Total Pageviews

Monday, September 19, 2011

Kontrabandë me naftën e blerë tek “burri” i deputetes Vokshi


Nga Fatmir Vezaj


Dëshmia e një bashkëpunëtori të drejtësisë ka ndihmuar prokurorinë që të çojë në fund hetimet dhjetë mujore për një kompani fantazmë që i ka shkaktuar shtetit 16 milionë lekë të reja dëm. Kompania fantazmë e drejtuar nga i dyshuari Besnik Murataj akuzohet për mos shlyerje të detyrimeve tatimore, akcizës, tatimit mbi fitimin, tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe mos pagim i sigurimeve shoqërore. Murataj është inspektor në portin e Durrësit ndërsa kompania me të cilën ai kishte bashkëpunuar është “Stream Oil” ku aksioner dhe përfaqësues ligjor është Arian Tartari, njeriu që bashkëjeton me deputeten e PD-së, Albana Vokshin. Tartari është edhe babai i dy fëmijëve të saj.

“Prokuroria e Fier më 12 Nëntor 2010, ka regjistruar procedimin penal për pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim. Gjatë hetimeve disa mujore u konstatua se i dyshuari Besnik Murataj, me detyrë inspektor në Drejtorinë e Shërbimeve Operacionale pranë Autoritetit Portual Durrës në bashkëpunim me Ervis Sinanaj me profesion ekonomist dhe shtetasin Dyleman Qerimi me profesion shofer, kanë hapur një shoqëri tregtare “Guaskë”, inekzistente, të cilën e kanë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), në emër të administratorit S.Doçi, duke i vendosur emrin shoqërisë “Mobil Albania”,- thuhet në dosjen e prokurorisë që “Shekulli” ka siguruar një kopje.

Kjo kompani, kishte si objekt të veprimtarisë së saj private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë, import eksporte të prodhimit të mobilieve, mallrave të ndryshëm industrialë, mobilie zyrash, prodhim dhe tregtim materialesh ndërtimi. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se kjo shoqëri, kishte si qëllim futjen në qarkullim dhe “pastrimin” e 50 milion lekëve që do të siguroheshin nga blerja e naftës bruto nga muaji Maj – Gusht të vitit 2010 tek subjekti “Stream Oil Gas L.T.D”.

“Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se Dylejman Qerimi është përdorur nga i dyshuari kryesor i këtij “mashtrimi” Besnik Murataj, si ndërmjetës mes tij dhe shtetasit S.Doçi, emrin e të cilit e kanë përdorur në regjistrimin e kompanisë si administrator. Qerimi, kishte dijeni se Doçi ishte në gjendje të vështirë ekonomike, çka e ka bindur që në emër të tij të regjistrohej një biznes kundrejt pagesës mujore prej 10 mijë lekëve të reja. Pas këtij propozimi, Doçi ka pranuar pa pasur dijeni se çfarë bëhej konkretisht. Ndërkaq, Ervin Sinanaj, ka qenë personi që bënte të gjitha procedurat ligjore dhe transaksionet bankare të kompanisë që drejtohej në hije nga Murataj, por me letra ndodhej emri i S.Doçit, pasi në njërën nga bankat në Fier ishte drejtori i vëllai i tij”,- thuhet në dosjen e prokurorisë.

Po sipas tyre, Murataj ka përdorur edhe dy shoferë, Vangjel Profkën dhe Sotiraq Sallaku, si transportues të naftës bruto të blerë tek kompania “Streaim Oil Gas” l.t.d.. Ndaj tre të dyshuarve Murataj, Sinanaj dhe Qerimi me kërkesë të prokurorisë Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndërsa për dy shoferët Profka dhe Sallaku togat e zeza kanë caktuar masën shtrënguese “detyrim për paraqitjeje”. Për zbardhjen e këtij mashtrimi, falsifikimi dhe pastrimi të parave, sipas prokurorisë, ka ndikuar edhe dëshmia e dhënë nga shtetasi S.Doçi emri i të cilit është përdorur si administrator i shoqërisë “Mobil Albania”.



Pjesë nga dosja e prokurorisë

“Shoqëria “Mobil Albania” rezulton se ka kryer blerje të naftës bruto tek shoqëria “Stream Oil Gas, l.td” nga muaji Maj – Gusht të vitit 2010 dhe kap shifrën prej rreth 34 milion lekë të reja. Çmimi i blerjes së naftës referuar aktit të konstatimit është 23 lekë/kg. Subjekti “Mobil Albania” ka shitur 210.181 m3 naftë, me çmimin 46 lekë/l, që kap vlerën 9.668.331 lekë. Ndërkohë që rezulton që ky subjekt nuk ka deklaruar shitje sasinë prej 1.266.562 ton. Shoqëria “Mobil Albania” ka shmangur të gjitha detyrimet tatimore, të detyrueshme për tu paguar. Kështu nuk rezulton të jetë paguar akciza e pagueshme për lëndën djegëse. Po kështu, kjo shoqëri nuk ka paguar as TVSH-ën, Tatimin mbi të ardhurat apo sigurimet shoqërore, duke shmangur në këtë mënyrë të gjitha detyrimet ligjore, që kapin shumën 15.986.415 lekë. Kjo shoqëri, është krijuar për të shmangur të gjitha detyrimet tatimore, të cilat kapin vlerën 15.986.415 lekë (fshehje akcize + tatim fitimi + TVSH + sigurime shoqërore)”-thuhet në një pjesë të dosjes hetimore.



Të akuzuar

1. Besnik Murataj, i dyshuar për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës, në bashkëpunim, mashtrimit

2. Dylejman Qerimi, i dyshuar për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim, mashtrimit

3. Ervis Sinanaj, i dyshuar për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve

4. Vangjel Profka i dyshuar për veprat penale të moskallëzimit të krimit, falsifikimit të formularëve vulave dhe stampave, dhe deklarimit të rremë përpara prokurorit

5. Sotiraq Sollaku, i dyshuar për veprat penale të moskallëzimit të krimit, falsifikimit të formularëve vulave dhe stampave, dhe deklarimit të rremë përpara prokurorit



Si u mor me qira emri i S. Doçit

Shoqëria “Mobil Albania” rezulton e regjistruar në emër shtetasit S. Doçi, i cili në të vërtetë nuk kishte asnjë dijeni për këtë gjë. Pak kohë më parë ai ishte takuar me të akuzuarit, të cilët i kishin ofruar një “ujdi të leverdishme”. Ai ishte në gjendje të vështirë ekonomike dhe “mashtruesit: i kërkuan ti merrnin emrin me qira duke e paguar 100 mijë lekë të vjetra në çdo muaj. Vetë Doçi nuk kishte dijeni se çfarë ishte bërë me emrin e tij, por ai kishte rënë dakord që herë pas here të firmoste disa dokumente dhe çdo muaj të merrte 100 mijë lekshin.

Kur prokuroria ra në gjurmë të mashtrimit, i vetmi emër që figuronte në dosje ishte ai i S. Doçit si pronari i shoqërisë “Mobil Albania”. Hetuesit shkuan në shtëpinë e tij dhe prisnin që të takonin “bosin”, por në të vërtetë i doli përpara një njeri i varfër. Ai nuk kishte idenë për ato që i thoshin hetuesit dhe për këtë arsye tregoi historinë se si kishte dhënë emrin me qira. Nga kjo dëshmi prokurorët zbardhën pjesën tjetër të dosjes.

No comments:

Post a Comment