Dërguar më: 24/05/2011 - 12:25
Klodiana Lala
Nuk e fal Fatmir Mediun. Ai nuk iu përgjigj asnjë lloj kushti. Është sjellë sikur ta kisha dëmtuar unë atë dhe jo ai mua. I kam shkrirë të gjitha mundësitë e mia. Të ishte burrë i mirë ai të më vinte në shtëpi. Unë nuk jam kriminel. Shpenzimet e spitalin i kam kërkuar... Zyber Lela, është njëri nga dhjetëra të mbijetuarit e tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec. Dje, Lela mbërriti në gjykatën e Lartë për t’u përballur me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të cilin e konsideron si përgjegjës të gjymtimit të tij. Që në krye të herës, kolegji penal me relatore, Evelina Qirjako, pyeti të dëmtuarin akuzues, nëse do ta falë personin që akuzon. “Nuk kam si ta fal. I kam bërë të gjitha përpjekjet. Unë duhet të bëjë disa ndërhyrje kirurgjikale, një në zemër që më kushton 20 mijë euro. Duhet të bëj një operacion tjetër në shpatull. Pllakat e platinit që duhet të vë në shtyllën kurrizore kushtojnë 10 mijë euro. I kam kërkuar ta paguajë shpenzimet e spitalit, nuk më është përgjigjur. E kam kontaktuar përmes miqve të tij dhe ai s’ka bërë asgjë. Nuk e fal…!”, - tha Lela. Teksa fliste ai qëndronte ulur, pasi gjendja e tij ishte e rënduar. Kërkesës nëse do të ishte dakord që pajtimin ta ndërmjetësonte gjykata, iu përgjigj, se nuk kishte ndërmend ta falte një njeri, që e ka trajtuar tamam sikur të ishte vetë ai që e kishte dëmtuar Fatmir Mediun dhe jo ish-ministri atë.
Përballja
I mbështetur pas një të afërmit të tij, në pamundësi për të mbërritur në gjykatë me këmbët e tij, Zyber Lela, filloi përballjen gjyqësore me një nga njerëzit e politikës shqiptare. I vënë përballe kolegjit penal, i mbijetuari i tragjedisë, refuzoi ta falte ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, pasi deklaroi se ai nuk i ishte përgjigjur kërkesës së tij për t’i paguar shpenzimet për kurimin e tij. “I kam bërë të gjitha përpjekjet. E kam kontaktuar përmes miqve. E kam pritur mbrëmë (të dielën në darkë) deri në orën 20:00 të darkës dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Ai nuk ka pranuar asnjë marrëveshje. Në Shqipëri nuk ka drejtësi, nuk ka shtet”, - tha i mbijetuari i tragjedisë, duke e shprehur me të madhe verdiktin e tij, që nuk do ta falte në asnjë mënyrë Fatmir Mediun. Madje, ai theksoi se nuk i kishte kërkuar kurrë shpërblim, por vetëm lekët që i nevojiten për operacione.
“I kam kërkuar vetëm lekët e spitalit, asgjë tjetër”, - tha Lela. Duke qenë se gjykata nuk arriti pajtimin mes palëve, vendosi të caktojë një date tjetër për vazhdimin e gjykimit. Gjatë shqyrtimit të kërkesës, gjykata do të vlerësojë nëse është në kushtet për t’i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë, heqjen e imunitetit për deputetin Fatmir Mediu, dhe gjykimin e tij për akuzën e “plagosjes së rëndë nga pakujdesia”.
Ish-ministri Fatmir Mediu, ua ka “hedhur” deri të tani të gjitha ‘betejave’ gjyqësore me drejtësisë, duke u shpëtuar akuzave si përgjegjës për shpërthimin tragjik që solli për pasojë 26 viktima.
No comments:
Post a Comment