Shekulli 25 Maj 2011
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha është ndalur tek çështja e privatizmit. "Privatizimi është një proces jetik për vendin. Qëllimi i tij është njëkohësisht rritje e madhe e eficencës së menaxhimit. Ndaj në ktë kontekst është e domosdoshme të procedohet me shpejtësi drejt privatizimit. Nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë sektor publik më të vogël se Shqipëria. Nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë bërë privatizime më të thella se Shqipëria, por ne do t'i thellojmë ato", deklaroi kreu i qeverisë gjatë mbledhjes.
Duke propozuar privatizimin e INSIG-ut, Berisha tha se janë edhe 1280 objekte të tjera të cilat janë në proces e sipër. "Për të gjitha këto objekte, në rastet ku ato kanë pronar, atij do t'i respektohet e drejta e parablerjes. Është e domosdoshme që ato të kenë përparësi. Të tjerat do të privatizhon në përputhje me rregullat dhe transparencën e plotë. Le të konsiderojmë gjysmën e dytë të këtij viti si vendimtare në kompletimin e procesit të privatizimit".
Sipas Berishës, me kompletimin e procesit të privatizmit, "taksat e qytetarëve dhe biznesmenëve nuk do të shkojnë për rroga, por për shkolla, rrugë, shërbime e zhvillim. Ato do të jenë në funksion të zhvillimit më të madhe e më të shpejtë, si kusht për të realizuar objektivin tonë "Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017".
Gjithashtu, kreu i qeverisë pranoi se Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk disponon kapacitetin për mirëmbajtjen e veprave të mëdha infrastrukturore, qofshin këto edhe të pandërtuara ende, ndaj ato duhet të jepen për menaxhim. "Vendet e tjera ua japin kompanive të mëdha për t'i mirëmbajtuar këto lloj veprash. Është e domosdoshme të nxisim, të shqyrtojmë mundësinë e aplikimit të partneritetit publik privat, pasi ai ka potenciale të mëdha", tha Berisha.
Vlen për t'u shtuar se privatizimi i 1280 objekteve shtetërore u kundërshtua me forcë nga opozita, madje ajo iu shtua arsyeve të saj për protestat që paraprinë fushatën zgjedhore. Opozita e quajti këtë privatizim atëherë një "plaçkitje e objekteve shtetërore nga oborri i kusarisë".
No comments:
Post a Comment