Total Pageviews

Wednesday, July 20, 2011

Sa kanë fituar gjatë këtij viti deputetët shqiptarë



Mes bojkotit dhe krizës ekonomike deputetët shqiptarë kanë gjetur kohë për të shtuar llogaritë e tyre bankare dhe për të bërë blerje të reja. Në këto dy faqe “Shekulli” po paraqet pasuritë e disa prej deputetëve të Kuvendit, si nga e djathta, ashtu edhe nga e majta.

Halimi

Viti i shkuar ka qenë tepër i mbarë për deputetin e maxhorancës Eduard Halimi, me të ardhura të konsiderueshme, por edhe investime të mëdha në pasuri të paluajtshme. Halimi e ka filluar vitin 2010 me 35 mijë euro në llogarinë e tij, të ardhura të përfituara nga lëshimi me qira i një zyre në Tiranë. Me këto para, por edhe duke shfrytëzuar rreth 40 mijë euro nga kursimet familjare në bankë dhe të ardhura të tjera nga pagat e të dy bashkëshortëve, Halimi ka paguar blerjen e një trualli banimi me sipërfaqe 1100 metër katror në fshatin Mullet me vlerë 95.700 euro, të cilën e ka regjistruar në bashkëpronësi me bashkëshorten. Deri në fund të vitit përllogaritet që deputeti të ketë shlyer thuajse të gjithë kontratën duke i mbetur për të paguar edhe 7.850 euro, si këst i fundit. Gjatë vitit të shkuar, Halimi ka përfituar rreth 2.5 milionë lekë nga paga si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, por edhe nga funksioni si sekretar i Komisionit të Ligjeve. Nisur edhe nga shuma e deklaruar, Halimi duket të ketë përfituar edhe trajtime të tjera financiare nga përveç pagës, pasi zakonisht rroga vjetore e një deputeti përllogaritet në rreth 1.6 milionë lekë. Krahasuar me Halimin, të ardhurat e bashkëshortes së tij janë tepër modeste. Ajo deklaron të ketë përfituar rreth 700 mijë lekë nga paga.

Sterkaj

Paulin Sterkaj vazhdon të ketë në pronësi biznesin e tij të deklaruar edhe më parë, nga aktiviteti i të cilin ka rritur edhe më tepër të ardhurat dhe pasuritë e paluajtshme. Sipas deklarimit të bërë, deputeti socialist Sterkaj ka regjistruar në emrin e tij disa garazhe me hapësirë totale 96 metër katror dhe një hapësirë tjetër shërbimi me hapësirë 34 metër katror. Sterkaj ka shitur edhe një apartament gjatë vitit të shkuar, i cili ishte në emër të bashkëshortes, me vlerë 40 mijë euro. Po ashtu, bashkëshortja e tij është edhe pronarja e një bar kafeje, aktivitet nga i cili deklaron të ketë përfituar rreth pesë mijë euro. Rreth gjashtë mijë euro të tjera, ai i ka përfituar nga dhënia me qira e një ambienti privat tek një bankë tregtare. Nga paga si deputet, shpërblimet për pjesëmarrje në Komisione si dhe dietat, Paulin Sterkaj ka përfituar në total rreth 2.7 milionë lekë të ardhura. Në kahun e shpenzimeve, ai deklaron të ketë paguar rreth 5 400 euro për shkollimin e të dy djemve.

Harasani

Deputeti socialist Andis Harasani ka plotësuar formularin e deklarimit të pasurisë së tij duke shënuar në të vetëm dy llogari bankare dhe pagat. Kështu në formular shënohet se pasuria e familjes Harasani është shtuar me 24.393 dollarë amerikanë, të cilat kanë ardhur nga kursimet e bashkëshortes dhe janë depozituar në një bankë në Nju Jork. Po në këtë bankë ndodhet edhe një depozitë tjetër prej 25 mijë dollarësh. Në zërin e të ardhurave, Harasani ka shkruar 1.3 milionë lekë nga pagat dhe shpërblimet dhe 93 mijë dollarë amerikanë paga e bashkëshortes.

Sadri Abazi fiton 224 milionë lekë

Deputeti Sadri Abazi njihet për biznesin e tij privat, nga i cili edhe gjatë këtij viti ka realizuar të ardhura të konsiderueshme. Sipas deklaratës së pasurisë, deri në fund të vitit të shkuar, Abazi ka përfituar rreth 224 milionë lekë të ardhura nga ky biznes në të cilin ka të punësuar në postet drejtuese dhe familjarët e tij. Po ashtu, ai rezulton të ketë shitur edhe një automjet të tijin, nga i cili ka përfituar rreth 18 mijë euro. Nga paga si deputet, Abazi ka marrë rreth 1.2 milionë lekë. Në deklaratën e deputetit janë edhe pagat e familjarëve të tij, dy vajzave dhe bashkëshortes, të cilat figurojnë si punonjëse të biznesit familjar. Të treja së bashku, ato mësohet të kenë përfituar një pagë vjetore prej rreth 7.7 milionë lekë.

Ruçi blen “Touaregun” e Kuvendit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi ka një ndër formularët e deklarimit të pasurisë më të shkurtër. Gjatë vitit të shkuar ai deklaron të ketë përfituar rreth 2.1 milionë lekë nga paga e tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, ai ka blerë kundrejt 900 mijë lekë një makinë tip fuoristradë nga Kuvendi, e cila më parë ka qenë në përdorim të tij duke përfituar nga e drejta e parablerjes për përdoruesit.

Idrizi, 1.6 mln lekë nga biznesi privat

Shpëtim Idrizi e ka mbyllur vitin 2010 me një shtesë të ardhurash prej 1.7 milionë lekë. Kjo është shuma e kursyer, ndërkohë që Indrizi ka shlyer kredi si dhe ka përfituar të ardhura edhe nga interesat e depozitave si dhe paga e bashkëshortes, përveç pagës së tij si deputet. Nga depozita në bankë, Idrizi deklaron të ketë përfituar rreth 1 500 euro. Bashkëshortja e Indrizit nga ana tjetër, ka përfituar rreth 450 mijë lekë nga investimi në bono thesari. Idrizi ndërkohë deklaron të ketë përfituar rreth 2.5 milionë lekë të ardhura nga paga, shpërblimet dhe dietat si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Nga aktiviteti privat, Idrizi ka përfituar rreth 1.6 milionë lekë. Gjatë 2010-s, familja Idrizi ka shlyer rreth 5.000 euro interesa të dy kredive të marra, njërën në bankë private dhe tjetrën nga Banka e Shqipërisë. Nga kjo kredi, atij i kanë mbetur për të shlyer edhe 2.1 milionë lekë.

Malaj blen shtëpi 140 mijë euro

Deputeti Arben Malaj ka shënuar në formularin e pasurisë lëvizje të shumta në 10 llogaritë bankare të familjes, të gjitha këto janë rritur. Nga ana tjetër, Malaj ka shitur shtëpinë për 8.2 milionë lekë dhe ka blerë një shtëpi tjetër me vlerë 140 mijë euro. Të ardhurat e familjes Malaj janë pagat, honorarët dhe qiratë e shtëpive, ndërsa pakësime janë kredia e shtëpisë dhe shkolla e dy fëmijëve.

Blushi: 15 milionë lekë kursime

Deputeti socialist Ben Blushi dhe ish-miku e botuesit i tij, Fatmir Toçi duket se nuk shkojnë mirë bashkë. Kjo vihet re edhe në deklarimin e pasurisë. Blushi ka shënuar se ka fituar para nga shitja e librave, por vlerën e saktë e di shtëpia botuese e Toçit. Ai ka shënuar një llogari bankare për pagën, ku ndodhen 1.5 milionë lekë si dhe një llogari që është shtuar me pothuajse katër milionë lekë nga pagat dhe shitjet e librave. Këtë vit Blushi ka blerë edhe makinën që ka pasur në përdorim nga Kuvendi i Shqipërisë me vlerën 240 mijë lekë. Në total familja Blushi shënon se ka kursyer 15 milionë lekë të reja. Në zërin e të ardhurave, Blushi ka shënuar, përveç parave nga libri, ehe 1.8 milionë lekë paga nga Kuvendi. Të njëjtën shumë parash ka fituar edhe e shoqja, e cila punon notere. Dhjetë vjet më parë Blushi ka marrë nj kredi në bankë, nga e cila i kanë mbetur edhe 2.4 milioë lekë

Islami fiton nga shitja e makinave

Deputeti socialist Kastrot Islami ka vite që nuk shkel në selinë e partisë së tij dhe gjatë kësaj kohe ka nisur dy profesione të reja. I pari është të shesë makina dhe i dyti të bëjë opinione në gazeta. Islami ka blerë makinën e vjetër nga Kuvendi për 323 mijë lekë dhe pak më pas e ka shitur për pesë mijë euro, më shumë se dyfishin e vlerës që e ka blerë. Shkrimet e shumta të bëra gjatë një viti në gazetën “Panorama” i janë vlerësuar Islamit vetëm për 200 mijë lekë ndërsa puna si pedagog, 150 mijë lekë. Në zërin e të ardhurave familjare, Islami ka shënuar 5535 euro, të cilat janë bursat e dy fëmijëve të tij që studiojnë në Francë. Nëntë llogaritë bankare të familjes Islami kanë njohur ulje-ngritje, por pa ndodnjë shifër të rëndësishme. Ndërkohë familja Islami ka për të paguar një kredi më vlerë 2.63 milionë lekë. Gjatë vitit të kaluar ajo nuk ka paguar asnjë lek nga kjo kredi.

95.700

Euro ka paguar Eduard Halimi për blerjen e një trualli banimi me sipërfaqe 1100 metër katror në fshatin Mullet, të cilën e ka regjistruar në bashkëpronësi me bashkëshorten. Deri në fund të vitit përllogaritet që deputeti të ketë shlyer thuajse të gjithë kontratën duke i mbetur për të paguar edhe 7.850 euro, si këst i fundit

93 mijë dollarë janë të ardhurat vjetore të bashkëshortes së deputetit Andis Harasani. Vetë deputeti ka të ardhura shumë herë më të vogla, vetë, 1.3 milionë lekë që vijnë nga pagat dhe shpërblimet e Kuvendit

224.000.000 Lekë ka fituar deputeti i PS-së, Sadri Abazi gjatë vitit të kaluar nga biznesi i tij, në të cilin ka të punësuar në postet drejtuese dhe familjarët e tij. Po ashtu, ai rezulton të ketë shitur edhe një automjet të tijin, nga i cili ka përfituar rreth 18 mijë euro

900.000 Lekë ka paguar Gramoz Ruçi për të blerë një makinë tip fuoristradë Voklsvagen Tuareg nga Kuvendi, e cila më parë ka qenë në përdorim të tij. Ai ka përfituar nga e drejta e parablerjes si deputeti që e kishte në përdorim makinën

Emirjon Senja (Shekulli online 7/20/2011)

1 comment:

  1. Do keni nevojë për një FINANCË me 3% për të paguar faturat ose për të nisur një biznes tuaj? Nëse po, kontaktoni SHBA me këto detaje të mëposhtme ... GLOBAL SOLUTION FINANCE COMPANY
    globalsulutionfinance89@gmail.com
    (1) Emri i plotë
    (2) Shuma e Huasë e Nevojshme
    (3) kohëzgjatje
    (4) Country
    (5) Numrat e telefonit
    Na dërgoni me email: globalsulutionfinance89@gmail.com
    Trego: +919205335862
    ose
    Trego: +919538237271
    Whatsapp: +919205335862
    Faqja e internetit: https://gsfcloan.com/
    Fatmirësisht,




    Do you need a FINANCE at 3% to pay your bills or start up a business of your own? If yes ,contact US with this following details... GLOBAL SOLUTION FINANCE COMPANY
    globalsulutionfinance89@gmail.com
    (1)Full Name
    (2)Loan Amount Needed
    (3)Duration
    (4)Country
    (5)Phone numbers
    Email Us: globalsulutionfinance89@gmail.com
    Tell : +919205335862
    or
    Tell : +919538237271
    Whatsapp:+919205335862
    Website: https://gsfcloan.com/
    Best Regards,

    ReplyDelete