Total Pageviews
Tuesday, November 15, 2011
Qeveria: Borxhi, mbi 5 miliardë euro
Drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, tha dje në Komisionin e Ligjeve se borxhi i Shqipërisë në 2011-n ka mbërritur në mbi 5 miliardë euro.
Ishte deputeti socialist Pandeli Majko, i cili duke u nisur nga situata financiare në Greqi dhe Itali, kërkoi të njihej në terma absolutë për borxhin që Shqipëria mbart prej vitesh. Deputeti socialist Majko pyeti gjithashtu dhe se sa është kësti që Shqipëria duhet të paguajë gjatë vitit të ardhshëm për këtë borxh. Drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave tha se Shqipëria do të paguajë 370 milionë euro për shlyerjen e borxhit gjatë 2012-s. “Deficiti i buxhetit do të vazhdojë të financohet nga burime të brendshme dhe të huaja. Në këtë buxhet nuk janë parashikuar të ardhura nga privatizimet, siç bëhet zakonisht. Nëse ndonjë objekt strategjik do të privatizohet, ai do të bëhet pjesë e buxhetit duke u përdorur një pjesë për uljen e borxhit publik dhe një pjesë për investimet”, u shpreh Dhëmbi. Ndërsa deputeti socialisti i qarkut të Tiranës, Dashamir Peza, akuzoi qeverinë se po diferencon në trajtimin me fonde njësitë vendore të fituara nga socialistët. Duke sjellë në vëmendje Bashkinë e Kavajës, e cila u fitua më 8 maj pas shumë vitesh nga PS, Peza tha se granti i pakushtëzuar nga buxheti i shtetit është 32% më i ulët se një vit më parë kur drejtohej nga Partia Demokratike. Deputeti socialist, Bashkim Fino, e ka cilësuar të paligjshëm përcaktimin që bëhet në nenet e buxhetit të shtetit të grantit të pakushtëzuar, duke i diktuar pushtetit vendor se si duhet ta përdorë atë. “Ka një diskriminim për pushtetin vendor, bashkitë e mëdha, të cilat i ka fituar opozita, po diskriminohen. Në nenin 15, ku keni kushtëzuar dispozitat tuaja për njësitë vendore për përdorimin e transfertës së pakushtëzuar, pra ju keni vënë përqindje se si do të përdoret kjo transfertë qoftë për shpenzime të administratës, qoftë për pastrim e rregullim”, u shpreh Fino. Ndërsa drejtoresha e Buxhetit u shpreh se ky nen është miratuar një vit më parë dhe ndihmon pushtetin vendor të realizojë më shumë investime sesa punësime në administratë. “Kjo pikë është diskutuar dhe vendosur që në buxhetin e 2011-s dhe filozofia ishte që meqë i gjithë shteti bën reformë administrative, edhe pushteti lokal duhet t’i nënshtrohej këtij koncepti dhe objektivi që më shumë fonde të përdoreshin më shumë për investime, sesa për rroga dhe punësime. Sivjet është shtuar dhe fakti i ri që një pjesë e transfertës së pakushtëzuar do të përdoret për pemëtari dhe gjelbërim. Ky është prioritet i këtij viti dhe kjo duhet përqafuar dhe nga pushteti lokal”, u shpreh Dhëmbi.
DEBATE NE KOMISIONIN E LIGJEVE
BORXHI
Pandeli Majko: Dy fqinjët tanë më të afërt, Italia dhe Greqia, janë duke bashkëpunuar me FMN-në për borxhin. Sa është borxhi i Shqipërisë në terma absolutë në euro?
Mimoza Dhëmbi: Në fund të vitit 2011 do të jetë 781.8 miliardë lekë. Në euro, mbi 5 miliardë euro.
Pandeli Majko: Sa janë interesat që ne do të paguajmë për këtë borxh në vitin 2012.
Mimoza Dhëmbi: Interesat 49.6 miliardë lekë, ose 370 milionë euro. Pushteti vendor
Bashkim Fino: Ka një diskriminim për pushtetin vendor. Bashkitë e mëdha, të cilat i ka fituar opozita, po diskriminohen. Në nenin 15, ku keni kushtëzuar dispozitat tuaja për njësitë vendore për përdorimin e transfertës së pakushtëzuar; pra ju keni vënë përqindje se si do të përdoret kjo transfertë qoftë për shpenzime të administratës, qoftë për pastrim rregullim.
Mimoza Dhëmbi: Kjo pikë është diskutuar dhe vendosur që në buxhetin e 2011-s dhe filozofia ishte që meqë i gjithë shteti bën reformë administrative, edhe pushteti lokal duhet t’i nënshtrohej këtij koncepti dhe objektivi që më shumë fonde të përdoreshin më shumë për investime, sesa për rroga dhe punësime. Sivjet është shtuar dhe fakti i ri që një pjesë e transfertës së pakushtëzuar do të përdoret për pemëtari dhe gjelbërim. Ky është prioritet i këtij viti dhe kjo duhet përqafuar dhe nga pushteti lokal.
FMN
Bashkim Fino: A është konsultuar qeveria me institucionet ndërkombëtare me të cilat ne asistohemi dhe me mbështetje fondesh?
Mimoza Dhëmbi: Në fakt, ka një konsultim të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare, por nuk ka një detyrim apo marrëveshje që duhet zbatuar. Ne jemi konsultuar dhe me FMNnë. Ata ishin para ca kohësh këtu, ata kanë parashikimet e tyre, ne kemi tonat. Ka pika që nuk bashkohemi. Parashikimet e FMN-së janë tepër konservative, ndërsa parashikimet tona janë më afër asaj reales që është realizuar.
INVESTIMET
Bashkim Fino: A janë të mbështetura financiarisht nga të ardhurat projektet madhore si rruga Tiranë-Elbasan? Ç’mund të na thoni se nuk shoh gjë në buxhet?
Mimoza Dhëmbi: Tuneli Tiranë-Elbasan është i mbuluar nga financim i huaj, është një kredi e Bankës Islamike.
Bashkim Fino: Në buxhetin e 2012-s kjo qeveri nuk do ndërtojë asnjë pallat për të pastrehët. Sa janë parashikuar nga qeveria?
Mimoza Dhëmbi: Është parashikuar tek Urbanistika një fond 1.2 miliardë lekë për strehim.
DËMSHPËRBLIMET
Shega Ligori: Çfarë fondesh janë përcaktuar për ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit?
Mimoza Dhëmbi: Pjesa më e madhe e fondit të kompensimit të ish-pronarëve financohet nga të ardhurat që sigurohen nga procesi i legalizimit dhe një pjesë më e vogël nga buxheti i shtetit. Buxheti ka parashikuar rreth 1.7 miliardë lekë për ish-pronarët. Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.7 miliardë lekësh.
Rusmali ironizon socialistët
Deputeti socialist, Dashamir Peza, i kërkoi përfaqësueses së qeverisë nëse është parashikuar fond për Gjykatën Administrative. “Qeveria e ka pasur prioritet ngritjen e Gjykatës Administrative. Si është parashikuar ajo në buxhet?”, pyeti Peza. Ndërsa drejtoresha e Buxhetit u shpreh se është parashikuar një fond për ngritjen e Dhomës Administrative sa për të nisur nga puna për sa kohë që nuk është miratuar ligji. Kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, ironizoi socialistët duke thënë: “Ore, këta Gjykatën nuk e miratojnë, ndërsa fondin për Gjykatën Administrative e kërkojnë. Habi e madhe. Për tre vjet na kanë nxjerrë ujin e zi, sot duan fondin”. “Fondin e duam ne sepse duhet ngritur godina, pastaj të fillojë puna”, iu përgjigj deputetja Ligori.
Opozita: Buxheti i Shëndetësisë, i falimentuar
Opozita e ka quajtur të cunguar dhe të falimentuar buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, të planifikuar për vitin 2012. Pas prezantimit të detajuar që ministri i Shëndetësisë bëri dje në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, filluan reagimet e para. Ato priten të vijojnë më tej në mbledhjen e radhës, kur buxheti të diskutohet nen për nen. ”Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është parashikuar të rritet në masën e 339 milionë lekëve për vitin 2012, në krahasim me buxhetin e rishikuar të vitit 2011. Ai përfaqëson 2.09 për qind të PBB dhe ka për qëllim të përmirësojë ofrimin e shërbimit parësor, zvogëlimin e vdekshmërisë amtare, si dhe rritjen e vizitave ndaj pacientit”, tha Vasili. Ai shpjegoi se investimet nuk do të përqendrohen në Tiranë, por kryesisht në spitalet rajonale. Deputeti i opozitës, Eltar Deda, theksoi se buxheti nuk do të sjellë asnjë përmirësim në sistemin shëndetësor. ”Ky buxhet tregon edhe një herë falimentimin e kësaj qeverie. Edhe nga mënyra se si ju shpjeguat zërat e investimeve, flisni për vendosje skanerësh e rezonancash në qytete, kur nuk keni personel. Reformat që keni ndërmarrë deri tani, janë të dështuara. Opozita është gati t’ju mbështesë për një reformë të mirëfilltë shëndetësore, por jo për qarkullimin e parave të pista”, tha Deda.
Treguesit, Shqipëria me shifra më pozitive
Drejtoresha për Buxhetin në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi raportoi tregues pozitivë për ekonominë shqiptare. “Treguesit e rritjes ekonomike për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore për vitet 2009- 2011, niveli mesatar i rritjes ka qenë zero, ndërsa për Shqipërinë, si mesatare për këto vite është 3.1%. Ndërkohë që niveli i inflacionit po për këtë grup vendesh është 3.7%, ndërsa për Shqipërinë është 3.2%. Një nga faktorët që ka sjellë këtë performim pozitiv të ekonomisë shqiptare është stimulimi ekonomik dhe fiskal”, u shpreh Dhëmbi.
ARISTIR LUMEZI
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment