Total Pageviews

Thursday, August 18, 2011

Kalaja, arkeologët: I takon shek. X para Krishtit


Gjurmët e lëna prej epokave të ndryshme në historinë e Shqipërisë janë të shumta. Sot, vendi ynë dëshmon jetën e vet që nga antikiteti e deri në kohët më vona me anë të "thesareve" të ruajtura e përmes memuareve të shumta. Por sa më shumë shekujt nga largojnë prej epokave para nesh, po aq shumë ne humbasim ato çfarë trashëguam prej tyre. Në këtë kohë vere, çka nënkupton edhe fluks të madh turistësh vendas e të huaj, vëmendja jo rrallë herë është kthyer edhe nga monumentet. Ndonëse janë konsideruar si pikat kyçe që mbajnë në këmbë turizmin kulturor, investimet në mirëmbajtjen e kujdesin e tyre, lënë shumë për të dëshiruar. Ajo çka vihet re me keqardhje, është fakti se zëri ngrihet vetëm pasi dëmi është bërë. Mure që çahen e që shemben, gurë që rrokullisen drejt humnerës (edhe asaj të harresës) mbeturina që i rrethojnë ato, jo vetëm që po u zbehin hijeshinë kalave në vetvete, por po bëjnë që prej "trupave" të tyre hijerëndë, të humbasin çdo ditë nga një gjymtyrë. E ndërsa këto i vajtojmë një e nga një, për çdo gurë e për çdo mur, në vendin tonë, janë shfaqur edhe dukuri të reja, të shiturit e një monumenti kulture, jo pak, por rreth 2000 vjeçar!
Për këtë ngjarje, Olsi Lafe, drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, i kontaktuat dje nga Gazeta u shpreh se nuk ishte në dijeni. E nëse Z. Lafe, nuk është në dijeni, e të tjerë që janë, "nuk janë", Akrolisi, në këtë histori absurdi, nuk do të jetë vetëm. Fatit të kalasë së Akrolisit, në Lezhën e kuvendit të Gjergj Kastriotit, duket i qe shuar 'ora' në të 2000-in vit të jetës. Pikërisht në kohën kur nuk pat as pushtues romakë, as turq, as sllavë, e pushtetarë komunistë... Në kohën kur vendi të cilit i përkiste gëzonte vitet e demokracisë, kryelartës së Akrolisit iu ul koka. Pirgjet e gurëve që dikur qenë renditur njëri mbi tjetrin plot madhështi, sot janë ulur pranë e pranë njëri tjetrit, shpërndarazi në atë majëkodre, shtrirazi, si të mundur! Ato gurë e ato mure që panë pushtues e pushtues, në kohën kur pushtuesi nuk qe më, u mundën prej të vetëve...
E ndërsa gjurmët e historisë sonë, dëshmitë e vjetërsisë në këto troje për të cilat aq shumë mburremi zbehen prej nesh, po ne, i biem gjoksit, kur rrekemi të themi se ne jemi këtu prej kësaj epoke... E nëse ngjarje si kjo e Akrolisit vazhdojnë, ne do mundemi në të ardhmen vetëm të rrahim gjok-sin, për të thë-në se ishim ne... vetëm kjo do mbetet, për aq kohë sa ne kalatë i she-sim, i shembin, i lëmë të bien, të zbehen, të shtrihen, në majëkodra a më keq, sepse kjo do të thotë të zhdukësh historinë. Duke mos dashur të mendojmë se kjo (shkatërrimi i kalave) po kthehet në një modë që sa vjen e zgjerohet, e me dëshirën e mirë që Akrolisi të mbetet një ngjarje e izoluar, që nuk duhet marrë shembull, urojmë që prej saj të mund të shpëtohet ndonjë gjë që mund të ketë mbetur pa u dëmtuar... Gjithsesi sëmundja e kalave ka prekur edhe jugun, Kalaja e Tepelenës vetëm pak ditë më parë u ankua... Mos ra në vesh të shurdhër piskama e saj?!
Kalaja antike
Kur flitet për Lezhën, arkeologët konkludojnë se, është një vendbanim ilir më se tremijëvjeçar. Fillimisht ishte Akrolisi në majën e Malit të Shëlbumit, themeluar si fortifikim në shek. X p.e.r. Akrolisi përmendet nga historiani i njohur Polibi në përshkrimet e tija. Ai thotë se Filipi V, mbreti i Maqedonisë shpresonte ta shtinte në dorë. Polibi u impresionua dhe qe i kujdesshëm para këtij qyteti të fortifikuar shumë mirë. Akrolisi ishte më i lartë dhe akoma më i fortifikuar, duke e bërë të pamundur pushtimin e tij. Filipi i V, synoi në hapësirën midis Lezhës dhe rrëzës së malit të Akrolisit. Polibi shënon se "brenda në Lezhë ishin grumbulluar forca të mëdha, nga krahinat e afërme ilire, të ardhura menjëherë aty, sapo kishin dëgjuar për ardhjen e Filipit. Sa për Akrolisin, ilirët kishin besim aq të madh në fortifikimin e tij, sa që kishin lënë atje vetëm një ushtri të pakët për ta ruajtur". Më tej shënohet se trupat mbrojtëse të Akrolisit nuk patën kohë të riktheheshin në fortifikimin e tyre, sepse ju pre rruga nga ushtaret maqedonas, që i kishin zënë pritë. Falë kësaj strategjie dinake, Filipi V, mbas luftimesh të mëdha dhe të përgjakshme e pushtoi Lezhën dhe Akrolisin. fa.ni.

No comments:

Post a Comment