Total Pageviews
Thursday, June 23, 2011
Skandali, i arrestuari për korrupsion fiton tenderin e uniformave të policisë
TIRANË- Dy vjet më parë ishte me pranga në duar i akuzuar për abuzime me tenderin e uniformave të policisë ndërsa sot është fitues i këtij tenderi. Madje është i njëjti tender që është shtyrë e shtyrë që nga viti 2009. Jani Gjergjefi është shpallur nga Agjencia e Prokurimit Publik si fituesi i tenderit me vlerë 1.8 miliardë lekë të reja dhe ftohet të lidhë kontratën me autoritetin prokurues Policinë e Shtetit. Tenderi mësohet se është zhvilluar me 25 mars, afërsisht një javë pasi ai ishte anuluar për probleme procedurale.
Fakti bëhet i ditur për “Shekullin”, nga burime të Policisë së Shtetit, ndërsa konfirmohet edhe nga buletini zyrtar me nr.24 i datës 20 qershor i Agjencisë së Prokurimit Publik. Po ashtu një njoftim për shpalljen e fituesit e ka bërë edhe Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila njofton se operatori ekonomik “Gjergjefi” sh.p.k, me seli në rrugën “Viktimat e 7 Shkurtit”, ishte fitues. Sipas tenderit, të zhvilluar në muajin maj të këtij viti, fituesi duhej të furnizonte policinë me artikujt e normës së veshmbathjes dhe aksesorëve dhe objekteve të tjerë. Kontrata, sipas dokumenteve standarde të tenderit, do të ketë një kohëzgjatje prej katër vitesh dhe pjesa kryesore e saj pritet të realizohet gjatë vitit 2011.
Por Gjergjefi është ende në proces gjyqësor i akuzuar për skandalin e tenderit të parë të vitit 2009. Bashkë me Jani Gjergjefin, policia arrestoi edhe tre zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme, si dhe dy administratorë të dy kompanive private me akuzën e “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Bujar Murati, aktualisht 41 vjeç, ish- drejtor i Njësisë së Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Redi Popesku, 33 vjeç, ish- specialist në Ministrinë e Integrimit, si dhe Tahir Imami, 49 vjeç, Shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës, u arrestuan bashkë me Artan Berberin, 45 vjeç, si dhe Agur Sadikun, 49 vjeç, biznesmenë.
Policia tha se personat e mësipërm ishin akuzuar se kishin kryer veprime korruptive me qëllim përzgjedhjen në rrugë jo të ligjshme të disa subjekte tregtare, në realizimin e tenderëve të veshmbathjes për disa institucione që trajtoheshin me uniformë, si Garda e Republikës, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e institucione të tjera. Tenderi për të cilin u arrestua bashkë me këta persona edhe Jani Gjergjefi, kapte shifrën e 1.7 miliardë lekëve. Biznesmenët e arrestuar akuzoheshin se iu kishin dhënë ryshfet zyrtarëve të prokurimeve, ndërsa punonjësi i Ministrisë së Integrimit, kishte kryer rolin e sekserit, për një shumë prej 125 mijë eurosh.
Problemi me numrin e niptit
Në njoftimin e dhënë nga Agjencia e Prokurimit Publik, në Buletinin Zyrtar të saj është dhënë si nipt për “Gjergjefi” sh.p.k kodi i një nipti , i cili në fakt i përket një tjetër subjekti, gjithashtu prodhues veshmbathjesh. Ai ka të njëjtën adresë me firmën e Gjergjefit, rruga “Viktimat e 7 Shkurtit”. Edhe pse është kryer një ngatërrim i tillë i niptit dhe i adresës së subjektit fitues, kjo nuk e ka penguar firmën të shpallet fituese e një prokurimi prej rreth 18 miliardë lekësh të vjetra. Ndërkohë që specialistët thonë se ai mund të ishte ndarë në lote të ndryshme dhe vlera e tenderit mund të ishte përgjysmuar, ose së paku mund të kishte arritur së paku deri në 30 për qind më pak të vlerës së fituar.
1.885 miliardë lekë të reja pa Tvsh, është vlera e fondit që kishte në dispozicion Policia e Shtetit, për të realizuar blerjen e uniformës dhe elementëve përbërës të saj për katër vite rresht duke nisur nga viti 2011
Kostumet ceremoniale
Ajo që bie në sy në tabelat e objekteve që do të blihen, është ajo e prodhimit të një numri prej 8600 kostumesh ceremoniale, nga të cilat 7900 do të jenë për meshkuj dhe pjesa tjetër për femra. Një blerje e tillë sipas specialistëve duket ekzagjerim i pa justifikuar për dhe tërësisht i panevojshëm në blerjet e Policisë së Shtetit, pasi kostume të tilla vishen vetëm më raste ceremonish, vetëm nga një repart i Policisë së Shtetit, që përbëhet afërsisht prej 100 efektivësh, si dhe nga drejtuesit e lartë të Policisë në qendër dhe në qarqe.
S’ka preventiv për artikujt
Në asnjë artikujve të kërkuar për t’u blerë nga Policia e Shtetit, janë kryer preventiva (parashikime) mbi vlerën e tyre të mundshme. Një veprim i tillë duket se hedh hije dyshimi mbi vlerësimin e objekteve, duke lënë edhe vend për abuzime të mundshme me çmimet dhe cilësinë që pritet të realizojë subjekti.
Dashamir Biçaku
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment