Total Pageviews

Wednesday, September 14, 2011

Shkresa e AKEP: Shkeljet në kontratën e Olldashit


MINISTRI I TRANSPORTEVE, SOKOL OLLDASHI (LART) FAKSIMILE E PERGJIGJES QE AUTORITETI I KOMUNIKEMEVE ELEKTRONIKE I KA KTHYER AVOKATIT TE SHTETIT LIDHUR ME URDHRIN E OLLDASHIT

Pas Autoritetit të Konkurrencës, është Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i cili zbulon abuzimet në urdhër-kontratën e ministrit të Transporteve.Afera “Olldashi” zbulohet se ka shkelur edhe një tjetër ligj. Gazeta ka arritur të disponojë letërkëmbimin mes AKEP dhe Avokaturës së Shtetit, lidhur me urdhrin Nr.120, të datës 23 gusht 2010. Ky urdhër i lejoi një firme të vetme, pa tender dhe konkurrim, të çajë të gjitha rrugët kryesore të vendit dhe të shtrojë fibra optike. Kjo e drejtë i është dhënë, me firmën e ministrit Olldashi, vetëm një firme dhe me terma ekskluzive për një periudhë prej të paktën 40 vitesh. Afera e zbuluar dhe denoncuar nga gazeta duket se konfirmohet qartë nga dokumentacioni i zbuluar. Shkresa e AKEP qartësohet kundër ekskluzivitetit që urdhri i Olldashit jepte për linjat e fibrave optike nën rrugë.


Sipas ligjit, Avokatura e Shtetit është institucioni, të cilit, për kontrata mbi 5 milionë lekë, duhet t’i merret mendim nëse veprimtaria, e cila do të zbatohet, prek ose jo interesat ligjorë të Shtetit. Në këtë kuptim, sipas dokumentit që ka arritur të sigurojë gazeta, duket se Avokatura i ka kërkuar më datë 03.08.2011, mendim AKEP “lidhur me një problematikë në fushën e komunikimeve elektronike me subjektin ‘Albanian Telecommunication Union sh.p.k’”. Pra, lidhur me urdhrin 120, të firmosur nga Olldashi, më datë 23 gusht 2010, kjo e fundit, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, i kthen përgjigje Avokaturës së Shtetit. Përgjigjja tregon qartë shkeljet ligjore, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me shkeljen e konkurrencës. AKEP, në përgjigje të shkresës së Avokaturës, sqaron të gjithë procedurën e ndjekur nga firma “ATU”, për pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm. AKEP rendit të gjithë dokumentet dhe të drejtat që i janë dhënë firmës që nga data 9 qershor 2010, kur firma “ATU” ka aplikuar për leje në Autoritet. Por, AKEP i konfirmon Avokaturës në pikën tre të shkresës se: Në aktet e lëshuara prej tij, AKEP nuk ka vendosur në asnjë rast termin “ekskluziv” për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të njoftuara nga sipërmarrësi ATU sh.a., pasi një përcaktim i tillë nuk parashikohet në ndonjë dispozitë të ligjit Nr.9918 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në VKM Nr.322, datë 05.05.2010 “Për miratimin e dokumentit të politikave për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.” Pra, që në fillim të përgjigjes, AKEP përjashton vetveten nga autorizimi i ekskluzivitetit dhe tregon se ky term është i jashtëligjshëm. Nga ana tjetër, pika 3 e shkresës shton se “gjithashtu, ‘ekskluziviteti’ në ofrimin e rrjetit dhe shërbimit të komunikimeve elektronike bie ndesh me parimet dhe objektivat rregullatorë të përcaktuar në ligjin Nr.9918, lidhur me konkurrencën dhe neutralitetin teknologjik, të cilat udhëheqin veprimtarinë e AKEP”. Pra qartësisht, AKEP i thotë Avokaturës së Shtetit, organit që mbron juridikisht të drejtat e Shtetit, se “ekskluziviteti” bie ndesh me ligjin dhe, si rrjedhojë, edhe me të drejtat e Shtetit.



Akuza ndaj kontratës
Sidoqoftë, akuza e AKEP është në fund të letrës për Avokaturën e Shtetit, ku kontrata cilësohet se ka shkelur ligjin. Pika 7 e përgjigjes thekson: “Vlerësuar nga këndvështrimi i rregullimeve ligjore të përcaktuara në ligjin Nr.9918, termat e “ekskluzivitetit”, të përcaktuara në Urdhrin Nr.120, datë 23.08.2010, ‘Për dhënien e lejes për përdorimin e pasurisë së paluajtshme publike, aksit rrugor kombëtar, me kundërshpërblim’, lëshuar nga MPPT për ATU sh.a., mendojmë se përbëjnë pengesë për arritjen e objektivave rregullatorë, lidhur me nxitjen dhe realizimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në sektorin e komunikimeve elektronike.” Pra, urdhri i Olldashit ka shkelur rregullat e tregut dhe pengon zhvillimin e tij. Me pak fjalë, Olldashi me urdhrin e tij ka krijuar një situatë monopol në treg.
Kontrata e Olldashit
Por, çfarë thuhet në kontratën e Olldashit? Në Urdhrin 120, fjala ekskluzivitet përmendet që në pikën e parë. Të drejtat që i jepen firmës “ATU”, në këtë pikë të urdhrit, janë “për vendosjen e fibrave optike me destinacion përdorimi ekskluziv”. Pra, që në fillim krijohet monopoli dhe, sipas AKEP, shkelet ligji “Për Komunikimet Elektronike”. Por, duket se ministri, jo vetëm e ka përmendur në urdhrin e tij ekskluzivitetin, por e ka konfirmuar edhe në shtojcën e kontratës. Në pikën ç të nenit 3 të kontratës theksohet se Ministria ka si detyrim të garantojë: “se gjatë kohëzgjatjes së kësaj lejeje, subjekti “Albanian Telecommunications Union” do të gëzojë ekskluzivitet…”. Pra, edhe shtojca e konfirmon fjalën ekskluzive. Duhet theksuar se kontrata e ka ekskluzivitetin të përcaktuar për minimalisht 40 vite dhe me të drejtë shtyrjeje.

40 VJET Është e drejta ekskluzive për hapjen e rrugëve dhe shtrimin e kabllove optikë, e dhënë për firmën “ATU” me urdhër të Ollashit. Në kontratë përcaktohet që firma ka të drejtë rinovimi edhe pas 40 vjetësh.

Perplasjet mes urdhrit te olldashit dhe ligjit per komunikimet elektronike

Urdhri i Olldashit
Neni 1
“Dhënien e lejes për përdorim të pasurisë së paluajtshme publike aksit rrugor kombëtar, shoqërisë “Albanian Telecommunications Union”, për vendosjen e fibrave optike me destinacion përdorimi ekskluziv, mënyrë menaxhimi dhe mirëmbajtjeje sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në shtojcën 1 bashkëngjitur dhe pjesë përbërëse dhe kritere thelbësore të kësaj lejeje”.

Neni 3, pika ç
“Në emër të përfaqësuesit Shtet, Ministria, pronare e rrugëve shtetërore dhe kombëtare, garanton se gjatë kohëzgjatjes së kësaj lejeje, subjekti “Albanian Telecommunications Union” do të gëzojë ekskluzivitet, dhe asnjë e drejtë përdorimi në këtë aks nuk do t’i lejohet asnjë pale tjetër publike apo private për çështje të teknologjisë së informacionit”.


Ligji “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”
Neni 1
Qëllimi i ligjit
Qëllimi i këtij ligji është që, nëpërmjet parimit të asnjanësisë teknologjike, të promovojë konkurrencë dhe infrastrukturë eficiente në komunikimet elektronike dhe të garantojë shërbimet e duhura dhe të përshtatshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni7
Objektivat rregullatorë
3. AKEP nxit konkurrencën eficiente për sigurimin e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike, facilitetet shoqëruese dhe shërbimet e tjera:
ç) për të siguruar konkurrencën e lirë dhe efektive në sektorin e komunikimeve elektronike;

No comments:

Post a Comment