Total Pageviews

Thursday, October 20, 2011

Meta pranon se e njeh prej kohësh Lavitolën


Ish-zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka reaguar lidhur me informacionet e botuara nga “Shekulli” mbi takimin me Valter Lavitola. Takim i cili u zhvillua gjatë vizitës së Metës në Itali me 21 tetor të vitit 2009, ku ndodhej në Romë për tu takuar me ministrin e Jashtëm italian Franko Fratini.

Sipas Metës takimi ka qenë “i rastësishëm”. Meta sqaron edhe çështje e njohjes me Lavitolën që sipas tij ka të bëjë me profesionin e këtij të fundit si gazetar.

Reagimi i Metës:

Në lidhje me pretendimet e ndonjë media për gjoja angazhimin e personave të tretë gjatë vizitës sime zyrtare në Romë në 21 tetor të vitit 2009, sqaroj se prezenca e një drejtuesi të një gazete italiane në foton e paraqitur në media, e marrë gjatë konferencës së shtypit me homologun Fratini është krejtësisht e rastësishme, dhe nuk ka asnjë lidhje me asnjë aspekt institucional apo zyrtar të vizitës. Personi në fjalë njihet prej meje prej kohësh si drejtor i gazetës “L’Avanti”.

Ardit Rada / Tiscali.it

Ish-zv.kryeministri Ilir Meta është përmendur të paktën tre herë në përgjimet e sekserit të Berluskonit dhe sekretares së ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini. Fakte të reja kanë dalë në dritë mbi përgjimet në Itali për ish-gazetarin Valter Lavitola, i cili bashkëpunonte, por edhe përfitonte me anë të presioneve ndaj Beluskonit. Disa prej përgjimeve kanë lidhje me Shqipërinë. Në tetor të vitit 2009, kur Ilir Meta mbante postin zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Lavitola i ka telefonuar sekretares së ministrit të Jashtëm të Italisë, Franko Fratini, që t’i mundësojë pjesëmarrjen në takim pasi Lavitola e shihet si shumë të rëndësishëm për shumë zhvillime të mëvonshme. Sekretarja i përcjell porositë e Fratinit duke e udhëzuar se si duhet të veprojë që takimi të duket rastësor. Por Lavitola kërkon takim të të treve në zyrën e Fratinit dhe jo skena në paradhomë. Madje ai thotë: “Meta është ai që mban në këmbë qeverinë Berisha… ka katër deputetë dhe po kërkon të blejë edhe nëntë të tjerë… pjesën tjetër do ta shpjegoj më vonë… është shumë e rëndësishme”, . Biseda telefonike me sekretare e Fratini është bërë gjashtë ditë para zhvillimit të takimit Fratini-Meta në kryeqytetin italian. Fratini dje e ka mohuar qe Meta dhe Lavitola te jeen takuar, por menjehere media italiane e nxorri zbuluar. ajo publikoi fotot Meta-Fratini Lavitola (foto ne krye) e cila e pergenjeshtron deklaraten e ministrit te jashtem italian dhe e ve ate ne nje pozite te veshtire

****

Shprehja e tij e preferuar ishte “jam këshilltari i kryeministrit Berluskoni”. Kështu i prezantohej Valter Lavitola bashkëbisedueseve të tij të shumtë, shpeshherë duke “saktësuar” se “sapo kishte folur me kryeministrin”. Sipas asaj që shkruajnë gazetat italiane, askush nuk e kundërshtonte, gjë që tregon se ajo çka ai thoshte ishte e vërtetë dhe afërsia e tij me Kavalierin ishte diçka reale. Siç vë në dukje gazeta “Repubblica”, ai ”thirrej e dëgjohej nga krerët e shtetit”. Duke lexuar procesverbalet e përgjimit kuptohet mirë se ish-drejtori i gazetës “Avanti” ndodhet në shtëpi dhe prej aty telefonon sekretaren e Fratinit më 13 tetor 2009 në orën 10:13. Kërkon të marrë pjesë në një takim me zv.kryeministrin e Shqipërisë, Ilir Meta.

PËRGJIMI

Nadia (sekretarja e Franko Fratinit): Atëherë.. Ai, këtë ministrin shqiptar do ta takojë më datë 21 dhe do të bëjë këtë takimin institucional. Ti… vendosesh në paradhomën tonë dhe në momentin që ata dalin nga salla…”

Lavitola: Por jo, jo… Më fal… Në orën 11, a nuk mund të më vendosësh në dhomën (zyrën) e tij në vend që të më vesh në paradhomë? Se dukem sikur…”

N: Nuk u kuptuam.. Unë po të jap koordinatat që më jep Ai… Ti qëndron në paradhomë.. Dhe kur të dalin, ai do t’ju prezantojë, do të shtrëngoni duart e më pas nuk e di…”

L: Dëgjo Nadia, nëse më lejon… Se Franko e di… Unë këtë e njoh prej 10 vitesh…”

N: Po, por ai nuk e çon në zyrën e tij pas takimit institucional. Në përgjithësi kjo nuk ndodh kurrë.

L: Po nuk i thua dot nëse mund të ndodhë në këtë rast?

N: Jo, ndodh aty për aty. Sepse duke qenë se ti do të jesh jashtë, ndoshta ai do t’i thotë ”Ah, qenka doktor Lavitola që ti e njeh… Hyjmë.. Nuk hyjmë..” Këtë nuk e di. Nëse ai më thotë të të orientoj kështu, e bën sepse qartazi do që ky takim të bëhet në dalje, si të ishte diçka rastësore… Ku dreqin ta di unë…”

KËMBËNGULJA

Lavitola telefonon përsëri sekretaren e Fratinit për takimin e pritshëm me Ilir Metën:

“Dëgjo, më 15 më ka thënë ministri që ka atë takimin që folëm me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm shqiptar.. Atëherë duke qenë se është takim zyrtar, do të ishte me shumë rëndësi për një sërë ngjarjesh, që t’i shpjegoj më vonë dhe që Franko i njeh, që unë në fund të takimit të isha në dhomën-zyrën e Frankos për të shkëmbyer dy-tri fjalë, unë dhe ai. Ky tipi është ai që mban në këmbë qeverinë Berisha, ka katër deputetë dhe po tenton të blejë nëntë të tjerë… Nejse, se të sqaroj më vonë, është e kotë të t’i them përgjysmë në telefon… Kështu që do të ishte me rëndësi”.

Por ish-drejtori i Avanti-t flet dhe për një çështje tjetër urgjente. “Ajo gjëja tjetër.. Shiko se ti mund të bësh një mrekulli.. Unë sapo fola me kryeministrin që është i fiksuar pas telefonit”.

“Eh, duket…”, përgjigjet sekretarja.

“Është një ngjarje e një rëndësie të veçantë, të cilën ai nuk arrin ta kapë. I vetmi, me të cilin mendoj se do të arsyetonte, është Franko. Bëhet fjalë për punë gjykate. Është diçka shumë e rëndësishme. Unë vetëm këtë shpresë kam. Duhet të flas 5 minuta personalisht me Frankon. Kudo që të jetë, në makinë, në avion, në zyrë, në Parlament, në Senat, në mbyllje të një mbledhjeje. 5 minuta..”

“Sot është me të vërtetë e pamundur Valter”, – ia pret shkurt Nadia, por ai nuk dorëzohet:

“Po sikur ta shoqëroj për në aeroport siç bëj gjithmonë me shefin?” – propozon Lavitola.

“Do t’i them dhe të bëj me dije”, – është përgjigja e sekretares së Fratinit.

Kush është Valter Lavitola

I lindur më 1966, Lavitola është i martuar me gazetaren Mariastela Bukioli dhe kanë një djalë. Valter Lavitola ka përfunduar studimet për Shkenca Politike në universitetin “La Sapienza” të Romës. Lavitola u njoh me Silvio Berluskonin në mesin e viteve ‘90 duke u përpjekur për t’u bërë pjesë e jetës parlamentare italiane. I angazhuar me sektorin e peshkimit në Amerikën e Jugut, në Itali ai punoi në sektorin e gazetarisë “International Press” dhe që prej 1996 është drejtor i gazetës “L’Avanti”. Në 2003, kur gazeta u rikthye në botim pas një pushimi, ai merr në dorë publikimin e saj. Ka tentuar të hyjë në politikë duke shfrytëzuar influencën e tij mbi Kryeministrin Silvio Berluskoni. Lavitola ka qenë kandidat i “Forza Italia” në zonat e jugut për zgjedhjet evropiane të vitit 2004, por nuk arriti të zgjidhej deputet. I është nënshtruar hetimit që më 2011 kur Prokuroria e Napolit nisi të hetonte njëkohësisht edhe sipërmarrësin Xhiampaolo Tarantini për lidhje me pasojë shpërblimin e drejtpërdrejtë me kryeministrin Berluskoni. Në vijim, ky hetim zbuloi ndër të tjera përfshirjen e Lavitolas në një rrjet aktivitetesh ndërkombëtare si ndërmjetës. Lavitola aktualisht është i përjashtuar nga “Urdhri i Gazetarit” në përputhje me Nenin 39 të Ligjit Nr. 69 të 1963. Më 1 shtator të këtij viti, Gjykata lëshoi një urdhër ndalimi ndaj Valter Lavitolas. Pas kësaj, më 14 tetor 2011, edhe Prokuroria e Barit konfirmoi kërkesën për arrest të tij.

Fratini: Takimi nuk u bë

Fotot tregojnë të kundërtën

Ministri Fratini u mbrojt duke thënë që “nga publikimi i plotë i përgjimeve vërtetohet se Lavitola nuk ka marrë pjesë kurrë në takime institucionale, edhe pse ndoshta kërkonte”. Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Maurizio Belpietros gjatë transmetimit të programit La Telefonata, Franko Fratini, mjaft i njohur edhe në Shqipëri, anashkalon përgjigjen direkte lidhur me rastin e takimit me Metën. Lidhur me përgjimin e telefonatave, në të cilat Lavitola i kërkonte sekretares së Fratinit që të merrte pjesë në takimin italo-shqiptar, titullari i Ministrisë së Jashtme tha dje se : “Nuk kam ngatërruar kurrë aktivitetin institucional me aktivitete të ndonjë lloji tjetër.”. por nga fjalët e sekretares duket qartë që ai e ka udhëzuar atë të mësojë Lavitolan se ku duhet të qëndrojë dhe si duhet gjoja sikur ëhstë shfaqur rastësisht në paradhomë, për të takuar Metën e Shqipërisë.

* * *

Përgjimet për gazsjellësin TAP: Shqipëria, resto k**rvash, në kontratat Berisha-Berluskoni

Emirjon Senja

Influenca e kryeministrave të huaj mbi qeverinë shqiptare ka bërë që shpesh herë Shqipëria të gjejë veten duke miratuar vendime të rëndësishme në të cilat publiku nuk e ka kuptuar asnjë here pse duhej bërë. Ndër rastet më flagrante janë marrëdhëniet me fqinjët italianë nga miratimi i marrëveshjes së plehrave deri tek ndërtimi i centraleve bërthamore italiane në Shqipëri. Hetimet mbi kryeministrin italian Silvio Berluskoni nga Prokuroria e Barit kanë zbuluar anën tjetër të marrëveshjeve.

Berluskoni i fryn në vesh Berishës për një projekt gjigant energjetik, por prokuroria italiane ka zbuluar se edhe Berluskonit i ka fryrë dikush në vesh për këtë çështje. Ai është një farë Gianpaolo Tarantini (Giampi), i cili i dërgonte kryeministrit italian vajzat që e “çlodhnin” në festat e tij private. Por Tarantini sigurisht që nuk i bënte këto gjëra falas. Përgjimet e telefonatave Berluskoni-Tarantini kanë zbuluar se mes të tjerash Tarantini i kërkoi Berluskonit të ushtronte ndikimin e tij në Shqipëri për nënshkrimin e një marrëveshje për bashkëpunim energjetik mes dy vendeve. Një muaj më pas marrëveshja u nënshkrua. Përgjimet dhe skandalet seksuale të Berluskonit janë prej dy ditësh kryefjala e medieve italiane. Ja si e komentojnë ato ngjarjen:

Shqipëria, ‘resto’ k**rvash

Zbardhja e përgjimeve telefonike midis Kryeministrit Italian Silvio Berluskoni dhe sekserit të tij të netëve të “nxehta” kanë nxjerrë në pah se si projekte gjigante në Shqipëri bëhen pjesë e marrëdhënieve klienteliste të shtetarëve në të dyja brigjet e Adriatikut. Konkretisht, bëhet fjalë për projektin e gazsjellësit Transadriatik, i cili parashikon dërgimin e gazit azerbajxhanas për në Europë duke ndjekur itinerarin Turqi-Greqi-Shqipëri dhe përmes Otrantos në brigjet italiane të Pulias.

Giampaolo Tarantini, (në foto) eshte personi qe i dërgonte Kryeministrit italian vajzat për festat e tij private. Sigurisht që “sipërmarrësi” barez nuk mund ta bëntë këtë shërbim falas. Ai i kërkon Berluskonit një mori shpërblimesh në vlerë monetare, por edhe aksione në kompani shtetërore. Konkretisht 51 milione dollare “ne tavoline”, 12 tendera me prokuroim te drejtperdrejt dhe… pjesen shqiptare te gazsjellesit sipas projektit te njohur TAP.

Çfarë është projekti i gazjellësit Trans Adriatik

Gaszjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt që financohet nga tre kompani prestigjioze evropiane si norvezgjezja “Statkraft”, zvircërjania “EGL” dhe sëfundmi gjermania “Ruhr Gaz”. Projekti parashikon dërgimin e gazit nga Azerbajxhani në Europë duke kaluar përmes Ballkanit. Gazsjellësi fillon nga fushat e Shah Denizit në Azerbajzhan dhe nëpërmjet Turqisë kalon në Selanik të Greqisë. Më pas, duke u futur në territorin shqiptar në rajonin e Devollit gazsjellësi kalon në Pulia të Italisë për t’u lidhur me rrjetet evropiane të gazit.

Gazsjellësi ka vlerë totale prej 1.5 miliardë euro dhe një gjatësi prej 520 kilometra, ku 209 prej të cilave kalojnë nëpërmjet Shqipërisë. TAP është i vetmi projekt energjetik në rajon që nuk anashkalon Shqipërinë.

Takimi Ruli-Skaloja erdhi pas bisedës Tarantini-Berluskoni

Gazsjellësi Trans Adriatik nuk ka qenë në prioritetet e qeverisë italiane deri në mars 2009, kohë kur Shqipërinë e vizitoi ministri italian i Energjetikës Klaudio Skajola. Cuditerisht eshte bere menjehere sapo Xhampi i prostitutave te Berluskonit nisi te interesohej per te. Dy ortakët Giampaolo Tarantini dhe Roberto De Santis ishin në dijeni se kompanitë aksionere “EGL” dhe “Statkraft” po lobonin pranë qeverive të Shqipërisë dhe Greqisë për ta pranuar atë.

Një bisedë e përgjuar midis Gianpaolo Tarantinit, gruas së tij dhe bashkëpunëtorit të tij Roberto De Santis e zbardhur më 3 shkurt 2009 tregon se si ky i fundit i kërkon Tarantinit të ndikojë tek Berluskoni dhe ky i fundit tek qeveria shqiptare për të firmosur marrëveshjen për gazsjellësin sipas kushteve te De Santis. Nuk zgjat më shumë se një muaj dhe në Shqipëri ia beh ministri italian i Energjetikës Klaudio Skajola. Në një sallë të mbushur plot, Ruli dhe Skajola parashtruan gjatë një konference shtypi “projektet e përbashkëta energjetike” duke folur për miliarda euro investime italiane një Shqipëri.

Gianpaolo Tarantini, fazlliçi ynë italian

Tarantini është një 34 vjeçar barez, të cilit sipas medieve italiane i ka lindur shpirti i sipërmarrësit pas njohjes me Berluskonin në festat e organizuara prej tij. Më parë, Tarantini merrej me një biznes të tijin privat në Bari. Mediet e italiane e cilësojnë atë si një “lobist” në hije. Tarantini ka filluar të ngjisë shkallët e karrierës pas vitit 2008 kur njohur Berluskonin gjatë një takimi në “Villa Certosa” në Sardenja. Pas shpërthimit të skandalit, Tarantini është duke u hetuar nga Prokuroria e Barit për favorizim prostitucioni dhe bashke me gruan jane ne gjendje arresti me urdher te Prokurorise se Barit.



Kush është Roberto De Santis

Ndryshe nga Tarantini, i cili shfrytëzoi “shërbimet” e tij ndaj Berluskonit për të ndikuar tek ai, De Santis ka një njohje më të gjatë me qeveritarët e Romës. De Santis, ka njohje të vjetra me ish-Kryeministrin e majtë Massimo d’Alema dhe qeveritarë të tjerë. Ai drejton aktualisht drejtues i një biznesi në Moskë. De Santis njihet edhe si lobues për miratimin e projekteve të ndryshme në Itali duke njohur njohjet me drejtues të shtetit.

“Berluskoni të telefonojë Berishën për projektin tim”

Repubblica.it ka zbardhur edhe një pjesë të telefonatave të Berluskonit dhe njerëzve që e ndihmonin, por dhe që i bënin presion për çështje të ndryshme. Në një prej këtyre telefonatave përmendet edhe Shqipëria dhe kryeministri Berisha, për hidrocentralet e vogla.Telefonata bëhet mes Valter Lavitola dhe Roberto Guercio. Ky i fundit kërkon nga ana e Lavitolës që të marrë në telefon Berluskonin, për të ndërhyrë tek Berisha për disa hidrOcentrale të vogla që ai kërkon të marrë në Shqipëri.

-“Valter…, duhet që kryeministri të marrë në telefon Berishën dhe t’i thotë që po shkoj atje për të folur për çështjen e digave”- thuhet në telefonatën e Guercio.

-“Në rregull, kjo është urgjente?”, përgjigjet Lavitola.

-“Sa më parë që të shkoj, aq më mirë është, pasi kam gjetur paratë dhe duhet të sistemoj
gjërat”, përgjigjet Guercio.

-“E kuptoj vëllai im, por në këto ditë nuk është gjëja më e lehtë për t’u bërë”, thotë
Lavitola.

-“Mua më mjafton një telefonatë, që t’u thonë që po shkoj atje, mjafton të telefonojë
edhe Fratini”, vazhdon Guercio bisedën e tij.

Laviota më pas i thotë që të shkojë në Shqipëri të takohet me Berishën dhe t’i thotë se e ka dërguar Berluskoni.

Amerikanët për Berisha-Berluskoni: Berisha, mburravec mendjelehtë

Emirjon Senja

Në këtë kabllogram të publikuar dje në platformën “Wikileaks”, hartuar nga stafi i Ambasadës Amerikane për Uashingtonin flitet për vizitën e Berluskonit në Shqipëri. Ambasada flet me ironi për të ashtuquajturat “projekte gjigante energjetike” dhe e etiketon kryeministrin e Shqipërisë me togfjalëshin “giddily boasted”, d.m.th., njeri që mburret në mënyrë euforike dhe mendjelehtë. Amerikanët u raportojnë shefave të tyre se si komentohen frazat e fryra të Berishës për “superfuqi energjetike”, duke ngritur pyetjen “Superfuqi apo superkoloni”? Për ta është e qartë që italianët po përfitojnë nga Shqipëria dhe kryeministri “giddily boasted” i këtij vendi: “Është e qartë që të ndikuar nga filozofia ‘jo probleme në oborrin tim’ italianët do të kenë iniciativën për të vepruar shpejtë në kohë, ndërkohë Shqipëria është dëshpërimisht nevojtare për investimet e huaja, sidomos në sektorin energjetik”, – shkruan kabllogrami. Më poshtë teksti i tij i plotë:


Kabllogram i datës 31 dhjetor 2008

Lënda: Vizita e Kryeministrit Italian, Silvio Berluskoni, në Shqipëri.

Titulli: Superfuqi energjetike, apo super koloni?



Fillim i kabllogramës: “… Vizita e Kryeministrit Berluskoni këtë muaj tërhoqi një vëmendje të madhe për mirë dhe për keq. Gjatë vizitës u lidhën marrëveshje për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, veçanërisht në energji dhe agrikulturë. Qeveria shqiptare nënshkroi disa marrëveshje me kompani italiane për infrastrukturën. Dy prej tyre me vlerë 2.7 miliardë dollarë ishin në sektorin energjetik dhe u paraqitën publikut si projektet më të mëdha të së ardhmes. Ndryshe nga Kryeministri Berisha, mburravec që tha me eufori mendjelehtë se projektet do ta kthenin Shqipërinë në një superfuqi rajonale energjetike, pjesa tjetër e shqiptareve i ka pritur ato me rezerva.

Nëse flasim duke iu referuar realitetit, këto projekte mund të kategorizohen si një “mirazh në shkretëtirë”. Por eshtë e qartë që të ndikuar nga filozofia “jo probleme në oborrin tim” italianët do të kenë iniciativën për të vepruar shpejt. Shihet një rritje e pakënaqësisë publike shqiptare ndaj këtyre projekteve, të cilat më shumë se kthim i Shqipërisë në një superfuqi energjetike, në mendjet e njerëzve lexohen si kthim i Shqipërisë në një koloni të fqinjit të tyre…” Fund i kabllogramës

1 comment:

  1. Artikuj të mirë, A keni dëgjuar për zotin Benjamin, Email: Lfdsloans@outlook.com --WhatsApp Kontakt: + 1-9893943740-- të cilët punojnë me shërbimin e financimit ata më japin kredi prej 95,000.00 $ për të filluar biznesin tim dhe unë i kam paguar ato çdo vit tash e dy vjet dhe akoma më kanë mbetur 2 vjet edhe pse më pëlqen të punoj me ta sepse ata janë huadhënës të vërtetë të huasë që mund të të japin çdo lloj kredie.

    ReplyDelete