Gazeta Shqiptare 05/25/2011
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar dje të japë një shpjegim zyrtar për mospërputhjen e shifrave në tabelën përmbledhëse të rezultatit për kryetar të Bashkisë Tiranë. Zëdhënësi i këtij institucioni, Leonard Olli i kontaktuar dje nga “Gazeta Shqiptare” nuk ka preferuar të japë një përgjigje për këtë çështje. Konkretisht, në tabelën përmbledhëse të KQZ-së rezultojnë 870 vota më shumë se sa votues. Duke folur dje në emisionin “Top Shoë”, juristi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji tha se KQZ nuk është në gjendje të japë një përgjigje për procedurën dhe rregullin e ndjekur për numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara që ndryshuan tabelën përmbledhëse për Tiranën, për shkak se sipas tij ky institucion ka manipuluar të dhënat. “Kemi kërkuar procedurën e ndjekur nga KQZ që në fillim të këtij procesi dhe deri ditën e djeshme nuk e morëm përgjigjën. E gjithë procedura është e papërcaktuar pa rregulla dhe veprim i nxituar e i jashtëligjshëm. Të gjitha fletët kanë qenë të vlerësuara nga KZAZ-të, disa të vlefshme disa të pavlefshme dhe disa të kontestuara. Qeliza janë tabelat e grupeve të numërimit dhe e KZAZ-ve. Tabelat kanë ndryshuar vetëm virtualisht. Tabela e grupit të numërimit nuk ndryshohet. KQZ nuk mund të ndryshojë tabelën e grupit të numërimit”, tha Salianji. Më tej, avokati PS-së tha se KQZ doli jashtë funksionit që i përcakton neni 122 pika 6 e Kodit Zgjedhor. “KQZ doli jashtë funksionit dhe shpiku një institucion. Në Kodin Zgjedhor KQZ, sipas nenit 122 pika 6 bën vetëm aritmetikën, duhet vetëm të nxjerrë rezultatin e tabelave të 11 KZAZ-ve”, tha ai. Kjo mospërputhje shifrash, të lë të dyshosh për shtimin e fletëve në kuti, në një datë pas 8 majit.
Mospërputhja e shifrave
Në tabelën përmbledhëse të rezultatit për kryetar të Bashkisë Tiranë, rezulton se në kutitë e votimit janë gjetur 870 vota më shumë se numri i zgjedhësve që kanë votuar. Sipas tabelës përfundimtare të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Tiranë kanë votuar gjithsej 256507 persona. Ndërsa fletë votimi të gjetura në kuti rezultojnë 257377 vota. Me një aritmetikë të thjeshtë, nëse numrit të votave i zbresim numrin e zgjedhësve, llogaria del 870 vota më shumë se sa votues. (257377 – 256507 = 870)
Votat e pavlefshme
Një tjetër mospërputhje shifrash rezulton edhe ndërmjet numrit të votave të gjetura në kuti dhe numrit të votave të pavlefshme. Konkretisht: në tabelën përmbledhëse të hartuar nga KQZ, rezulton se fletët e votimit të gjetura në kuti janë 257377 copë, vota të pavlefshme 6730 dhe vota të vlefshme 250885 copë. Nëse nga numri total i votave të gjetura në kuti do të zbresim numrin e votave të vlefshme, diferenca mes shifrave rezulton 6492, që duhet t’i përkiste realisht numrit total të votave të pavlefshme. Por kjo shifër nuk korrenspondon me të dhënën e publikuar në tabelën përmbledhëse të rezultatit që ka miratuar nga KQZ, ku numri i votave të pavlefshme rezulton 6730. Diferenca mes këtyre shifrave (6730 – 6492) është pra 238 vota më shumë.
No comments:
Post a Comment