Total Pageviews
Tuesday, October 4, 2011
A qëndron justifikimi zyrtar për ligjin e plehrave?
Ligji për plehrat, pas miratimit në Parlament, pritet të dekretohet ose jo nga Presidenti në datën 8 tetor. Justifikimi zyrtar për kalimin e ligjit për sjelljen e plehrave nga jashtë është “nevoja për plehra-lëndë e parë e bizneseve që merren me riciklim”. Nga ky vëzhgim që po botojmë sot (e gjeni te plote poshte ketij komenti) del se ky motiv është i rremë, dhe me shumë gjasa, është thjesht koperturë për qëllime të tjera. Pse?
- E para, ata që riciklojnë plehrat shqiptare janë deri në fyt me “lëndë të parë shqiptare” nga një mekanizëm i vetëndërtuar që nis nga mbledhësit e plehrave e deri tek grumbulluesit dhe ricikluesit. Madje jo vetëm kaq, por mbi 40 përqind e mbetjeve që groposen në fushën e Sharrës janë të riciklueshme, ama vetëm 20 përqind e tyre arrijnë të riciklohen dhe 80 përqind e lëndës së parë të riciklueshme vetëm në Tiranë, ne e groposim. Me fare pak sforco, shteti “shqiptar” nëse do ishte vërtet i interesuar për “inestitorët shqiptarë të riciklimit” mund të shmangte groposjen e këtij 80% dhe t’u plotësonte atyre “kërkesat” nëse ka vërtet të tilla.
- E dyta, bizneset tona të riciklimit, nuk janë investime që përballojnë të gjitha fazat e riciklimit. Ato kryejnë njërën pjesë të procesit dhe pjesa tjetër e punës, bëhet në Kinë, Greqi etj. Por edhe sikur të ishin plotësisht të afta për procesin, si është e mundur që një vend si Italia (që bashkë me Gjermaninë dhe Zvicrën) ka industrinë e riciklimit më të sofistikuar në Europë të preferojë fabrikat shqiptare dhe jo ato të vetat?!
Atëherë lind pyetja: Nëse ne kemi vetë rezerva të mëdha ende të pashfrytëzuara për riciklim dhe nëse ricikluesit tanë ende nuk kryejnë të gjithë procesin e plotë, pse këmbëngulet kaq shumë dhe çfarë duan plehrat e Italisë dhe ato të vendeve të tjera të Europës në Shqipëri? Këtë e dinë më mirë plehrat me dy këmbë. Kurse ne dimë pasojat. E nisim nga më e vogla:
- E para, plehrat e huaja do vijnë këtu dhe do depozitohen. (Ligji i ri lejon depozitimin, gjë që më parë ndalohej). Male të tëra plehrash do krijohen gjoja “në pritje të riciklimit”. Jo më kot, Italia ka hartuar një studim të habitshëm për vendet dhe qytetet ku mund të ngrihen vend-grumbullime plehrash në Shqipëri. Të mos harrojmë që ajo është nën penalitete të forta nga BE për situatën e plehrave; pikat e mëdha të grumbullimit kanë mbyllur afatet e lejuara; asnjë qytet italian nuk pranon më të ngrejë pika të tilla afër.
- E dyta, dhe më e rënda, hapja ligjore e rrugës për hyrje masive plehrash, cilido qoftë justifikimi për to dhe sido që të quhen nga “ligjvënësit” idiotë e të shitur të Shqipërisë, krijon kushte për futjen në lojë të trafikantëve të mbetjeve të rrezikshme. A ka ndonjë që beson realisht se në doganat shqiptare mund të ketë seriozitet dhe efiçensë në kontrollin e plehrave? Shqipëria është një vend ideal për këta trafikantë. Kosto të ulta transporti, korrupsion i lartë, politikanë pa atdhe. Roberto Saviano, një njohës i jashtëzakonshëm i mafias na paralajmëron: “Çdo minierё e braktisur do tju shndёrrohet nё njё vendshkarkimi mbeturinash, cdo fabrikё e braktisur do tju shndёrrohet nё njё magazinё plehrash. Italia po sheh, (dhe jo vetёm Italia mafioze), po sheh nё territorin shqiptar njё mundesi pёr mbeturinat. Sa mё shumё dёshirё do kete pёr tё bёrё kete nga ana e shqiptarёve, aq mё eksponencial ёshtё rreziku gjeografik, biologjik, natyror pёr Shqipёrinё. Pas pesё vjetёsh ne do tё takohemi pёrsёri dhe do tё themi se si vallё periferitё e qyteteve shqiptare, fshatrat shqiptare janё plot me mbeturina toksike, mbeturina italiane, mbeturina ballkanike. Pra, bёni shumё kujdes! Bёni kujdes me kёtё qё po ndodh!..”.
Po kujt i flet? Kush dëgjon më në këtë vend? Shpresojmë të dëgjoj së paku Presidenti në 8 tetor!
Ferr-parajsa e Sharrës
Kristi Pinderi & Entela Resuli
Në orën 23:30 minuta, në një rrugë pranë Fakultetit Juridik në Tiranë, Eraldi, një i ri rom 24 vjeç ndalon biçikletën e vet dhe nis të grumbullojë kanoçet në kazan. “Punoj çdo mbrëmje 4 orë apo maksimumi 6 orë”, – pohon ai. Këtë punë e ka nisur që kur ishte 9 vjeç, pra 15 vjet më parë. Klasën e tretë mezi arriti ta merrte atë vit, por më pas nuk e preku më asnjëherë pragun e derës së shkollës.
Sipas një studimi të Forumit të Pavarur të Gruas Shqiptare, mbi situatën njerëzore dhe sociale në landfildin e Sharrës, rezulton se të paktën 56 për qind e fëmijëve që punojnë në Sharrë për grumbullimin e plehrave të riciklueshme sëmuren në mënyrë të vazhdueshme, pasi mbeturinat i kapin dhe i mbledhin me dorë, ose në raste të veçanta mund të përdorin ndonjë shkop. Pjesa më e madhe e atyre familjeve që jetojnë dhe punojnë në Sharrë nuk rezultojnë as të regjistruar në Gjendjen Civile. Mbi 90 për qind e fëmijëve të pyetur në këtë sondazh të kësaj organizate pohojnë se kanë të paktën edhe nga një person tjetër në familje që merret gjithashtu me këtë punën e plehrave, gjë që konfirmon faktin se ky është shndërruar në një biznes familjar për këtë komunitet. Një inxhinier i mjedisit në Sharrë na pohoi se duhet të ketë të paktën 200 persona të ndryshëm që punojnë çdo ditë në Sharrë, që do të thotë se duhet të kemi të paktën mbi 100 apo mbi 120 familje që merren me këtë punë.
Eraldi, bisedon me ne për punën që bën, ngaqë beson se ne interesohemi për të hapur një pikë grumbullimi për aluminin (në këtë shkrim ne po përdorim emër të rreme, për të ruajtur konfidencialitetin). “Bëj 10-15 mijë lekë të vjetra çdo mbrëmje”, – thotë ai.
Alumini, pra kanoçet e pafundme të pijeve që ne konsumojmë çdo ditë, janë dhe më të shtrenjtat për këdo që merret sot me riciklimin e tyre. Aldo, 28 vjeç, një tjetër i ri që punon çdo natë duke grumbulluar kanoçe së bashku me të vëllanë, tregon se çmimi për çdo kilogram alumin varion nga 90 deri në 110 lekë (të reja). “Duhet të kesh sa më shumë material për ta shitur, pasi çmimi është dhe më i lartë në rastet kur çon më shumë peshë”, – pohon Aldo.
Në të vërtetë ka dhjetëra e dhjetëra pika grumbullimi të dorës së parë në kryeqytet. Funksionon në këtë mënyrë: Pika e parë e grumbullimit, nëse nuk ka një fabrikë të mirëfilltë riciklimi, e shet te një pikë e dytë, me çmim më të lartë, kjo e dyta te një e tretë, me një çmim edhe më të lartë derisa çmimi i hekurit, gizës, aluminit, i metalit në përgjithësi, i plastikës, i letrës, i qelqit etj., arrin çmimin real të tregut.
Brenda fushës së tmerrit, të punosh mbi një bombë
Ta shikosh landfildin e Sharrës është një përvojë që nuk të shqitet lehtë nga kujtesa. Ta vizitosh atë, është një përvojë që të shokon! Është e tmerrshme të shikosh gra shtatzëna që punojnë atje, fëmijë, pleq, burra të dobët e të sëmurë që mezi mbahen në këmbë! Është si një skenë e papërshkrueshme filmi, ku një njeri i zakonshëm shikon brenda pak sekondave një skemë të mirëfilltë skllavërimi në kohë moderne, një fotografi gri që të pengon më vonë të shikosh ngjyrat e kryeqytetit që ndodhet aty, disa qindra metra larg e që nuk e ka as më të voglën ide se çfarë ndodh në periferi.
Para se ta shihnim vetë këta na e pohuan aktivistë të ndryshëm të shoqërisë civile që janë marrë me këtë segment. Diçka tjetër sërish e habitshme është që pothuajse të gjithë njerëzit e tjerë me të cilët biseduam para se të shkonim vetë në fushën e Sharrës, refuzuan të tregonin identitetin e tyre.
“Hajde shkojmë tani të kuptojmë se çfarë po ndodh”, – i them njërit prej tyre një mbrëmje në Tiranë. “Je në vete ti? E kupton se çfarë po thua, apo jo? Unë hyra me gjithë ato rekomandime atje dhe sërish më ndoqën me një makinë të madhe me xhama të zinj, pasi dola, derisa mbërrita në shtëpi!”
Sapo del nga makina e parkuar në landfildin e Sharrës, duhet të vesh duart në hundë, për shkak të duhmës së keqe që të pushton menjëherë. I pari që takojmë në fushën e plehrave në Sharrë është një 26 vjeçar nga Kamza, i cili ka filluar të punojë te plehrat në Sharrë 2 vjet më parë e vazhdon të bëjë të njëjtën gjë edhe sot. Mes gishtave mban ndezur një cigare. “Kam dy djem, të madhin 1 vjeç e gjysmë, të voglin 2 muajsh”.
Ai nuk është i vetmi në atë fushë ku sheh qindra njerëz që turren përpara maunës sapo ajo bën derdhjen e plehrave. Era e tyre të mbyt, por për ata që punojnë aty ky nuk është problem, pasi janë mësuar. Disa turren me një shkop me gjilpërë në majë, që u mundëson të tërheqin materialin që kërkojnë, lehtësisht nga grumbulli masiv.
Kamionë, ekskavatorë, çapitje të “kërkuesve” në kërkim të plehrave të riciklueshme, kjo është panorama e zakonshme atje që fillon nga ora 4 e mëngjesit, deri në orën 2 të mbrëmjes pasardhëse.
Momenti më i rëndësishëm është kur shkarkohet kamioni me plehra që vjen nga Tirana. Të gjithë janë rreth e rrotull tij, gati sa nuk mbulohen nga plehrat në momentin kur kamioni i shkarkon ato. Janë aq të shpejtë sa i shpëtojnë edhe ndonjë derdhjeje të menjëhershme të mbeturinave. Ashtu si në çdo vend punë edhe të punosh aty ka xhelozi se kush grumbullon më shumë…
Pasi kamioni shkarkohet, kolektorët (mbledhësit) fillojnë të mbledhin materialet që u nevojiten ( Kartonë, plastikë, shishe plastike, material metalike si shufra alumini, bakri, çeliku etj). Këto materiale, pasi i grumbullojnë i shesin tek ndërmjetësit e firmave ricikluese. Këta të fundit janë stacionuar atje, m’u në mes të landfildit ku kanë vendosur peshore, të cilat peshojnë thasët me plehrat, të ndara tashmë në thasë të veçantë.
Dita e punës e një punëtori shkon te 40 mijë lek të vjetra. Shumë prej tyre kanë edhe dy pjesëtarë të tjerë apo më shumë nga familja e kësisoj të ardhurat familjare arrijnë edhe 120 mijë lekë në ditë apo më shumë, e duket se përpos lodhjes ata shkojnë të kënaqur në shtëpi, ndonëse gjithmonë tentojnë të tregojnë më pak të ardhura se sa realisht fitojnë. “Për një gjë jam i vetëdijshëm”, – shprehet punëtori 26-vjeçar nga Kamza, “që nëse unë e vazhdoj gjatë këtë punë, kur të shkoj 40 vjeç me siguri që do të kem vdekur”. Të sëmurë atje ka plot. Vuajnë nga infeksione për shkak të çarjeve të shumta ngaqë shumica punon pa masa mbrojtëse. Ka nga ata që u bie të fiket në mes të plehrave, por “shyqyr nuk ka vdekur ende njeri”, – siç na thonë!
Një pjesë e fushës është e izoluar me një plastmasë dhe mbi të është i vendosur një sistem tubash që sigurojnë përcjelljen e gazrave që formohen nga depozitimi i mbeturinave në një gropë të tillë. Në fundoren e vet ai lloj gazi është shpërthyes. Në momentin e punës aty nuk lejohet të ndizet cigare apo të mbash me vete shkrepse, pasi rreziku është i madh. Ajo shpërthen. Sipas specialistëve që gjendeshin në Sharrë në ato momente, praktikisht njerëzit aty punojnë mbi një bombë gjigante! Çdo ditë fuqia e kësaj bombe rritet edhe më shumë. Aty punojnë rom dhe komunitete të tjera.
Si u “pushtua” Sharra…
Kur dielli perëndoi më 1 maj të vitit 2010, në landfildin e Sharrës u dëmtua rëndë rrethimi që pengonte hyrjen e njerëzve të paautorizuar. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në qendër të Tiranës, 22 deputetë të Partisë Socialiste kishin nisur një grevë urie të paprecedentë dhe Policia Bashkiake, që deri në atë moment e kishte mbajtur mjaftueshëm larg Sharrës komunitetin e romëve apo të të tjerëve, nuk u ndodh atje. Prej asaj dite një konglomerat i pakontrolluar interesash të gjithfarësoj, biznesesh kryesisht, por edhe komunitetesh të paintegruara në shoqëri e tejet të varfra, kanë zaptuar tashmë të gjithë territorin e landfildit dhe e kanë shndërruar atë në një burim të ardhurash. Dhe jo pak…
Në vitin 2008, përmes një projekti të “Cooperazione Italiana” Tirana dhe rrethinat u pajisën me një landfild të tillë. Shumë interesant duket fakti që pas çdo projekti për menaxhimin e plehrave në Shqipëri qëndron Italia. Vendgrumbullimi i mëparshëm i Sharrës që ndodhet sot po aty, u mbulua. Ngjitur me të u ndërtua gropa e re e landfildit, u pajis kompleksi me mjete të nevojshme logjistike, u botua informacion e u konsumuan qindra orë trajnimi derisa gjithçka ishte gati. Kushtoi mbi 6 milionë euro dhe u parashikua që jetëgjatësia e atij landfildi do të ishte, rreth 4 vjet. Mirëpo sot, ngaqë mbi 80 për qind e materialeve ricikluese humbasin në gropë pa u pikasur dhe për rrjedhojë, pa u ricikluar, gropa mbushet më shpejt (nëse do të guxonim ta shpjegonim kaq thjesht). Kush lobon që kjo mënyrë joefikase të vazhdojë? Mos vallë të njëjtët që thonë që “plehrat shqiptare” nuk bëjnë ndaj do të sjellim “plehra të mira” nga jashtë?
Landfildi i Sharrës
“Landfildi i Sharrës ka kushtuar mbi 6 milion euro, një fakt ky që dihet tashmë, por nëse mbeturinat do të seleksionoheshin që në fillim, pa u futur në fushë, përfitimet do të ishin të pafundme për të gjitha palët”, – sqaron Xhemal Mato, ambientalist.
“Çdo kontenier mbeturinash, në një vend normal që kërkon të mbrojë mjedisin por edhe të fitojë të ardhura mbi bazën e rregullave të shtetit dhe të ekonomisë së tregut, do ta konsideronte jo si një grumbullim plehrash, por si një arkë monedhash!” – thotë më tej z. Mato, sipas të cilit, të gjithë ata pjesëtarë të komunitetit rom apo dhe të tjerë që ne shikojmë çdo ditë në rrugët e Tiranës me biçikleta duke pastruar kazanët, janë ndoshta personat më ekologjikë në këtë vend: përdorin biçikletat, pastrojnë atë që në fakt mund të kishim filluar që në shtëpi ta pastronim duke seleksionuar plehrat, pra mjedisin. Dhe në fund, fitojnë jo pak!
I ndan ti në shtëpi plehrat, në mënyrën selektive që ndjek sot gjithë Bashkimi Europian, pyes një inxhinier të mjedisit. “Pse ta bëj atë? Ku do të përfundojnë ato plehra? A nuk do të përfundojnë që të gjitha, të pandara në Sharrë?!” – përgjigjet duke më bërë të ndihem totalisht naiv për atë pyetje…
Landfildi i Sharrës, ndonëse ishte parashikuar të funksiononte për 4 vjet, duket se do ta kemi funksional për plot 7 vjet, pra edhe për ca kohë, ngaqë do zgjerohet gropa, e cila, për fat të keq, në çdo moment rrezikon të shpërthejë vatra zjarri ngaqë gazrat më përbërje metani që mbeturinat krijojnë ndizen me çakmak nga vetë 200 e kusur shqiptarët që netëve bëjnë dritë për të kërkuar kanoçe, karton, qelq e çdo material tjetër të riciklueshëm atje!
