Në landfilin (landfield) e Sharrës
Është mbase vendi i vetëm në Shqipëri ku biznesi funksionon 24 orë, një ekskluzivitet plehrash ku beteja për territore llumi zhvillohet në mes njerëzve, kafshëve dhe insekteve. Pa licencë, pa taksa, pa fatura, Sharra duhet të ishte parajsa e milionave, por pas një vizite atje, dëshmitë tregojnë për ferrin e monedhave. E për t’i mbledhur ato, nuk ka rëndësi mosha, gjinia, shëndeti. Nuk ka rëndësi as moti, fundjavat, stinët. E rëndësishme është që të kesh një shkop të gjatë me majë, ta ngulësh sa më shpejt të jetë e mundur mbi shishe plastike dhe kanoçe të buta, duke i futur në thesin me mbeturina që tërheq zvarrë. Për lëndët e tjera më të forta, shishe, hekur, alumin etj., duhet një kurriz ideal që të përballojë mijëra përkulje në ditë. Ky është ritmi i qindra personave pranë landfildit të Sharrës, që jetesën ose mbijetesën e sigurojnë nga mbledhja e mbeturinave për riciklim. Një temë shumë e debatuar së fundmi nga institucionet shtetërore, nga politika në përgjithësi, nga shoqëria civile apo qytetarë të thjeshtë, por që në këtë shkrim ne nuk do të përsërisim, gjykojmë apo mbështesim askënd. Gazeta “Panorama” thjesht ju shfaq 24 orë nga jeta mes plehrash...
Vizita nr. 1
ora 19.00–20.00
Shtepite e ndertuara ngjitur me landfilin e Sharres
Pasi kalon Kombinatin, në të majtë të tij, në veriperëndim shkon rruga drejt Sharrës. Fillimi i saj nuk është edhe aq i panjohur për shkak të “famës” së varrezave, për të cilat hyjnë miq të gjallët për t’u gjetur vend të vdekurve. Mjafton ta ndjekësh atë rrugë deri ku përfundon asfalti dhe më pas, mjafton të ndjekësh aromën… atë më kutërbuesen që keni ndier ndonjëherë. Ju sigurojmë për këtë!!! Nëse i rezistoni, ndaluni disa minuta. Përpara keni disa lloj rrugicash, por që ju çojnë në të njëjtin drejtim: në landifildin e Sharrës. Ne morëm rrugën në të djathtë dhe që gjendej krejt kollaj, pasi si identifikuese për të ishin (dhe janë) dhjetëra barake dhe plot zjarre që na udhëhoqën deri aty prej së largu. Rreth tij ishin disa burra dhe në dorë kishin shishe birre. Përgjithësisht, me aq sa na lejoi drita e flakës, ata u dukën të komunitetit rom. Ata mbase edhe nuk ishin, por vështirë t’i dalloje në ato momente për shkak të pluhurit dhe pisllëqeve që u kishin mbuluar fytyrën. Rreth identifikimit gjithçka u bë e qartë kur nisi dialogu, fillimisht me përshëndetje në gjuhën rome dhe më pas, me një shqipe të lezetshme, ashtu siç dinë ta flasin vetëm ata. “Ça do ktu ti, o motra?”, tha njëri prej tyre, ndërsa dy të tjerë i ranë përnjëherë në shpatull, duke i dalë përpara dhe kërkonin “parinë” e muhabetit. Pas një shpjegimi të sajuar, ata të ftojnë në grupin e tyre për birra. “Jo ktu o motra, shkojmë te lokali. Kemi lokal ne ktu”, vijon një djalë jo më shumë se 16 vjeç, duke treguar me dorë një godinë njëkatëshe, rreth 100 metra më tutje. Derisa arrijmë atje, marrim vesh se qenka ora e ndërrimit të turneve në mes familjarëve dhe kjo është kohë e lirë për ta. Të paktën deri në mesnatë. Nga ora 12:00 e deri në 06:00, asnjë anëtar familjeje nuk qëndron në shtëpi, përveç sëmundjeve të rënda. “Janë orët kur shkarkohen kamionët lali, s’ka llafe”, thotë njëri prej burrave, të cilit i thërrasin Kastriot. Siç sqaron ai, gjatë një dite pune sigurojnë rreth 40 mijë lekë të vjetër si familje, herë edhe 50-70, por që asnjëherë nuk u mjaftojnë. “Jemi 12 veta në shtëpi. Punojmë që të gjithë, bëjmë lekë, por as vetë nuk e dimë se si na ikin”, thotë Kastrioti duke pirë tashmë birrën e katërt, por që duket se nuk i llogarit lekët për të si “ikje”. Më tej, ai tregon se në asnjë orë nuk ka pushim total për familjen, ndërsa me dorë tregon dy vëllezërit e tij që po ndajnë mbeturinat pak më tej.
Vizita nr.2,
ora 02:00-04:00
Duket se kjo është koha më e ngarkuar për banorët e Sharrës, ndërsa vizituam anën lindore të saj. Gjithkënd që takon, nuk ta ka ngenë as të të flasë e as të të shohë. Çdo lëvizje tjetër përveç ritualit të shkopit mbi pirgjet e plehrave, për mbledhësit janë lekë të humbura. Nuk u bën përshtypje një femër në mes të natës atje, pasi kanë plot të tilla që gërmojnë më fort se burrat. As fëmijët, ata janë aty në numër më shumë sesa të rriturit. Zonat e rrëmimit duket se janë të ndara. Ashtu si edhe kamionët e ngarkuar që duken nga larg, teksa vijnë drejt Sharrës. I pari është i Dinit, i dyti i Bashkimit, i treti i Pupit… Dhe kur kamioni vjen aty dhe shkarkohet, personi që i doli pronar që në horizont, mbledh rreth tij familjen dhe nis e gjuan me shkopin me majë shishet plastike, kanoçet, letrat, ndërsa gjërat prej qelqi dhe metali i mbledhin me dorë. Ndërsa vjen kamioni tjetër, vijon e njëjta procedurë. Për dy orë qëndrimi atje, familjet punonin me territore të ndara dhe e vetmja gjë e përbashkët ishte peshorja prej hekuri, aty ku vinin thasët e mbushur për të matur kilogramët e mbeturinave.
Vizita nr.3,
ora 13.00-16.00
Vizitën e tretë e zhvilluam në grykën e nisjes së landfildit. Nën dritën e diellit, gjithçka duket më qartë, edhe pse asgjë nuk ndryshon nga dy vizitat e para, përveç qartësisë së shikimit. Rituali është i njëjtë. Mbledhës që “prenotojnë” kamionin nga larg dhe, kur ai vjen aty, janë gati të mbulohen me mbeturina vetëm për të marrë të drejtën e kontrollit. Një tabelë ku shkruhet “Ndalohet peshkimi” të bën vetvetiu për të qeshur, por një fëmijë komplet i pistë, me mbeturina në kokë dhe një thes që e tërheq zvarrë, ta heq komplet humorin. Mbi të fluturojnë miza që kanë përmasat e grerëzës e grerëza që kanë madhësinë e zogjve. Fatmirësisht, gomari drejt të cilit po shkon për të ngarkuar thesin, është thjesht gomar…
800 tonë në ditë
Të drejtën e mbledhjes së plehrave për Tiranën e kanë 6 kompani pastrimi, të cilat paguhen sipas kilometrave katrorë që pastrojnë. Kur ato shkojnë në Sharrë, mbledhësit nxitojnë të kërkojnë mes mbeturinave për llojin dhe cilësinë, që pas seleksionimit i shesin me kilogramë. Çdo ditë depozitohen në landfildin e Sharrës rreth 800 tonë mbeturina urbane.
“Plehra për ju, por janë bukë për ne”
“Mbeturinat e ndara shiten në 3-4 duar, para se të shkojnë në fabrikë”
Kur e pyet për çmimet në kilogramë të plehrave, i di mirë. Por kur e pyet për tabelën e mbledhjes dhe zbritjes, ngatërrohet që nga shuma apo diferenca njëzetë e poshtë. Njëzet e lart vetëm i numëron dhe i lexon, por nuk bën dot asnjë llogari. Megjithatë, në fund të ditës, të natës apo në çdo kohë nga biznesi 24 orësh i plehrave, Selim Yzeiri del me fitim. “I besoj peshores së hekurit ku vendos thasët për t’i matur, por edhe pronarit. Ai gjithnjë më jep lekët në rregull, për aq kile sa i dorëzoj. I llogarit në syrin tim me makinë llogaritëse dhe unë i numëroj në fund, sipas asaj që lexoj aty”, rrëfen Selimi, ndërsa shton se seleksionimi i plehrave është e vetmja mënyrë jetese për familjen e tij prej 9 anëtarësh. Sa i përket emrit të atij “pronarit me makinë llogaritëse”, ai nuk e identifikon, por vetëm sqaron që “edhe plehrat shkojnë në 3-4 duar tregtimi, para se të shkojnë në fabrikë”. Sipas tij, fillimisht janë “plehraxhinjtë” e Tiranës, të cilët kontrollojnë kazanët me mbeturina në qytet dhe i ndajnë sipas lëndës, që më pas i shesin me pakicë te disa individë. Këta të fundit kanë furgonë dhe i sjellin drejt Sharrës. Këtu ua shesin familjeve që merren me këtë biznes si shumicë, ose i çojnë direkt te disa pika grumbullimi këtu pranë, që janë shumicë edhe më e madhe. Çmimi vjen gjithnjë duke u rritur nga dora në dorë. “Në fund, me sa di unë, këto pika shumice i çojnë në fabrikat e ngritura për riciklim të mbeturinave, por unë nuk e di se ku janë”, tregon Selimi, ndërsa më pas na radhit listën e çmimeve në lekë (të vjetër) të mbeturinave më të kërkuara në treg. Letra kushton 30 lekë kilogrami, kavanozi i majonesit 70, shishja e birrës 200, hekuri 400, alumini 1500, bakri 3500… Këtu mbledhësi, seleksionuesi dhe shitësi i mbeturinave për riciklim ndalon pak dhe sikur të na ketë lexuar mendjen dhe pyetjen që kishim gati, na thotë: “Po kujton se nxjerrim miliona?! Ju duket sikur fitojmë shumë, por ne mezi përballojmë muajin dhe jetojmë në barake. Shumë mbase fitojnë ata që kanë pika shumice apo fabrikat e riciklimit, por sa na përket ne që i mbledhim me kile, janë vetëm ushqime për fëmijët dhe ilaçe për pleqtë. Plehrat që hidhni ju çdo ditë, janë bukë për ne. Më shumë nuk fitojmë, ja shihe ku jetoj, gjithë dërrasa, edhe krevatin e kam sajuar me rroba të mbledhura këtu”, thotë Selimi, ndërsa tregon shtëpinë e tij në anën perëndimore, vetëm pak metra larg Landfilit të Sharrës. Nëse mund të quhej shtëpi… Disa drunj të farkëtuar keq rrethonin 12 metra katrorë vend, një dhomë-shtëpi, pa dritare. Dera e hapur në të dy kanatet tregon qartë atë se çfarë kishte brenda, ose më saktë atë çfarë nuk kishte. “Çdo gjë që shikon është sajuar me pajisjet, rrobat dhe çdo gjë tjetër që kemi gjetur duke rrëmuar gjatë punës sonë të përditshme nëpër plehra”, sqaron ai, duke treguar sobën me 3 këmbë dhe këmbën e katërt me gurë, stola të lidhura me litarë apo perde të arnuara. Si “shtëpia” e Selimit janë me dhjetëra, ngjitur njëra me tjetrën, ndërsa rrobat e varura në tel dhe gardhet e improvizuar, tregojnë për shumë banorë. Nuk është nevoja t’i marrësh me mend, por vetëm të shohësh. Kudo fëmijë të veshur keq ose gjysmë të zhveshur në këto temperatura nëntori, të cilët nga njëra anë ndezin zjarrin për t’u ngrohur sadopak dhe nga ana tjetër janë kthyer në rojtarë të tij, për të mos i lënë flakët që t’u përpijnë baraket. Sa i përket energjisë elektrike, janë shumë, shumë, shumë kursimtarë. Nuk e përdorin fare, sepse nuk kanë! Ose, vetëm për ndonjë festë, teksa e marrin ilegalisht me tela nga dy shtylla aty pranë…
Çmimet me pakicë në Sharrë
Letra 3 lekë kg
Kavanozë qelqi majonesi 7 lekë copa
Kavanozë qelqi salce 8 lekë copa
Kavanozë të mëdhenj turshish 20 lekë copa
Shishe qelqi birre 20 lekë copa
Shishe qelqi vaj ulliri 30 lekë copa
Shishe qelqi vere 30 lekë copa
Kanaçe të pijeve freskuese 100 lekë kg
Bidonë plastikë 20 lekë kg
Hekuri 400 lekë kg
Alumini 150 lekë kg
Bakri 700 lekë kg
Bronzi 3500 lekë kg
“Kujtimet e mia, vetëm me mbeturina”
“Nuk e imagjinoj që ka një vend tjetër me më shumë plehra”
Fëmijë duke punuar në landfilin e Sharrës
Që nga lindja, 11-vjeçari Ronaldo nuk mban mend asnjë panoramë tjetër përveçse një “mali” me mbeturina, ku jeton ngjitur në një barake dhe varrezave pak më poshtë. Sharra është vendlindja e tij, fshati dhe qyteti i tij, e gjithë Shqipëria, e gjithë bota e tij. “Nuk jam larguar ndonjëherë nga shtëpia”, thotë Ronaldo, teksa ngre supet dhe fytyrës i jep një gjest habie, ashtu si edhe pyetja e tij: “Pse, ka më shumë plehra në ndonjë vend tjetër?”. Kërkon me patjetër përgjigjje dhe çdo vonese me sekonda i shton pyetje të tjera dhe shpjegime brenda tyre: “Se po pati, t’i them babit të shkojmë atje. Këtu jemi zënë me Kolin e Bales dhe ai nuk na lë te zona e tij. I ra dhe Nokes me grusht ballit, po u fut në mes Pilo dhe e kapi për fyti. Erdhi dhe Xhati i Qamiles. Kolit të Bales iu zu fryma, por e ndihmoi Qaniu, Nekiu, Emiljano… E kapën babin pastaj dhe e hodhën mu në mes të plehrave dhe i hodhën përsipër shishe birre”. Ronaldo vijon të përmend një mori emrash të tjerë, por pas secilit prej tyre, pas çdo veprimi, pas çdo rrethane, qëndron (krye)fjala “plehra”. Vizioni i tij nuk arrin dot të shkojë përtej tyre, ashtu si edhe hapat që bën. Kthehet në drejtim të mbeturinave të territorit të familjes së tij, aty ku anëtarët e tjerë e shohin vëngër për kohën e humbur gjatë bisedës me ne. Vëngër nisin të na shohin edhe ne, duke na kërkuar që të largohemi “nga zona” e tyre. Madje, njëri nga ata bën gati edhe një shishe qelqi për të na gjuajtur nga larg, por dikush nga familja ia merr nga dora dhe e fut në thes. “Mos ki frikë, se kushton shumë shishja nuk e thyejmë kotë”, thotë Ronaldo gjithë naivitet duke ikur, ndërsa na bëri të ndihemi të tepërt aty, të pafuqishëm për t’i ndihmuar e të kotë, më të kotë se sa shishja. Pra, kot më kotë…
Fëmijët e Sharrës, të sëmurë kronikë
Studimi i Forumit të Pavarur të Gruas Shqiptare na informon se të paktën 56 për qind e fëmijëve që punojnë në Sharrë për grumbullimin e plehrave të riciklueshme sëmuren vazhdimisht, pasi mbeturinat i kapin dhe i mbledhin me dorë, maksimumi përdorin ndonjë shkop. Pjesa më e madhe e atyre familjeve që jetojnë dhe punojnë në Sharrë nuk rezultojnë as të regjistruar në Gjendjen Civile, ndërsa kanë pohuar se mbledhja e mbeturinave është biznes familjar.
Gazrat nga mbeturinat në landfild, rrezik shpërthimi edhe nga cigaret
Nga larg duket si një plastmasë e zezë, tejet gjigante, që ka mbuluar mijëra metra katrorë tokë në kodrat e Sharrës, ndërsa kur e sheh nga afër, është vështirë të dallosh përbërjen e materialit. Gjithsesi, është tejet i fort, “gjarpëron” përmes një kanali të madh që krijohet në mes dy kodrave dhe anash ka të vendosura goma pa fund, në mënyrë që të mos lëvizë teksa mbi të hidhen mbeturina. Kjo është ajo që quhet landifild-i i Sharrës, ndërsa pak kilometra më tutje, si në miniaturë, dallohen fabrika të përpunimit apo riciklimit të mbeturinave. Duke iu rikthyer “plastmasës”, aty shihet edhe një sistem tubash, që nga informacionet që morëm, flitet se janë për shpërndarjen e gazrave që formohen nga hedhja e mbeturinave me tonelata të tëra gjatë ditës. Këto gazra duhet të jenë të rrezikshëm, derisa na paralajmëruan që të rrinim sa më larg tyre dhe për më tepër e më kryesorja, të mos ndiznim çakmakë, shkrepëse, cigare apo çdo lloj gjëje tjetër që shkakton shkëndijë zjarri. Arsyen jo vetëm që nuk na e thanë, por edhe na kërkuan që të largoheshim që aty, pasi ishim në “pronë private”. Por jo edhe aq private siç duket për dhjetëra persona, përfshirë pleq e fëmijë, që po punonin përreth për seleksionimin e mbeturinave. Informacionin na u desh ta merrnim në Tiranë pranë specialistëve të mjedisit, që na thanë se “ato gazra kanë në përbërje dioksinë, metan dhe lloje të ndryshme të benzenit, të cilat nuk duhet të provokohen nga flakët”.
ELISABETA ILNICA
Gazeta "Panorama" Nentor 7, 2011
No comments:
Post a Comment