Total Pageviews

Wednesday, May 25, 2011

Pushteti që buron nga tryezat partiake

Gazeta Sqhiptare 25 Naj 2011 nga Kico Blushi

Tashmë është provuar: sa herë bëhen zgjedhje në Shqipëri, fati i tyre nuk do të vendoset nga vota, nga vullneti i popullit, nga premtimet e alternativat, nga cilësitë morale të kandidatëve e komisionerëve, nga karizma e kryetarit të partisë, por rezultati përcaktohet ose nga nën-tryezat partiake, (ndryshimet e befta të Kodit Zgjedhor apo të Kushtetutës, ndërtimi bipartizan i komisioneve, koalicionet e habitshme, simpatitë e antipatitë e ndërkombëtarëve), ose nga mbi tryezat institucionale, gjoja transparente të KZAZ-ve e më pas edhe të KQZ-së, të ekraneve, të podiumeve, të cilat ngjizen e mbrothësohen me verbërinë e heshtarëve e yshtarëve të ristanuar, të nëpunësve partiakë e pa dinjitet, të gatshëm të kryejnë çdo lloj masakre mbi lirinë dhe ndershmërinë e presupozuar të votës, e cila tjetërsohet, kuptohet, përherë në dobi të atij kryetari partie që i ka emëruar.
Kujtuam se duke sharë me kuç e me maç spiunët e Sigurimit të Shtetit dhe propagandistët e partisë, fytyra e njeriut të ri demokratik do të bëhej vetvetiu më e pastër, sepse, besonim që në liri e demokraci do të vendosej një raport më i drejtë me ndershmërinë, me ligjin e përgjegjshmërinë qytetare…Por nëse ish- spiunët dhe ish-fanatikët e diktaturës mund të justifikohen me frikën nga burgu e nga internimi, këta të sotmit, që deformojnë edhe në liri-demokraci, bashkë me votën edhe të vërtetën, herë nëpër ekrane e më kollaj nëpër komisione, institucione apo gjykata, pa iu bërë syri tërr, si mund të justifikohen?
Me sa duket, as diktaturat dhe as gjasme demokracitë nuk mund të qëndrojnë më këmbë asnjë ditë pa kontributin e të shtypurve, të blerëve, të shiturve, të delenxhinjve, të sahanlëpirësve mediatikë, të kameleonëve që e ndërrojnë ngjyrën dhe gjuhën sipas stinës politike, të cilët pranojnë të shesin veten, fjalën dhe nderin për një kockë, për një post, për një pronë, madje edhe për një buzëqeshje të udhëheqësit!...
Po sa janë të tillët?
Emrat e tyre, mjerisht, sa vjen dhe shtohen! Por si të mos mjaftonte kjo shumësi nëpunësish-amebë që kanë zaptuar gjithë territorin publik e politik, këta manipulatorë të paskrupullt të Fjalës kanë filluar t‘i shesin moral shoqërisë, duke na shpjeguar, falë teknologjisë televizive, jo vetëm se si duhet ta shohim e ta kuptojmë të vërtetën, por edhe si të transformohemi sa më shpejt në ca derra të lumtur ballkanikë që nuk shohin asgjë tjetër, përveç grazhdit…!
Po përse ndodh kështu?
Sidoqoftë, kjo është një dukuri mbarëkombëtare, e cila ia vlen të hulumtohet më në thellësi, paçka se të bën të dyshosh për sistemin politik që kemi ngritur në këto njëzet vjet, ku ai që vjedh, ai që vret, ai që shan, ai që gënjen, ai që telendis e shkërbëhet më shumë...ai/ata nderohen e çmohen më shumë! Në fund të fundit vjedhja e votës është mandati real i këtyre sojsëzëve, është prova e besnikërisë për mercenarët, garancia e të paaftëve për të siguruar të ardhmen, është mënyra e delikuentëve për të shmangur Drejtësinë, është mjeti i vetëm për t’u bërë i pasur dhe i shquar!
***
Sigurisht që zgjedhjet e 8 majit nuk ishin prova e parë gjenerale, por as e fundit e kësaj lebetie “demokratike” mbi votën popullore. Edhe humbja, edhe fitorja, tek e fundit ishin një ngjarje e pritur, e paralajmëruar. Askush nuk dyshonte që do të kishte manipulim. Vetëm se kësaj here nuk dihej se ku dhe se si do të kryhej skema e babëzisë për pushtet, përndryshe e deformimit të votës...Shqiptarët e vëmendshëm e panë se atë që nuk e bënë dot KZAZ-të, e bëri me një përkushtim shembullor KQZ-ja e Ristanit; atë që nuk e bënë hajdutët e horrat e periferive, e kryen lapërdharët me kollare të qendrës, madje të epiqendrës; koalicionin “historik” që nuk e nxirrte dot fitues në Tiranë PD-në plus LSI, e bëri koalicioni i pashpallur Sali plus Hysni Millosh i Partisë Komuniste. Sepse të 1.390 e ca votat e komunistëve të përkushtuar të Tiranës për kandidatin Milloshi, i cili në fakt shërbeu si një hjekës i së majtës, i së majtës ekstreme, kurrsesi nuk mund të shkonin direkt për kandidatin Basha, edhe sikur këtë t’ua kërkonte kryetari i komunistëve që kandidoi për kryebashkiak…Por lëvizjet nën tryezë bënë që votat e ekstremit të majtë, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme apo të verbër, të ikin “në drejtim të paditur”, duke përfunduar te kandidati i Berishës, sepse iu hoqën automatikisht e lehtësisht kandidatit të majtë Rama, njëlloj si votat e LSI-së në vitin 2009. Kjo është karakteristika më thelbësore e pushtetit në Shqipëri: e djathta qeveris me votat e të majtëve; por tash edhe me të komunistëve. Vendin e Tiranën e qeveris njeriu që ka sharrë e mallkuar më shumë edhe se të përndjekurit të majtët dhe ish komunistët, paçka se ka pas qenë vetë komunist!
Edhe tërheqja e Dash Shehit nga kandidimi, i cili, pa qenë e nevojshme të bëjë fushatë “spektakolare” e të kushtueshme në Tiranë, ka marrë në çdo zgjedhje mbi 6 mijë vota të së djathtës, natyrisht për hir të emrit të mirë që ka krijuar, ishte një tjetër arritje e nën-tryezës së “padukshme” të Berishës dhe e shtabit të tij të specializuar, sepse votat e Shehit, nëse do të kandidonte, si herët e shkuara, automatikisht do t’i hiqeshin kandidatit të djathtë, meqë Shehi natyralisht i përket të djathtës e sidomos Tiranës…Kjo do të bënte që kandidati Basha të kishte mbi gjashtë mijë vota më pak, gjë që do ta thellonte diferencën mes dy rivalëve, duke e bërë humbjen e Bashës binjake me tri humbjet e mëparshme të PD-së: të Mustafajt, të Ngjelës dhe të Olldashit...Fakti që Basha thuajse u barazua në vota me Ramën, nuk është se ky kreu një fushatë “të shkëlqyer”, as se mundi të lajë e të shpëlajë me ujë të bekuar fytyrën e tij rrugëve të Tiranës, por për shkaqet dhe për manovrat e mësipërme, të cilat, duhet pranuar, rezultuan me sukses.
Të gjitha këto manovra të Berishës, të kryera herë mbi e më së shumti nën tryezë, gjithsesi janë përkthyer në vota të fituara jo direkt, por paraprakisht, ende pa u bërë zgjedhjet… Po të shtosh edhe plus 2-3 përqindëshin që, edhe pa bërë manipulime skandaloze, në çdo vend demokratik, thuhet se e ka të garantuar një parti që është në pushtet, mund të bëjnë mbi dhjetë mijë vota plus, aq sa ka marrë në tri zgjedhjet e kaluara Edi Rama ndaj kundërshtarëve të tij. Me një distancë të tillë në vota, pra jo me dhjetë plus, por edhe me mbi dhjetë mijë, nuk do të ishte aspak e kuptueshme e as e besueshme që të zhvillohej ai transformim absurd i KQZ në KZAZ për të përmbysur rezultatin në tryezë, fill pasi KZAZ-të e njëmbëdhjetë njësive bashkiake të Tiranës e kishin mbyllur procesin e numërimit dhe kur shumatorja, madje edhe me zërin e Ristanit, e nxori Ramën me dhjetë vota plus fitues të garës…
Pra, rinumërimi i kutive, edhe sikur të nxirrte Bashën jo me 81 vota më shumë, por edhe me pesëqind më shumë, do ta kishte të pamundur të tjetërsonte rezultatin në tryezën e KQZ-së, sepse do të ishte një mision sa absurd, aq edhe i pamundur! Për këtë arsye kryeministri, në ditët e para të pas 8 Majit, deklaroi që një fitore me 10 vota më shumë, nuk mund të quhej fitore, se ishte “paraprake”, gjë që paralajmëroi rinumërimin… E pra, të gjitha këto vota të kontestuara, të gabuara, të hequra me një operacion të kryer nën e mbi tryezë, me dhe pa transparencë, me dhe pa ligj, shtoji kësaj llogarie edhe dukurinë “Ristani”, edhe mediat e blera, bashkë me sondazhet e Gani Bobit, besoj se e bëjnë tablonë e zgjedhjeve të 8 majit më se të qartë.
***
Letra e papritur e Kadaresë drejtuar Bashës ishte si një rrufe në shkretëtirë. Afërmendsh, edhe Kadare nuk është aq naiv sa të mos kuptojë që Basha, edhe po të donte, nuk do ta linin të dorëhiqej me nder e dinjitet, “për hir të demokracisë”. Jo zgjedhësit, as militantët, as votuesit e tij, si u përgjigj i mosdorëhequri, por shefat e tij që kishin vënë bast për kokën e tij nuk do ta lejonin, si edhe nuk e lanë. Më sak ndoshta duhet thënë: nuk e linin interesat madhore e jetike të palëve partiake e financiare që e mbështetën. Sepse një Bashë nuk e ka në dorë as fitoren, e aq më pak dorëheqjen...Ai (dhe të ngjashmit e shumtë me të) është një vegël, një mjet, një buton, një çelës kopil i oligarkisë partiake e sidomos financiare të ndërtimit. Berisha mund të lëshonte gjithë Shqipërinë, por jo Tiranën…Po ashtu edhe fitorja e PS-së në gjithë Shqipërinë, në se kryetari i saj e humbet Tiranën, do të duket si një flluskë sapuni! Prandaj në këtë kërleshje të bajlozëve, interesat madhore të kombit, për të cilat flet me aq shqetësim Kadareja, duken si ëndrra në diell!
Edhe pse një humbje e mundshme e secilit kandidat nuk do të habiste njeri, sepse ky është rregulli numër një në çdo demokraci normale, meqë Tirana ishte dhe mbeti “Stalingradi i zgjedhjeve”, fati i Bashës, i Berishës, pse jo edhe i Ramës, tashmë janë vendosur në muret e Rozafës së zgjedhjeve, në zyrat e KQZ-së e pas ca ditësh edhe të Kolegjit Zgjedhor, si një kurban flijimi. Prandaj qytetarët këto ditë pyesin me shqetësim: ç’do të ndodhë nesër? Si do të shkojnë punët? Askush nuk e di. Mesa duket, as tre ambasadorët që venë e vijnë në zyrat e partive…
Kam përshtypjen se një përgjigje të saktë nuk mund të japin as të dy rivalët! Kjo e bën situatën edhe më të zymtë!

No comments:

Post a Comment