Total Pageviews
Monday, September 12, 2011
Afera e Olldashit, firma çau rrugët pa lejet e ndërtimit
Pa leje shesh-ndërtimi dhe pa leje ndërtimi, firma e urdhëruar nga Olldashi që të zotërojë monopolin e fibrave optike nën rrugët kombëtare, ka çarë me qindra kilometra autostrada në të gjithë vendin.Zbulimi i ri nga gazeta u shtohet shkeljeve të faktuara ditëve të fundit të ligjeve nga ministri i Punëve Publike. Ky i fundit, edhe pse firma që po aplikonte për një koncesion të pakërkuar nuk ishte e pajisur me asnjë leje ndërtimi, apo të sheshit të ndërtimit, i ka dhënë me urdhrin e tij edhe listën e rrugëve që duhet të çajë për shtrimin e fibrave optike. Olldashi duket se e ka pasur kaq shumë për zemër fillimin e këtij punimi monopol në vend, sa ka “harruar” kur ka firmosur urdhrin më datë 23 gusht 2010, se firma “ATU” nuk kishte licencë për punime civile që lëshohet nga vetë ai, nuk ishte e regjistruar në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe ajo që gazeta zbulon sot nuk kishte as leje për shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi për hapjen e të gjitha rrugëve kombëtare. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar ministrin e Transporteve të listojë në udhëzimin e tij të gjitha rrugët dhe autostradat kryesore të vendit që të çahen nga firma në të gjithë gjatësinë e tyre. Gazeta boton sot fotot se si me firmën e Olldashit, firma monopol ka kanalizuar rrugët që lidhin Pogradecin me Korçën, Korçën me Kapshticën, Tiranën me Shkodrën dhe së fundi, edhe Rrugën e Kombit, atë që na kushtoi të gjithëve 1 miliard euro. Edhe ajo rrugë nuk i ka shpëtuar listës së rrugëve që janë hapur me firmën monopol të Olldashit.
Por nuk mjafton me kaq. Në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, theksohet se “zbatimi i punimeve të ndërtimit kryhet vetëm nga persona juridikë, privatë ose publikë, vendas apo të huaj, të pajisur me licencën përkatëse, për zbatim punimesh ndërtimore”. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike, pra atë të Olldashit, firma, deri në janar 2011, nuk rezultonte mes firmave që ishin pajisur me lejen e punimeve civile. Pra, qartësisht, rrugët kombëtare janë hapur me urdhër të Olldashit dhe me dijeninë apo paaftësinë e tij për të ditur se vetë Ministria e Transporteve nuk e kishte pajisur firmën me licencën përkatëse. Nga ana tjetër, ligji parashikon se punimet duhet të bëhen pas pajisjes me leje ndërtimi dhe leje shesh-ndërtimi. Në kohën kur Olldashi firmosi urdhrin, firma nuk i kishte këto leje, por duket se kjo nuk ka bërë problem. Nga ana tjetër, urdhri i Olldashit për lidhjen e kontratës monopol nuk kishte marrë parasysh as faktin që firma që do të shtronte linjat e fibrave optike në të gjithë vendin, nuk ishte e regjistruar në “Regjistrin e sipërmarrësve që ofrojnë rrjete dhe shërbime të komunikimeve elektronike publike”. Ajo rezulton e regjistruar aty pas datës 1 dhjetor, ndërkohë që kontrata me urdhrin e ministrit është firmosur që më 23 gusht 2010.
Rrugët e hapura
Sipas të dhënave, në autostradën Durrës-Kukës, prej disa muajsh është shtuar dhe një vijë e bardhë paralel me vijën kufizuese të rrugës. Rreth 50 cm larg fundit anësor të rrugës, në krahun e djathtë të saj, kur shkon për Kosovë, tashmë ka përfunduar futja e tubacioneve për fibrat optike. Në afërsi të Rubikut është punuar deri ditët e fundit për të përfunduar projektin. Puna për hapjen e kanalit në këtë rrugë ka nisur në fillim të këtij viti.
E njëjta situatë është edhe në rrugën Lezhë-Shkodër. Sipas të dhënave, gjatësia e kanalit të hapur duket në një segment rreth 18 kilometra larg qytetit të Lezhës, në drejtim të Shkodrës. Punimet kanë arritur deri në zonën e Gjadrit. Firma ka çarë trasenë e rrugës në një kanal rreth 15 cm të gjerë dhe në një distancë rreth 20 cm larg vijës kufizuese anësore të trasesë së rrugës. Kanali ka filluar nga qyteti i Lezhës në drejtim të Shkodrës. Kanali është i hapur edhe në rrugën Korçë-Pogradec dhe Korçë-Kapshticë. Për këto akse, gazeta boton sot foto, por kushto që udhëton me makinë mund të shikojë vijën e kanalit të hapur në rrugët Tiranë-Durrës, rrugën Durrës-Rrogozhinë etj. Ajo vijë që zgjaton përgjatë autostradës është pikërisht kanali i monopolit të firmosur nga Olldashi.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment