Total Pageviews

Friday, September 9, 2011

Tenderi 15 milione euro, Italia i kerkon "llogari" Olldashit



Genc Kondi

Një skandal i paralajmëruar ‘troket’ sërish në derën e ministrit Sokol Olldashi. Kanë kaluar 10 muaj nga data e paraqitjes së ofertave në tenderin për një projekt madhor të infrastrukturës, që ka të bëjë me Portin e Vlorës, dhe procesi është bllokuar si pasojë e dyshimeve të forta nga investitorët e huaj se gjithçka është zhytur në pellgun e korrupsionit. Investimi prej 15 milionë eurosh bëhet nga qeveria e vendit fqinj, nëpërmjet Kooperacionit Italian dhe ofertat nga subjektet e interesuar janë dorëzuar më 30 nëntor të vitit të kaluar. Por, nuk është burokracia e Romës ajo, që e ka penguar procesin. Palës donatore i kanë lindur mëdyshje lidhur me metodat e punës së palës shqiptare në vlerësimin e ofertave, aq sa vetë ambasadori Saba d’Elia ka kërkuar prononcimin e kreut të ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, duke qenë se ne firmën e këtij të fundit është caktuar përbërja e Komisionit të Prokurimit.
Letra
Ambasadori italian ka kërkuar zyrtarisht nga Olldashi sqarime dhe informacione të mëtejshme, konkretisht, lidhur me vetëdeklarimet e një shoqërie pjesëmarrëse në tender, SI.GEN.CO, që ajo ka dorëzuar tek autoritetet shqiptare, si dhe për kriteret e ndjekura nga Komisioni shqiptar i Vlerësimit të Ofertave për të verifikuar të dhënat e paraqitura nga subjektet italiane, në se ato ishin apo jo në përputhje me normat e paracaktuara për tenderin. Nga ana tjetër, kërkohet informacion për kriteret e vlerësimit të ofertave teknike, në bazë të të cilëve janë dhënë pikët; për mangësitë në dokumentacion, në bazë të të cilave janë skualifikuar kompani të caktuara, etj. Më tej, ambasadori kërkon të dijë, a është zhvilluar – para takimeve të rezervuara – ndonjë takim i hapur, në të cilin Komisioni t’u shpjegonte konkurrentëve kriteret që do të zbatonte për caktimin e pikëve.
Procesi
Në tenderin për zhvillimin e Portit kanë marrë pjesë disa subjekte, të gjitha të regjistruara në Itali. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ndoqi praktikën e kualifikimit paraprak, duke u nisur nga kushtet teknike që ofrojnë kompanitë e pranishme, madje duke i kushtuar 60 për qind të pikëve vlerësimit teknik, kundrejt vetëm 40 për qind të tyre për ofertat ekonomike.
Në fazën e parë, vlerësoheshin pikët dhe ato kompani që plotësonin apo tejkalonin 48 pikë, hynin në fazën e dytë. Sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që është drejtuar nga vetë drejtori i Portit të Vlorës, Kasëm Mahmutaj, pikaverazhin më të lartë e ka merituar konsorciumi “FIT&Sigenco”, me 56.01 për qind të pikëve, me një diferencë të ndjeshme nga pasuesja “Trevi”, që ka arritur të grumbullojë 50.8 për qind të pikëve, ndërkohë që në vend të tretë doli “Piacentini”, me 49.1 për qind dhe “VIP Lavori”, në vend të katërt, me 48.81 për qind të pikëve.
Ankesa
Kompanitë që morën pjesë në tender ishin prestigjioze. Por ngjalli dyshim të veçantë një fakt. Kompania “Cidonio” është vlerësuar nga Mahmutaj me 47.78 për qind të pikëve, pra me 0.22 pikë më pak se sa i duheshin këtij subjekti që të vijonte konkurrimin e tij me hapjen e zarfit, ku ishte oferta ekonomike, duke u skualifikuar që në hapin e parë. Sipas ekspertëve të proceseve të prokurimit publik, duket si tepër e dyshimtë diferenca kaq e madhe e një kompanie, në aspektin teknik të vlerësimit të kapaciteteve të saj nga autoritetet shqiptare, që ka bërë të mundur shkëputjen me gjashtë pikë në garën për të fituar të drejtën që të kryejë punimet.
Ata që njohin kompaninë “Cidonio” e quajnë të pamundur që ajo, e cila ndërton, mes të tjerash, struktura për mbrojtjen e Venecias nga deti, të quhet e paaftë të ndërtojë Portin e Vlorës, me këtë vlerësim kaq të ulët nga autoritetet përkatëse shqiptare, të mbikëqyrura nga Kooperacioni. Komisionit iu drejtuan edhe ankesa nga subjektet e tjera pjesëmarrëse.

No comments:

Post a Comment