Total Pageviews

Thursday, July 21, 2011

Anëtarët e KQZ bëjnë para me karburantin e shtetit



Shtatë anëtarët e KQZ-së ishin në qendër të vëmendjes të të gjithë shqiptarëve gjatë dy muajve të zgjedhjeve lokale. Sot ata vihen në qendër të vëmendjes për pasurinë e tyre. “Shekulli” boton deklarimet e pasurisë së anëtarëve të KQZ-së duke shpjeguar se çfarë ka ndryshuar në jetën e tyre financiare gjatë një viti. Për çudi, të gjithë anëtarët e KQZ-së deklarojnë se fitojnë para nga karburanti që i jep shteti.

Ristani

Arben Ristani ka një aktivitet jo shumë të ngjeshur financiar, por paratë e qarkulluara prej tij janë në shuma të konsiderueshme. Ai ka porositur ndërtimin e një shtëpie 102 metra katrorë në një trual që ka sipërfaqen 330 metra katrorë. Në total, vlera e investimit është 225 mijë euro, nga të cilat Ristani ka paguar 60%, 170 mijë euro. Për këtë Ristani ka marrë një kredi që në vitin 2007, me një këst mujor prek 540 eurosh dhe kohëzgjatje 20 vjet. Mesatarisht Ristani paguan 6500 euro në vit për kredinë, nga e cila i kanë mbetur edhe rreth 75 mijë euro.Ai deklaron dy llogari bankare ku njëra është shtuar me 29.985 dollarë dhe tjetra është pakësuar me 25.078 euro. Në zërin e të ardhurave, Ristani ka shënuar pagën 1.8 milionë lekë në vit dhe të ardhura nga shtëpitë e banimit që ka dhënë me qira, në vlerën rreth 30 mijë dollarë. Ristani ka shënuar në zërin e të ardhurave edhe 385 mijë lekë të reja shpenzime karburanti, të cilat i janë dhënë nga shteti dhe teorikisht duhet të ishin shpenzuar.

Subashi

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi ka pasur një vit më mirë financiar pasi i shoqi ushtarak ka marrë pensionin e parakohshëm me vendim gjykate duke përfituar 1.4 milionë lekë. Nga këto Subashi deklaron se një milion lekë i ka në shtëpi cash. Ajo ka blerë makinën e KQZ-së për 125 mijë lekë dhe e ka shitur më pas për 300 mijë lekë. Subashi deklaron edhe ekzistencën e një kredie, nga e cila i kanë mbetur për të paguar edhe 2.85 milionë lekë. Në zërin e të ardhurave, familja Subashi shënon pagën nga KQZ, 1.68 milionë lekë, honorarë në universitet privat 3100 euro dhe pensioni i bashkëshortit 244.400 lekë.

Zguri

Klement Zguri është anëtari i KQZ-së që fiton më shumë lekë në vit. Edhe pse nuk ka ndonjë post të veçantë, në zërin e të ardhurave Zguri ka shënuar se ka marrë dy milionë lekë në një vit. Por burime nga Inspektorati pohuan se brenda kësaj shume janë edhe paratë e karburantit. Familja Zguri ka dy llogari të vjetra bankare ku gjenden pak më shumë se 21 mijë dollarë si dhe një kredi të vjetër që nis në vitin 2003 dhe ka këst mujor 24 mijë lekë. Ndërkohë Zguri deklaron se mban në shtëpi një shumë prej 20 mijë dollarësh.

Varfi

Pandeli Varfi është anëtari i KQZ-së me deklarimin e pasurisë më të shkurtër, por me disa pasuri. Ai ka shënuar një llogari 20 mijë euro, një llogari 9 mijë dollarë, një tjetër dy milionë lekë si dhe disa llogari të tjera në vlera të vogla. Të ardhurat e familjes Varfi janë paga në KQZ, bonusi i karburantit dhe paga e bashkëshortes mësuese.

Shtjefnit ja merr paratë mekaniku i makinës

Gjatë vitit 2010 në Shqipëri nuk është zhvilluar ndonjë proces gjyqësor dhe një prej anëtarëve të KQZ-së, Vera Shtjefni e ka shfrytëzuar këtë periudhë për të u marrë me makinën. Kjo makinë zë vendin më të madh në deklarimin e pasurisë së saj. Fillimisht Shtjefni ka blerë makinën e KQZ-së, Mercedes Benz, për shumën modeste 75 mijë lekë. Ajo ka dashur ta shesë këtë makinë dhe e ka dërguar tek mekaniku, të cilin e ka paguar 80 mijë lekë për të rregulluar makinën, pra më shumë ka kushtuar mekaniku se sa vetë makina. Por hallet e Shtjefnit me makinën nuk kanë mbaruar me kaq. Ajo deklaron se ka shpenzuar edhe 25 mijë lekë të tjera për taksat e makinës. Në total ajo ka shpenzuar më shumë se 100 mijë lekë të reja për makinën e blerë 75 mijë lekë. Të gjitha këto veprime duket se e kanë mërzitur pasi në fund Vera Shtjefni i ka dhënë duart makinës për 300 mijë lekë. Ajo ka shënuar se i ka marrë të atit para borxh dhe duhet ti kthejë edhe 200 mijë lekë

Artan Lazaj, anëtar KQZ

Anëtari i KQZ-së Lazaj ka blerë makinën e institucionit 125 mijë lekë dhe ka preferuar që ta mbajë. Në deklarimin e pasurisë ai ka shënuar se mban në shtëpi 1.8 milionë lekë cash, që janë kursime. Ai ka të ardhura në vlerë 1.6 milionë lekë nga ppaga, 90 mijë lekë shpërblimi si dhe 600 mijë lekë paga e bashkëshortes.

Shtëpia

Lazaj banon ende në Gjirokastër dhe për këtë merr trajtim të veçantë si nëpunës i lartë civil që nuk banon në qytetin e tij. Gjatë vitit 2010 ai ka marrë 816 mijë lekë për këtë gjë. Ndërkohë Lazaj ka shënuar edhe 420 mijë lekë karburant. Për këtë gjë Lazaj ka vendosur të shpërngulet në Tiranë dhe të blejë një shtëpi. Ai ka marrë një kredi katër milionë lekë, nga e cila ka paguar 600 mijë lekë.

Kujtim Osmanaj, anëtar KQZ

Anëtari i KQZ-së, Kujtim Osmanaj ka shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë pesë llogari bankare me lëvizje të shumta, ku më e madhja është llogaria e kursimit me një milion lekë të reja. Ai ka blerë makinën e institucionit për 175 mijë lekë dhe sipas deklarimit ka vendosur që ta mbajë vetë. Në zërin e të ardhurave, Osmanaj ka shënuar pagën në KQZ, pagën e të shoqes si dhe pagat e dy vajzave. Familja Osmanaj vazhdon që të paguajë një kredi të vjetër që e ka marrë me afat 15 vjet për blerjen e shtëpisë. Ai ka marrë kredi 49 mijë euro dhe tashmë i kanë mbetur për të paguar edhe 41 mijë. Në deklarim është shënuar edhe detyrimi për shkollën part-time të vajzës 936 mijë lekë në vit.

Si fshehin pasurinë zyrtarët shtetërorë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka raportuar dje në Kuvend në lidhje me situatën e vitit 2010. Sipas shifrave zyrtare janë zbuluar 195 raste të konfliktit të interesit si dhe janë dërguar për ndjekje penale 18 zyrtarë. Por në raport, Inspektorati ka paraqitur edhe mënyrat që përdorin politikanët dhe zyrtarët shtetërorë për të fshehur pasurinë.

“Është konstatuar që në deklarime pasqyrohen të ardhura në rrugë joformale, nëpërmjet personave të lidhur, si p.sh, dhurata në vlerat të konsiderueshme, huamarrje apo huadhënie në rrugë informale, etj. Por këto nuk mund të verifikohen plotësisht pasi për personat e lidhur me zyrtarin që refuzojnë të bëjnë deklarimin e interesave private, nuk ka asnjë sanksion në Kodin Penal. Kjo ka ndikuar që në disa raste hetimi, sidomos në ato për të cilat ka pasur një ndjeshmëri të lartë edhe në opinionin publik, Inspektorati i Lartë nuk ka arritur të japë konkluzione të plota. Për këto raste refuzimi, ILDKP ka aplikuar të vetmin mjet ligjor që ka në dispozicion, vendosjen në 3 raste të masës administrative “gjobë”, e cila është në vlerë të vogël dhe lehtësisht e përballueshme nga personat e lidhur me subjektet që refuzojnë të deklarojnë interesat private në ILDKP”,- thuhet në raport.

