Total Pageviews

Wednesday, October 5, 2011

Ikën kreu i ALUIZNI-t, hetues ne diktature, manipuloi jetëshkrimin

Valentina Madani

Implikimi me sistemin komunist dhe fshehja e gjatë që i ka bërë punës në kohën e diktaturës si hetues në hetuesinë e rrethit të Vlorës, i ka kushtuar vendin e punës. Drejtori i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Ndërtimeve Informale për Tiranën (ALUIZNI), z Ferdinand Shehu është shkarkuar dje nga ky post. ‘Gazeta Shqiptare’ zbardh dokumentet që vërte-tojnë eksperiencën e tij 4 vjeçare si hetues në hetuesin e Vlorës, deri në vitin 1998, periudhën një vjeçare të kryerjes së kursit pranë hetuesisë së përgjithshme, detyrën si efektiv në Ministrinë e rendit Publik në profilin e kriminalistikës deri në vitin 1992 si dhe vendimin për shtesë page për vjetërsinë në punë përmes letrës së zëvendëskryetarit të hetuesisë së përgjithshme Flamur Cato drejtuar hetuesisë së Vlorës ku Ferdinand Shehu ushtronte detyrën e hetuesit. Rroga e tij për dy vitet e para të punës nga hetuesia e përgjithshme është konsideruar si minimale, ajo prej 680 mijë lekë ndaj vendimi i çonte atij pagën në 700 lekë, pagë maksimale e kategorisë së tretë të hetuesisë. Dokumenti që mban firmën e kryetarit të hetuesisë së përgjithshme Qemal Lame tregon qartë emërimin që i është bërë inxhinierit mekanik Ferdinand Shehu në detyrën e hetuesit të hetuesisë së Vlorës edhe ky kuadër i ri të cilit i akordohet një pagë mujore prej 680 lekë. Pikërisht ky implikim dhe mashtrim që ai ka bërë përgjatë gjithë këtyre viteve në një kohë që ushtronte detyrën e kreut të drejtorisë së legalizimeve të Tiranës, ka detyruar drejtorin e përgjithshëm të legalizimeve z.Shaban Memian që të marrë vendimin e shkarkimit të detyrës së tij. Përfaqësuesja e ALUIZNI-t Shpresa Muha njoftoi dje se shkarkimi erdhi si pasojë e mungesës së integritetit moral për faktin se z.Shehu ka fshehur punën e tij si ish hetues në Gjykatën e Vlorës gjatë kohës së diktaturës. Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Shaban Memia me motivacionin për mungesë integritetit personal. Sipas vendimit të shkarkimit të Shehut bëhet e ditur se ky i fundit ka shkelur performancën e detyrimeve ligjore duke mashtruar dhe manipuluar. Sipas këtij vendimi Ferdinand Shehu nuk ka deklaruar 4 vjet punë në hetuesinë e qytetit të Vlorës dhe punën si efektiv në Ministrinë e Rendit Publik. “Rasti i drejtorit të ALUIZNI-t për qarkun e Tiranës dëshmon se si mungesa e integritetit personal ka cënuar performancën në zbatimin e detyrimeve ligjore. Ç’është më e rëndësishmja ajo tregon se si një funksionar publik ka mashtruar në mënyrë zyrtare organet, përmes manipulimeve në jetëshkrim duke lënë jashtë tij një eksperiencë pune 4-vjeçare si hetues, në hetuesinë e rrethit të Vlorës. Mungon në këtë jetëshkrim edhe detyra si efektiv në Ministrinë e Rendit Publik. Vendosa, për shkaqet e mësipërme, lirimin e menjëhershëm nga detyra të zotit Ferdinand Shehu si drejtor i ALUIZNI-t për qarkun e Tiranës”, - tha Shpresa Muha, juriste e ALUIZNI-t. Ferdinand Shehu ka ardhur në këtë post edhe pas një shkarkimi që i është bërë në vitin 2010 po nga posti i drejtorit të ALUIZN për Tiranën. Shkarkimi në atë kohë kishte si motivacion, punë e dobët në procesin e legalizimeve për Tiranën. Por, përveç kësaj detyre në administratën e djathtë në një prej drejtorive kyçe të saj, si ajo e legalizimeve, Ferdinand Shehu është pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike. Prej vitesh ai drejton nëndegën e demokratëve në njësinë nr.5 në Tiranë, zonë në të cilën banon z.Shehu. Pas vendimit të djeshëm për shkarkimin nga detyra e kreut të legalizimeve të Tiranës, z.Shehu nëse nuk dorëhiqet, pritet të shkarkohet edhe nga angazhimi në strukturat e partisë në pushtet, konkretisht Partisë Demokratike.

Lustracioni, ende i pamiratuar në Kuvend
Përmes një ligji të veçantë të kohës së qeverisjes së parë demokratike ’92-‘97, u bë i mundur spastrimi i administratës shtetërore nga ish sigurimsat e shtetit. Por me ardhjen për herë të dytë në pushtet në vitin 2005, demokratët hartuan ligjin e lustracionit si detyrim nga Këshilli i Evropës për largimin nga politika dhe postet shtetërore të njerëzve që kishin pasur lidhje të drejtpërdrejta me diktaturën. Por një ligj i tillë ngjalli debate të shumta mes pozitës dhe opozitës dhe në kushte të tilla, maxhoranca e djathtë u detyra ta tërhiqte duke mbetur edhe sot pa miratimin e tij në Kuvend pasi Brukseli kërkonte që ai të ishte konsensual.

No comments:

Post a Comment