Total Pageviews

Sunday, August 28, 2011

Bombat e Wikileaks, zbardhen skandali i Gerdecit dhe Durres-Kukes




Tragjedia e Gërdecit e ka trazuar keq politikën shqiptare, ndërsa në publik po formohet ideja se qeveria po llogarit shmangien e përgjegjësisë. Shqetësimi i ambasadës amerikane në Tiranë, në një raport drejtuar Departamentit të Shtetit në Uashington lidhur me këtë çështje sensitive, është bërë i ditur në një kabllogram të publikuar të premten në faqen e internetit "Wikileaks". Kjo faqe që tronditi disa muaj më parë diplomacinë amerikane, publikoi dje qindra kabllograme të reja, mes të cilave edhe ato të dërguara nga ambasada amerikane në Tiranë drejt Departamentit të Shtetit. Për Shqipërinë ka më shumë se 8 mijë dokumente në serverët e "Wikileaks", por ende nuk janë publikuar të gjitha.
Shqetësimi
Në kabllogramin e dërguar nga Tirana më 7 prill 2008, theksohet se, "pavarësisht nga përgjigja e shpejtë e qeverisë dhe dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes, Mediu, media vazhdon të furnizojë në mënyrë frenetike me informacione për Gërdecin, ndërsa opozita thekson se Berisha ende nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë. Pas tragjedisë së Gërdecit, qeveria u përqendrua menjëherë në përgjigjen e shpejtë për të mbijetuarit për të hequr vëmendjen nga çështja e fajësisë". "Politikisht, kryeministri e sakrifikoi ministrin Mediu brenda 48 orësh që prej shpërthimit, por ka refuzuar të bëjë ndryshime të nivelit të lartë në qeveri, përveç zëvendësimit të Mediut me zëvendëskryeministrin Oketa, para samitit të NATO-s". Mesazhi i dërguar nga ambasada amerikane thekson se "përpjekjet, edhe pse të shpejta, nuk kanë qenë në përputhje me masat e sigurisë". "Një ekip prej dhjetë anëtarësh i BE-së mbërriti pas një jave nga shpërthimi për të vlerësuar situatën dhe bëri rekomandime. Ky ekip dhe zyrtarët e ambasadës kanë lajmëruar zyrtarët e lartë të ushtrisë dhe qeverisë për rreziqet e shpërthimit të materialeve të tjera më vonë".
Pasiguria
Qeverisë i është thënë se është i pasigurt kthimi i banorëve në shtëpitë e tyre, ndërsa zyrtarët shqiptarë, për arsye tërësisht politike e kanë përshpejtuar kthimin duke kthyer edhe energjinë dhe furnizimin me ujë", thekson mesazhi. "Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama ka ngritur një ekip kompetent brenda prokurorisë për të hetuar ngjarjen. Spekulimet se djali i Berishës mund të ketë lidhje me Gërdecin nuk janë konfirmuar deri tani, por ato mbeten tema më popullore në gazeta dhe kafene. Opozita ka përfituar nga rasti për të ngritur zërin për dështimin e shtetit". Në komentet e ambasadës amerikane theksohet se "ka një bindje të madhe në mes të medias, opinionbërësve dhe publikut të informuar se qeveria, pavarësisht nga deklaratat për hetim të plotë të Gërdecit, po përllogarit mundësitë për të shpëtuar nga përgjegjësitë e katastrofës së Gërdecit. Për këtë arsye, Berisha është në moment delikat". "Ftesa për në NATO do të forconte pushtetin e Berishës për momentin dhe opozita nuk ka shumë në dorë për të rrëzuar qeverinë. Gjithsesi, rrëfime të tjera për atë çfarë dinin dhe çfarë nuk dinin zyrtarët e tij, apo një shpërthim tjetër në vend të pasigurt ende si Gërdeci, mund të ndryshonin tërësisht situatën. Në çdo rast, Berisha nuk do të donte të shkonte në zgjedhjet e vitit 2009 në këtë situatë kaq delikate", thekson kabllogrami.

Durrës-Kukës, "Bechtel": Mos hapni tunelin për zgjedhje
Qeveria shqiptare nuk duhet të hapë tunelin e rrugës Durrës-Kukës pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009". Kërkesa është bërë nga drejtuesit e lartë të "Bechtel-Enka", kompanisë që ndërtoi rrugën e shumëdiskutuar në Shqipëri, disa kohë para se tuneli i Kalimashit të përurohej duke rritur koston e projektit dhe duke komprometuar sigurinë e udhëtarëve. Një kabllogram i publikuar të premten nga "Wikileaks" paraqet komentet e ambasadës amerikane lidhur me këtë çështje, dërguar Departamentit të Shtetit.
Këshilla
Duke u përqendruar te ky projekt i rëndësishëm, por edhe shumë kontrovers në Shqipëri, ambasada raportoi më 17 prill 2009 se Mike Adams, president i "Bechtel Civil" dhe Synon Tara, president i partneres së "Bechtel", "Enka" në projektin e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës i bënë thirrje kryeministrit Berisha më 16 prill të mos e hapte autostradën në qershor. "Berisha e ka konsideruar autostradën si një prej sukseseve më të mëdha të qeverisë së tij dhe planifikon ta përurojë atë me një ceremoni gala të prerjes së shiritit pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Por, "Bechtel" beson se autostrada duhet të hapet vetëm për përdorim të kufizuar", theksohet në kabllogram. "Hapja e saj para tetorit kur ende nuk ka përfunduar projekti, mund të shtojë koston e tij, vonon përfundimin e tërësishëm dhe komprometon sigurinë e rrugës", thuhet në dokument. Veç kësaj, edhe përdorimi i saj nga turistët kosovarë që shkojnë drejt plazheve do të sjellë një publicitet negativ, për shkak të mospërfundimit të punës. Sipas zyrtarëve të kompanisë, ai nuk do të jetë një tunel i plotë deri më 22 maj, pasi ekipet e shpimit kanë pasur vështirësi të paparashikuara, ndërsa disa ura kërkojnë rregullim. "Nga ana tjetër, qeveria shqiptare duhej të hapte një tender për një operator të tunelit që do të garantojë punën e policisë, zjarrfikësve dhe mbikëqyrjen për të, gjë që s'ka ndodhur deri tani", theksohet në mesazh.
Presioni
Kabllogrami shton se "Berisha është nën presion për të hapur rrugën, për shkak të pretendimit të rivalit, Edi Rama, se ai ka gënjyer për përfundimin e saj para zgjedhjeve. Zyrtarët e "Bechtel" thanë se hapja në qershor do të shtojë koston e rrugës me 15 milionë euro. Sipas tyre, edhe drejtori i Drejtorisë së Rrugëve në Ministrinë e Transportit dhe vetë ministri Olldashi besojnë se hapja e rrugës duhet të shtyhet deri në tetor, por se asnjë prej tyre nuk do t'ia thotë këtë kryeministrit. Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë së Rrugëve mund ta shohë veten në telashe nëse nënshkruan një kontratë për shtesën e kostos dhe më pas të akuzohet për përdorim të fondeve për fushatën e Berishës. Komenti i ambasadës amerikane, "firmosur" nga zyrtarët e lartë të saj thekson se, "për fat të keq, autostrada që do të sillte zhvillim ekonomik të zonave përreth saj është kthyer në një çështje të nxehtë politike". Në mënyrë ironike, qeveria vendosi të mos shpenzonte më shumë para për sigurinë e rrugës, duke i lënë fshatarët të kalojnë pa siguri në të njëjtën rrugë me makinat që ecin me shpejtësi 120 kilometra në orë

Elira Çanga
"Gazeta Shqiptare online" 08/28/2011

No comments:

Post a Comment