Lindita Çela
Dokumentet e kohës së komunizmit të publikuara nga kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia për të shoqëruar shkarkimin e Ferdinand Shehut kanë nxjerrë në dritë disa “spiunë” të tjerë që mbahen në punë nga kryeministri Berisha. Shehu u largua nga posti i kreut të ALUIZNI-t për Tiranën me motivacionin se ishte rekrutuar nga Ministria e Brendshme në kohën e komunizmit dhe si i tillë nuk mund të punojë në administratën “Berisha”.
Por dokumenti zyrtar i Memisë përmbante edhe disa emra të tjerë djemsh të rinj të rekrutuar nga Ministria e Brendshme për të bërë kursin një vjeçar. Në total dokumenti përmban 13 emra. “Shekulli” është përpjekur të ndjekë se çfarë ka ndodhur më pas me këta persona dhe nga verifikimi rezulton se dy prej tyre kanë qenë deputetë dhe anëtarë të stafit të kryeministrit. Gjovalin Mark Prenga dhe Safet Hazir Sulaj kanë qenë deputetë të Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe sot punojnë me kryeministrin Berisha në godinën e Këshillit të Ministrave.
Asnjë vendim për shkarkimin e tyre nuk është lëshuar, pasi Shaban Memia zbuloi dokumentet e fshehura të arkivës së Ministrisë së Brendshme. Madje, ato vazhdojnë të jenë në detyrë dhe pa cenuar integritetin moral të partisë apo dhe të institucionit ku ata punojnë.
Dokumenti sekret i Ministrisë së Brendshme nuk është gjë tjetër veçse lista e pjesëmarrjes në një kurs 1-vjeçar në laboratorin kriminalistik. Në listën me 13 emra ndodhen edhe Prenga e Sulaj, të cilët janë thirrur për të qenë pjesë e këtij kursi kualifikimi në profilin e kriminalistikës si kuadro të Ministrisë së Brendshme. “Gjovalin Mark Prenga, propozuar nga DRP-Rrëshen, me arsim të lartë, fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Kimi, me punë në kabinetin e kimisë së rrethit Mirditë. Safet Hazir Sulaj, propozuar nga DRP-Kukës, me arsim të lartë, fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë, me punë pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër”, – thuhet në shkresën sekrete të Ministrisë së Brendshme.
Por vite më vonë, të dy deputetët e kësaj force politike nuk kanë shënuar në CV e tyre bashkëpunimin në strukturat e Ministrisë së Brendshme, fakt ky për të cilin Fredinand Shehu u shkarkua nga detyra. E ndërsa Safet Sulaj ka qenë deputet i Partisë Demokratike deri në vitin 2009, Gjovalin Prenga vazhdon aktualisht i qetë detyrën në kabinetin e kryeministrit Berisha.
Referuar faqes online të kryeministrisë, thuhet se Gjovalin Prenga, ish-deputet, tashmë është drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri. Ndërkohë, i vetmi që ka reaguar për zbulimin e dokumenteve të kreut të ALUIZNI-t, Shaban Memia ka qenë sekretari organizatori i Partisë Demokratike, Flamur Noka, sipas të cilit ALUIZNI nuk ka për detyrë të bëjë verifikimin e pastërtisë së figurave të funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar.
PRENGA, Gjovalin Mark
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, Fakulteti Biologji-Kimi – 1986.
Specializuar në UT, Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
Veprimtaria profesionale:
1986-1989: mësues në Shkollën e Mesme të Bashkuar, Reps.
1989-1992: specialist në Kabinetin Pedagogjik, Rrëshen.
1992-1996: ekspert kriminalist në Komisariatin e Policisë, Rrëshen.
1996-2003: Kryetar i Bashkisë, Rubik.
2003-2005: Partner Lokal i Urban Institute, USAID.
Veprimtaria politike: 2005: deputet i PD-së.
1996-2003: Kryetar i Bashkisë, Rubik (kandiduar nga PD).
2003-2005: kryetar i Degës së PD-së, Mirditë.
Komisioni Hetimor “Për hetimin e procedurave të tenderimit të rrugës Durrës-Morinë”, anëtar.
Zgjedhur në: Legjislatura: XVII
Zona zgjedhore: 15 – Mirditë
Qarku: Lezhë
SULA, Safet Hazir
Datëlindja: 10.12.1961
Vendlindja: Kukës
Edukimi: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Fizikë Speciale.
Veprimtaria profesionale: 1987-1992: pedagog në Universitetin e Shkodrës.
2003-2005: kërkues shkencor në IHM pranë Akademisë së Shkencave.
Veprimtaria politike:
2005: deputet i PD-së.
1996-2000: kryetar i Bashkisë së Kukësit.
Komisioni Hetimor “Për hetimin e objektit dhe procedurave të kontratës së privatizimit të Albtelekomit për periudhën 2001 e në vijim”, anëtar.
Zgjedhur në:
Legjislatura: XVII
Zona zgjedhore: 43
Qarku: Tiranë
Spiunët e “sigurimit të politikës”
Tema e “antikomunizmit” është një nga çështjet e preferuara të Partisë Demokratike, bashkë me atë të atntikorrupsionit. Ndër vite zyrtarët e PD kanë alternuar këto tema sa herë që nevojitej gjuetia e shtrigave për të larguar njerëz nga puna, ose për të shuar luftën politike. Nëse antikorrupsioni kishte dështuar, shfaqej antikomunizmi e kështu me radhë.
Përpara zgjedhjeve të 26 majit 1996 u fol për herë të parë pastërtinë e figurës së politikanëve dhe drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar. Në mars të këtij viti, kandidatët për deputetë duhet të kontrollonin pastërtinë e figurës së tyre në një komision që u quajt Komisioni i Kontrollit të Figurave dhe që drejtohej nga Hajri Mezini. Ky ishte një komision që u ngrit me nismën e mazhorancës së atëhershme, e cila është edhe mazhoranca e sotme, nëpërmjet një ligji të veçantë që u miratua që në vitin 1995. Përpara zgjedhjeve të 26 majit, ky komision la jashtë garës për zgjedhjet parlamentare të 26 majit një sërë kandidatësh për deputetë, për të cilët u verifikuan “njolla” në të kaluarën si “spiunë” apo “bashkëpunëtorë të komunizmit”.
Kështu sipas fakteve të asaj kohe, pas gati një muaj pune, ky komision eliminoi nga lista e kandidatëve të PS-së për garën elektorale 35 nga 268 prej tyre. Në atë periudhë, menjëherë pas vendimit të komisionit “Mezini”, kryesia e PS-së e cilësoi “vendim arbitrar”. Ky ishte rasti i parë dhe i fundit ku në këtë vend funksionoi ligji i pastërtisë së figurave. Pas kësaj çështja e bashkëpunëtorëve të sigurimit ka shërbyer për të ngjallur debate të ashpra mes politikanëve, me qëllim të vetëm për të mbyllur problemet më delikate të politikës aktuale. Kështu mes këtyre debatesh që prej 20 vjetësh kanë “helmuar” politikën shqiptare nga “mbetjet” së kaluarës komuniste jo rrallë herë janë përmendur pseudonime për të treguar se ish-sigurimi i shtetit vazhdon të ketë “bashkëpunëtorët” e tij në politikë. Ndër vite gjithkush ka dëgjuar personazhe të politikës së thërritur nëpër debate etshme parlamentare me nofkën si: “Dizejnatorja”, “Financieri”, “I vogli”, “Alfons Ballsha”, “Murrizi”, “Proletari”, “Gjeli” dhe “Plepi”, “Qukapiku”, “Cigarja” etj. Mjafton për të rikujtuar këtë listë e kupton që “VIP”-at e politikës së djeshme dhe të sotme, që janë peng i të kaluarës së tyre me “njollë”, që grushtet sa herë që lufta për pushtet bëhet më e ethshme.
Pseudonimet e politikanëve
Dizejnatorja
Financieri
I vogli
Alfons Ballsha
Murrizi
Proletari
Gjeli
Plepi
Shishja e Qumështit
Intelektuali
Qukapiku
Në prag të zgjedhjeve 2009 Berisha i është rikthyer temës së komunizmit dhe ligjit të lustracionit. Kjo gjë i ka bërë përshtypje edhe Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila i raporton Uashingtonit një material me titullin “Duke ringjallur gogolin komunist”. Ambasada e Tiranës analizon se fushata kundër komunizmit po përdoret nga Berisha për të zëvendësuar fushatën kundër korrupsionit, e cila ka
dështuar. “Në një kohë kur dy anëtarë të qeverisë së tij janë nën hetim për korrupsion dhe qyteti është plotë me fjalë për pazaret e dy fëmijëve të tij, antikorrupsioni ka humbur shumë nga shkëlqimi që ka pasur”,- komenton ambasada. Sipas saj, Berisha manipulon dhe përdor politikisht të përndjekurit. Më poshtë teksti i plotë i kabllogramit të publikuar në Ëikileaks:
Ambasada USA: Kur e përdor ish-sekretari Berisha kartën e antikomunizmit
Në një kabllogram që mban datën nëntë janar 2009, Ambasada Amerikane në Tiranë i raportin Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me situatën në Shqipëri duke u fokusuar tek fushata antikomunizëm e kryeministrit Berisha. Madje ambasada parashikoi që kjo do të ishte “guri më i fortë” i Berishën në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Por, përveç kësaj, ambasada ka parashikuar se Berisha do e përdorë këtë fushatë për të larguar nga puna njerëzit që nuk i pëlqejnë. Më poshtë kabllogrami i plotë.
“Kryeministri Berisha njoftoi në 7 janar një projektligj për ngritjen e një instituti antikomunist, i cili do të studiojë krimet e komunizmit dhe do të edukojë brezat e rinj mbi të këqijat e atij sistemi. Ai gjithashtu njoftoi ngritjen e një obelisku masiv në nder të viktimave të komunizmit, si dhe hapjen e një muzeu për të dokumentuar krimet e asaj periudhe. Javën e kaluar qeveria vendosi të japë një shumë prej 20 milionë dollarësh për ish të përndjekurit politikë si kompensim për periudhën që ata kanë kaluar në burg gjatë regjimit komunist. Këto masa vijnë pas miratimit të ligjit të diskutueshëm të lustracionit.
Fushata e fundit antikomuniste po zë dalë nga pozitat e tij në pushtet. Kjo është hera e dytë në vitet e fundit në Shqipëri që zoti Berisha po i bën ndjenjat antikomuniste si pjesë e fushatës së tij parazgjedhore. Në vitin 1995, rreth pesë vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Berisha miratoi ligjin e parë të lustracionit dhe sajoi ato që ai i quajti gjyqet për gjenocidin, me të cilat dënoi një numër ish anëtarët të byrosë komuniste dhe zyrtarë të tjerë të regjimit me vdekje ose burgime të gjata.
Këto gjyqe të padrejta (anglisht: kangaroo trials sh.r) ishin inskenuar keq dhe nuk sollën ndonjë provë konkrete kundër atyre që akuzoheshin. Ato kishin mangësi në punën hetimore. Gjykata e lartë rrëzoi pjesën më të madhe të këtyre vendimeve dhe të dënuarit u kompensuan për kohën e kaluar në burg. Ajo që perceptohet gjerësisht vetëm si një manovër politike, manipuloi me sukses shtresën politike të të përndjekurve dhe i dha Berishës një vegël për të eliminuar një numër kundërshtarësh politikë.
Në shtesë të kësaj, propaganda e qeverisë, e mbështetur edhe nga mungesa e shtypit të lirë, e ka vendosur Partinë Socialiste, si trashëgimtarin të bazës komuniste, në një pozicion të dobët. Sipas komentuesve, ka tre arsye përse kryeministri po i rikthehet antikomunizmin për herë të dytë në 18 vjet. Prezantimi i një fushate të tillë ndihmon kryeministrin të arrijë qëllimin e vërtetë të ligjit për lustracionin, eliminimin e prokurorëve dhe gjykatësve që po hetojnë skandalet e korrupsionit. Propaganda antikomuniste do të ndihmojë Berishën të mbushë vakuumin e krijuar nga diskreditimi i strategjisë antikorrupsion.
Në një kohë kur dy anëtarë të qeverisë së tij janë nën hetim për korrupsion dhe qyteti është plotë me fjalë për pazaret e dy fëmijëve të tij, antikorrupsioni ka humbur shumë nga shkëlqimi që ka pasur. Kjo iniciativë do të ndihmojë Berishën të forcojë mbështetjen e tij mes shtresës politike të të përndjekurve, të cilët kanë qenë gjithmonë një bazë e fortë për të. Nga ana tjetër, me këtë gjë Berisha do të marrë disa vota nga rivali i tij potencial, Presidenti Topi, i cili i konsideron ish viktimat e komunizmit mes mbështetësve të tij”.
No comments:
Post a Comment