Total Pageviews

Sunday, September 18, 2011

Si LSI mban partinë me biznese si skrapi dhe detaje nga skandali i vjedhjes


Miliona euro skrap po vidhen nga njerëzit e LSI, në një operacion të udhëhequr nga vetë kryetari i kësaj partie, Ilir Meta.

Për të bërë një përmbledhje të shpejtë. Bëhet fjalë për një tender të organizuar në shkelje me ligjin, që i sjell miliona lek dëm buxhetit të shtetit. Si të mos mjaftonte kjo, njerëzit e Ilir Metës, që kanë rrëmbyer këtë tender, nuk po ndalen me skrapin që kanë përfituar nga tenderi i paligjshëm, por po grabisin çdo hekur që u del përpara në ndërmarrjet e Azotikut dhe tek TEC-i i Fierit.

Policia bën sehir ndaj kësaj vjedhje gjigante, të urdhëruar nga strukturat e qeverisë, të cilat kanë rënë në dorën e LSI që pas marrëveshjes së turpshme për të ndarë shtetin me përqindje mes Metës e Berishës.

Ndaj kësaj vjedhje është depozituar një kallëzim penal, ndërkohë që gazeta Tema disponon provat shkresore dhe filmike për këtë krim mbi pronën e të gjithë shqiptarëve.

Historia me pak fjalë

Në tenderin e organizuar për blerje skrapi në Azotikun e Fierit, konkurruan katër kompani. Tre prej tyre u skualifikuan dhe fitues u shpall Kurum, ndërkohë që tenderi menaxhohet në terren nga Leonard Koka, vëllai i deputetit të LSI, Lefter Koka. Kompania kishte ofruar një shumë për skrapin rreth 570 milion lek më pak se vlera e tregut. Kjo nuk u mor parasysh. Me shpejtësi e në shkelje të ligjit Agjencia e Prokurimit Publik shpalli fituesin, edhe pse kishte një ankesë ndaj tenderit. As një shkresë e kësaj agjencie për vlerësimin si të paligjshme të kontratës nuk ndaloi nisjen e punës. Edhe pse tenderi u bë për më pak se çerekun e skrapit që ndodhet tek Azotiku, fituesit po marrin të gjithë skrapin që ndodhet aty, madje nuk janë ndalur, por po marrin edhe skrap nga TEC-i, duke e shkatërruar atë. Policia është lajmëruar për këtë vjedhje, por nuk ka reaguar.

Tenderi me shkelje

Ankandi është zhvilluar pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës më datë 28.06.2011 (faza e parë) dhe me datë 04.07.2011, (faza e dytë), në bashkëpunim me Uzinën e Plehrave Azotike në Fier.

Vlera totale e skrapit, caktuar nga autoriteti shitës për të gjithë mallin është rreth 23.933.312 lekë të reja, pa TVSH.

Ndërkohë, vlera fituese ka qenë vetëm 24.660.000 lekë të reja pa TVSH.

Vlera totale në treg e të gjithë këtij malli është 80.933.970 lek pa TVSH.

Diferenca me çmimit të caktuar nga autoriteti shitës dhe çmimit në tregun shqiptar është plot 57 milion lekë të reja.

Në tender morën pjesë katër kompani, KU&KO, Kurum, SI.FRENS&CO dhe SANCINELLI. Tre prej firmave u eliminuan dhe fitues u shpall kompania KURUM.

Por një nga kompanitë, ajo KU&KO, bëri ankimim. Edhe pse në ligj thuhet se në momentin që një nga firmat konkurrentë bën ankim, pezullohet tenderi, një gjë e tillë nuk ndodhi. Në nenin nr.42 të ligjit nr.9874, datë 14.02.2008 ‘Për prokurimet’ thuhet se: “Me marrjen e ankesës me shkrim, autoriteti shitës pezullon vazhdimin e procedurës së ankandit derisa ankesa të jetë shqyrtuar plotësisht, përfshirë edhe nxjerrjen e një vendimi përpara skadimit të afatit kohor, të përcaktuar në pikën 4 të këtij neni”.

Duke qenë se për pak nisnin pushimet verore nga organet e drejtësisë, u shkelën të gjitha afatet e botimit të njoftimit për fituesin për të lidhur kontratën e për të nisur punimet. Gjithçka ndodhi me shpejtësi rrufe dhe më datë 4.08.2011 nisi puna e deri më tani është kryer më shumë se gjysma e saj.

Në këto kushte, kompania konkurrente u ankua pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, duke kërkuar anullimin e njoftimit për shpalljen e fituesit. Më datë 22 korrik, APP vendosi me anë të një shkrese të gjobiste me 100 mijë lekë të reja gjobë autoritetin shitës dhe me nga 50 mijë lek gjobë anëtarët e njësisë së ankandit. Për më tepër, në shkresën e saj të datës 22 korrik, kjo Agjenci njofton se çdo kontratë e lidhur përpara përfundimit të shqyrtimit administrativ është absolutisht e paligjshme.

Edhe pse u mor një vendim i tillë, askush nuk e vuri ujin në zjarr dhe puna atje vazhdoi.

Në padinë e dorëzuar në prokurori përfshihet edhe drejtuesi i Komisionit të Prokurimeve Publike, Edi Spaho. Ai akuzohet se qëllimisht ka vonuar dërgimin e shkresës për pezullim të procedurës së ankandit. Kështu, firma e ka dorëzuar këtë kërkesë që me datë 14 korrik, por Komisioni i Prokurimeve Publike, edhe pse e ka Agjencinë një kat më poshtë, nuk e ka dorëzuar atë deri më datë 18 korrik, duke pritur në këtë mënyrë që të shpallej fituesi në Buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike.

“Nëse kjo shkresë do të kishte shkuar në datë 15.07.2011, ose të nesërmen, kjo procedurë false do të ishte bllokuar dhe nuk do të kishim pasoja kaq të rënda ekonomike. Ky organ qëllimisht na ka vonuar kthimin e përgjigjes,” thuhet në padinë e dorëzuar në prokurori.

Kompania që ka bërë padinë ia ka dërguar shkresën e APP, që shpallte kontratën si të paligjshme, edhe drejtorit të Policisë së Qarkut, por ai nuk ka reaguar.

“Meqenëse këto procedura u shkelën në mënyrën më të rëndë dhe për të parandaluar këtë problem, më datë 09.08.2011, i kam dërguar një kërkesë për pezullim punimesh drejtorit të Policisë së Qarkut Fier, Mërgim Hoxha, duke e sqaruar se sipas mendimit tonë, në uzinën e Plehrave Azotik po kryhej një veprimtari antiligjore, ose vjedhje e hapur, duke i dërguar të skanuar edhe shkresën nr.5565 (vendim mase të dhënë nga APP për autoritetin shitës, ku siç e përmendëm më lartë në pikën 4 të këtij vendimi, APP sqaron se nëse ka një kontratë të lidhur, ajo është absolutisht e paligjshme). Arsyeja pse drejtori i policisë nuk veproi pasi ishte në kohën e duhur për të parandaluar ktë vjedhje me kontratë të pavlefshme, ngelet për tu sqaruar nga organi i hetimit,” thuhet në padi.

Vjedhjet shtrihen edhe në TEC

Por kamionët me skrap kanë vazhduar të ngarkohen çdo ditë. Në Azotik ka 6 mijë ton skrap me inventar, (në rast se letrat nuk zhduken), dhe tenderi është bërë për 1.300 ton. Pjesa tjetër do merret dhe do të vidhet. Janë rreth 7.8 milion euro që vidhen në Azotik sepse ka edhe metale të shtrenjta si inoks, që nuk është deklaruar, për tu vjedhur.

Në Azotik po shkatërrohet edhe Uzina e re e Uresë, që ka punuar vetëm gjashtë muaj dhe me pak mundim mund të vihej në punë. Ajo ka kushtuar mbi 30 milion dollarë dhe mund të vihej në punë pa shumë probleme.

Kjo vjedhje në Azotik ka hapur oreksin për të zhvatur pa tender të gjithë skrapin e TEC-it të Fierit. I njëjti grup ka filluar të nxjerrë rreth 3 apo 4 makina me skrap në ditë pa faturë dhe të vjedhura nga TEC-i i Fierit. Drejtori i TEC është i LSI, po ashtu edhe ai i Azotikut.

Mësohet se para dy ditësh nga TEC-i kanë dalë edhe pjesë nga turbinat. Kjo është lehtësisht e verifikueshme nëse kërkohen turbinat e vjetra.

Në TEC-in e Fierit ka rreth 30 milion euro vlerë skrapi, përfshi rreth 15 milion euro skrap bakër dhe metale të tjera me ngjyrë. Sipas një plani, në rast se kapet vjedhja, faji do u hidhet rojeve që mbrojnë TEC-in dhe Azotikun.

Këto vjedhje janë denoncuar në Komisiariatin e Fierit, por është lejuar të vijohet. Për shkak se Azotiku dhe TEC-i janë pranë në terren, ngarkesat me skrap të marra nga TEC deklarohen si të marra tek Azotiku. Shumë njerëz që kanë lidhje me këto dy ndërmarrje, por edhe banorë të Fierit janë në dijeni të vjedhjes që po bëhet aty, por askush nuk po i del për zot.

Pazaret tek Vila në Gjirin e Lalzit

Pasi u dogj nga pazaret që bënte tek ministria e Ekonomisë, Ilir Meta ka përzgjedhur një tjetër vend për të bërë pazaret e tij. Bëhet fjalë për vilën që ka në Gjirin e Lalzit, dhe që e ka deklaruar së fundmi tek deklarimi i pasurisë. Aty bën takimet me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe të shoqen e tij, e cila po e gjykon Metën për afera korruptive. Aty ka realizuar edhe takimet për këtë tender, siç raportuam dhe një ditë më përpara.

No comments:

Post a Comment