Berisha dje gjate takimit me Prokuroren e Pergjithshme ne mbylljen e progaramit “PRAG”, te korporates "Sfida e Mijevjeçarit"
Berisha: Gati të prekim Kushtetutën për imunitetin
Qeveria shqiptare dhe ajo amerikane kanë celebruar dje mbylljen e programit “Prag” të korporatës “Sfida e Mijëvje-çarit”, përmes të cilit vendi ynë përfitoi 30 milionë euro për katër vjet, që u investuan veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Në këtë ceremoni, ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, përsëriti edhe njëherë apelin e tij për të hequr imunitetin e zyrtarëve të lartë. Sipas tij, asnjë zyrtar i lartë nuk mund të ketë imunitet për të vjedhur. “Duke reflektuar rreth raportit të Komisionit Europian dhe rrugës që kemi përpara, doja të sillja në vëmendje deklaratën e ambasadorit Sekui se, partitë duhet ta shohin këtë si një mundësi për të rivlerësuar dhe për të gjetur mënyra se si të çojnë përpara axhendën e integrimit. Lufta kundër korrupsionit ka të bëjë me nënshtrimin e gjithë atyre që mbajnë pozicione të larta, pavarësisht nga përkatësia partiake apo posti, ndaj të njëjtit kontroll rigoroz dhe të njëjtave standarde të ashpra. Me privilegjet e imunitetit nuk duhet të abuzohet dhe askush nuk duhet të ketë imunitet që e lejon të vjedhë nga të mirat e përbashkëta pa u ndëshkuar”, tha ambasadori Arvizu gjatë kësaj ceremonie. Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha, duke iu referuar edhe disa rekomandimeve të Këshillit të Europës pak ditë më parë, u shpreh i gatshëm të pranojë të dyja variantet për heqjen e imunitetit: votimin e një ligji me shumicë të cilësuar të propozuar nga Komisioni i Venecias, por edhe ndryshimin e Kushtetutës. “Jam këtu sërish për të ftuar opozitën që t’i lëmë mënjanë kundërshtitë dhe të punojmë aty ku bashkohemi. Është normale që mes qeverisë dhe opozitës ka, do të ketë dhe duhet të ketë kundërshti, ka, do të ketë dhe duhet të ketë opsione të ndryshme. Unë u ndjeva mirë sepse, në një seminar, krahas opsionit për të hequr imunitetin me ligj organik, të sugjeruar nga Komisioni i Venecias, u mbështet nga ekspertë ndërkombëtarë edhe opsioni për ndryshimin e Kushtetutës. Unë e garantoj opozitën se jam i gatshëm për secilin nga këto dy variante”, u shpreh kreu i qeverisë. “Le të heqim dorë nga kushtet për të hequr imunitetin tonë, por le të heqim imunitetin sa më shpejt, si dëshmi të përgjegjësisë sonë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe atij parimi të madh që është barazia para ligjit. Ndaj, në këtë fushë, besoj se nëse i lëmë kondicionalitetet, ne mund të japim frytet e para të një bashkëpunimi me një interes shumë të madh për të sotmen dhe të ardhmen e vendit”, vijoi më tej Berisha.
Programi “Prag” i korporatës “Sfida e Mijëvjeçarit” u cilësua nga Kryeministri si një histori e paprecedentë suksesi në këta 20 vjet. Ndërsa ambasadori amerikan tha se “ajo që unë mendoj se është domethënëse, është se këto fryte të këtij partneriteti, këto arritje, janë më shumë sesa thjesht një e rënë lapsi në letër, por këto janë, në fakt, rezultate që shqiptarët dhe veçanërisht ata të komunitetit të biznesit, mund t’i ndiejnë realisht”.
Imuniteti, Dade: Të shohim nëse Berisha e ka seriozisht
Pas ftesës së Kryeministrit Sali Berisha drejtuar opozitës, kjo e fundit ka reaguar përmes sekretares për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade. Në një prononcim për mediat, Dade është shprehur skeptike lidhur me deklaratën e Kryeministrit. “Dëgjova me vëmendje, nuk e di nëse e ka seriozisht, sepse çdo ditë i ndryshon opsionet që hedh në publik. PS e ka bërë ofertën e vet, është duke punuar me mjaft seriozitet edhe për të adresuar të gjitha çështjet që ngrihen në raportin e progresit për 2011-n. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, shpresojmë që ta ketë seriozisht”, tha Arta Dade, deputete e PS. Në të njëjtën kohë ajo theksoi se opozita është gati të ulet në një tryezë bisedimesh me maxhorancën në momentin që kjo e fundit do të marrë parasysh paktin e integrimit prej 10 pikash të bërë publik pak kohë më parë nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. “E rëndësishme është që të fillojë dialogu, të fillojnë negociatat, e rëndësishme është që të marrim përgjigje pozitive për t’u ulur dhe për t’i adresuar të gjitha çështjet që ngrihen në ofertën e PS dhe në progres-raportin”, vijoi Dade. Në një draft rekomandimesh të Këshillit të Europës, varianti më i mirë për të hequr imunitetin e zyrtarëve të lartë është ndryshimi i Kushtetutës. Gjithashtu është propozuar që heqja e imunitetit të bëhet me votim të hapur, ndryshe nga procedura aktuale, e cila është e fshehtë.
Berisha: “Rama tani do t’i shkruajë Enverit”
Kryeministri Sali Berisha ka përuruar dje përfundimin e punimeve të rrugës Qafë-Rrenas – Labinot Mal, me gjatësi 8 kilometra dhe vlerë 70 milion lekë. Nga kjo zonë, kreu i qeverisë ka ironizuar editorialet e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. “Le t’i themi shokut, i cili është ngritur tani e po shkruan vepra – së shpejti do të botojë letrën e hapur për Enver Hoxhën, ku i thotë se Shqipërinë e bllokova për t’u anëtarësuar në Europë – se ne do të vazhdojmë rrugën që kemi zgjedhur bashkë me ju; rrugën e ndërtimit të një Shqipërie moderne”, u shpreh Kryeministri. “Ne do të vazhdojmë rrugën e ndërtimit të një infrastrukture të njëjtë me qytetet në çdo fshat dhe komunë të këtij vendi; rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm rural; rrugën në të cilën ju, banorët e komunës Labinot Mal dhe të gjitha fshatrave të vendit, do të merrni brenda një kohe të shkurtër pensionin që marrin në qytet; rrugën në të cilën çdo fëmijë i juaji, çdo djalë e vajzë e kësaj zone dhe në të gjithë vendin, i ka dyert e hapura për shkollat e mesme, i ka dyert e hapura për shkollat e larta; rrugën në të cilën ne do të realizojmë ëndrrat dhe të ardhmen tonë që meritojmë”, vijoi më tej kreu i Ekzekutivit.
No comments:
Post a Comment