Total Pageviews

Monday, September 12, 2011

Olldashi, i djathti që gëzon heshtjen e opozitës

11 Shtator 2011


FATOS ÇOÇOLI

Dy javë më parë mësuam se një fond mbi një milion dollarë i Bankës Botërore ishte djegur nga parregullsi tenderimi të Ministrisë sonë të Shëndetësisë. Pajisje moderne diagnostikimi sëmundjesh iu refuzuan kësisoj disa spitaleve vendore tonat. Këto ditë, opinioni publik i vendit është tronditur, krahas këndvështrimeve që zbulojnë kabllogramet e Ambasadës Amerikane në Shqipëri, me parregullsitë dhe bllokimin e konkurrencës së lirë në një treg që po bëhet përherë e më jetësor në Shqipëri: me tregun e shërbimeve të internetit. Kompania, që shpërndan e u shet energjinë elektrike shqiptarëve sot, çekja Cez është habitur që 600 mijë familje shqiptare kanë printuar ose gjetur shifrën e faturës së tyre të energjisë nga fatura elektronike në internet (në anglisht, “E-bill”). Praktikisht, interneti ka hyrë në çdo familje e qelizë të jetës dhe aktivitetit tonë. Qeveria e sotme e këtij vendi ka bërë mirë që është investuar që në ditët e para të saj gjashtë vite më parë, për të sjellë internetin në çdo shkollë publike dhe, nëpërmjet Postës Shqiptare, falas në çdo lokalitet të Shqipërisë. Me një garë të pastër në dukje e, madje edhe me dokumente (po të shqyrtojmë kontratën me kompaninë “Microsoft” të Bill Gates, apo blerjet e mëvonshme të kompjuterave dhe të programeve kompjuterike për shkollat publike). Mirëpo, ministri ynë i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, duket se po vepron ndryshe. Të drejtën për të hapur rrugët kombëtare për shtrimin e kabllove optike për shërbimin e internetit (një aktivitet që ka të ardhme të sigurt, për pasojë të kërkesës në rritje për “autostrada” virtuale të internetit, me shpejtësi të madhe shkarkimi), e ka monopolizuar me urdhër të tij në një kompani të vetme. Kjo, në kohën kur në treg në momentin e tenderit përkatës kishte katër kompani të tilla në pozita gati të njëjta dhe që kishin kërkuar të ishin pjesë e kësaj të drejte. Gazeta Panorama dhe televizioni “News 24” me të drejtë e kanë denoncuar këtë monopolizim. Mirëpo të bën përshtypje se për skandalin e monopolizimit të shërbimit të shtrimit në rrugët kombëtare të kabllove me fibra optike për internetin, opozita jonë ka heshtur. Kjo opozitë, që deri dje nuk linte edhe gjurmë shansi për të denoncuar ose mbështetur denoncimet e mediave për veprime qeveritare me sfond edhe të paqartë abuziv apo korruptiv, sot ku është? Sidomos, kur ky sfond edhe dokumentohet e botohet, pse pikërisht tani opozita jonë nuk ka gojë! Ku kanë shkuar kordat e saj të zërit/denoncimit? Një përgjigje e trishtë të vjen përmes logjikës së lëvizjes së politikës këtu tek ne. Mes deputetëve socialistë ka shumë syresh të ardhur nga komuniteti i biznesit, sidomos nga ai i ndërtimit, në radhë të parë të rrugëve dhe veprave të tjera publike, që kushtojnë me miliona e dhjetëra miliona euro. Dhe, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit menaxhon pikërisht tenderat për këto punë publike. Nëse nuk lejohen denoncuesit e përhershëm publikë socialistë (disa deputetë të ardhur nga radhët e organizatave jo fitimprurëse) që të lexojnë në konferencën e shtypit të radhës hartimin e radhës, kuptohet që interesa shumë të fortë ekonomikë të lobeve të ndërtimit me sfond rozë dëmtohen. Dhe krijohet një situatë në dukje paradoksale, ku nga ndikimi gati përcaktues i deputetëve socialistë, ish-manjatë të ndërtimit apo bizneseve të tjera (në fakt, këta deputetë i drejtojnë nëpërmjet mijëra fijeve të dukshme e të padukshme bizneset e tyre, ndonëse formalisht kanë hequr dorë), opozita e majtë nuk e godet ministrin e djathtë të Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, edhe pse media ia ofron këtë mundësi në një tabaka të artë. Arsyetimi të çon në situatën kur, edhe pse qeveria e sotme ka ministra të djathtë të deklaruar e të profilizuar qartë politikisht, ka mundësi që në aktivitetin e tyre “tenderor”, këta të ushqejnë interesa të lobeve socialiste të ndërtimit e bizneseve të tjera, të lidhura ngushtë me paratë e tenderave shtetërorë. Kjo gjendje kërkon urgjentisht lëvizjen pro interesave të publikut, nga ana e opozitës sonë kryesore. Zgjimin e saj dhe shkundjen e hedhjen tutje të interesave okulte. Ajo duhet të kujdeset fort tashmë për “moralin” e të bërit politikë nga ana e saj. Aty ku media i servir politikës dokumente të qarta e të patjetërsueshëm të skandalit dhe abuzimit, opozita e ka për detyrë të shenjtë të denoncojë edhe ajo nga ana e saj. Si dhe të kërkojë zbardhjen deri në fund të skandalit vënien përpara përgjegjësisë e drejtësisë të atyre që faktohen si abuzues e të korruptuar.

No comments:

Post a Comment