Total Pageviews
Tuesday, November 15, 2011
Gjykata rrëzon prokurorinë për ekspertizën e “Metës”
Klodiana Lala
Ekspertët shqiptarë i qëndruan besnik aktit të tyre për videon Meta-Prifti, të cilën e cilësuan si jo autentike. Dje ekspertët, Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani u dhanë përgjigje pyetjeve të bëra nga Prokuroria e Përgjithshme dhe avokatët mbrojtës të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta. Sikurse dhe në aktin e mëparshëm dhe në seancën e djeshme ekspertët thanë se, në video ka ndërhyrje të shumta dhe se biseda mes Metës dhe Priftit në shumë pjesë të saj është e pakuptueshme, pasi niveli i zhurmës dhe ndërhyrjeve është shumë i lartë. Prokurorët i kishin pyetur ekspertët, që duke qenë se në aktin e tyre ishin shprehur se nuk mund të provojmë nëse ora objekt ekspertimi është mjeti me të cilin është realizuar regjistrimi i bisedës. A mendoni se gjithsesi mjeti regjistrues ka qenë i instaluar në ndonjë orë, përderisa gjatë gjithë kohës dëgjohet tik-taku i saj apo jo? Ekspertët thanë dje se mjeti regjistrues mund të ketë qenë një orë, por nuk është kurrsesi ora objekt ekspertimi, me të cilën Dritan Prifti pretendon se ka regjistruar bisedën mes tij dhe Ilir Metës. Më tej, ekspertët saktësuan se ndërhyrjet në video janë të shumta, por nuk mund të përcaktohet koha e tyre, pasi varet nga faktorë të shumtë. Sipas tyre, ndërhyrjet e bëra nga profesionistët nuk lënë gjurmë. Sa u përket programeve që kanë përdorur për kryerjen e ekspertizës së videos, ata u shprehën se janë materiale të marra nga interneti, por janë të sakta shkencërisht, pasi nga programet e tjera të blera, ndryshon vetëm koha e përdorimit. Pasi dëgjoi përgjigjet e ekspertëve, prokurori Bujar Sheshi kërkoi vetëm një orë kohë për tu konsultuar me aktin e tyre dhe më pas i kërkoi gjykatës shpalljen e pavlefshme të ekspertimit duke e cilësuar atë si një dështim.
Prokuroria
refuzon ekspertizën
Prokuroria e Përgjithshme që mbron në gjykatën e Lartë akuzën ndaj ish-numrit dy të qeverisë, e refuzoi ekspertizën e ekspertëve shqiptarë, të cilët në përfundim thanë se në video ka ndërhyrje, çka automatikisht e bën atë jo autentike. Përfundimi i ekspertëve shqiptarë, binte ndesh në atë të ekspertit amerikan, i cili tha se videoja Meta-Prifti është autentike. Pasi dëgjuan përgjigjet e ekspertëve për pyetjet që u kishin drejtuar, përfaqësuesit e prokurorisë mbajtën qëndrim të prerë kundra ekspertizës duke kërkuar shpalljen e pavlefshme të saj dhe bërjen e një akti të ri ekspertimi me ekspertë ndërkombëtarë.
“Si organ akuze arrijmë në përfundimin se ekspertimi nuk e ka arritur qëllimin dhe ekspertët nuk e kanë realizuar detyrën që iu është ngarkuar. Mosdhënia përgjigje e pyetjes kryesore që përbën thelbin e këtij ekspertimi, nëse ka apo jo ndërhyrje në videon provë materiale dhe nëse po ku konsistojnë këto ndërhyrje, sipas mendimit tonë është tregues i qartë i dështimit të këtij ekspertimi”, - tha prokurori Bujar Sheshi.
“Analizimi i videos objekt ekspertimi me mungesa të mjeteve, pajisjeve dhe më kryesorja në mungesë të programeve kompjuterike shkencore e zyrtarisht të licencuara nga kompanitë prodhuese apo shpërndarëse, bën çdo përfundim të arritur nga grupi i ekspertëve të jetë i pasaktë”.
Sipas organit të akuzës, përdorimi i programeve joshkencore nuk mund të çojë në përfundime me vërtetësi shkencore, e për pasojë kuptohet që duke qenë programet të mangët në përbërjen e tyre, e mangët do të jetë dhe analiza që kryejnë.
“ ’Loja’ që bëhet ne këtë akt nga ekspertët me gjoja mungesën e videos origjinale e vë në dyshim vërtetësinë dhe objektivitetin e këtij akti ekspertimi”, - saktësoi prokurori. Ai theksoi më tej se ’rrethanat e tjera që jepen në aktin e ekspertimit për hapje të lap-topit me datë 1 shkurt 2011 apo futje të USB-ve në data të tjera dhe me emra të tjerë, nuk kanë asnjë lidhje me çështjen dhe nuk paraqesin asnjë interes për vërtetësinë e videos. Ato vetëm sa shfrytëzohen në mënyrë abuzive për të hedhur dyshime për këtë proces”. Ndërkaq, Sheshi deklaroi më tej para gjykatës se për Prokurorinë e Përgjithshme dhe cilindo që arsyeton në mënyrë të paanshme, është mëse e qartë se video është origjinale dhe e patjetërsuar. Këtë argument prokuroria e mbështet edhe referuar aktit të ekspertëve, të cilët sipas saj, ’në aktin e ekspertimit nuk thuhet në asnjë paragraf se ka tjetërsim, pra ndryshim të pamjes apo të zërave të bashkëbiseduesve në videon objekt ekspertimi”. Prokuroria hodhi dyshime të forta edhe për sa i përket pjesës së ekspertimit, ku ekspertët shpreheshin që kishin gjetur një program me emrin “Crazy Talk Animator”, që shërben për tjetërsimin e të dhënave. Si përfundim, prokurori Sheshi i kërkoi gjykatës kryerjen e një ekspertimi të ri mundësisht me ekspertë të huaj specialistë të fushës audio-vizive, qofshin ata pranë policive shkencore apo kompanive private.
Avokatët:
Ekspertiza e saktë
Sipas avokatëve të të pandehurit Ilir Meta, akt-ekspertimi i tre ekspertëve të caktuar nga gjykata e Lartë, është i saktë dhe përfundimet e nxjerra janë shkencore. Madje në argumentet që dhanë para kolegjit Penal, mbrojtësit ligjorë të ish-zv.kryeministrit iu referuan aktit të ekspertimit të bërë nga amerikani Glen Bard, edhe pse është shpallur i pavlefshëm me vendim të Gjykatës së Lartë dhe juridikisht nuk ka asnjë vlerë. Pavarësisht, faktit që amerikani Bard, shprehej se videoja Meta-Prifti, është autentike dhe në të nuk ka pasur asnjë ndërhyrje, avokatët iu referuan në disa pika, duke mbrojtur në këtë mënyrë, ekspertët shqiptarë, që sipas tyre kanë arritur në një konkluzion të qartë. Përfaqësuesit ligjore të të pandehurit, u shprehën para gjykatës se prokuroria duhet të tërheqë aktet dhe të heqë dorë nga akuza ndaj të mbrojturit prej tyre, Ilir Meta. Avokatët kërkuan që të rrëzohej kërkesa e prokurorisë për kryerjen e një ekspertimi tjetër, por pas procesit nuk e komentuan vendimin e gjykatës, që rrëzoi organin e akuzës dhe thirri katër dëshmitarët e parë të procesit.
Ekspertët: Marzhi i gabimit tonë, është zero absolute
Kryesuesi i Kolegjit Penal Ardian Dvorani u drejtoi disa pyetje ekspertëve, Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani, duke kërkuar në këtë mënyrë sqarime rreth aktit të ekspertimit të përpiluar prej tyre dhe përfundimit të arritur. Pyetjes së gjykatësit Dvorani nëse konfirmonin ndërhyrjet në video dhe çfarë programesh ishin përdorur për të kryer këto ndërhyrje, ekspertët u mbrojtën mjaft mirë, teksa u shprehën se ’sa u përket programeve me të cilat bëhen ndërhyrje, janë të shumta”. Ndërsa thanë se probabiliteti i ndërhyrjeve është i lartë, pa dhënë ndonjë përgjigje definitive, se ku konsistojnë ndërhyrjet.
Pyetja e radhës e gjykatësit Dvorani ishte se sa kanë ndikuar këto ndërhyrje në video? Ekspertët u shprehën se ne nuk mund të themi se videoja është e sajuar, por në audio ka probleme të shumta dhe probabiliteti i ndërhyrjeve është mjaft i lartë. Si përfundim gjykata pyeti ekspertët për marzhin e gabimit të tyre, të cilët duke u vetëmbrojtur fort, deklaruan se probabiliteti i gabimit është zero. “Zero absolute është probabiliteti i gabimit tonë. S’e luan topi, thotë një shprehje popullore”,- u shpreh njëri nga ekspertët.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment