Total Pageviews

Tuesday, May 24, 2011

Korrupsioni, Shqipëria në vend të dytë në Ballkan

Dërguar më: 24/05/2011 - 12:42

Genc Kondi

Në Shqipëri numri i qytetarëve që paguajnë ryshfete është rreth 20 për qind, gati dy herë më i lartë se mesatarja e rajonit të Ballkanit Perëndimor, që shënon 12.5 për qind. Sipas raportit të Zyrës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën, tek ne vihet re që pjesëmarrje e lartë në këtë fenomen, ndërkohë që pagesat nuk bëhen në mënyrë të rregullt. Ndërkohë, në Kosovë, për shembull, ku fenomeni kap 11.1 për qind, është dy herë më e lartë se tek ne frekuenca e pagesave nga qytetarët në xhepat e zyrtarëve të korruptuar. Raporti vë në dukje se vetëm Bosnja arrin të kalojë Shqipërinë në këtë drejtim.
Rajoni
Nuk është e rastit, që një agjenci e OKB-së është marrë me rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të analizuar këtë fenomen. Që në fillim të raportit në fjalë thuhet se korrupsioni është raportuar shpesh si një nga pikat e dobëta të rajonit. Ai konsiderohet si një nga shkaqet kryesore që pengojnë zhvillimin e tyre ekonomik dhe shoqëror, po ashtu si dhe procesin e tyre të bashkimit me BE-në. Komuniteti ndërkombëtar e ka konstatuar me kohë këtë problem, por nuk është i vetëm. Edhe vetë qytetarët e Shqipërisë, Bosnjës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë e kanë renditur korrupsionin si problemin më të madh që po përballojnë vendet e tyre, menjëherë pas papunësisë dhe varfërisë.
Pagesat
Shqipëria është vendi, ku pranohen ryshfetet më të vogla. Ne zëmë vendin e parë për sa i përket përket ryshfeteve deri në 20 euro, ndërkohë që në Maqedoni duket se zyrtarët nuk e "ndyjnë dorën", në rast se shuma e ryshfetit të ofruar apo të kërkuar është më e vogël se 500 euro. Ryshfetet e vogla zënë 50 për qind të totalit në Shqipëri dhe ato të mëdha zënë 50% të totalit në Maqedoninë fqinje.
Zonat
Raporti konstaton se në vendin tonë mbizotërimi i ryshfetit është më i lartë në zonat rurale, krahasuar me ato urbane, përkatësisht 20.9 për qind dhe 17.7%. E kundërta ndodh në Mal të Zi apo Kosovë, ku ryshfeti mbizotëron 40% më shumë në rajonet e qyteteve. Një fakt interesant përbën ai, i konstatuar nga anketuesit e OKB-së, sipas të cilëve në vendin tonë mbizotërimi i fenomenit të korrupsionit është më i lartë tek gratë, se sa tek burrat. Kështu, ndër të parat ai konstatohet në shkallën 21.3 për qind, në një kohë kur tek kategoria e dytë e popullatës shkalla ulet në vetëm 17 për qind.

No comments:

Post a Comment