Ndër vite Inspektorati ka paraqitur si problem serioz faktin që prokuroria nuk ndjek denoncimet që bëhen prej tij, por këtë vit duket se marrëdhëniet mes dy institucioneve kanë njohur ngrohje. “Krahasuar me vitin 2009, është vënë re një ndërgjegjësim në rritje nga ana e prokurorisë në trajtimin e kallëzimeve penale. Megjithatë, sërish ka çështje të cilat, në gjykimin e Inspektoratit të Lartë, janë pushuar nga organi i Prokurorisë pa argumentime ligjore bindëse. Ne kemi dërguar 18 kallëzime penale, nga të cilat shtatë çështje janë dërguar për gjykim; për shtatë kallëzime penale është pushuar procedimi dhe për 4 raste të tjera, vazhdojnë ende hetimet

Nga ana tjetër, problem permanent mbetet trajtimi në sistemin gjyqësor, i kallëzimeve penale të iniciuara nga Inspektorati dhe rasteve të shqyrtimit të ankimeve të zyrtarëve të ndëshkuar për shkelje të ligjit të parandalimit të konfliktit të interesave”,- thuhet në raport.

Sula: Deputetë dhe ministra fshehin pasurinë

Deputetë të Komisionit të Ligjeve kanë akuzuar zyrtarë të lartë shtetërorë dhe qeveritarë se kanë fshehur pasuritë. Dy ditë pas publikimit të pasurive të zyrtarëve të lartë nga ana e ILDKP-së, deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula akuzoi zyrtarët e lartë madje edhe vetë kolegët e tij se fshehin pasurinë disa qindra milionë euro jashtë vendit.

“Unë do të radhis edhe kategorinë e zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilët duke filluar nga drejtor, drejtues institucionesh apo drejtor drejtorish të ndryshme nëpër ministri apo institucione të larta, kryetarë komunash, kryetarë bashkie, prokurorë dhe gjyqtarë dhe së fundmi deputetë dhe ministra, për të cilët është mjaft e sigurt që e fshehin pasurinë e tyre në forma të ndryshme”,- tha Sula. Ai akuzoi edhe prokurorinë, e cila, sipas Sulës nuk heton zyrtarët shtetërorë.

Për anëtarin e Komisionit të Ligjeve, i cili dikur ka mbajtur edhe postin e prokurorit, fshehja e pasurisë prej funksionarëve shtetërorë është evidente dhe i bëri thirrje institucioneve shtetërore dhe në veçanti organeve që janë përgjegjëse që të reagojnë. “Unë gjej rastin ta them dhe do ta them me zë të lartë që në Shqipëri ka fshehje të pasurisë dhe kjo është evidente. Nuk ka të fshihemi si struci, por duke iu referuar informacioneve që jepen në mediat e përditshme, politikanë që deklarojnë një vit më përpara një pasuri x dhe dy vite më pas me 500 apo 1 milion euro të fituara në bursë është për të ardhur keq”,- reagoi Sula pas paraqitjes së raportit vjetor të ILDKP-së. Sipas tij është qesharake mënyra se funksionarët e lartë fshehin pasuritë e tyre duke shfrytëzuar mosbashkëpunimin e institucioneve që e kanë për detyrë mbledhjen e informacioneve dhe vënien në shërbim të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë. “Si mund të shkojë një politikan te shtëpia e vëllait apo shokut apo të dashurës së vet ndërkohë që duhet parë që ajo nuk është shtëpia e tij. Duhet të tregohemi më të kujdesshëm në investigimin e këtyre pasurive. Si mund ti shpëtojë ILDKP-së që fëmijë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve venë dhe studiojnë në universitete më prestigjioze të botës dhe më të shtrenjtat. Si mund ti shpëtojë ILDKP-së që pushimet luksoze që politikanë t i kryejnë në vendet më të shtrenjta të botës, që kanë ora dhe kostume shumë të shtrenjta, ku e gjejnë gjithë këtë pasuri?”, akuzoi deputeti i qytetit të Peqinit.

I ashpër në akuzat e tij ka qenë edhe deputeti Fatos Hoxha, i cili kërkoi hetimin e plotë të pasurisë të gjithë atyre nëpunësve shtetërorë që kanë përfituar pasuri në kundërshtim me ligjin. Sipas deputetit demokrat, është e pamundur që një nëpunës të vërë pasuri në një kohë që ka punuar gjithë jetën si buxhetor në shtet. “Nuk kanë punuar asnjë ditë jashtë institucioneve shtetërore, po ndërtojnë vila disa në male, fusha, dete, kudo. Posedojnë pasuri të paluajtshme edhe të luajtshme. Thashë nuk bëj përjashtim për asnjë, edhe për politikanë ,por si hyn një gjemb në këmbë”, tha deputeti Hoxha.


Gazeta Shekulli 7/21/2011

No comments:

Post a Comment