“Do paguajmë prapë 6 milion euro për një landfild tjetër?”, pyesim specialistin e rradhës që refuzon të identifikohet… “Përmes taksës së gjelbërimit që kushton afërsisht 40 mijë lek për çdo familje – pra diku te 4 milion po të pretendojmë se do e paguajnë 100 mijë familje në Tiranë, – pushteti vendor do të kishte mjaftueshëm të ardhura për të paguar një mënyrë menaxhimi ekologjike, ekonomike dhe të shëndetshme të plehrave”, – përgjigjet një ambientalist…
Por ky sugjerim që ai përmend, që në fakt është një rrugëzgjidhje e shëndetshme edhe mjedisore, edhe ekonomike, do të thotë që kushdo që ka fituar deri më sot të fitojë më pak! Ose, të humbasë. Sqarimi është i thjeshtë: nëse plehrat dhe mbeturinat menaxhohen me pak kosto në mënyrë të tillë që ato të seleksionohen e të diferencohen që në fillim, do të thotë se sasia e plehrave që grumbullohen në Sharrë do jetë shumë më e vogël, pasi materiali i riciklueshëm është hequr para se kamionët ta shkarkojnë në landfild!
Pyetja që ne shtrojmë është: kush fiton nga ky kaos aktual e që nuk ka interes që Shqipëria të ketë një menaxhim edhe ekonomik, edhe fitimprurës edhe ekologjik të plehrave?
Përsërisim pyetje-përgjigjen e pjesës më sipër: Mos vallë të njëjtët që thonë që “plehrat shqiptare” nuk bëjnë ndaj do sjellim “plehra të mira” nga jashtë?
Shifrat
Rreth 1 milion banorë të Tiranës dhe rrethinave të saj prodhojnë të paktën 700-800 mijë tonë mbeturina urbane çdo 24 orë. Ato shkarkohen në Landfildin e Sharrës, falë tenderit që kanë fituar 6 kompani pastrimi në kryeqytet që paguhen, hë për hë, të paktën deri në fund të këtij viti, mbi bazën e kilometrave katrorë që kanë marrë përsipër të pastrojnë, e jo mbi bazën e peshës së mbeturinave që përcjellin në Sharrë.
Nga këto 800 mijë tonë mbeturina, të paktën 40 për qind e tyre janë të riciklueshme! Megjithatë, ngaqë nuk ka një politikë të qartë dhe një rregull të përcaktuar, por një kaos dhe errësirë transparence, vetëm 20 për qind e këtyre mbetjeve urbane riciklohen nga landfildi i Sharrës.
Por edhe me kaq pak shfrytëzim të këtij landfildi, sërish Shqipëria arrin të furnizojë me lëndë të parë industrinë ricikluese në vend, prej të paktën 15 vitesh. Aktualisht ka të paktën 25 kompani të regjistruara vetëm në rrethinat e Tiranës që paguajnë taksa dhe punojnë me kapacitet të plotë në fushën e riciklimit, ndërsa informacionet në terren tregojnë se ka dhe dhjetëra e dhjetëra biznese të tjera të vogla dhe të mesme që merren me grumbullimin dhe shitjen e lëndëve ricikluese. Numri i saktë dhe i plotë i tyre, është pothuajse i pamundur për t’u zbuluar!
Sipas analizave mercologjike të kryera në Tiranë (përfshirë Vorën, Krujën dhe komunat përreth, analiza të tilla ka kryer organizata CoPlan), rezulton se 29-30 për qind mbeturinave që shkarkohen sot në Sharrë çdo 24 orë janë lëndë plastike, një “super mineral” ky për industrinë ricikluese, çmimi fillestar i së cilës arrin sot edhe në 500 lekë për kilogram.
Kina, që teknologjinë e industrisë dhe manovrat e saj tregtare i ka ende sekret, rezulton të jetë një prej vendeve ku Shqipëria eksporton çdo vit qindra mijëra tonelata plastikë, që pastaj shkrihen në temperatura të larta derisa transformohen në objekte plastike që rifuten si mall më vete sërish në Shqipëri. Shumë prej fabrikave shqiptare të prodhimit të ujit të pijshëm përdorin pikërisht materiale të tilla plastike të ardhura nga Kina. Ose në gjendje përfundimtare, ose, në rastin e shisheve në një formë “embrionale” që mjafton t’i kompresosh, për t’i shndërruar ato “embrione shishesh” në shishe të vërteta që mbartin ujin e pijshëm! Pjesa tjetër e plastikës shkon në Greqi, Turqi e madje dhe në Gjermani sipas vëzhgimeve që Shekulli ka bërë në terren për këtë temë.
Vetëm 2 për qind rezulton të jetë metal në këto qindra mijëra ton mbeturina që Tirana me rrethinat konsumon çdo 24 orë (industria e skrapit dhe riciklimit të metalit duket se tashmë ka hyrë në një fazë më të avancuar fitimi, e kësisoj edhe më të vështirë për ta monitoruar), dhe pjesa tjetër përfshin materiale të tjera të riciklueshme si letra dhe kartoni, qelqi etj.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)


No comments:
Post a Comment