Total Pageviews

Monday, September 12, 2011

Afera, Konkurrenca: Olldashi shkeli ligjin me monopolin e linjave të internetit

E Hënë, Shtator 12th, 2011


Autoriteti i Konkurrencës ka qartësuar të gjithë aferën Olldashi me linjat e fibrave optike nën rrugët kombëtare. Pas zbulimit të urdhrit numër 120, datë 23 gusht 2010, të firmosur nga ministri i Transporteve, i cili i jepte të drejtë ekskluzive një firme, gazeta pyeti zyrtarisht Autoritetin e Konkurrencës, për të parë nëse ishte shkelur Ligji për “Mbrojtjen e Konkurrencës”.Nga përgjigjja zyrtare e Autoritetit, zbulohet që jo vetëm që konkurrenca është vënë në dyshim nga një kontratë e tillë, por Olldashi me urdhrin 120 ka shkelur Ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”. Pas kësaj përgjigjeje zyrtare, zbulimit të gazetës për shkeljen e disa ligjeve dhe vendimeve, i është shtuar akuza zyrtare e një institucioni qendror. Olldashi, sipas përgjigjes, duhet të kishte marrë mendimin e Autoritetit, përpara se të lidhte një kontratë të tillë. “Gjë që në këtë rast nuk është bërë”.
Përgjigjja e Autoritetit
Gazeta u interesua pranë Autoritetit të Konkurrencës nëse procedura e ndjekur nga ministri i Transporteve për anulimin e katër kontratave dhe miratimin e një kontrate të vetme ekskluzive, për përdorimin e rrugëve kombëtare për shtrimin e fibrave optike, shkelte konkurrencën në treg apo jo. Gazeta prej ditësh po publikon fakte dhe dokumente, të cilat flasin qartë se konkurrenca në treg jo vetëm është shkelur, por është monopolizuar në këtë sektor, për të paktën 40 vite. Më poshtë po botojmë përgjigjen zyrtare të ardhur nga Autoriteti i Konkurrencës:
“Autoriteti i Konkurrencës është përgjegjës për mbrojtjen e konkurrencës në treg. Ligji “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” detyron të gjitha institucionet të japin të dhëna pretendimi dhe të marrin vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës, gjë që në këtë rast nuk është bërë. Neni 69 i Ligjit të Konkurrencës kërkon që të jepen informacione nga institucionet për vendimet që mund të cenojnë konkurrencën dhe kërkimi i vlerësimit bëhet paraprakisht pa u marrë vendimi. Kjo për të marrë mendimin e Autoritetit, gjë që në këtë rast nuk është bërë. Kjo mund të përbëjë kufizim potencial të konkurrencës.” Me pak fjalë, autori thekson se duhet të ishte marrë opinioni i tij para se Olldashi të firmoste urdhrin për lidhjen e kontratës. Kjo, pasi për çdo akt që mund të sjellë kufizime potenciale konkurrence duhet mendimi i Autoritetit që mbikëqyr konkurrencën. Pika tjetër është se Autoriteti i mëshon faktit se e gjithë kjo kontratë mund të përbëjë potencialisht kufizim të konkurrencës. Sidoqoftë, për të gjithë këtë kontratë Autoriteti thekson se duhet edhe një vlerësim teknologjik nga institucionet përkatëse, si MITIK dhe AKEP. Këto të fundit dhe strategjia kombëtare mund të përcaktojnë sa dhe si do të zhvillohet teknologjia dhe, në këtë mënyrë, edhe sasinë e monopolizimit apo të frenimit të zhvillimit të tregut nga kjo kontratë.
Shkelja e ligjit
Neni 69 i Ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” përcakton detyrimet e organeve të administratës qendrore dhe vendore për të marrë mendim nga Autoriteti sa herë që lidhin kontrata. “Organet e administratës qendrore dhe vendore kërkojnë vlerësimin e Autoritetit për çdo projekt akt normativ që, në mënyrë të veçantë, ka të bëjë me kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara”. Kontrata e lidhur nga Olldashi me firmën ATU përcakton që në pikën e parë dhënien e lejes për përdorim të pasurisë së paluajtshme publike, aksit rrugor kombëtar-shoqërisë “Albanian Telecommunications Union”, për vendosjen e fibrave optike me kundërshpërblim dhe me destinacion përdorimi ekskluziv…” Që në fillim të kontratës përdoret shprehja “përdorim ekskluziv. Kjo do të thotë se Olldashi duhet të pyeste Autoritetin para se të miratonte urdhrin, pasi po firmoste “vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara”, që përbën shkelje të Ligjit për Konkurrencën. Kufizimi bëhet më i frikshëm edhe në shtojcën e urdhrit të firmosur nga Olldashi. Në pikën ç të urdhrit thuhet: “Në emër të përfaqësuesit shtet, Ministria pronare e rrugëve shtetërore-kombëtare garanton se, gjatë kohëzgjatjes së kësaj lejeje, subjekti “Albanian Telecommunicatins Union” do të gëzojë ekskluzivitet dhe asnjë e drejtë përdorimi në këtë aks nuk do t’i lejohet asnjë pale tjetër publike apo private për çështje të teknologjisë së informacionit”. Pra, përcaktohen qartë të drejta ekskluzive. Kontrata ka edhe kufizime sasiore, për të cilat Olldashi, sipas nenit 69, duhet të merrte mendimin e Konkurrencës, por nuk e ka bërë. Në pikën 3 të shtojcës së urdhrit të Olldashit parashikohet që firma të shtrojë 6 tuba për fibra optike, 2 do i përdorë vetë dhe 4 do i tregtojë për firmat e tjera. Pra, qartësisht preket pika e parë e nenit 69, “kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin”.

Perplasja me ligjin

Çfarë thotë Ligji “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”

PJESA V
BASHKËPUNIMI ME INSTITUCIONET E TJERA
Neni 69
Detyrimi për organet e administratës qendrore dhe vendore
1. Organet e administratës qendrore dhe vendore kërkojnë vlerësimin e Autoritetit për çdo projekt akt normativ që, në mënyrë të veçantë, ka të bëjë me:
a) kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin;
b) vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara;
c) imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes.
2. Autoriteti vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës që rrjedh nga projektaktet, sipas pikës 1 të këtij neni.

Çfarë thotë Urdhri 120, datë 23 gusht 2010, i Olldashit

1. Dhënien e lejes për përdorim të pasurisë së paluajtshme publike, Aksit rrugor kombëtar-shoqërisë “Albanian Telecommunications Union”, për vendosjen e fibrave optike me kundërshpërblim dhe me destinacion përdorimi ekskluziv…

Neni 3.
Subjekti “Albanian Telecommunications Union” merr përsipër të ngrejë me investimet e tij rrjetin e fibrave optike, me një kapacitet rrjeti për vete prej 2 vendesh të lira dhe 4 vende të tjera të lira për 4 përdorues të tjerë, të ndryshëm nga subjekti “Albanian Telecommunications Union”.

Në emër të përfaqësuesit shtet, Ministria pronare e rrugëve shtetërore-kombëtare garanton se, gjatë kohëzgjatjes së kësaj lejeje, subjekti “Albanian Telecommunicatins Union” do të gëzojë ekskluzivitet dhe asnjë e drejtë përdorimi në këtë aks nuk do t’i lejohet asnjë pale tjetër publike apo private për çështje të teknologjisë së informacionit”

Neni 16
Kjo leje ka një afat vlefshmërie prej 20 vitesh, duke filluar nga dita e nënshkrimit të saj, por për shkak të vlerës së lartë të investimit dhe kostos së vetëshlyerjes së tij ripërtëritet automatikisht sipas këtyre kushteve dhe këtij teksti edhe për një periudhë 20-vjeçare.

Interneti

Lista e rrugëve që përdor firma e vetme, arrin në pikat kufitare me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë. Pas kësaj, firma mund të shesë e vetme të drejtën e shpërdnarjes së internetit. Duke qenë se teknologjia e informacionit po bëhet vazhdimisht më e domosdoshme për industrinë në vend, atëherë kjo kontratë merr vlera të mëdha financiare.

No comments:

Post a Comment