Total Pageviews
Monday, July 25, 2011
Pasuria e familjes së kryeministrit
TIRANË- Mosha e thyer dhe dalja në pension e së shoqes duket se e kanë detyruar kryeministrin Berisha që të bëhet një administrator i mirë i parave të familjes. Teksa të gjitha shitjet, blerjet dhe veprimet e tjera me peshë ia ka lënë dy fëmijëve, çifti kryeministror mjaftohet me dhjetë llogari bankare në katër banka të ndryshme. Ndërsa fëmijët bëjnë një jetë më aktive si për shembull vajza Argita që bëhet pronare e të gjithë katit në pallatin ku banon, apo djali Shkëlzeni, i cili deklaron se tashmë jeton në një vilë shumë luksoze në periferi të Tiranës. “Shekulli” kishte shkruar muaj më parë për të dy këto raste, si Argitën që ka blerë të gjithë katin e tetë të pallatit ku banon (në katin e katërt banon i ati Sali Berisha), ashtu edhe për vilën e Shkëlzen Berishës në Lundër, për të cilën ai thotë se e ka me qira, por kjo është e dyshimtë. Të paktën këto janë shkruar në deklaratën zyrtare të pasurisë dhe të firmosura nga vetë anëtarët e familjes së kryeministrit.
Sali dhe Liri Berisha
Në deklaratën zyrtare të pasurisë të firmosur nga Sali Berisha shkruhet se familja e kryeministrit nuk ka bërë asnjë shpenzim të madh këtë vit. Të vetmet të ardhura të kësaj familjeje janë paga e Berishës si kryeministër, 2.233.186 lekë të reja në vit, pensioni i të shoqes 285.672 lekë në vit si dhe dieta për udhëtimet jashtë vendit në shumën e 2720 euro dhe 160 dollarë. Në zërin shtesa dhe pakësim, kryeministri nuk ka shënuar asgjë. Por ai ka bërë një rezyme të plotë të gjendjet të të gjitha llogarive të tij bankare ku shënohen një nga një të dhjetë llogaritë. Bie në sy fakti që bashkëshortja e kryeministrit është pensioniste prej dy vitesh, por ajo nuk e ka prekur asnjë herë pensionin. Deri tani ajo ma mbledhur 1.4 milionë lekë të reja në llogarinë e pensionit. Në total në llogaritë bankare zyrtare të kryeministrit Berisha dhe të shoqes ndodhen 4.660.827 lekë të reja, dy mijë dollarë dhe 3910 euro.
Argita Malltezi (Berisha)
Vajza e kryeministrit Berisha vit pas viti ka shtuar sipërfaqen e shtëpisë ku banon dhe këtë herë ka arritur që të blejë të gjithë katin. Ajo banon në një pallat me të atin, vetëm katër kate më lartë. Apartamenti i ri ka një sipërfaqe prej 195 metrash katrorë, të cilët i shtohet edhe sipërfaqja e apartamentit të vjetër dhe veranda e ndërtuar së fundmi. Në total ky apartament ka kushtuar 200 mijë euro dhe, sipas Argita Malltezit, është paguar me paratë e të shoqit Jamarbër Malltezi. Ajo zotëron tetë llogari bankare të cilat kanë ulje dhe ngritje, por dy më të mëdhatë janë shtimi i 10.222 eurove dhe i 7.1 milionë lekëve të reja. Të ardhurat e Malltezit janë paga vjetore në Fakultetin e Drejtësisë 1.1 milionë lekë të reja, paga në fakultete private 6.6 milionë lekë të reja dhe 10251 euro. Për sa i takon të ardhurave të bashkëshortit të saj Jamarbër Malltezi, nuk është shënuar asgjë. Ai punon me Bankën Botërore për projektin e Menaxhimit të Strukturuar të Bregdetit të Jugut. Çudia e deklarimit të vajzës së kryeministrit është tek shtëpitë e tjera. Banesa e vjetër e familjes Berisha në rrugën Lidhja e Prizrenit është dhënë me qira 1170 euro në muaj ndërsa banesa e re tek godina e ETC është dhënë 900 euro. Diferenca e dy lagjeve dhe shtëpive është shumë e dukshme, por shtëpia e vjetër në vendin pranë Brrakës është dhënë me një qira më të lartë. Këto dy qira dhe pagat janë të ardhurat e vetme të familjes së Argita Malltezit.
Shkëlzen Berisha
Djali i kryeministrit Berisha, Shkëlzeni vazhdon aktivitetin e firmës si konsulent në shitjen e pasurive të paluajtshme. Këtë zanat ai e ka mësuar dy vjet më parë nga motra e madhe dhe tashmë duket se është shumë i suksesshëm. Një vit më parë ai deklaroi se kishte fituar 200 mijë euro. Këtë vit në deklarimin zyrtar të pasurisë është shënuar se Shkëlzen Berisha ka fituar 150 mijë euro dhe 3.6 milionë lekë të reja si sekser në shitjen e pasurive të paluajtshme. Nga këto para, 130 mijë euro i ka futur në bankë ndërsa të tjerat i ka shpenzuar. “Shekulli” ka publikuar disa muaj më parë të dhëna që tregonin se Shkëlzen Berisha jeton në një vilë luksoze në periferi të Tiranës. Djali i kryeministri e ka pranuar këtë fakt në deklarimin e pasurisë dhe ka shpjeguar se këtë shtëpi e ka marrë me qira dhe paguaj një mijë euro në muaj, shumë tepër e vogël po ta krahasosh me shtëpinë që ka marrë me qira. Gjatë kësaj kohe Shkëlzen Berisha ka vazhduar të paguajë kredinë e makinës tip “Audi Allroad”, nga e cila i kanë mbetur edhe 13 mijë euro.
5.3 milionë lekë të reja ka kursyer kryeministri Berisha dhe e shoqja e tij, Liria nga paga dhe pensioni. Gjatë këtij viti ata nuk kanë kryer asnjë blerje, por vetëm kanë administruar dhjetë llogaritë bankare të familjes
200 mijë euro ka shpenzuar Argita Malltezi për të blerë apartamentin e fqinjit përballë. Tashmë ajo zotëron të gjithë katin e tetë të pallatit ku banon edhe i ati Sali Berisha. Shtëpia e re është blerë me paratë e të shoqit
150 mijë euro dhe 3.7 milionë lekë të reja ka fituar djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha nga puna e tij si sekser për shitjen e shtëpive. Nga këto para, 130 mijë euro i ka futur në bankë ndërsa të tjerat i ka shpenzuar
Topalli blen tokë për shtëpi në mal
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbetet politikania më e paguar në Shqipëri. Edhe pse nuk ka pagën më të lartë, udhëtimet e shumta bëjnë që ajo të marrë dieta me gjashtë shifra. Në total, sipas deklarimit të pasurisë, Topalli paguhet 3.16 milionë lekë të reja në vit ndërsa i shoqi, Ndoc Topalli fiton si noter 3.5 milionë lekë të reja. Gjatë një viti familja Topalli ka mundur që të kursejë 500 mijë lekë të reja. I shoqi ka pasur ulje dhe ngritje në 9 llogaritë e tij bankare ndërsa ka blerë edhe një tokë në Vrithë të Malësisë së Madhe në vlerën 5.2 milionë lekë të reja. Toka është 670 metra katrorë dhe në të familja Topalli ka planifikuar që të bëjë një ndërtim. Shkollimi i vajzës Margerita në Francë i kushton familjes Topalli nga një milionë lekë të reja në vit, ndërsa këtë vit i ati i ka hapur edhe një llogari personale ku gjenden 6770 euro.
Lindita Rama deklaron pasurinë për herë të parë
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka plotësuar deklarimin zyrtar të pasurisë duke shënuar vetëm pagat dhe shpërblimet, disa kursime të vogla, kredinë e vjetër dhe një minus në kartën e kreditit. Por këtë vit risia në familjen e tij është e shoqja, Lindita Rama, e cila ka një pasuri disi modeste të krijuar ndër vite.
Edi Rama
Kreu i opozitës ka shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë gjendjen e llogarisë bankare ku i kalohen paga dhe honorarët. Në këtë llogari gjenden 221 mijë lekë të reja, ndërsa në një llogari tjetër gjenden 23 mijë lekë. Rama ka hapur një kartë krediti ku gjendja është minus 1434 euro. Sipas deklarimit zyrtar të pasurisë, Edi rama ka kursyer këtë vit 500 mijë lekë të reja. Në zërin e të ardhurave, Rama ka shënuar vetë, 1.6 milionë lekë të reja që kanë ardhur nga para dhe shpërblimi i fundvitit në bashkinë e Tiranës. Ai ka shënuar se ka shlyer edhe 210 mijë lekë nga kredia e vjetër, nga e cila i kanë mbetur për të paguar edhe 845 mijë lekë të reja. Me këtë shënim mbyllet edhe deklarata e pasurisë.
Lindita Rama
Bashkëshortja e Ramës ka bërë deklarimin e parë të pasurisë dhe ka shpjeguar në mënyrë të detajuar pronat dhe të ardhurat e saj. Sipas formularit zyrtar, Lindita Rama ka në pronësi një apartament prej 146 metrash katrorë dhe një verandë 68 metra katrorë. Ai është blerë për 50 mijë euro dhe 12.7 milionë lekë të reja. Në këtë rast zonja Lindita Rama ka bërë këtë shënim: “50% e sipërfaqes është blerë më 22.13.2005, ndërsa 50% e sipërfaqes është blerë nga bashkëpronari më 31.08.2009”. Pranë kësaj shtëpie ajo gëzon edhe një garazh, i cili është blerë për 2500 euro dhe një milionë lekë të reja në të njëjtën formë me shtëpinë.
Në deklarimin e pasurisë ndodhen edhe dy toka ara në fshatin Surrel të Tiranës. Njëra është me sipërfaqe 2528 metra katrorë dhe është blerë 500 mijë lekë në vitin 2005 ndërsa tjetra ka sipërfaqe 1955.5 metra katrorë e blerë në vitin 2008 për 586 mijë lekë. Për sa i takon llogarive bankare, Lindita Rama ka shënuar pesë të tilla ku gjenden në total 24.655 euro. Ndërkohë ajo ka edhe një tjetër llogari bankare që e ka hapur së bashku me ish-bashkëshortin në emër të vajzës Rea, ku ndodhen 165 franga zvicerane. Lindita Rama ka shënuar se në tetor të vitit 2009 ka dhënë dy borxhe në shumat 30 dhe 40 mijë euro. Për këto borxhe ajo nuk do të marrë interesa.
Në zërin e burimeve financiare, Lindita Basha ka shënuar se ka marrë 3423 euro nga një universitet privat, 1.164.000 lekë, 9850 euro dhe 2200 dollarë nga puna në qendra të ndryshme. Përveç këtyre ajo ka dhënë me qira shtëpi e vjetër, nga e cila merr në vit 19.440 euro. Në deklaratën e pasurisë, Rama ka shënuar edhe shpenzimet për shkollimin e vajzës që shkojnë në shumën 8 mijë franga zvicerane në vit.
Ili Meta
Shtëpi 400 mijë euro dhe vilë në plazh
Kryetari i LSI-së Ilir Meta mund të konsiderohet këtë vit si politikani që ka bërë më shumë shpenzime. Në deklarimin zyrtar të pasurisë ai ka shënuar se ka marrë një apartament banimi së bashku me bashkëshorten në shumën 400 mijë euro. Bëhet fjalë për disa kate në një pallat të vogël në qendër të Bllokut. Si burim për këtë pasuri, Meta ka shënuar një kredi prej 200 mijë eurosh ndërsa deklaron se 200 mijë euro të tjera i kishte të ruajtura në shtëpi. Kredia do të paguhet për 20 vjet me një këst mujor prej 1083 eurosh. Në zërin e të ardhurave, familja Meta-Kryemadhi ka shënuar pagën si zv. kryeministër dhe ministër i Ekonomisë për vitin 2010, 1.7 milionë lekë; pagën e të shoqes si sekretare organizative në LSI 969 mijë lekë dhe të ardhura nga këshilli bashkiak i Tiranës në shumën 278 mijë lekë. Ndërkohë Monika Kryemadhi ka shënuar në deklarim marrjen e një shtëpie dykatëshe në fshatin turistik në Gjirin e Lalzit. Kjo shtëpi dykatëshe në plazh është shkëmbyer me një sipërfaqe prej 300 metrash katrorë që kanë qenë në pronësi të zonjës Kryemadhi më parë. Këtë pronë ajo e ka përfituar në bazë të kontratës me formën ndërtuese pasi zotëronte truallin ku është bërë ndërtesa.
Familja presidenciale
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka nisur ndërtimin e një shtëpie me dy kate mbi tokë dhe një kat nën tokë në periferi të Tiranës. Kjo shtëpi do të ketë një sipërfaqe 288 metra katrorë për çdo fshat. Deri më tani kjo shtëpi ka kushtuar 4.7 milionë lekë.
Të ardhurat e familjes së presidentit janë paga e Bamir Topit 2.5 milionë lekë, paga e të shoqes, Teuta 914 mijë lekë si dhe paga e vajzës së madhe, Nada Topi 1.35 milionë lekë. Përveç këtyre familja Topi ka edhe një kredi për shtëpi, nga e cila duhet të shlyejë edhe 950 mijë lekë.
Vajza e madhe e Presidentit Topi, Nada ka ndryshuar makinë. Ajo ka shitur makinën e saj për shtatë mijë euro dhe ka marrë një më të mirë, e cila i është dhuruar nga i fejuari. Shumën e shtatë mijë eurove, Nada Topi ka preferuar ta mbajë në shtëpi.
Ened Janina
Shekulli online korrik 19, 2011
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment