Genc Kondi
Që prej gjashtë muajsh, një kërkesë e kompanive italiane, që kishin marrë pjesë në procesin e tenderimit për modernizimin e Portit të Vlorës, drejtuar ministrit Olldashi, ka mbetur pa përgjigje. Kërkesa e tyre ishte shumë e thjeshtë: të hidhej dritë mbi procesin e parakualifikimit, duke u vënë në dispozicion të dhëna lidhur me metodologjinë e ndjekur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për të skualifikuar kompani të njohura nga vendi fqinjë, që në hapin e parë, atë të vlerësimit teknik të ofertave. Përgjigja zyrtare ka ardhur, por ajo vetëm përgjigje nuk mund të quhet. Sipas burimeve nga kompanitë italiane pjesëmarrëse në tender, mësohet që ministria e Puneve Publike dhe Transportit ka paraqitur dy arsye, që e pëngonin atë të bënte transparencë. Së pari, sipas ministrisë, në rast se kompanitë e tjera do të viheshin në dijeni të hollësive të ofertave të rivales-fituese, kjo do të cenonte privatësinë e kësaj të fundit. Dhe, së dyti, publikimi i ofertave teknike do të përbënte edhe një nxjerrje të sekretit teknologjik të kompanisë fituese. Me këtë përgjigje, lihet të kuptohet që firma fituese duhet të ketë adoptuar një teknologji "futuriste", që të tjerët as që kanë ëndërruar ta kenë, ndërkohë që ajo nuk është shquar për ndonjë novacion të dukshem gjatë 12 viteve jetë që ka në CV-në e saj. Specialistët venë në dukje se ligji shqiptar i prokurimit publik është i errët në këtë pikë, ndërkohë që të huajt, duke përfshirë legjislacionin italian, sigurojnë një transparencë të plotë për të gjithë pjesëmarrësit lidhur me të gjitha hapat e hedhura gjatë vlerësimit të ofertave në një prokurim publik. Por, duke qenë se fjala ishte për fonde që jepen nga Italia dhe se kompanitë janë të gjitha italiane, ambiguiteti ligjor mirë ishte të zgjidhej në drejtim të "hapjes së kartave" dhe jo në atë të fshehjes së tyre. Opsioni i zgjedhur nga dikasteri i Olldashit le të dyshosh për paracaktim të fituesit. Pak ditë më parë u mësua se ambasadori italian ka kërkuar zyrtarisht nga Olldashi sqarime dhe informacione të mëtejshme, konkretisht, lidhur me vetëdeklarimet e një shoqërie pjesëmarrëse në tender, SI.GEN.CO, që ajo ka dorëzuar tek autoritetet shqiptare, si dhe për kriteret e ndjekura nga Komisioni shqiptar i Vlerësimit të Ofertave për të verifikuar të dhënat e paraqitura nga subjektet italiane, në se ato ishin apo jo në përputhje me normat e paracaktuara për tenderin. Nga ana tjetër, kërkohet informacion për kriteret e vlerësimit të ofertave teknike, në bazë të të cilëve janë dhënë pikët; për mangësitë në dokumentacion, në bazë të të cilave janë skualifikuar kompani të caktuara, etj. Më tej, ambasadori kërkon të dijë, a është zhvilluar - para takimeve të rezervuara - ndonjë takim i hapur, në të cilin Komisioni t'u shpjegonte konkurrentëve kriteret që do të zbatonte për caktimin e pikëve.
No comments:
Post a Comment