Dërguar më: 22/10/2011 - 14:57
Klodiana Lala
Mihal Delijorgji ishte "zot" i Gërdecit. "Milionat që fitonte nga veprimtaria e tregtimit i arkëtonte në llogarinë e tij, duke mos kaluar asnjë qindarkë në emrin e kompanisë amerikane SAC të Patrik Henry, pavarësisht kontributit të dhënë nga kompania". Në konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë së Tiranës, për 29 të akuzuarit si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, evidentohet qartë roli i secilit prej të pandehurve, veprimet dhe mosveprimet e tyre që sollën për pasojë vrasjen e 26 personave dhe plagosjen e 300 të tjerëve. Sipas organit të akuzës, biznesmeni Delijorgji dhe ish-kreu i MEICOS, Ylli Pinari janë "arkitektët" e punishtes së vdekjes, që në pamje të parë procesi i demontimit dukej si veprimtari korrekte dhe ligjore, por në fakt, nuk ishte gjë tjetër veçse një aferë e pastër korruptive që mori jetë njerëzish të pafajshëm. Të dy këto të pandehur sipas organit të akuzës e përdorën emrin e kompanisë amerikane SAC si fasadë për të 'fshehur' veprimtarinë që do të drejtohej vetëm prej tyre dhe roli i çdo personi tjetër, qoftë dhe vetë i Patrik Henry, do të ishte i papërfillshëm. Në pretencën e prokurorisë thuhet se Pinari përcaktoi fillimisht si vend demontimi rajonin e Bërzhitës, por hasi në kundërshtimin e shefit të shtabit të përgjithshëm, që e cilësoj si të papërshtatshëm", shprehet organi i akuzës. Pasi 'dështuan' me Bërzhitën, për faktin se ishte shumë pranë zonës së banuar dhe përbënte rrezik, Pinari dhe Delijorgji paracaktuan si vend demontimi ish-repartin e tankeve në Gërdec, në një kohë që nuk kishte dalë ende urdhri i Ministrit të Mbrojtjes. Ndërkaq, gjatë procesit të demontimit ishte Mihal Delijorgji, që komunikonte direkt me shefin e shtabit të përgjithshëm dhe drejtuesit e tjerë të ushtrisë, për furnizimin e punishtes me municione, me sasi shumë më të mëdha sesa ishte kapaciteti i demontimit. Prokuroria nxori në dritë dhe numrin e telefonatave që Delijorgji kishte bërë me ish-gjeneralët Luan Hoxha apo Shpëtim Spahiu, që ishte mjaft i lartë.
Roli i Minxollit
Prokuroria la të nënkuptohej se ish-drejtori i punishtes së vdekjes në Gërdec, Dritan Minxolli ishte krahu i djathtë i biznesmenit Mihal Delijorgji. Ishte pikërisht Minxolli si njeri i afërt i Delijorgjit, që vendoste për gjithçka ndodhte në fabrikë. Prokuroria tha se ishte Minxolli ai që lejoi punësimin e të miturve në Gërdec, punonjës të pa trajnuar për procesin e demontimit, nuk lidhi kontrata punësimi, nuk paguante sigurime për punonjësit, si dhe me vetëdije lejonte që në vendin e demontimit të lejonte të hynin fëmijët, për të ndihmuar ndihmonin prindërit e tyre. Në fabrikën e demontimit injorohej çdo rregull sigurie dhe punonjësit qëndronin në punë për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike, edhe pse të ndërgjegjshëm për rrezikun e madh që u kanosej. Ndër të tjera, Minxolli shpërfillte dhe mendimet e ekspertëve amerikanë, madje sikurse thotë nga prokuroria është pikërisht ish-drejtori i fabrikës që përzuri nga ambientet e kompanisë Albademil ekspertin Rodi Taylor.
Paralajmërimi i Ngjecit
Ish-mbikëqyrësi i MEICOS, Sokol Ngjeci, një tjetër i pandehur në proces, në fillimet e tij kishte paralajmëruar rrezikun që kanosej nga procesi i demontimit në Gërdec, referuar kushteve të punës në të cilat punohej, jashtë çdo standardi sigurie. Prokuroria bëri dje me dije se Sokol Ngjeci ka paralajmëruar Delijorgjin, i cili nuk ka reaguar për të përmirësuar gjendjen, përveç faktit se i ka thënë se do të sillte pajisje të teknologjisë së lartë, të cilat nuk mbërritën kurrë në Gërdec, edhe pse ai kishte marrë përsipër të gjithë procesin e demontimit. Të njëjtin paralajmërim për rrezikun që kanosej, Ngjeci ia ka bërë dhe ish-kreut të Meicos, Ylli Pinari, por pa ndonjë sukses. Më pas, sipas prokurorisë, Ngjeci i ka shpërfillur paralajmërimet e bëra, duke u bërë pjesë aktive në procesin e demontimit. Prokuroria vijoi me leximin e konkluzioneve për të akuzuarit, por pa mundur të artikulojë masat e dënimit, gjë që pritet të ndodhë seancën e së hënës, pasi dosja është mjaft voluminoze prej 500 faqesh.
No comments:
Post a Comment