e spote televizive 84.579.443 lekë
Parrulla e tabela, printime 7.971.083
Flamuj dhe bluza 999.840
Karburant 1.021.800
Qira ambientesh 1.980.800
Konsulencë 998.000
Minikaseta 400.830
Kancelari, letër, fotokopje 647.720
Foltore 840.000
Foni, video-projektorë, muzikë 7.892.544
Kërkesë padi 360.000
Të ndryshme 9.957.106
Totali i shpenzimeve të paguara 108.916.106
Shpenzime të papaguara
Reklama televizive 27.582.159 lekë
Totali i shpenzimeve 136.498.265 lekë
Të ardhurat e fushatës
Buxheti i shtetit 30.547.726 lekë
Fondet e vetë partisë 74.468.380
Sponsorizime përmes bankës 3.900.000
Në total 108.916.106 lekë
Shpenzimet për reklama në media
Top Channel sha 46.450.805 lekë
Media Vizion sha 19.037.756
News 24 21.119.287
Channel One 3.460.353
Top Albania Radio 660.342
Ora sha 19.240.571
Scan sha 283.180
Gazeta Telegraf 72.100
Gazeta Shqiptare 448.000
Gazeta Shekulli 324.000
Gazeta Shqip 240.000
Dixhitalb 825.208
Totali i shumës 111.161.602
Lista e personave që sponsorizuan
Arben Ahmetaj 800.000 lekë
Gramoz Ruçi 300.000
Damian Gjiknuri 300.000
Taulant Balla 300.000
Ervin Koçi 300.000
Pirro Lutaj 200.000
Arben Çuko 400.000
Fatmir Xhafaj 200.000
Artan Gaçi 200.000
Eurudin Dokle 400.000
Xhemal Qefalia 300.000
Shuma totale 3.900.000
Deputetët, donatorët e vetëm
Në listën e donatorëve që kanë ndihmuar buxhetin e selisë rozë në zgjedhjet e 8 majit janë 10 deputetë të Grupit Parlamentar socialist, përfshirë dhe kryetarin e Grupit Parlamentar. Listën e kryeson deputeti Arben Ahmetaj me 800 mijë lekë, më pas Eurudin Dokle, familjar i deputetit socialist, me 400 mijë lekë dhe Arben Çuko, Gramoz Ruçi me 300 mijë lekë, po aq dhe deputetët, Damian Gjiknuri, Taulant Balla, Ervin Koçi e Xhemal Qefalia. Ndërsa nga 200 mijë lekë kanë dhënë deputetët Fatmir Xhafaj dhe Artan Gaçi.

Marre:
ARISTIR LUMEZI

No comments:

Post a Comment